Libri i ambasadorit Bashkim Zeneli nxjerr në pah fakte të panjohura: Nënshkrimi i kapitullimit në Reims, zbulohen bisedimet sekrete

May 7, 2024 | 13:05
SHPËRNDAJE

Me rastin e 79-vjetorit të fitores së Koalicionit Antifashist mbi Nazi-Fashizmin, gazeta “Panorama” ka zgjedhur të botojë pjesë nga libri “Berlin 1945- Maji i Fitores”, i ambasadorit Bashkim Zeneli, “Mjeshtër i Madh”. Në pjesën e parë të publikimit flitet në detaje arkivore të hollësishme mbi nënshkrimin e marrëveshjes së kapitullimit të ushtrisë naziste në Reims të Francës, në vendkomandën e komandantit suprem, gjeneralit Eisenhowe më 7 maj 1945 duke zbardhur 8 maji.

bashkim zeneli1

NGA BASHKIM ZENELI

Më 6 maj në mëngjes, gjenerali Eberhard Kinzel, i shtabit gjerman në Flensburg do të shkonte për t’u takuar në krye të një delegacioni të caktuar nga “presidenti” Dönitz me komandantin suprem të forcave aleato-perëndimore, gjeneralin Eisenhower, në Reims (Francë) për të “nënshkruar marrëveshjen e kapitullimit të pjesshëm edhe me forcat amerikane”. Gjenerali Eisenhower nuk pranon këtë kapitullim të pjesshëm të dytë tani”. Ai gjykon se një kapitullim i pjesshëm dhe vetëm në zonën perëndimore do të krijonte keqkuptime të mëdha… ne do të ndodheshim në një pozitë të gabuar dhe rusët, me plot të drejtë, do të na akuzonin për mungesë besimi”.

Gjenerali Eisenhower do t’i dërgonte urgjentisht një telegram udhëheqjes sovjetike, ku do ta vinte në dijeni se një marrëveshje kapitullimi me gjermanët në perëndim, ishte e papranueshme. Vetëm një kapitullim i përgjithshëm e pa kushte ishte i pranueshëm. Ai kërkonte gjithashtu që përfaqësuesi i Ushtrisë së Kuqe të ishte i pranishëm në bisedimet për kapitullimin. “Komanda supreme e ushtrisë sovjetike do të caktonte si përfaqësues të saj gjeneralin Ivan Susloparov, shef i misionit ushtarak sovjetik në Francë”.

Gjeneral Eisenhower do të ngarkonte për drejtimin e bisedimeve shefin e shtabit të ushtrisë, gjeneralin Valter Smith, dhe për ushtrinë britanike gjeneralin Kennth Strong. Gjenerali Eisenhower do të porosiste gjeneralin britanik të ishte i qetë në bisedime, pasi ai ishte i njohur për antipatinë ndaj ushtarakëve gjermanë. Ai kishte parë ditët e fundit dy kampe të çliruara përqendrimi: në Gotha dhe në Buchenvald dhe më pas ishte shprehur publikisht: “Nuk kam qenë kurrë në gjendje të frenoj ndjenjat që më pushtonin, kur për herë të parë u bëra dëshmitar për ato krime çnjerëzore të nazistëve. Para syve të mi kisha metodat më primitive që kishte parë ndonjëherë njerëzimi, në mënyrën më skrupuloze. Asgjë nuk më kishte tronditur ndonjëherë më shumë se sa këto pamje”.

Gjenerali Smith, që në fillim do t’i thoshte gjeneralit gjerman Friedburg se asgjë nuk do të pranohej nga çfarë ishte thjesht biseduar për një kapitullim të pjesshëm në perëndim, siç kishte kërkuar “presidenti” Dönitz. Ky lloj kapitullimi ishte i papranueshëm. Gjenerali Smith do t’i jepte gjeneralit gjerman një letër dhe njëkohësisht do t’i shpjegonte atë që ishte shkruar: “Kapitullim të menjëhershëm dhe pa kushte dhe jo vetëm në perëndim, por në të gjithë hapësirën e luftës. Trupat gjermane duhej të qëndronin aty ku ishin dhe të dorëzonin armët. Do të dorëzoheshin të padëmtuara anijet, avionët dhe mjetet e tjera luftarake”.

Ndërsa gjenerali gjerman Friedeburg nuk do ta pranonte këtë kusht, duke thënë së “ishte i paautorizuar të pranonte një kapitullim të përgjithshëm në të gjithë frontet. Ai duhej të lidhej menjëherë me Dönitz dhe të merrte direktiva të reja”. “Presidenti” Dönitz, por edhe gjeneralët pranë tij, edhe disa ministra, nuk do të pranonin këtë kusht të aleatëve, sepse “asnjë ushtar në frontin e Lindjes nuk do të zbatonte një urdhër për të dorëzuar armët”(!) (Armët e ushtarëve gjermanë në Berlin ishin ulur që më 2 maj, me urdhrin e komandantit të qytetit, gjeneralit Weidling).

Dhe u vendos që të bëhej edhe një përpjekje “për t’i shpjeguar hapur dhe pa asnjë tërheqje, se një kapitullim i përgjithshëm ishte i pamundur. Një kapitullim vetëm në perëndim, ishte i gatshëm ta nënshkruajë menjëherë”. Për të vazhduar bisedimet me përfaqësuesit e gjeneralit Eisenhower, Dönitz do të caktonte gjeneralin, nga më të afërtit pranë Hitlerit prej vitesh, Alfred Jodl. Ai, në fakt, ishte një kundërshtar i ashpër i kapitullimit të përgjithshëm dhe pa kushte.

Dönitz, me gjeneralët e tij, kërkonte të fitonte kohë, duke propozuar që në bisedime, kapitullimi të ishte, shkallëshkallë, sepse trupat gjermane do të duhej të lëviznin dhe në shkallën e dytë, duhet të mbaronte e drejta e lëvizjes së trupave”.

Vetëm me plotësimin e këtij kushti, gjenerali Jodl kishte plotfuqishmërinë për të nënshkruar kapitullimin e përgjithshëm në të gjitha frontet, sigurisht duke vënë në dijeni edhe një herë, para nënshkrimit “Presidentin” Dönitz. Në pasditen e 6 majit, gjenerali Jodl, me ushtarakë të lartë që e shoqëronin, do të fluturonte nga Flensburgu për në Reims (Francë) ku ishte komanda supreme e gjeneralit Eisenhower.

4d6943de-788f-4990-bb12-00dec02bc74d
Nënshkrimi i kapitullimit nga gjenerali nazist Jodel

Sapo u takua me gjeneralin amerikan Smith, do të mësonte, pa asnjë diskutim, se aleatët nuk do të lëshonin pe, ndaj asnjë propozimi gjerman. Një kapitullim i pjesshëm, vetëm në perëndim ishte i papranueshëm. I papranueshëm ishte edhe “kapitullimi shkallë-shkallë”.

Gjenerali Eisenhower, në këtë situatë, do t’i jepte një ultimatum gjeneralit Jodl. Nënshkrimi i kapitullimit duhej bërë menjëherë dhe duke mos pranuar asnjë kërkesë të palës gjermane. Ndryshe, – do të paralajmëronte Eisenhoweri, – do të niste një bombardim të jashtëzakonshëm që do të rrafshonte çdo gjë.

I vetmi “lëshim” që do të bënte gjenerali Eisenhower, ishte që t’u jepte 48 orë kohë trupave gjermane që të iknin nga fronti i Lindjes, për t’u larguar e për të dorëzuar armët, pra një kohë midis nënshkrimit të kapitullimit dhe hyrjes së tij në fuqi. Gjenerali Jodl, tani do të shprehej se “nënshkrimi i një kapitullimi të përgjithshëm ishte i mundur vetëm nëse për të do të binin dakord edhe komandantët e këmbësorisë, të marinës së luftës dhe të aviacionit”.

Vetëm në orët e vona të mbrëmjes së 6 majit, gjenerali Jodl do të vinte në dijeni “Presidentin” Dönitz për çdo detaj në bisedimet që kishte zhvilluar dhe do të kërkonte një përgjigje tepër urgjente, për të nënshkruar ose jo kapitullimin e plotë. Ai do të sqaronte se amerikanët janë tepër të vendosur për kërkesën e tyre dhe se bisedimet janë ndërprerë. Në fund, do t’i thoshte në bisedën e tij me radio, se “Unë nuk shoh asnjë rrugë tjetër shpëtimi, ose kaos, ose nënshkrim”.

Në pasditen e vonë të 6 majit, kur gjenerali Jodl ishte në bisedime në Reims, “Presidenti” Dönitz do ta shkarkonte nga të gjitha funksionet dhe do të kërkonte të largohej menjëherë nga komanda në Flensburg të Heinrich Himmlerit, udhëheqësit kriminel SS, të ministrit të Brendshëm dhe të policisë, ideatorit të kampeve të shfarosjes dhe të luftës kundër hebrenjve. Himmler kishte ardhur para pak ditësh te Dönitz dhe kërkonte të paraqitej, edhe tani, si njeriu i dytë i Gjermanisë. Ai do të jepte për zbatim dy urdhra të veçantë, sidomos njësive SS, kur edhe vazhdonte të kishte pushtet…

Në këto rrethana, Himmler, i veshur civil, me disa truproja të tij, do të largohej nga Flensburgu dhe me një anije peshkimi do të kalonte Elbën. Por më 21 maj, në BremerWorde, do të ndalohej dhe arrestohej nga një poste britanike me një pasaportë false nën emrin Hienrch Hitzinger. Ai do të shoqërohej për në komandën britanike në Lüneburg. Aty, më 23 maj, Himmleri do të helmonte veten me një ampulë cianuri. Rojet e tij personale dhe bashkëpunëtorët që e kishin shoqëruar, gjithashtu do të arrestoheshin nga ushtria britanike. Mbas diskutimesh të shumta në Flensburg midis “Presidentit” Dönitz dhe bashkëpunëtorëve të tij, u vendos që gjenerali Jodl të nënshkruante kapitullimin. Në shtabin e Dönitz, në dëshpërim të plotë, kjo do të pranohej, duke thënë se “nuk janë normale paralajmërimet e gjeneralit Eisenhower”, se “ne nuk duhet të pranojmë asnjë presion të tij”, etj., etj.. Por gjeneralit Jodl do t’i jepej plotfuqishmëria në orën 1 të mëngjesit të datës 7 maj 1945. Pavarësisht nga ky nënshkrim, ishte 9 maji, dita që do të njihet si e kapitullimit të ushtrisë hitleriane, në Berlin-Karlshorst. Dhe këtë ai do t’ia bënte menjëherë të njohur gjeneralit Smith e ky, gjeneralit Eisenhower…

Ishte një meritë e veçantë e komandantit suprem të forcave aleato-perëndimore, që nuk pranoi asnjë kërkesë për shtyrje, për të fituar kohë, të komandës gjermane, tashmë nën drejtimin e “Presidentit” Dönitz. Ishte gjithashtu largpamësi dhe qartësi politike që gjenerali Eisenhower nuk pranoi në asnjë mënyrë as “kapitullim të pjesshëm, në pjesën perëndimore” as “kapitullim shkallë-shkallë, dhe mbi të gjitha, asnjë lloj kapitullimi që të përjashtonte aleatin sovjetik.

Në orën 02:30 të mëngjesit, në një sallë të përgatitur për nënshkrimin, me një prani të madhe gazetarësh dhe fotografësh, do të nënshkruanin kapitullimin pa kushte, gjenerali nazist Alfred Jodl, i shoqëruar nga gjeneral-admirali Hans-Georg Friedeburg dhe majori Wilhelm Oxenius.

Për amerikanët dhe britanikët do të nënshkruante gjenerali Walter Bedell Smith dhe për ushtrinë sovjetike, do të nënshkruante gjenerali Ivan Susloparov. Gjenerali francez François Seves do të nënshkruante me cilësinë e dëshmitarit. (Kryekomandanti i Forcave Aleate Perëndimore, gjenerali Dwight D. Eisenhower, i shoqëruar nga gjenerali Omar Bradly, më 27 gusht 1944, do të vizitonte Parisin e sapoçliruar.

Antony Beevor, autor i librit “Ardennen 1944” do të shkruante se “rrugët e Parisit ishin krejtësisht të zbrazëta. Edhe metroja nuk funksiononte. ‘Qyteti i dritës’ ishte zhytur në errësirë. Edhe qirinjtë shiteshin në treg të zi… De Goli kishte parakaluar triumfalisht një ditë më parë nga Harku i Triumfit tek Notre Dame. Aty Eisenhower do të takohej me De Gol. Eisenhower do t’i kërkonte gjeneralit Sir Bermand Montgomery, që ta shoqëronte De Golin dhe Barndley-n në Paradë, por ai do të refuzonte…” – f.131 e librit të mësipërm).

Gjenerali Jodl do të bënte një deklaratë të shkurtër, menjëherë mbas nënshkrimit të kapitullimit “për guximin e madh të forcave fituese”. Ai do të shprehej se “të dyja palët kanë arritur në këtë luftë dhe kanë sakrifikuar, më shumë ndoshta, se asnjë popull në botë. Unë, në këtë orë, kam vetëm një lutje… që fitimtarët të sillen të mëshirshëm me popullin”. Në dokumentin e nënshkruar, neni 1 i tij do të deklaronte “kapitullimin pa kushte të të gjitha forcave ushtarake gjermane: tokësore, të detit dhe të ajrit” para komandës supreme të aleatëve perëndimorë dhe para komandës supreme të trupave sovjetike.

2fcfb58d-0b21-4f22-91e5-2e7265a46fd7
Komandanti suprem gjenerali amerikan Eisenhower me gjeneralin sovjetik Susloparov dhe gjeneralët amerikanë e britanikë, mbas nënshkrimit te marrëveshjes se kapitullimit

Ndërsa në nenin 2 do të deklarohej se komanda supreme gjermane detyrohej që të urdhëronte menjëherë forcat ushtarake të mbetura, të kontrolluara prej saj, që më 9 maj, në orën 00:00 të dorëzojnë çdo gjë dhe të qëndrojnë në vendet e tyre…

Në orën 13:00 të ditës së 7 majit, ministri Schwrin von Krosigk do të bënte të njohur nëpërmjet radios, lajmin e kapitullimit pa kushte të të gjitha trupave dhe do ta quante “një moment tragjik” në historinë e Gjermanisë. Do ta quante luftën 6-vjeçare të Hitlerit si “luftë me një guxim heroik.

Gjenerali Jodl do të vinte në dijeni “Presidentin” Dönitz, sapo të kthehej nga Reims, mbas nënshkrimit të kapitullimit. Ai do të shprehej se “nuk kishte asnjë alternativë tjetër, veç kapitullimit pakushte dhe të përgjithshëm. Nuk mund të bëhej asgjë tjetër”.

Lufta kishte marrë fund e, megjithatë, gjeneralë, zyrtarë të lartë të regjimit, fanatikë nacional-socialistë, përpiqeshin të rezistonin dhe të shprehnin keqardhje për humbjen e luftës. Ata bënin thirrje, ku të mundnin e sa të mundnin, për të qëndruar deri në minutën e fundit. Dhe sidomos ndaj Ushtrisë së Kuqe, në Lindje. SS-të nuk mund ta pranonin kurrsesi praninë e Ushtrisë së Kuqe, ndërkohë që krimet naziste në Bashkimin Sovjetik ishin të njohura, makabre, në humbjen e jetës së miliona njerëzve e të shkatërrimit masiv në qytete e fshatra.

Njëri nga udhëheqësit më të lartë nazistë të ushtrisë gjermane, gjenerali Schörner, i graduar marshall dhe i emëruar shef i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, vetëm një javë më parë do t’u bënte thirrje trupave të tij të mbetura, sado të pakta e të demoralizuara, që “të vazhdonin luftën dhe të jepnin jetën për Fyhrerin, ashtu siç e dha ai për Gjermaninë dhe për nacional-socializmin”.

Ndërsa vetë marshalli nazist do të largohej, i veshur civil, drejt Austrisë. Atje do të arrestohej nga ushtria amerikane dhe pas disa ditësh, do t’u dorëzohej trupave sovjetike. Ai do të qëndronte në Bashkimin Sovjetik, i burgosur lufte deri në vitin 1955, e më pas do të riatdhesohej në Gjermani.

Gjenerali Schörner njihej në radhët e ushtrisë si një nga ushtarakët më të lartë që kishte urdhëruar vrasjen e oficerëve dhe ushtarëve që tërhiqeshin nga fronti i luftës. Vetë ushtarakët e lartë gjermanë i kishin vënë nofkën Bluthund (qen gjaku).

“Mbas kthimit në Gjermani, Schörner do të arrestohej dy herë… Ai nuk mund të shfajësohej kurrë për metodat e tij brutale në fundin e luftës”.

Robërit e parë gjermanë të luftës në Bashkimin Sovjetik do të fillonin të ktheheshin mbas 10 viteve, në vitin 1955. Ende pa u rivendosur marrëdhëniet diplomatike midis të dy vendeve, kancelari gjerman, Konrad Adenauer, do të vizitonte Moskën me ftesë të udhëheqësit sovjetik Nikita Hrushov. Në një nga takimet, kryeministri sovjetik, Bulganin, do t’i drejtohej kancelarit Adenauer: “Ne kemi një perspektivë të mirë së bashku… Ne do të lirojmë të burgosurit e luftës. Do t’i lirojmë pa letra, pa kërkesa. Ne do t’ua japim të gjithë robërit tuaj, pa asnjë përjashtim… Ju japim fjalën tonë të nderit. Na formuloni thjesht që këtu, që tani, një letër dhe, pas një jave, do t’i keni në Gjermani”

Mbas 10 ditësh do të ktheheshin afro 10 mijë robërit e parë gjermanë të luftës nga Bashkimi Sovjetik dhe deri në vitin 1959 do të ktheheshin edhe 50 mijë të tjerë. Ata ishin mbajtur të dënuar në burgjet sovjetike apo në kampet e punës, sidomos në Siberi. Deri në vitin 1949, sovjetikët kishin liruar disa mijëra robër që nuk kishin kryer krime.

Në vitin 1957, mbas 12 vitesh burg, do të kthehej në Gjermani edhe roja personale e Hitlerit, udhëheqësi SS, Otto Günsche, që i kishte shërbyer për plot 12 vjet… Do të ktheheshin edhe tre gjeneralë të njohur të trupave SS, Wilhelm Mohnke, Johann Rattenhuber dhe Heinz Linge, të njohur mirë për krimet e tyre.

Kam ndeshur në librat e lexuar, se disa gjeneralë apo kolonelë të ushtrisë naziste, mbas lufte u bënë pjesë e ushtrisë së Republikës Federale të Gjermanisë..

“Gjenerali Loringhoven, nga viti 1971 deri në vitin 1973, arriti të bëhej zv.shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë gjermane… Sekretari për shtypin i Hitlerit, Heinz Lorenz, rob lufte në Britaninë e Madhe, nga viti 1958 deri bë vitin 1979, do të punonte në Bundestag si shef i stenografisë”.

Është interesante të theksohet se mbas krijimit të RFGj-së, në vitin 1949, “shumë ish-zyrtarë dhe funksionarë të regjimit hitlerian, u përfshinë përsëri në detyra të ndryshme të rëndësishme nëpër Parti, ushtri, drejtësi, në aparatin shtetëror dhe në shërbimin sekret. Sekretari i shtetit i kancelarit Adenauer, ishte figura simbol e këtyre emërimeve…”

Edhe një fakt tjetër që do të konsiderohej tronditës në kuadër të denazistikimit, demilitarizimit, demokratizimit dhe decentralizimit që iu vunë Gjermanisë së mundur nga Konferenca e Potsdamit: Vetëm pak ditë para fundit të tij, Hitleri do të shkarkonte gjeneralin Reinhard Gehlen, shef i shërbimit sekret të ushtrisë gjermane për lindjen, midis të tjerash, i njohur si ekspert për Lindjen e Afërme dhe fanatik në përndjekjen dhe vrasjen e hebrenjve. Ai do të zëvendësohej nga nënkoloneli Gerhard Wesel. Mbas luftës, menjëherë, gjenerali Gehlen do të mblidhte të gjithë “alter kameraden” e kohës së Hitlerit dhe do të krijonte organizatën “Gehlen”. Kancelari Adenauer do ta emëronte atë shef të shërbimeve sekrete gjermane (BND) dhe ai do të qëndronte në këtë detyrë deri në vitin 1968. Por ai do të zëvendësohej si shef i BND-së po nga ai që e kishte zëvendësuar në ditët e fundit të Hitlerit, gjenerali në pension Gerhard Wesel”.

Për robërit e kthyer nga Bashkimi Sovjetik janë shkruar shumë libra dhe janë interesante në çdo drejtim për vitet e kaluara në burgjet sovjetike apo në kampet e punës. Por, në këto libra, me aq sa kam lexuar, do të shihet edhe një farë “rezerve”, se si u pritën ata në atdhe, mbas kthimit nga Bashkimi Sovjetik. Në opinion, ata u pritën disi “ftohtë”, me shumë dyshime për rekrutimin e tyre në BS, por edhe me syrin e ish-ushtarit të Hitlerit…

Një libër i autorit Andreas Kosert “Atdhe i ftohtë”, midis shumë të tjerave, ka mjaft fakte, duke e përshkruat kthimin e robërve si “shumë problematik”.

Nga fillimi i luftës, deri në kapitullimin e Gjermanisë “nga 2.2 milionë robër gjermanë në duart e ushtrisë sovjetike, 2 milionë do të dërgoheshin në Bashkimin Sovjetik. Vendi i shkatërruar nga lufta kishte nevojë të ngutshme për fuqi punëtore, për rindërtim. Minierat dhe kampet e punës të Siberisë u bënë simbol për fatin e robërve të luftës”.

Mirenjohje per LANÇ
Një mirënjohje e pafund për bijat dhe bijtë e lavdishëm të popullit shqiptar, që në luftën heroike Antifashiste Nacional-Çlirimtare derdhën gjakun dhe dhanë edhe jetën, në lulen e rinisë, me ideale të pastra atdhedashurie, për çlirimin e vendit nga okupatorët nazifashistë. Populli ynë do të jetë përherë krenar që në këtë luftë u rreshtua në krah të aleatëve të mëdhenj të Koalicionit Antifashist Botëror.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura