Policia parandaloi kryerjen e një vrasjeje/ Apeli lë në burg 37-vjeçarin me precedent të theksuar kriminal dhe rrezikshmëri të lartë dhe shoqëruesin e tij (EMRAT)

Nov 21, 2023 | 15:40
SHPËRNDAJE

Gjykata e Apeli të Juridiksioni të Përgjithshëm ka lënë në burg  37-vjeçarin Aldi Muftafa dhe shoqëruesin e tij Klevis Kurdiu, 29-vjeç.

677766

Policia arriti të parandalonte një vrasje të planifikuar nga 37-vjeçari me 30 shtator, falë inteligjencës.

37-vjeçari Aldi Mustafa, një person me precedent të theksuar kriminal dhe rrezikshmëri të lartë, i pajisur me armë zjarri “Scorpion” me silenciator, ishte rrugës duke shkuar për të vrarë një person.

Policia në bazë të informacioneve, e kanë lokalizuar automjetin me të cilin po lëvizte Aldi Mustafa, në lagjen nr. 15., së bashku me 29-vjeçarin Klevis Kurdiu, dhe u kanë kërkuar të ndalojnë.

Makinën tip “Benz” e drejtonte vetë Mustafa, i cili nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe ka tentuar të largohet me shpejtësi, por nuk ka mundur dot pasi është bllokuar nga shërbimet e Policisë.

Ata u arrestuan për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësve të policisë”.

Gjatë kontrollit të automjetin, policia gjeti armën e zjarrit me silenciator dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Mustafa është i dënuar më parë brenda dhe jashtë vendit, për armë, drogë, kanosje dhe tentativë vrasjeje.

NJOFTIM PER MEDIA

 Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Më datë 30.09.2023, rreth orës 18:20, nga ana e punonjësve të policisë të rendit publik, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, u bë i mundur arrestimi i personave nën hetim  me iniciale A.M dhe K.K, pasi në automjetin ku ata po udhëtonin mbanin me vete armë zjarri.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest ne burg”, ndaj personave nën hetim shtetasve me iniciale A.M dhe K.K, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, të armëve shpërthyese e i municionit” dhe Mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik” në bashkëpunim,  të parashikuar nga nenet 278/1 e 25 dhe 242 e 25 të Kodit Penal.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendimin nr. (11-2023-5263) 642, datë 03.10.2023, ka vendosur:

  1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë.
  2. Vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë i datës 30.09.2023, i shtetasit A. M, i dyshuar për veprat penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, të armëve shpërthyese e i municionit” në bashkëpunim dhe të “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik” që parashikohen nga nenet 278/1 e 25 dhe 242 e 25 të Kodit Penal në zbatim të nenit 259 pika 3 të Kodit Procedurës Penale.
  3. Caktimin e masës shtrënguese “Arrest në burg” ndaj personit nën hetim A.M në zbatim të neneve 232 gërma “dh” e 238 të Kodit Procedurës Penale.

4.Vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrance i dates 30.09.2023, i shtetasit K. K, i dyshuar për veprat penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, të armëve shpërthyese e i municionit” në bashkëpunim dhe te “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik” që parashikohen nga nenet 278/1 e 25 dhe 242 e 25 të Kodit Penal në zbatim të nenit 259 pika 3 të Kodit Procedurës Penale.

  1. Caktimin e masës shtrënguese “Arrest në burg” ndaj personit nën hetim K.K në zbatim të neneve 232 gërma “dh” e 238 të Kodit Procedures Penale.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimeve:

  • Nga personi nën hetim me iniciale A.M, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit caktimin e një mase sigurimi më të butë atë të ‘Detyrimit për tu paraqitur në policinë gjyqësore” ose garanci pasurore nëse gjykata e vlerëson të nevojshme.
  • Nga personi nën hetim me iniciale K.K, i cili kërkoi ndryshimin e caktimin e një mase sigurimi më të butë atë të ‘Detyrimit për tu paraqitur në policinë gjyqësore” ose garanci pasurore nëse gjykata e vlerëson të nevojshme.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 20.11.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar z. Dritan Hasani,  vendosi:

– Miratimin e vendimit nr. (11-2023-5263) 642, datë 03.10.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Tiranë, 21.11.2023

GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura