Pse Mbreti Zog e detyroi Mihal Gramenon të tërhiqet nga veprimtaria publicistik

Feb 6, 2024 | 12:16
SHPËRNDAJE

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi dje 93-vjetorin e ndarjes nga jeta të atdhetarit të shquar Mihal Grameno (13 janar 1871- 05 shkurt 1931).

mihal grameno1

Mihal Grameno është një ndër figurat e atdhetarizmit shqiptar, publicist, shkrimtar dhe veprimtar i lëvizjes patriotike e demokratike. Mihal Grameno lindi në janar të vitit 1871, në Korçë.

Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Në moshë të re emigroi në Bukuresht të Rumanisë, ku u lidh me shoqërinë patriotike shqiptare “Drita”. Në vitet 1907-1908, iu bashkua çetës së Çerçiz Topullit dhe së bashku me luftëtarët e çetës kombëtare luftuan në Shqipërinë e Jugut për çlirimin kombëtar. Në vitin 1909, mori pjesë në Kongresin e Manastirit. Gjatë viteve 1915-1919, jetoi në Amerikë, punoi për lëvizjen e atdhetarëve shqiptarë të atjeshëm. Më pas, vazhdoi veprimtarinë si publicist duke mbrojtur idealet demokratike.

Mihal Grameno është një ndër novelistët e parë të letërsisë sonë. Kështu, përmendim novelat e tij “Oxhaku” (1909), “E puthura” dhe “Varri i Pagëzimit”. Ai shkroi dy veprat: komedinë “Mallkimi i gjuhës shqipe” (1905) dhe dramën historike “Vdekja e Pirros” (1906), të cilat trajtojnë tema patriotike. Gjithashtu, Mihal Grameno drejtoi gazetat “Lidhja orthodhokse” (1909-1910) dhe “Koha” (1911-1926). Vdiq në Korçë më 1931. Patrioti Mihal Grameno ishte një njeri poliedrik: Luftëtarpatriot-rilindas- shkrimtarpublicist, nga më të mirët.

Po ta nisim nga veprimtaria e tij letrare mbeten të njohura dhe të gdhendura në letërsinë shqipe të para çlirimit shohim se: Krijimet e para letrare e publicistike të Mihal Gramenos panë dritën e botimit në fillim të shek.XX. Hartoi këngë patriotike, disa prej të cilave, si “Për mëmëdhenë”, “Lamtumirë”, “Uratë për liri” u përhapën gjerësisht në popull. Është ndër nismëtarët e dramaturgjisë e të prozës (sidomos novelës) së gjatë shqipe. Shkroi novelat “Oxhaku”, (1904-1905), “Varri i pagëzimit” (1909) dhe “E puthura” (1909), në të cilat gjeti pasqyrim me nota sentimentaliste jeta e përfaqësuesve të vegjëlisë, me brengat e saj të përditshme.

PUBLICISTIKA

Fusha ku spikati talenti i Mihal Gramenos është publicistika. Bashkëpunoi me disa organe, por shumicën e shkrimeve e botoi në gazetat “Lidhja ortodokse” (1909- 1910) dhe “Koha” (1911- 1926), të cilat i drejtoi vetë. Shkrimet e tij publicistike shquhen për idetë demokratike dhe frymën luftarake. Mihal Grameno luftoi me këmbëngulje kundër shovinizmit fqinj dhe politikës osmanizuese të xhonturqve. Në përgjithësi novelat e tij kanë natyrë sentimentale.

Tek ato gjejmë përpjekje për të krijuar mjedise të besueshme shqiptare dhe personazhe nga klasat e shtresat e ndryshme të shoqërisë sonë të asaj kohe. Ka botuar dy vepra dramatike: Komedinë “Mallkimi i gjuhës shqipe” (1905) dhe dramën “Vdekja e Pirros” (1906), të dyja të shkruara në vargje. Komedia “Mallkimi i gjuhës shqipe” trajton luftën e atdhetarëve shqiptarë kundër klerit reaksionar grek dhe elementëve grekomanë; te “Vdekja e Pirros” trajtohet kthimi i Pirros fitimtar nga Italia dhe vrasja e tij me të pabesë. Veprat dramatike të Gramenos vuajnë nga fragmentizmi dhe mungesa e veprimit. Megjithatë, së bashku me veprat dramatike të Çajupit e të Fan Nolit, ato i çelën rrugën dramaturgjisë shqiptare. Grameno shkroi edhe vjersha të cilat i botoi më 1912, të përmbledhura në librin me titull “Këngëtore shqipe – Plagët”.

Poezia atdhetare e Gramenos u bëri jehonë të drejtpërdrejtë ngjarjeve të vrullshme që do të sillnin Pavarësinë e Shqipërisë. Vjersha “Për Mëmëdhenë” u bë një këngë e famshme atdhetare. Është nga publicistët në zë të Rilindjes e të periudhës që pasoi, i cilësuar si një nga pamfletistët më të njohur të së kaluarës. Shkrimet e tij publicistike u vunë drejtpërdrejtë në shërbim të çështjes kombëtare. Drejtoi gazetat “Lidhja orthodhokse” (1909-1910) botoheshin në Shqipëri dhe diasporë, si “Lidhja ortodokse” në Korçë, “Përlindja e Shqipërisë” në Vlorë dhe “Koha” në SHBA (1911- 1926), me disa ndërprerje, “Drita” në Sofje, në të cilat botoi artikuj, prozë, poezi dhe drama.

Shkrimet publicistike të Mihal Gramenos shquhen për frymën popullore, për patosin luftarak, ironinë e sarkazëm therëse. M. Grameno mbetet në letërsinë shqiptare, në radhë të parë, si publicist. Shkrimet e tij dhanë ndihmesë në krijimin e novelës e të dramës. Është ndër autorët e parë që solli në letërsi në mënyrë të gjerë, personazhe nga shtresat e varfëra të shoqërisë shqiptare. Vitet 1921-1924, përfshijnë veprimtarinë publicistike, në qendër të së cilës trajtohet tema e demokratizimit të shtetit shqiptar, si dhe konsolidimi i tij.Etapa e fundit e tij janë shkrimet publicistike të viteve 1925-1930, kohë në të cilën Grameno hedh bazat e letërsisë dokumentare dhe shkrimit të kujtimeve me shkrimin dhe përgatitjen për botim të vëllimit “Kryengritja Shqiptare”, gjithashtu kjo mund të quhet edhe etapa e rënies ideore të Gramenos.

Mbreti Zog, pas vitit 1924 e detyroi të tërhiqet nga veprimtaria e tij publicistike dhe madje e dënoi për përkrahjen që i dha Mihal Grameno Revolucionit Demokratik të Nolit, por më vonë, nga fundi i jetës së tij i dha një pension të përjetshëm dhe nuk ushtroi më presion ndaj tij. Në vitin 1907, u bashkua me çetën e Çerçiz Topullit për të luftuar turqit. Mori pjesë në betejën e Mashkullores, Gjirokastër. Më 1909, krijoi Kishën e parë Orthdokse të pavarur nga Greqia por nuk u njoh nga Perandoria Otomane e për pasojë krijoi Lidhjen Orthodokse.

Më 1915-1920, shkoi në SHBA dhe më 1919 mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris si përfaqësues i komunitetit shqiptaro-amerikan. Mihal Grameno vdiq në shtëpinë e tij në Korçë i nderuar nga bashkëkombësit. Shteti shqiptar e ka nderuar me titullin “Hero i Popullit”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura