“Po e turpëron vendin tonë”, kryeministri kroat reagon pas deklaratës së presidentit Millanoviç: Kosova është shtet i pavarur e sovran, nuk e ka aneksuar askush

Jan 30, 2023 | 22:41
SHPËRNDAJE

Pas deklaratës së presidentit kroat i cili tha se Perëndimi e ka aneksuar Kosovën dhe e ka marrë nga Serbia, ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkoviç.

285711e7726ac27479f6-e1675107200956-780x439 (1)

Përmes një deklarate Plenkoviç tha se askush nuk e ka aneksuar Kosovën, pasi sipas tij, Kosova është shtet i pavarur dhe shtet që Kroacia e njeh.

“Sa jam unë në dijeni askush nuk e ka aneksuar Kosovën. Asnjë shtet. Kosova është shtet i pavarur të cilin e ka njohur Kroacia. Aneksim është kur Rusia okupon territor të Ukrainës, organizon referendum të rremë dhe ia bashkon ato pjesë Rusisë. Kosova është shtet i pavarur, sovran, që e kemi njohur. Askush nuk e ka aneksuar”, tha kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç.

Kryeministri Plenkoviç ka shtuar më tej se presidenti Milanoviç me deklaratat e tij “po e turpëron Kroacinë”.

Megjithatë, ai konsideron se “për fat të mirë miqtë tanë në bashkësinë ndërkombëtare dhe shtetet mike e dinë se çfarë ndodh në Kroaci dhe cilat janë qëndrimet e kujt”.

Skandali diplomatik i presidentit kroat sot është kundërshtuar edhe nga Unioni i Shqiptarëve në Kroaci.

Ata shprehen shumë të habitur në lidhje me deklaratat e presidentit Millanoviç.

Kujtojmë se ky union ka vënë në pah edhe raportet e mira që gëzon Kosova me Kroacinë.

“Republika e Kroacisë ishte ndër të parat që njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe vendosi marrëdhënie diplomatike dhe politike bazuar në partneritetin, bashkëpunimin dhe ushqyerjen e vlerave evropiane”, thuhet ndër të tjera në reagim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura