Pse duhet votuar “Nea Demokracia”!?

Jan 22, 2015 | 11:51
SHPËRNDAJE

TRITAN SHEHU

   Greqia të dielën do të marrë, nëpërmjet votës së lirë, një vendim të rëndësishëm, ndoshta thelbësor  për shumë nga hapat e mëtejshëm të saj, jo thjesht ndaj marrëdhënieve me zonën euro e BE, por dhe ndaj aspiratave, historisë, përpjekjeve të saj të mëdha edhe në këto vitet e fundit për të korrigjuar gabimet e së kaluarës, për të “shëruar” ekonominë, precizuar vizionin.   Pa asnjë dyshim Greqia është një vend i domosdoshëm për Europën e Re, ashtu siç ka qenë në histori një epiqendër e Europës së Vjetër, djep i koncepteve demokratike. Por, nga ana tjetër, edhe kjo Europë është një domosdoshmëri për vetë Greqinë, pa të cilën ajo do të humbiste shumë nga çfarë ka bërë në këto 2500 vite, si dhe aq më tepër do të humbiste e do të vinte në dyshim të ardhmen e saj, e cila është e lidhur pazgjidhmërisht me hapësirën së cilës ai vend i përket.
   Dhe për këto vendos populli i atij vendi, në mënyrë të lirë e demokratike, ashtu si është mësuar ta bëjë këtë që nga koha e Athinës së lashtë. Le të shpresojmë se dhe kjo votë do të bazohet mbi historinë, vlerat, gjakftohtësinë, larg emocioneve negative të krizës dhe mbi të gjitha mbi interesat madhore të së ardhmes, për një rol edhe më aktiv të atij vendi në familjen e përbashkët. Në fakt, kjo kërkon që të votohet për rrugën europiane, për qëndrimin në euro, për respektimin e detyrimeve e angazhimeve të marra vitet e fundit, për miqësinë e bashkëpunimin me ato vende. Rrugë tjetër racionale nuk ekziston para atij populli e vendi. Çdo alternativë e ndryshme do të ishte me pasoja negative të thella, së paku ngadalësuese, me paqartësi e pikëpyetje të mëdha për të nesërmen. Pa dyshim do të ishte dhe me efekte negative për të gjithë rajonin tonë, edhe për Shqipërinë fqinje e partnere, si dhe për vetë familjen e shtëpinë sonë të përbashkët, BE.
   Kohët që po përjeton sot bota demokratike, Europa, rajoni ynë, nuk janë të qeta, janë shumë të turbulluara e të kërcënuara nga rreziqe të mëdha. Mbi këtë rajon vërtiten tashmë forca e ideologji nga vende apo grupime që janë thellësisht të interesuara për ta larguar atë nga rruga europiane. Pa asnjë dyshim këto interferenca janë jo vetëm krejt në kundërshtim me interesat e të gjithë rajonit tonë, por janë kryekëput të ndryshme dhe me ato të vetë Greqisë. Janë në kundërshtim dhe me hapat pozitivë të viteve të fundit në ecurinë ekonomike, sociale, politike të këtij vendi e populli mik. Unë besoj se e diela nuk do ta ndërpresë, as do ta ngadalësojë këtë ecje në këtë rrugë, e cila tashmë po funksionon duke dhënë efekte reale, të mirëpritura e optimiste, për ta shtyrë drejt labirinteve të dyshimta. Sado i gjatë të jetë një proces i tillë i filluar krah partnerëve europianë e amerikanë, ndoshta disavjeçar ky jo i lehtë, ai është varianti më i mirë i mundshëm, i pazëvendësueshëm me eksperimente “alkimie”. Çdo devijim i bërë nga kjo rrugë zhvillimi veçse do ta kthente vendin mbrapa në kohë, pasoja e sakrifica. Një gjë e tillë mund të shpërthejë një reaksion “zinxhir”, duke vënë në pikëpyetje atë themel që është ndërtuar, për të cilin jo vetëm që ka kontribuar populli grek, por gjithashtu edhe politika apo taksapaguesit europianë në tërësi.
   Dhe kjo kahe në këtë proces lëvizjeje, e vetmja pozitive, mund e duhet konsoliduar të dielën më 25 janar, nëpërmjet një vote të përgjegjshme, të qartë, të qetë, jo konfuze e inatçore, pikërisht për rrugën e forcat europeiste, për hapësirën euro, respektimin e detyrimeve ndaj BE, që do të thotë dhe për bashkëpunimin e gjerë në të ardhmen, me shpresën, vullnetin e kushtet për kalimin sa më të shpejtë të vështirësive.
Në këtë logjikë, në radhë të parë renditet nevoja e rikonfirmimit të Nea Demokracisë, si forca më progresive e europeiste e historisë moderne greke, ajo që u dha tonin ndryshimeve pozitive në atë vend në këto dekada. Por dhe si forca politike që në këto momente të vështira e me rreziqe gjigante për të ardhmen, arriti që në një kohë shumë të shkurtër të çlirohet nga gabimet e së kaluarës, të ndalojë rënien ekonomike, duke dhënë shenjat e para të ngritjes së saj, të sigurojë ndihmën e të tërheqë qindra miliarda euro mbështetje nga Perëndimi. Kjo u pasua me rikonsolidimin e stabilitetin e brendshëm, si dhe me ringjalljen e prestigjit të këtij vendi.
   Këtë ne nuk e themi thjesht se ND është partia jonë simotër në grupin më të madh politik europian, atë të Partisë Popullore Europiane, gjë e cila në vetvete përbën një garanci të fortë për rrugën që ka ngelur, por se realisht koha tregoi që vizioni i asaj force politike e liderit të saj Samaras është më objektivi, më i përgjegjshmi, më i qarti e vizionari për atë vend. Kjo nevojitet pikërisht dhe sot, për të siguruar vazhdimësinë e asaj që u arrit, për të mos zhvlerësuar sakrificat e deritanishme e kontribuar për të nesërmen stabile e europiane të Greqisë.
Kjo në fakt nuk është vetëm në interes të atij vendi dhe të popullsisë së tij nacionale. Kjo është dhe në interes të emigrantëve, pavarësisht të disa thirrjeve spekulatore, të rajonit që ka nevojë për një Greqi solide e të zhvilluar, të Shqipërisë për të cilën ai vend është një partner strategjik, veçanërisht në rrugën tonë të integrimin.
Prandaj ne urojmë konsolidimin e kësaj rruge, së vetmes së suksesshme më 25 janar, duke e lidhur këtë me përgjigjen e pyetjes së mësipërme: Ja pse duhet votuar Nea Demokracia!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura