Pse politika e Bankës së Shqipërisë është e cungët?

Sep 18, 2023 | 9:30
SHPËRNDAJE

NGA EVARIST STOJA EVARIST STOJA

Me muaj, në media gumëzhin një debat intensiv mbi zhvlerësimin e euros përtej kufirit që edhe më pesimistët apo, në varësi të pikëpamjes rreth këtij problemi, më optimistet nuk do të kishin parashikuar para disa muajsh.

Debati, nëse ishte, tani nuk është më akademik. Tani kanë filluar të duken qartë pasojat e para të këtij zhvlerësimi, i cili nuk po prek vetëm eksportuesit, disa prej të cilëve kanë filluar të mbyllin dyert duke lënë pa punë me dhjetëra e qindra njerëz si ç’është raportuar gjerësisht në media ditët e fundit. Zhvlerësimi tani po prek edhe bizneset e ndryshme që prodhojnë produkte për konsum të brendshëm, të cilat po konkurohet padrejtësisht nga produktet më të lira të importit si pasojë e një kursi këmbimi euro-lek të çoroditur.

Për shembull, një artikull para pak ditësh në media raportoi se megjithëse konsumi gjatë verës duket se është rritur si rrjedhim i numrit të lartë të turistëve, kjo është shoqëruar me rritjen e konsumit të birrës së importuar që aktualisht ka çmim më të favorshëm si rrjedhim i të njëjtit kurs këmbimi të çoroditur, ndërsa konsumi i birrës së vendit ka pësuar rënie. Kjo do të ishte një histori e bezdisshme dhe aq sikur efekti të kufizohej thjesht te ulja e konsumit. Por si rrjedhim i shitjeve më të ulta, prodhuesi në fjalë shkurtoi 10% të punonjësve. Misteri i vërtetë është e dukshmja, jo e padukshmja thoshte Oskar Uajldi. Pavarësisht masave për deeuroizimin e ekonomisë të ndërmarra, euro vazhdon ta zhvendosë lekun si monedhë kombëtare në Shqipëri në atë pikë sa ekonomia rrezikon delekëzimin në heshtje.

Dhe pavarësisht masave për formalizimin e ekonomisë dhe reduktimin e pagesave në kesh, thellësisht të nevojshme për ekonominë, por të kërkuar edhe nga BE, megjithëse paraja në qarkullim ka rënë, ajo jashtë bankave, e cila e bën informalitetin të mundur, është rritur. Si mundet që për dy dështime fare të dukshme e flagrante e që po bëhen përherë e më të thella në vend me një varg pasojash negative përfshirë edhe çoroditjen e kursit të këmbimit, Banka e Shqipërisë nuk ka thënë ende publikisht një fjalë?!

Në javët e muajt e fundit në një seri artikujsh e intervistash kam insistuar se politika monetare e BSH është e cungët. Për këtë kam sjellë në vëmendje informalitetin e lartë të ekonomisë, ku volumi i pagesave me para në dorë është fakti më flagrant dhe euroizimin që ngadalë e gradualisht po përhapet në çdo qelizë të ekonomisë. Nuk e kisha shtjelluar argumentin më tej sepse, në gjykimin tim, kjo ishte fare e qartë, të paktën deri në momentin kur një miku im më kërkoi privatisht ti shpjegoja “ç’lidhje ka euro e paratë kesh me politikat e BSH?”. Këtu do të përpiqem të përgjigjem për të dhe ndonjë kurioz tjetër.

Politika monetare e një banke qendrore vepron përmes normave të interesit, të cilat ajo i cakton bazuar në nevojat ekonomike të vendit; interesi paguhet ndaj depozitave bankare në monedhën kombëtare. Ky përkufizim i thjeshtë e ilustron menjëherë problemin: që politika monetare të jetë funksionale kërkohen dy gjëra esenciale: paraja jashtë bankave të jetë minimale dhe monedha kombëtare të mos ketë konkurrencë brenda vendit. Meqenëse as njëri dhe as tjetri kusht nuk plotësohet, rrjedhimisht politika monetare e BSH është e cungët.

Pse është kështu? Paratë jashtë bankave natyrisht që nuk fitojnë interes – interesi paguhet vetëm ndaj depozitave bankare. Kur banka qendrore kërkon të nxisë ekonominë e vendit, ul normën e interesit. Normat më të ulëta të interesit frenojnë kursimet dhe nxisin konsumin, kreditimin dhe investimet në ekonomi. Kur ekonomia merr superxhiro dhe inflacioni del jashtë kontrolli, atëherë banka qendrore ngre normat e interesit që natyrisht nxit njerëzit të kursejnë më shumë dhe të konsumojnë më pak që, nga ana e vet, ul inflacionin. Por ulja e konsumit frenon ekonominë dhe shpesh mund të shpjerë në tkurrje të saj.

Natyrisht që një bankë qendrore kontrollon normat e interesit të paguara në depozitat e monedhës së vet. Në rastin tonë, Banka e Shqipërisë cakton normën e interesit në lek, e cila aktualisht është 3%. Kjo është një normë relativisht e ulët që sugjeron se banka qendrore është më shumë e shqetësuar për të nxitur rritjen ekonomike se sa për inflacionin. Por duke qenë se një shumë jashtëzakonisht e madhe dhe në rritje lekësh është jashtë bankave, ajo shumë nuk fiton interes dhe rrjedhimisht nuk ndikohet nga politika monetare. BSH mund t’i ngrejë e t’i ulë normat e interesit sa të dojë, por kjo s’ka asnjë efekt te pjesa informale e ekonomisë. Kjo është njësoj si një veturë që ingranazhet e marsheve i ka të prishura – shoferi mund t’i rrisë marshet sa të dojë, vetura nuk ecën dot më shpejt. Kështu edhe ekonomia shqiptare ku informaliteti i lartë, i toleruar me vite e dekada, nuk e lejon të rrisë shpejtësinë pas “rritjes së marsheve” nga ana e BSH.

Problemi i dytë është ai i euroizimit ose ndoshta më saktë de-lekëzimit të ekonomisë së vendit – një pjesë jo e vogël e transaksioneve kryhen në valuta të tjera psh. dollarë apo paund. Në Eurozonë, norma e interesit e caktuar nga Banka Qendrore Europiane është rreth 4 – 4.75%, norma më e lartë gjatë gjithë ekzistencës çerek-shekullore të euros, në Britani norma e interesit të Bankës së Anglisë është 5.25% dhe në SHBA ajo është 5.5%. Të tria këto norma interesi janë qartësisht shumë më të larta dhe reflektojnë shqetësimin e thellë të bankave qendrore për inflacionin galopant në vendet e tyre – rritja ekonomike është dytësore dhe të tria këto banka qendrore janë gati të pranojnë frenimin e ekonomisë e ndoshta edhe tkurrje vetëm të venë në kontroll inflacionin. Të tria këto monedha përdoren gjerësisht në Shqipëri dhe veçanërisht euro gradualisht po zëvendëson de facto lekun si monedhë kombëtare. Një efekt anësor i normave të tyre të interesit është se ato jo vetëm nuk ndihmojnë, por pengojnë ekonominë shqiptare. Për t’u kthyer te metafora e mësipërme, kjo është si shoferi që e nget veturën me njërën këmbë te gazi dhe tjetrën te frenat. Këtë të fundit nuk e kam provuar, po a ka ndonjë mekanik që e rekomandon?!

* Profesor i Financave, Universiteti i Bristolit, Mbretëri e Bashkuar

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura