Protesta e të premtes/ Berisha: Ftoj të gjitha forcat politike që shpallin veten opozitare të vijnë në betejë, 48 orë na ndajnë nga dita e fitores

Apr 24, 2024 | 20:32
SHPËRNDAJE

Ish-kryeministri, Sali Berisha në fjalën e tij para simpatizantëve të mbledhur poshtë banesës ku ai ndodhet “arrest shtëpie” , ka ftuar forcat politike që t’i bashkohen protestës në bashkinë e Tiranës.

WhatsApp Image 2024-04-24 at 20.24.29

Berisha është shprehur se vetëm 48 orë i ndajnë nga dita e fitores, ndërsa i ka bërë thirrje qytetarëve që të lënë çdo gjë dhe të prijë ditën e premte betejën.

Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjet më të pakufishme ju luftëtarëve të pathyeshëm të guximit, të lirisë, dinjitetit, të shpresës së shqiptarëve.

Demokrate dhe demokratë, u përshëndes ju, përshëndes oratorët që e shndërrojnë platformën e kësaj proteste në platformën e të vërtetës, në platformën e mbrojtjes së interesave të qytetarëve të Tiranës dhe Shqipërisë.

Mbrojtjes së interesit kombëtar dhe idealeve demokratike të qytetarëve shqiptarë.

Të dashur miq, 48 orë na ndajnë nga dita e fitores.

48 orë!

Ndaj dhe unë, sonte kam një thirrje për çdo qytetar të Tiranës të bëjë gjithçka për të firmosur ditën e premte fitoren e tij, fitoren e fëmijëve të tij, fitoren e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë.

Thirrja ime është për çdo demokrate dhe demokrat të kryeqytetit, të ngrihet në lartësinë e idealeve të tij, sakrificave të pamerituara, vuajtjeve që i ka krijuar regjimi antishqiptar i Edi Ramës në këto 11 vite.

Të lërë çdo gjë dhe të prijë ditën e premte në betejën e fitores.

Sot ftoj të gjitha forcat politike që shpallin veten opozitare të vijnë në betejë se beteja është prova e moralit opozitar, e guximit opozitar, e opozitarizmit të vërtetë.

U bëj thirrje të rinjve, të rejave të jeni të parët në këtë betejë sepse në qoftë se Erion Veliaj, Tiranën që duhet të ishte foleja e familjeve tuaja të reja, duhet të ishte shtëpia më e bukur e ëndrrave tuaja, ia ka dorëzuar mafies.

Ndaj dhe ju nuk keni alternativë tjetër veçse largimin prej saj.

E premtja është dita për të treguar guximin tuaj, forcën tuaj, fitoren tuaj.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura