Peshkatari i Perlave

Dec 4, 2023 | 9:00
SHPËRNDAJE

NGA EDISON YPI Edison Ypi1

Fundi i oqeaneve të bibliotekave dhe arkivave është plot me perla. Perlat presin peshkatarët të mbajnë frymën, të zhyten, ta gjejnë e ta rrëmbejë guaskën me perlë brenda. Perla ka. Po a ka peshkatarë të zhyten në fund të oqeanit për t’i peshkuar perlat? Perfeksionist, erudit, poliglot, murg, prift, Ilir Ikonomi është Peshkatar Perlash më tepër se gjithçka tjetër. Peshkatari i Perlave niset që pa gdhirë.

Kandil në dorë, kapuç në kokë, zbret nëpër shkallaren spirale prej druri plot merimanga që kërcet nga hapat. Duhet me arrit në një botë tjetër. Në një botë të vdekur, të zezë, më interesante dhe më e bukur se bota e gjallë. Ku është gjithmonë terr, gjithmonë natë, gjithmonë ftohtë, ora gjithmonë 3, në terrin e ferrit të fundit të oqeaneve të arkivave për të nxjerrë prej andej perlat e harruara për librin e radhës: për Ismail Qemalin, Faik Konicën, Fan Nolin etj..

Kushedi sa herë kujdestarët e bibliotekave dhe arkivave e kanë harruar peshkatarin e perlave gjithë natën brenda ngaqë kur kyçën portën nga jashtë, peshkatari kishte mbajtur frymën, sapo kishte zbuluar një perlë. Oqeani metropolitan është i madh, ka zhvillime të gjithëllojshme. Por nuk ka thellësitë, sidomos kripërat e duhura, për të prodhuar perla. Ka ndërlikime urbane me miliona. Por s’janë perla të thella, janë dromca, grimca, të cekëta. Prift dhe Peshkatar Perlash. Çfarë kombinacioni i hatashëm! Asnjë universitet, asnjë akademi, nuk mund ta arrijë. Dy perla në një guaskë? S’bëhet fjalë.

Guaska e perlës s’është veza e pulës me dy të verdha. Për ta gjetur cila nga guaskat është me perlë brenda, Peshkatarit të Perlave i duhet me hap mijëra guaska. Dhe puna sapo ka filluar. Se perla duhet pastruar nga baltat e kohës. Duhet gdhendur. Duhet vënë në gjerdanin e duhur. Të zbulosh perla, ia vlen të zhytesh. Por duhet të plotësosh dhe të tjera kushte. Për shembull, duhet të dish gjuhë të huaja. Vetëm lapçe dhe tropojançe nuk mjaftojnë. Peshkatari i Perlave, Ilir Ikonomi, i disa gjuhëve, prej të cilave ka studiuar me vite gjuhën kineze në Kinë, aq gjatë sa sytë i janë mimetizuar, i janë bërë si sy kinezi, ëndrrat i sheh në nja pesë a gjashtë syresh.

Në 1915 Noli i propozoi ambasadorit italian në Uashington eliminimin e Esat pashës, që ishte kreu i qeverisë në Durrës. Si mundet një prift të rekomandojë vrasjen e dikujt? Perla që e ndriçon këtë enigmë ekziston. E ka peshkuar Peshkatari i Perlave. Natyrisht jo në cekëtinat ku ndodhen fjalimet, qëndrimet, deklaratat, që dihen e stërnjihen prej kohësh, por shumë më thellë, n’ato katakombat e errëta. Noli kurrë nuk ka folur për vizitën e tij në Moskë, në vitin 1927 me rastin e 10-vjetorit të revolucionit të tetorit. Në vitin 1920, një personalitet i “Vatrës” i konfidoi me krenari Faik Konicës në Romë se vrasja ishte urdhëruar nga “Vatra”. Faiku u tmerrua.

Falë Peshkatarit të palodhur të Perlave, Ilir Ikonomit, bashkë me plot të tjera, edhe këto fakte tronditëse që prej dhjetëra vitesh kanë vrarë gjumin e shqiptarëve nuk janë më mister. I shpjegon perla e radhës e Ilir Ikonomit. Halli me perlat nuk është vetëm se ato është vështirë t’i peshkosh, por te vënia e tyre në kontekst brenda mendjes së lexuesve përmbytur nga klishetë, lidhja e tyre në një histori të vetme, në mënyrë të atillë, që e gjitha të mos dalë një përrallë optimiste frymëzuar nga ndonjë kongres partie stërngopur nga inflacion i neveritshëm fjalësh që bëhet krejt i padurueshëm kur nuk ka fakte dhe del nevoja ta mbushësh librin me fjalë të përgjithshme, me llogje, ç’ka është tmerri dhe fatkeqësia më e madhe për gjithë të interesuarit e Historiografisë.

Me përralla optimiste, inflacion fjalësh, fakte të sajuara, merren peshkatarët e rraqeve. Peshkatari i Perlave, Ilir Ikonomi, vepron ndryshe. Peshkatari i Perlave ka ndërtuar tashmë një gardh, mur, digë, për të penguar përdorimin e çfarëdo mjeti a mënyre për të bërë libra historikë të sajuar. Falë këtij standardi të ri aplikuar me sukses në librat e tij, zor sot e tutje do ketë faqezinj të guxojnë të shkruajnë libra me përmbajtje historike plot me arna, mballoma, thashetheme, klishera, dëshira, lakmira, synime afatshkurtra të pushteteve kalimtare.

Tash e tutje jo më thasë me rraqe historio-grafike të shkarravitura nga autorë mediokër që duan ta fusin veten me zor në Histori, që edhe mund të ndodhi dikush librin e tyre e lexon, dhe menjëherë e harron, si harrohet rrena që dikush sapo ta tha në kafene. Tash e tutje vetëm si Peshkatari i Perlave, Ilir Ikonomi. Vetëm libër thurur me shumë mundim, pasion, vullnet, sakrificë. Vetëm gjerdan me perla. Vetëm kryevepra.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura