Prioritetet e Bankës së Shqipërisë

Sep 5, 2023 | 9:00
SHPËRNDAJE

NGA EVARIST STOJA EVARIST STOJA

Pavarësisht periudhës së verës ku zakonisht intensiteti i punës bie, për arsye që nuk dihen mirë, Banka e Shqipërisë ka qenë goxha aktive. Ky aktivitet duket nga një numër i madh studimesh të publikuara rishtaz që duke pasur parasysh traditën, është diçka që ngjall kuriozitet.

Për shembull, një studim i fundit i Bankës së Shqipërisë arriti në konkluzionin se “Kostot e punës janë rritur me ritme të përshpejtuara në tremujorin e parë të vitit 2023.” A surprizoi njeri, brenda a jashtë BSH, ky konkluzion? A mund të ndodhë që çmimet të rriten me ritme të shpejta – dhe të gjithë e dinë tani se inflacioni në Shqipëri ashtu si edhe në Europë ishte në nivelet më të larta përgjatë 2022 dhe fillimit të 2023 – dhe kostot e punës të ulen?

Përveç efektit përcaktues të inflacionit në përgjithësi, ka edhe elemente të tjerë që e bëjnë më të fortë këtë efekt. Një për shembull është mungesa e forcës së punës – bizneset shqiptare e kanë të vështirë të gjejnë e mbajnë punonjës. Ky nuk është një problem i izoluar – vende të tjera, edhe shumë më të pasura se Shqipëria, kanë të njëjtin problem. Në SHBA, Britani dhe Eurozonë shumë biznese kërkojnë dhe nuk gjejnë punonjës. Si e zgjidh një firmë këtë problem? Duke ofruar paga më të larta, që në mënyrë mekanike rrit kostot e punës. Kjo ka ndodhur edhe në Shqipëri dhe afërmendsh është ajo që dokumenton ky studim i BSH.

E ndërsa studime të tilla kanë rëndësi sepse u konfirmojnë bizneseve dhe publikut tendencat e përgjithshme ekonomike në vend, ndihmesa që u ofrojnë bizneseve, veçanërisht në kushtet aktuale, është minimale. Prioritetet qartësisht duhet të jenë të tjera se edhe urgjenca, tashmë e ditur nga të gjithë, është gjetkë.

Prej muajsh në media gëlon debati mbi “duelin” euro-lek. Njëherë është leku në “ofensive” dhe euro në tërheqje, pasuar nga një “kundërofensivë” e euros, të cilës leku po i “kundërpërgjigjet”. Kjo do të ishte zbavitëse nëse nuk do ishte shqetësuese. Prej kohësh eksportuesit po ngrenë zërin se yryshi i lekut po shkakton hemorragji financiare të cilave disa, ndoshta shumë prej tyre nuk do të mund t’u rezistojnë gjatë. Çdo cinik ndaj fatit të tij do të bëhej “esëll” kur të mendonte se falimenti i tij do të thotë njerëz që humbasin punën, më pak investime në shkolla, shëndetësi e rrugë si rrjedhim i të ardhurave më të ulëta në buxhet. Të gjitha këto ulin konsumin që ul prodhimin i cili ul punësimin, e kështu me radhë në një spirale vicioze që po hyre, është vështirë të dalësh siç u pa edhe te fqinji ynë jugor që vuajti një spirale të ngjashme para një dekade, nga e cila doli tani vonë me shumë mund e sakrifica. Fati i eksportuesve është edhe fati i ekonomisë shqiptare.

Një tjetër lajm i parapakditshëm me burim BSH thotë se kursimet në lekë të depozituara në bankat shqiptare u ulën por, në kontrast, ato në euro u rritën. Për fat të keq, ky lajm nuk mori vëmendjen e duhur. Në një kohë kur BSH prej vitesh ndërmerr një sërë masash për të kufizuar përdorimin e euros në ekonomi, monedhë e cila gjithashtu prej vitesh gëlon në të katra anët e vendit, depozitat në euro rriten dhe ato në lek ulen! Më minimalja që kjo sugjeron është që masat për de-euroizimin e ekonomisë kanë dështuar. Nëse çështja do të mbyllej këtu, s’do të kishte problem përveç ndoshta krenarisë së lënduar të monedhës kombëtare. Për fat të keq, në ekonomi gjërat janë të lidhura zinxhir.

Politika monetare e BSH funksionon mbi bazën e normave të interesit që paguhen për depozitat në monedhën kombëtare. Nëse monedha kombëtare konkurrohet në vend padrejtësisht nga euro, ashtu si lajmi bën të qartë, atëherë politika monetare e BSH nuk funksionon – normat e interesit në euro nuk i cakton BSH. Ato i cakton Banka Qendrore Europiane që t’u përshtaten kushteve të Eurozonës, jo atyre të Shqipërisë. Si rrjedhim, është e vështire për politikën monetare të krijojë kushtet që vendi ka nevojë për zhvillimin ekonomik. Ekonomia do të ishte si një makinë ku shoferi ka njërën këmbë te gazi dhe tjetrën te frenat.

Kjo logjikë mbështetet edhe nga vetë studimet e BSH në të shkuarën. Në një studim cilësor të vitit 2007, me ç’duket të harruar padrejtësisht, me titull “Roli i kursit të këmbimit në shënjestrimin e inflacionit; Si veprohet?” autorët, punonjës të BSH, konkludojnë:

“…Futja e tipareve të shënjestrimit të inflacionit në politikën monetare të Bankës së Shqipërisë, ka çuar në një inflacion të qëndrueshëm dhe të ulët, dhe ka përkuar me një periudhë të gjatë të mbiçmimit gradual dhe të vazhdueshëm të monedhës vendase. Përveç rezultateve të dëshirueshme monetare, këto zhvillime ngrenë çështje të rëndësishme për politikën, të cilat kanë të bëjnë me rolin e kursit të këmbimit në këtë politikë të re monetare, objektivat e saj, efektet e mundshme destabilizuese të zhvillimeve të kursit të këmbimit dhe reagimin e politikës ndaj këtyre zhvillimeve…” (nënvizimi është i shtuar).

Të gjitha këto arsyetime sugjerojnë pyetje të tjera shumë më urgjente. Cilat janë arsyet, ekonomike e më gjerë, të tejforcimit të lekut? Cili është efekti në ekonomi i këtij tejforcimi të lekut? Si duhet t’u përgjigjet BSH efekteve të mundshme destabilizuese të kursit të këmbimit? Çfarë impakti ka pasur dështimi i de-euroizimit në tejforcimin e lekut? Çuditërisht për këto tema thelbësore për zhvillimin e vendit që edhe vetë ky institucion pranon se mund të shpien në efekte destabilizuese, BSH nuk ka, ose të paktën nuk ka bërë publik asnjë studim të vonshëm, por i duket me interes të studiojë marrëdhënie aksiomatike si “inflacioni i lartë sjell kosto pune të larta”!

Për fat të keq, për këto kontradikta e dështime nuk po flitet mjaftueshëm. Është sikur pas një ndeshjeje të dobët të kombëtares, të gjithë të flasin për dobësitë në sulm e mesfushë, por dobësitë e skuadrës në mbrojtje të mos përmenden. E nëse dobësitë në mbrojtje të kombëtares nuk do të toleroheshin më shumë se disa javë, prej vitesh dobësitë në mbrojtje – pozicion i mbuluar nga Banka e Shqipërisë – të “skuadrës ekonomike kombëtare” po kalohen me sportivitet.

*Profesor i Financave, Universiteti i Bristolit, Mbretëri e Bashkuar

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura