“Prej dy vitesh kam Interin në kokë”, Turam pas paraqitjes fantastike në derbi: E lehtë të luash me Lautaron

Sep 18, 2023 | 16:03
SHPËRNDAJE

Tre vite më parë, kur Borusia Mënshen gladbah përballte Interin në një ndeshje të Champions League, roja i stadiumit nuk e lejonte Markus Turamin të hynte në “San Siro” pa i treguar një mjet identifikimi.

turam

Sot, francezi është sulmuesi që ka shënuar gol në derbin e tij të parë milanez, ashtu si njëfarë Ronaldo dhe është fytyra më e dashur e gjithë popullit zikaltër, për të cilët mbiemri Turam nuk simbolizon më një “armik” juventin.

Markus ishte autori i golit të dytë të Interit në duelin me Milanin, një gol qetësie të paktën për momentin, që u pasua nga një spektakël i zikaltërve. 2 gola në 4 ndeshjet e para nën urdhrat e Inzagit, shtuar këtu edhe 3 asiste, e kanë katapultuar francezin në hierarki si një nga armët më të rëndësishme të trajnerit, të cilin poret prej dy vitesh ta takojë.

“Duhej të vija dy vite më parë tek Interi (u dëmtua dhe dështoi operacioni), më mbeti në kokë, punova për të rifituar besimin e klubit që nuk më braktisi kurrë dhe doja shumë të vija këtë verë”, ishin fjalët e para të 26-vjeçarit pas ndeshjes që nuk e fshehu as lumturinë dhe as krenarinë e tij.

“Një gol mund të jetë i bukur, por gjithmonë vlen vetëm një të tillë. Megjithatë unë jam shumë i lumtur. E dija që Interi ishte një ekip i madh, me lojtarë të mëdhenj. Sapo shënova dëgjova shumë zhurmë, një zhurmë të bukur, madje edhe shokët e mi erdhën menjëherë më përqafuan, ishte një moment i bukur.”.

PËRSHTATJA – Në një ambient të ri, ndikim te sulmuesi kanë pasur padyshim shokët e skuadrës dhe tifozët që ka gjetur në Milano.

“San Siro është i jashtëzakonshëm, mbështetja e tifozëve është e pabesueshme. Unë punoj çdo ditë që të bëhem më i fortë. Punoj me Lautaron, që është një sulmues i madh, një nga më të mirët në botë. Unë po mësoj shumë duke luajtur me të.

Përqafimi me Fratezin? Pas golave me Italinë i shkrova që duhej të shënonte edhe me Interin dhe më dëgjoi (qesh). Tani kemi një ndeshje shumë të vështirë në Ligën e Kampionëve, duhet të qëndrojmë të fokusuar dhe të fitojmë”, tha Turam që tregoi edhe urimin e babait, Lilian: “Ishte në stadium, më kishte dërguar një mesazh që shkruante ‘bravo për golin’”.

Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura