Projektligji/ Qeveria ‘hap burgjet’ për të dënuarit: Konsumi i alkoolit mund t’i penalizojë

Jul 17, 2015 | 18:44
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Ministria e Drejtësisë ka hartuar një projektligj të ri për “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”. Nisma parashikon masa shtesë ndaj të burgosurve në rast se konstatohen qëllime kriminale edhe pa vendim Gjykate, por që mund të merren drejtpërdrejt nga ministri i Drejtësisë dhe ministri i Brendshëm, si dhe krijimin e burgjeve të hapura.

Foto ilustruese

Sipas ministrisë, një propozim i tillë bëhet jo vetëm për arsye të sigurisë së brendshëm të institucionit, por edhe të sigurisë së jashtme.

Me kërkesën e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Ministri i Drejtësisë, mund të vendoset pezullimi në institucion ose në një pjesë të tij aplikimin e rregullave normale të trajtimit të të burgosurve, në përputhje me nevojat e rendit dhe të sigurisë.

Pezullimi përfshin kufizimet e nevojshme për të ruajtur rendin dhe sigurinë në institucion si dhe për të parandaluar lidhjet me jashtë të të dënuarve për këto vepra penale. Në të tilla raste, masa mund të zgjasë deri në një vit dhe mund të zgjatet në mënyrë të njëjtë për një periudhë të mëtejshme një vjeçare, kur ka dyshime të bazuara se vazhdojnë përpjekjet për të mbajtur lidhjet me elementë kriminalë nga jashtë.

Ndërkaq, projektligji parashikon përfshirjen në legjislacionin shqiptar të burgjeve me regjim të hapur, që sipas ministrisë së Drejtësisë, ka si qëllim përmirësimin e funksionit të rehabilitimit social dhe riintegrimit për të dënuarit.

Në projektligj thuhet se kalimi i të dënuarve që përmbushin kriteret ligjore në këto institucione, do të shërbejë si një fazë parapërgatitore për çastin e lirimit të tyre.

Sipas relacionit që shoqëron projektligjin, një burg i hapur është një institucion në të cilin i burgosuri kryen dënimin me mbikëqyrje dhe perimetër sigurie minimal dhe nuk mbyllet në qelitë e burgut.

Ndërkohë që vuajnë dënimin e tyre të burgosurit kanë të drejtë të punojnë.

“Ideja është që i burgosuri del nga IEVP në mëngjes dhe shkon në vendin e punës së tij. Pas përfundimit të punës, ai menjëherë do të kthehet në institucion dhe të mbetet aty deri në mëngjesin tjetër, në qoftë se ai nuk ka leje ose pushime. Në institucion, të burgosurit mund të marrin pjesë në aktivitete të kohës së lirë, të zhvillojnë aktivitete sportive dhe të përfitojnë në trajtimin e ofruar atje. Shumicën e fundjavave i burgosuri mund t`i kalojë me familjen e tij. Të burgosurve në një burg me regjim të hapur sigurisht që do t`u duhet t`i përmbahen në mënyrë strikte rregullave të specifikuara. Konsumi i alkoolit ose kthimi me vonesë mund të çojë zhvendosjen e të burgosurit në burgje të mbyllura”,-thuhet në projektligj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura