“Po dërgon në Beograd dhe Kosovë shumë zbulues të maskuar si ‘specialistë e pedagogë’”- Zbardhet relacioni i drejtorit të Zbulimit në ‘74, ja strategjia e Moskës për t’iu afruar Shqipërisë

Jun 29, 2022 | 14:20
SHPËRNDAJE

DASHNOR KALOÇI/ “Moska po dërgon në ambasadën e saj në Beograd dhe në Kosovë shumë zbulues të maskuar si ‘specialistë e pedagogë’, të cilët para 1960-ës, ishin në Shqipëri, si p.sh.…”/ Relacioni i Drejtorit të Zbulimit në ‘74-ën.

kalo

Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore me siglën sekret, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1974, ku drejtori i Drejtorisë së Zbulimit Shqiptar, Jonuz Mersini, i kamufluar si diplomat pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, me anë të një raport-informacioni dërguar Drejtorisë së Jashtme pranë Komitetit Qendror të PPSh-së, informon me hollësira e detaje, lidhur me përpjekjet e Bashkimit Sovjetik dhe disa vendeve të tjera të Europës Lindore, si: Republika Demokratike Gjermane, Çekosllovakia, Hungaria, Polonia, Rumania, etj., për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, si dhe intensifikimin e veprimtarisë së spiunazhit ndaj vendit tonë, nëpërmjet Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi, ku Moska zyrtare kishte dërguar një numër të madh zbuluesish të maskuar si delegacione, specialistë, pedagogë etj., ku pjesa më e madhe e tyre, para vitit 1960, kishin shërbyer në Shqipëri si ushtarakë etj.

Si p.sh.: Vladimir Kolonallov, Kostandin Vorjasov, Kostandin Smirnov, Aleksi Stfikinov, Valerij Mikhaillov, Leond Dimitroviç Jakimov, Karl Heising, Agnia D. Desniskaja, Dr. Oda Buchola, Vilfred Fidler etj., apo duke ftuar në Bashkimin Sovjetik disa kuadro kryesore apo personalitete që kishin lidhje shoqërore e farefisnore me Shqipërinë, të cilët kishin vizituar vendin tonë, si: Ali Hadri, Ali Shukria, Ilia Vakiç, Esad Mekuli, Shefqet Canahasën, Abdyl Bunjakun, etj., “me qëllim për t’i përdorur ata për veprimtari spiunazhi kundër vendit tonë”!

Dokumenti sekret me raport-informacionin e Drejtorit të Zbulimit pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, Jonuz Mersini, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me përpjekjet e disa vendeve të Europës Lindore, për përmirësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISË

SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME

Ekzemplar Nr. 5 DREJTORIA III- TË

E përkohshme 2 vjet Nr. 258 Tiranë, 15.2.1974

I N F O R M A C I O N MBI PËRPJEKJET E VENDEVE REVIZIONISTE PËR PËRMIRËSIMIN E MARRËDHËNIEVE ME REPUBLIKËN POPULLORE TË SHQIPËRISË

tt

1.Në vazhdim të kursit të tyre për afrimin e normalizimin e marrëdhënieve, kohët e fundit, udhëheqja sovjetike, duket se ka orientuar e kërkuar nga të gjitha vendet revizioniste, të bëjnë përpjekje dhe të shfrytëzojnë çdo rast, për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike, politike dhe kulturale me Republikën Popullore të Shqipërisë. Përveç fushatës “Favorizuese”, sipas tonit të dhënë nga organet e shtypit sovjetik, të gjitha vendet janë porositur, që pavarësisht nga vështirësitë që mund të ndeshen në këtë proces, ata duhet të tregohen shumë të afruar dhe të gatshëm për t’ia arritur rezultateve. Si mbas këtij “plani” (apo orientimi), hapi i parë duhet të jetë rritja e volumit të shkëmbimeve tregtare dhe duke u nisur që këtej, marrëdhëniet të shtrihen e zgjerohen edhe në sektorë të tjerë.

2. Në këtë kuadër, marrëdhëniet rumuno-shqiptaro u analizuan në një mbledhje të aparatit të Ministrisë së Jashtme të Rumanisë, ku midis të tjerave, Makovesku, në përgjigje të një pyetje për perspektivat, tha: “…parashikojmë t’u japim një impuls të mëtejshëm, të përmirësojmë akoma dhe më shumë marrëdhëniet në fushën shkëmbimeve tregtare e atyre kulturale”. Nga ana e vet, ambasadori rumun në Tiranë, Stojan, në një raport që i bën Ministrisë së Punëve të Jashtme, shkruan me optimizëm dhe propozon, që: “Republikës Popullore të Shqipërisë, t’i jepet një ndihmë konkrete dhe jo formale”.

Ai thekson se: “…duhet të mbajmë kurdoherë parasysh qëndrimet e palës shqiptare, pasi ata i studiojnë thellë problemet para se të japin përgjigje, apo para se të paraqesin një projekt-plan, sikurse është projekt-plani mbi shkëmbimet kulturale për vitin e ardhshëm” dhe shton se: “propozimet e palës shqiptare, duhet t’i marrim parasysh”. Problemin e kemi në ndjekje

DREJTORI I DREJTORISË III, (JONUZ MERSINI)

Dokumenti sekret me raport-informacionin e Drejtorit të Zbulimit pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, Jonuz Mersini, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me intensifikimi e veprimtarisë së spiunazhit të Bashkimit Sovjetik dhe disa vendeve të Europës Lindore, ndaj Shqipërinë, duke shfrytëzuar Kosovën

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË

SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME

Ekzemplar Nr. 4 DREJTORIA III- TË

E përkohshme, 2 vjet Nr. 22.12 Tiranë, 11.22.1974

I N F O R M A C I O N MBI VEPRIMTARINË E REVIZIONIZMIT SOVJETIK DHE TË VENDEVE TË TJERA REVIZIONISTE KUNDËR VENDIT TONË NËPËRMJET KOSOVËS

Nga të dhënat e grumbulluara nga burime të ndryshme, rezulton se Zbulimi Sovjetik dhe ata të vendeve të tjera revizioniste, duke shfrytëzuar Kosovën dhe viset të tjera shqiptare në Jugosllavi, zhvillojnë veprimtari armiqësore kundër vendit tonë.

1. ZBULIMI SOVJETIK:

PROFESORE DHE STUDENTE TE UNIVERSITETIT TE PRISHTINES GJATE NJE KONFERENCE
PROFESORE DHE STUDENTE TE UNIVERSITETIT TE PRISHTINES GJATE NJE KONFERENCE

Gjatë viteve 1966-1974, pranë ambasadës sovjetike në Beograd, janë aktivizuar Vladimir Kolonallov, Kostandin Vorjasov, Kostandin Smirnov. Aktualisht pranë kësaj ambasade, punojnë Aleksi Stfikinov, i kamufluar si sekretarë i I-rë dhe Valerij Mikhaillov, si sekretar i II-të. Është vërtetuar se këtë ndjekin probleme në drejtim të Kosovës dhe për këtë qëllim, shkojnë atje hera-herës.

Mbas ndërhyrjes së ambasadës sovjetike pranë Sekretariatit Federativ të Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, në gusht të këtij viti, V. Mikhaillovi mori pjesë si “albanolog” në seminarin e parë të qendrës së kulturës shqipe për të huajt në Prishtinë, së bashku me tre “albanologë” të tjerë, të ardhur nga Bashkimi Sovjetik. Gjatë qëndrimit prej disa ditësh atje, ai mori kontakte me intelektualë kosovarë dhe u interesua sidomos për marrëdhëniet e Universitetit tonë me Universitetin e Prishtinës.

Zbuluesi V. Mikhaillov dhe zbuluesit e tjerë sovjetikë, në vizitat e shpeshta që bëjnë në Kosovë, kontaktojnë me kuadro të institucioneve qendrore dhe të komunave, te të cilat shpërndajnë material propagandistik me qëllim që të influencojnë ideologjikisht tek ata, për t’i përdorur si shpërndarës të pikëpamjeve dhe të literaturës në lidhjet familjare-shoqërore dhe për t’i studiuar për qëllime zbuluese. Diplomatë të ndryshëm sovjetikë tregojnë interesim të vazhdueshëm për diplomatët tanë në Beograd dhe në pritje të ndryshme, kanë tentuar të kontaktojnë me ta.

Përveç zbuluesve dhe diplomatëve të tjerë sovjetikë, në Kosovë dhe në vise të tjera shqiptare, shkojnë me shumicë kuadro të institucioneve të ndryshme, si delegacione, specialistë, pedagogë etj., disa nga të cilët para vitit 1960, kanë qenë në vendin tonë si ushtarakë, pedagogë e specialist, etj. Kështu kanë shkuar Leond Dimitroviç Jakimov, si “tregtar”, i cili para vitit 1960 ka qenë në vendin tonë si oficer dhe Agnia D. Desniskaja, pedagoge e gjuhës shqipe në Universitetin e Leningradit, e cila gjithashtu ka qenë disa herë në vendin tonë. Ata janë interesuar për marrëdhëniet e Republikës Popullore të Shqipërisë me Kosovën. A. D. Desniskaja është interesuar edhe për pedagogët tanë që japim leksione në Universitetin e Prishtinës, duke shfaqur “Dëshirën” që ajo të asistojë në leksionet e tyre dhe pedagogët tanë të asistojnë në leksionet e saj.

Sipas saj, që nga viti 1957 në Universitetin e Leningradit ekziston dega e Gjuhës Shqipe, që përgatit çdo vit rreth 20 kuadro. Ajo ka folur keq për udhëheqjen tonë, duke e quajtur fajtore për mungesën e gatishmërisë, për normalizimin e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Pedagogë dhe studiues të veçantë si dhe institucione kulturore-shkencore sovjetike, kanë shtuar kërkesat zyrtare e private në në drejtim të pedagogëve të Universitetit të Prishtinës dhe intelektualëve kosovarë që vizitojnë Bashkimin Sovjetik, duke synuar kryesisht tek ata që kanë lidhje me universitetin tonë, që kanë lidhje familjare dhe shoqërore në Shqipëri, kështu kanë ftuar Esad Mekulin, Ali Hadrin etj. Gjatë vitit 1974, ka rritje të kërkesave turistike midis Kosovës dhe Bashkimit Sovjetik.

Në këtë rrugë kanë shkuar gjashtë grupe turistësh kosovarë me nga 20-30 vetë, të cilëve sovjetikët u kanë bërë privilegje në uljen e çmimeve dhe pagesën e këtyre shpenzimeve me kredi. U kanë bërë pritje “të ngrohë”, i kanë shoqëruar persona që dinë shqip, u kanë folur për sukseset e Bashkimit Sovjetik, për politikën paqësore dhe internacionaliste të Bashkimit Sovjetik. Përpiqen të shfrytëzojnë për grumbullim të dhënash për vendin tonë marrëdhëniet tona me Kosovën, sidomos me ata kosovarë që kanë vizituar Shqipërinë, si p.sh.: Shefqet Canahasën, pedagog në Universitetin e Prishtinës, Abdyl Bunjakun, gazetar i “Rilindjes” etj.

Duke shfrytëzuar vështirësitë e mëdha ekonomike që po kalon Jugosllavia e sidomos Kosova, sovjetikët kanë shtuar investimet dhe kreditë në Kosovë, ku dërgojnë edhe shumë specialistë. Aktualisht, në bilancin e tregtisë së jashtme të Kosovës, Bashkimi Sovjetik zë vendin e parë me 49 milion dinarë. Nga 450 milionë dollarë kredi që Bashkimi Sovjetik i ka dhënë Jugosllavisë, Kosovës i takojnë 180 milionë dollarë.

Kombinati i Trepçës dhe objektet e tjera ekonomike do të marrin kredi direkte nga Bashkimi Sovjetik dhe do të furnizohen me makineri që do të montohen direkt nga specialistë sovjetikë. 2. ZBULIMI POLAK Tërheq vëmendjen fakti se në përbërjen e delegacioneve jugosllave që kanë vizituar Poloninë, inkludohen edhe kuadro kryesorë nga Kosova, si p.sh., Ilia Vakiçi, Ali Shukria, etj., të cilët kanë zhvilluar bisedime për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Polonisë. Në korrik të këtij viti bëri një turne në Kosovë korrespondenti në Beograd i gazetës “Tribuna Ludu”, Frantishek Lavinci, i cili botoi në gazetë edhe disa artikuj të ndryshëm mbi gjendjen në Kosovë. Vitet e fundit konstatohet një rritje e këmbimeve tregtare midis Kosovës dhe Polonisë, si dhe “gatishmëri” nga polakët për të bërë investime dhe për të dërguar makineri e specialistë në Kosovë.

3353a0c4-f89c-4ec2-a586-ffd12711abc0

Në këmbim për këto, polakët marrin nga Kosova mineral plumbi dhe akumulatorë. Krahas këmbimeve tregtare dhe investimeve, ka edhe zgjerim në fushën turistike. Shumë kosovarë kanë shkuar në Poloni për turizëm, studime e specializim dhe mbi 100 prej tyre, janë martuar me femra polake, fenomen që nxitet nga vetë polakët. Sipas një diplomati jugosllav në Varshavë, të gjitha këto hyjnë në kuadrin e veprimtarisë së polakëve dhe të vendeve të Traktatit të Varshavës me synim Republikën Popullore të Shqipërisë.

3. ZBULIMI I REPUBLIKËS DEMOKRATIKE GJERMANE

Njihet një interesim i Zbulimit të Republikës Demokratike Gjermane, nëpërmjet Kosovës, kundër vendit tonë. Që nga viti 1973, në ambasadën e Republikës Demokratike Gjermane në Beograd, punon zbuluesi Karl Heising, që ka mbaruar studimet në vendin tonë para vitit 1960 dhe pas kësaj kohe, ky ka qenë dy herë “diplomat”.

Ky interesohet për Kosovën dhe sipas një diplomati korean, punon në drejtim të Republikës Popullore të Shqipërisë. Në seminarin e gushtit në Prishtinë, morën pjesë “albanologët”, gjermanë, Dr. Oda Buchola dhe Vilfred Fidler, për të cilët ka të dhëna që merren me veprimtari kundër vendit tonë. Sipas tyre, po bëhen përpjekje që të hapet kursi i përhershëm i gjuhës shqipe, pranë Institutit të Gjuhës në Berlin. Na tërheq vëmendjen fakti se në pritjen e ambasadës së Republikës Demokratike Gjermane në Beograd, me rastin e festës kombëtare, ishin të ftuar një numër personalitetesh nga Kosova nga kryetari i Veçes Ekzekutive e deri te drejtorë ndërmarrjesh.

4. ZBULIMI ÇEK DHE HUNGAREZ

Të dyja këto zbulime tregojnë interes për gjendjen në Kosovë, zgjerimin e kontakteve me personalitet kosovare, deri atje sa të dërgojnë edhe studentë që të mësojnë gjuhën shqipe pranë Universitetit të Prishtinës.

Diplomatët hungarezë janë të orientuar që të ndjekin me interesim gjendjen në Kosovë dhe marrëdhëniet e saj me vendin tonë. K o n k l u z i o n e 1. Aktiviteti armiqësor i Zbulimit Sovjetik dhe i vendeve revizioniste në drejtim të vendit tonë nëpërmjet Kosovës e viseve të tjera shqiptare, ka ardhur gjithnjë duke u rritur.

Qëllimi i tyre është:

a) Të sigurojë të dhëna për gjendjen në Republikën Popullore të Shqipërisë.

1f766124-7f79-4211-8194-0d2a8432ccef

b) Të përpunojë elementë nga inteligjenca kosovare që kanë kontakte me vendin tonë, për t’i vënë në shërbim të tyre për tani e në perspektivë.

c) Të krijojnë në masën e kosovarëve bindjen se gjoja vija e udhëheqjes sonë në marrëdhënie me Bashkimin Sovjetik, nuk është e drejtë dhe se ata janë për normalizimin e marrëdhënieve “të sinqerta” me Republikën Popullore të Shqipërisë, me qëllim që të krijojnë tek ata iluzione të dëmshme dhe të pakësojnë dashurinë e tyre për Partinë e vendin tonë.

1. Në veprimtarinë e tyre armiqësore ata përdorin forma dhe metoda të njëjta, si shtim investimesh, dhënie kredish, rritje të këmbimeve turistike, tërheqje të kuadrosh kosovarë për specializime, pushime etj., dhe trajtim të veçantë dhe “të ngrohtë”, në krahasim me pjesëtarë të kombësive të tjera të Jugosllavisë.

2. Organet e shtypit dhe të Radio-Televizionit të Kosovës, duke pasur parasysh marrëdhëniet e Jugosllavisë e Kosovës me Republikën Popullore të Shqipërisë dhe reagimin tonë, mundohen që aktiviteteve dhe marrëveshjeve me këto vende, të mos u japin publicitetin e duhur.

DREJTORI I DREJTORISË III, (JONUZ MERSINI)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura