Philip Roth, fitues i “Man Booker 2011”

May 19, 2011 | 9:45
SHPËRNDAJE
Shkrimtari, Filip Roth

Pas shpalljes së listës së shkurtuar të kandidatëve dhe lloj-lloj hamendësimesh, u shpall dje fituesi i çmimit letrar “Man Booker International Prize”. Ky çmim i rëndësishëm iu dha këtë vit romancierit amerikan Philip Roth. Juria e drejtuar nga shkrimtari Rick Gekoski ia ka dhënë këtë çmim me motivacionin: “për më shumë se 50 vjet librat e Philip Roth kanë nxitur, provokuar dhe argëtuar një numër të madh lexuesish, ende në rritje. Imagjinata e tij nuk është kufizuar vetëm në riformulimin e idesë mbi identitetin hebraik, por ka rijetësuar narracionin në përgjithësi dhe jo vetëm atë amerikan”. Roth, i cili për një kohë të gjatë është gjithashtu kandidat për çmimin “Nobel” në letërsi, u shpreh shumë i kënaqur për këtë vlerësim. “Është nder i madh për mua të marr këtë çmim”, është shprehur Roth, menjëherë sapo mori vesh se u shpall fitues mes 12 kandidatëve finalistë. “Një prej kënaqësive më të veçanta që kam si shkrimtar, është të shoh që veprat e mia lexohen në nivel ndërkombëtar, pavarësisht gjithë vështirësive që paraqesin në përkthim. Shpresoj që ky çmim të më bëjë të njohur edhe tek ata lexues që ende nuk janë familjarë me veprat e mia”, u shpreh ai. Çmimi u shpall në Sydney me rastin e festivalit të shkrimtarëve australianë, ndërsa ceremonia e dorëzimit të çmimit do të organizohet më 28 qershor në Londër. Bashkë me Roth, këtë vit kandidonin shkrimtarët Dacia Maraini, David Malouf, Philip Pullman, Anne Tyler, Marilynne Robinson dhe për herë të parë dy kinezë Wang Anyi e Su Ton. Në listën e kandidatëve ishte edhe mjeshtri i librave të verdhë John Le Carrè, i cili kërkoi që të përjashtohej nga gara. Ky çmim shoqërohet me një vlerë monetare prej 60 mijë sterlinash. Man Booker International Prize është një nga çmimet më të rëndësishme letrare. Në vitin 2005, këtë çmim e ka marrë shkrimtari shqiptar Ismail Kadare. Dy vjet më vonë, i takoi shkrimtarit nigerian Chinua Achebe dhe, në 2009, shkrimtares kanadeze Alice Munro. Roth është një shkrimtar i lexuar në shumë gjuhë të botës. Është bërë i njohur me veprat “Jam martuar me një komunist”, “Zuckerman” etj. “Time” i ka përfshirë romanet e tij në listën e veprave më të mira letrare të shek. XX.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura