Privatizimi i INSIG, zbardhen ofertat e katër kompanive

Mar 11, 2016 | 14:55
SHPËRNDAJE

Ministria e Financave publikoi dje katër ofertat e paraqitura nga kompanitë për blerjen e INSIG-ut. Në garë për blerjen e kompanisë shtetërore janë kompanitë “Eurosig”, “Kastrati”, “Duraku” dhe grupi “Balfin”. Oferta më e lartë financiare u dha nga kompania “Eurosig”, me sipërmarrës Kadri Morina, 2,2 miliardë lekë apo 16 milionë euro. Kompania është nxjerrë në shitje nga qeveria për 15,3 milionë euro.

Dje gjate takimit
Dje gjate takimit

Kompania e sipërmarrësit Shyqyri Duraku ofroi 2,1 miliardë lekë apo 15,6 milionë euro, kompania “Balfin” me sipërmarrës Saimir Mane ofroi 1,6 miliardë lekë apo 12 milionë euro dhe kompania “Kastrati” 1,5 miliardë lekë apo 11 milionë euro. Bie në sy që ofertat janë bërë vetëm nga kompani shqiptare të sigurimeve, dhe nuk ka pasur interes nga kompani të huaja. Në fillim të shpalljes së garës për shitjen e kompanisë shtetërore, tërhoqën dokumentacionin 7 kompani, por vetëm 4 prej tyre paraqitën ofertat.

Ministria e Financave do të përfundojë shqyrtimin e ofertave më 19 mars, ku brenda muajit do të shpallet dhe fituesi. Kriteret mbi të cilat do të vlerësohen ofertat do të jenë 80 pikë çmimi më i lartë i ofruar, 10 pikë plani i biznesit dhe cilësia teknike e propozimit dhe 10 pikë cilësia e investitorit, ku merr pikët maksimale kompania që ka eksperiencë në tregun e sigurimeve dhe shtrirje rajonale dhe ndërkombëtare.

INSIG është shoqëria e parë e sigurimeve që u hap në vend, aksionet e së cilës zotërohen 100% nga Ministria e Ekonomisë. Shoqëria ushtron aktivitetin e sigurimeve në fushën e jetës dhe jo jetës. Pra, INSIG zotëron tri licenca, ku në rast se një kompani do të aplikonte për t’i marrë ato, do t’i duhej të paguante 10 milionë euro. Gjithashtu, shoqëria ushtron aktivitetin e sigurimeve në fushën e jo jetës në Kosovë dhe në Maqedoni.

Kompania zotëron në formën e cash-it në banka 29 milionë euro të investuara në bono thesari nga Qeveria. Për të vlerësuar paketën e 100 të aksioneve që qeveria zotëron në kompani, Ministria e Ekonomisë përzgjodhi kompaninë e auditit “BDO Albania”. Në përfundim të procesit, kompania audituese vlerësoi se vlera e kompanisë shtetërore është 15,3 milionë euro. Edhe nga qeveria e kaluar u tentua të privatizohej kompania, por tenderi dështoi, kjo për shkak se asnjë kompani nuk shfaqi interes.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura