Problemet me pensionet e pleqërisë dhe suplementet

May 24, 2024 | 7:25
SHPËRNDAJE

Pensioniste-pensione-private-fonde-pensioneshSKËNDER ROSHNIQI

Çështjet e pensioneve më së tepërmi kanë qenë të fokusuara mediatikisht për nivelin e ulët të përfitimit të qytetarëve dhe që nuk është aq i denjë pas kontributit të një jete pune. Po ashtu, në fokus kanë qenë edhe kategori të caktuara që për vështirësi pune, si minatorët apo të tjera kategori, kanë shpalosur gjithmonë kërkesën për një pension më special. Porse pak jemi marrë me mënyrën se sa problematika dalin rrugës për qytetarin e thjeshtë në përllogaritjen e pensionit të tij. Gjithçka në një skemë të ngatërruar një periudhe kohore që nuk ka një kontinuitet kohor ligjor, por që ndahet me etapa dhe që përllogaritet me etapa. Kjo dhe për shkak të kushteve specifike të Shqipërisë para dhe pas viteve ‘90, kur i gjithë sistemi kaloi në kolaps, porse të gjitha këto kthesa historike, ndikojnë me “kthesa” të tjera në tryezat e përllogaritjes së pensioneve nga punonjës të tanishëm shtetërorë.

Në morinë e ankesave të qytetarëve, të cilët vërejnë se u “fluturojnë” si pa dashje vite të tëra pune e kontributesh, që tashmë ndikojnë në përllogaritje më të ulët të pensionit të tyre, ka një shumëllojshmëri rastesh. Por çfarë të bën përshtypje është fakti se nga vetë nëpunësit që merren me çështjet e pensionit e të përllogaritjes të tij, për shumë çështje që mund të jenë të zgjidhshme, krijohen pengesa artificiale që shkaktojnë pakënaqësi, indinjatë dhe fyerje për qytetarin e thjeshtë për gjithë kontributin jetësor që ka dhënë. Ja disa nga rastet e problematikave artificiale që krijohen e që po i përcjellim në vijim:

-Në përllogaritjen e viteve të punës deri në vitin 1994, si psh., uljen e tyre me pretekste të ndryshme, si mosllogaritjen e periudhave të stazheve pas mature (1 vit) dhe atyre pasuniversitare. Mijëra pensionistëve nuk ju përllogariten vitet 1991-1994 ku shumica e tyre punuan me licenca në aktivitete private, ndërkohë që kanë paguar detyrimet ekonomike financiare pranë rajoneve ku banonin. Ndonëse janë të regjistruar në regjistrat e rajoneve (lagjeve) përkatëse, dhe ndonëse regjistrat ekzistojnë ende në zyrat përkatëse, çuditërisht ato qëllimisht nuk merren në konsideratë për t’u përfshirë në vitet e punës të kryer të qytetarëve për pension.

-Një tjetër mangësi sfilitëse që vihet re në aplikimet për pension, është se në përllogaritjen për pas vitit 1994, qytetarëve iu mohohen vite e periudha kohore atyre, që ndërkohë kanë paguar detyrimet, përfshirë deri në administratorët e kompanive, me pretekste të mungesës së listëpagesave që nuk gjenden në sistem, ose që u mungon emri në listëpagesa. Dhe kjo ndodh dhe me kompani që kanë marrëveshje të firmosura dhe të vulosura me sigurimet shoqërore e me vërtetimet përkatëse që kanë paguar detyrimet vjetore sipas viteve. Pra, edhe nëse ekziston një marrëveshje dhe dihet që janë paguar detyrimet në sigurimet shoqërore, gjendet si shkak mungesa e listëpagesës për të hedhur në kosh vite të tëra pune, që përbëjnë vjetërsinë mbi të cilën ngrihet përllogaritja e pensionit të qytetarit. Duket paradoksale, por mëse e vërtetë, çka të bën të mendosh se gjithçka është e qëllimtë për të shmangur sa të jetë e mundur detyrimet ndaj qytetarëve që aplikojnë për pension. Në ato vite kur dhe shteti ishte ende në kolaps e në rikonstruksion total të skemës së vet funksionalë pas kaosit administrativ me ndryshimin e regjimeve, është e kuptueshme që disa punonjës në aktivitetet private nuk kanë paguar kontribute. Por që kjo t’u mohohet dhe administratorëve të kompanive, ndërkohë që kanë ushtruar për vite me radhë aktivitetin atyre në përputhje me ligjin, jo vetëm në raport me tatimet e detyrimet, por edhe me pagesën e sigurimeve shoqërore, kjo e bën më qesharak problemin. Ndonëse kemi një arshivë që disponon materialet e nevojshme për të mundësuar zgjidhjen e këtyre padrejtësive, për fat të keq dosjet e pensionkërkuesve nuk plotësohen dhe për këtë askush nuk mban përgjegjësi.

-Një tjetër problematikë që haset është se llogaritjet e pensionit suplementar nuk bëhen mbi bazën e pagave referuese dhe pozicioneve të personave që kanë punuar para viteve 1994 dhe mbushur moshën e pensionit në vitet 2010–2024, por ato përllogariten me pagat minimale e koeficientë të ulët. Një nga kategoritë më të dëmtuara në këtë drejtim janë ushtarakët, rrogat e njësuara të të cilëve, duke iu referuar kohës që kanë mbushur moshën e pensionit dhe detyrat e pozicionet që kanë pasur para vitit 1994, janë përllogaritur qëllimisht keq nga sektori i suplementit, çka ka prekur ndjeshëm interesat e kësaj kategorie në të drejtat e pensionit. E veçanta e gjithë kësaj situate, është se ndonëse ankimimet janë të shumta, ato ngecin në kalvarin e burokracisë që pak tenton të zgjidhë, por më së shumti bëhet pengesë, duke e mbytur të drejtën e qytetarit në kënetën e morisë së ligjeve, ndryshimeve, VKM-ve dhe të urdhëresave të brendshme. Nuk dihet një rast i vetëm që një punonjës i sektorit të suplementeve të ketë mbajtur përgjegjësi në shumën e madhe të ankesave, ndonëse ligjërisht çdo punonjës mban përgjegjësi individuale për dosjet që përllogarit. Dhe ndërkohë, e drejta e shkelur e qytetarit për pensionin mbi bazën e kontributeve të tij, është ulëritëse. Si i bëhet?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura