Pikantet e Kukësi-Egnatia/ Sherri merr “Po”-në e jetës, 40 mijë euro për rrogozhinasit

May 15, 2024 | 12:07
SHPËRNDAJE

Finalja e Kupës së Shqipërisë, e fituar nga Egnatia 1-0, ishte emocionuese në fushë, në shkallët e “Air Albania-s”, dhe akoma më shumë pas marrjes së trofeut për rrogozhinasit, të cilët janë festuar me tifozët e tyre. Më e veçantë ishte mbrëmja për portierin shkodran të rrogozhinasve. “Panorama Sport” sjell disa nga momentet më pikante të finales.sherri

*Prani e konsiderueshme e tifozëve të Kukësit dhe Egnatias, të cilët ishin pozicionuar pas portave, sektorëve ku ishin hequr stolat plastikë për të u dëmtuar. Në stadiumin ishin 3400 tifozë. Në momente të caktuara tifo-grupet e dy skuadrave shkëmbyen “mesazhe” mes tyre, duke shkuar deri te motrat.

*Finalen e ndoqën nga afër edhe drejtues të ndryshëm klubesh të Superiores. Më të shumtë ishin ata të Tiranës, si të interesuar direkt. Këta të fundit janë parë të buzëqeshur pas ndeshjes, pasi kanë siguruar pjesëmarrjen në Kupat e Europës.

*Nuk mungoi në stadium as trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç, që ka studiuar kundërshtarin e gjysmëfinales së “Final 4”, Egnatian.

*Në tribunën qendrore u pa edhe ndihmëstrajneri i Kombëtares, Doriva, bashkë me Ervin Bulkun.

*Tifozët e Kukësit kanë sharë në kor Edison Ndrecën pasi lojtari i Egnatias shënoi golin që vendosi ndeshjen. Ai shkoi të festonte në tribunën përballë, ku kishte të gjithë familjarët dhe kjo nuk u pëlqeu kuksianëve, të cilët kërkuan respekt për faktin që mbrojtësi ka veshur fanellën e Kukësit më parë.

*Në disa momente tifozët kuksianë kanë shenjëstruar edhe gjyqtarin kryesor të ndeshjes, Juxhin Xhaja, që sipas tyre nuk i jepte Kukësit atë që meritonte.

*Trajneri i Kukësit, Bledar Devolli, ishte më aktiv se kolegu i tij, Edlir Tetova. Gjirokastriti jepte udhëzime për të tijtë edhe me lëvizjet e kokës. Në një rast i bëri me shenjë Mingos të kërkonte Zhongon në zonë dhe kështu ndodhi. Në këtë rast Kukësi iu afrua shumë golit me Lalën.

*Lojtarët e Kukësit insistuan te Xhaja që të shihte në VAR rastin, kur ata pretendonin për prekje të topit me dorë nga Dylis. Por kryesori mori konfirmimin nga VAR-i dhe vazhdoi lojën.

*Ovacione në minutat e fundit nga tifozët kuksianë, kur ekipi po shtynte drejt zonës së Egnatias, por pa rezultat.

*Festë në tribunën qendrore të “Air Albanias” nga tifozët e Egnatias, më së shumti nga familjarë të lojtarëve, që më pas pushtuan tapetin e blertë të stadiumit.

*Egnatia ka marrë një shpërblim prej 40 mijë eurosh për fitimin e trofeut të Kupës së Shqipërisë. Në fillim ishte vendosur që premioja të ishte 20 mijë euro, por ajo u dyfishua para finales.

*Foto me tifozët nga lojtarët dhe drejtuesit e Egnatias pas marrjes së medaljeve dhe trofeut. Ata janë bashkuar pranë portës nga ana jugore e stadiumit dhe për disa minuta kanë festuar së bashku.

*Në një moment të festimeve të rrogozhinasve, është formuar një rreth nga ana e lojtarëve të Egnatias. Në mes ishte portieri Alen Sherri, i cili është ulur në gjunjë dhe i ka propozuar për martesë të fejuarës së tij Razena. Sigurisht që ka marrë “Po”-në e saj mes brohoritjeve të shokëve të skuadrës, ndërsa tifozët në kor kanë kërkuar që portieri ta puthë të fejuarën. Dhe Sherri nuk ua ka prishur.

*Një pjesëtar i stafit të Kukësit, teksa gjyqtarët po futesh për në dhomën e tyre, u dëgjuan të thoshte me zë të lartë: “Jepjani dhe Juxhinit një medalje”. I referohej kryesorit Xhaja, i cili ju kthye: “Po me mua çfarë ke?”.

*Albano Aleksi, teksa po vraponte drejt tifozëve në fushë dhe pa presidentin Demrozi të intervistohej, u afrua ty dhe tha: “E kemi edhe një”. Mesfushori që nuk luajti në finale kishte parasysh fitimin e titullit kampion. *Disa nga lojtarët e Kukësit, si Zhongo apo Solodovnikov, u panë të përlotur pas humbjes në finale.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura