Projektligji i ri, pronarët bashkohen kundër qeverisë

Aug 14, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Projektligji i ri për kthimin dhe kompensimin e pronave, jo vetëm që nuk po përkrahet nga grupet e interesit, por për herë të parë po i bashkon ata kundër qeverisë. Janë shtatë shoqata, që përfaqësojnë ish-pronarët, të cilat kanë dalë me një deklaratë të përbashkët kundër ligjit të ri. Në deklaratën e tyre, që gazeta po e boton të plotë, përfaqësuesit e pronarëve theksojnë qartë se nuk do ta njohin ligjin e ri.

pronaret largohen
Ish-pronarët, duke braktisur prezantimin e Reformës për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave

Sipas tyre, në draft nuk flitet për kthim prone, dhe si i tillë i gjithë dokumenti nuk do të pranohet. Shoqatat u bëjnë thirrje ambasadave të distancohen nga qeveria, dhe shprehen se janë të gatshëm të shkojnë deri në Gjykatën e Strasburgut për të mos lejuar zbatimin e projektligjit. Sipas tyre, qeveria e ka më të lehtë të kthejë pronën te pronarët, sesa të bëjë ndryshime të ligjit që e pengon një gjë të tillë. 

DEKLARATA E PLOTË E PRONARËVE
“Për mospranimin e projektligjit të qeverisë, ‘Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave në Shqipëri'”. Në kuadër të reformës për çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronës, Qeveria shqiptare prezantoi projektligjin “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. Për t’u njohur me projektligjin ishin ftuar edhe shoqatat e pronarëve shqiptarë.

Drejtuesit dhe përfaqësuesit e shoqatave të pronarëve analizuan me hollësi e shqetësim përmbajtjen e projektligjit dhe konstatuan se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë (neni 41 dhe 181) dhe me Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut për Pronën. Ai nuk zgjidh problemin madhor, që është kthimi i pronës, por përkundrazi, në projektligj mbyllet përfundimisht kthimi i pronës, minimizohet vlefta e pronës dhe mbyllet mundësia për t’u ankuar në Gjykatën e Strasburgut. Në këtë projekt, është hequr fare koncepti i kthimit të pronës, pra nuk ka më kthim të pronës, por ka vetëm një kompensim minimal e sipas interesit të qeverisë.

Ne pronarët i kërkojmë Qeverisë- KTHIMIN E TOKES që na është marrë, madje edhe fitimin e munguar qysh nga viti 1945. Ndërsa, kompensimin në “para”, nëse qeveria ka, le t’ua japë “pronarëve” që fabrikoi me “Ligjin 7501”. Projektligji i ofruar si “zgjidhje” nga qeveria është i papranueshëm, sepse mban forcërisht në fuqi ligjin antikushtetues 7501, datë 19.07.1991, “Për Tokën”, me të cilin iu mor toka pronarëve që e trashëgonin dhe iu dha falas disa të tjerëve që qeveria i emërtoi “pronarë”. Ky veprim ka qenë dhe është në kundërshtim me nenin 41 të Kushtetutës së Shqipërisë, i cili thotë: “Prona fitohet me dhurim, me blerje ose me trashëgim…”.

Bie në kundërshtim edhe me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut për Pronën, e cila është ratifikuar nga Parlamenti Shqiptar me ligjin nr.7491, datë 29.04.1991. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës deklaron se janë vetëm 26 mijë dosje të pronarëve që kërkojnë kthimin e pronave, dhe vetëm këta llogarit për kompensim, por janë ende dhjetëra mijë pronarë të tjerë që kërkojnë dokumente për të vërtetuar pronat e tyre.

Ndërkohë, Qeveria shqiptare këto prona, ende të pavërtetuara, i konsideron prona të shtetit dhe vazhdon t’i shesë e t’i japë me qira, në mënyrë të kundërligjshme. Ndërkohë në 50% të territorit (në pjesën veriore të vendit) secili banor ka marrë tokën e tij të trashëguar), pra ligji 7501 është zbatuar vetëm në Jug të vendit. Projektligji zyrtarizon përfundimisht një borxh absurd në miliarda euro, të cilat duhet të përballohen nga taksapaguesit dhe buxheti i shtetit, për të kompensuar pronarët dhe e gjithë kjo, sa për interesa elektorale e karrieriste, aq edhe korruptive, të liderëve politikë që kanë sunduar jetën e vendit në këto 24 vjet. Ndërkohë që është e sigurt, se nëse prona kthehet te pronari që e trashëgon, detyrimi financiar i kompensimit bëhet zero.

Kjo është e vetmja zgjidhje që i kërkohet qeverisë nga pronarët shqiptarë, qysh nga viti 1991. Është një fakt, se aktualisht për tokën në Shqipëri nuk ka tituj pronësie konform Kushtetutës. Për këtë arsye, nga konfliktet e pronës, deri tani janë vrarë mbi 8000 persona. Këtë e ka deklaruar në Parlament vetë Kryeministri Rama. Njëherësh ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-kryeministri Majko kanë deklaruar publikisht se “klasa politike shqiptare ka gabuar me ligjin 7501”. Pronarët shqiptarë, të gjendur para arbitraritetit dhe padrejtësisë së shtetit shqiptar, që u mori pronat, kanë kërkuar e do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, e cila rast pas rasti u ka dhënë të drejtë pronarëve shqiptarë (rasti Manushaqe Puto etj).

Kjo gjykatë ka gjobitur rëndë edhe Qeverinë shqiptare, por me këtë projektligj, qeveria ua heq këtë mundësi pronarëve. Zonja Sonila Qato, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, në çelje të takimit, u shpreh se “qëllimi i ligjit të ri të pronave është që t’i vërë fre vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, që i shkakton një shumë të kripur parash shtetit shqiptar”. Për arsyet e mësipërme, ne pronarët shqiptarë e konsiderojmë projektligjin krejtësisht të papranueshëm dhe e denoncojmë zyrtarisht dhe publikisht si një artificë të qeverisë, me anën e të cilit jo vetëm nëpërkëmb të drejtat e pronarëve shqiptarë, por kërkon të mashtrojë edhe institucionet dhe Drejtësinë europiane.

Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me grupin e punës, nëse qeveria pranon që diskutimi të fillojë nga zgjidhja në përputhje me Kushtetutën dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut – pra nga kthimi i pronës, e pastaj nga kompensimi, por vetëm për tokat e zëna me objekte socialekonomike. Për këtë, përfaqësuesit e shoqatave të pronar- ëve kërkojnë që të tërhiqet drafti i përgatitur nga qeveria dhe në tavolinën e diskutimeve të shqyrtohet drafti i përgatitur nga shoqatat e pronarëve.

Të gjitha shoqatat e pronarëve të Shqipërisë, në unitet të plotë, i drejtohemi të gjitha institucioneve të Bashkimit Europian, Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë dhe gjithë ambasadorëve të vendeve të BE-së, të mbështesin të drejtën e pronarëve shqiptarë, sipas standardeve europiane, duke kushtëzuar edhe marrëdhëniet me Qeverinë shqiptare me zbatimin e Kushtetutës së Republikës dhe të Drejtës Europiane për kthimin fizik të pronës. Në të kundërt, alternativa e vetme e pronarëve shqiptarë do të jetë zgjidhja përmes Gjykatës së Strasburgut.

Ne besojmë shumë te parimet e Drejtësisë europiane dhe jemi thellësisht të bindur se nuk mund të ketë zgjidhje përfundimtare dhe të qëndrueshme pa kthimin fizik të pronave dhe kompensimin e tyre vetëm kur janë të zëna me objekte socialekonomike. Me kthimin e pronës pronarëve, kompensimi bëhet zero, dhe Shqipëria bëhet pjesë e BE-së.

ALEANCA E SHOQATAVE TË PRONARËVE SHQIPTARË
1. Shoqata “Pronësi me Drejtësi”
2. Shoqata “Bregdeti”
3. Shoqata “Krahina jonë”
4. Shoqata “Dukati”
5. Shoqata “Pronarët legjitimë”
6. Shoqata “Pronarët e Myzeqesë”
7. Shoqata “Borshi”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura