Përse zyrtarët e korruptuar ‘shpikin’ sëmundje të rënda para se të arrestohen?! Ish-prokurori i Krimeve të Rënda zbulohen ‘hilet’ e sistemit: Duhet hetim edhe për mjekët

Apr 30, 2024 | 13:11
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Pjesa më e madhe e zyrtarëve të arrestuar, kryesisht për korrupsion, sëmurën sapo të prekin dhomat e komisariateve, e të tjerët, sapo të jepet masa e sigurisë për ta!

Eugen Beci-Prokurori

Është praktikë e njohur në sistemin tonë të drejtësisë, që personat me lidhje të forta politike të kenë mundësira dhe lehtësira t’i shmangen ligjit e, një prej tyre, është pajisja me raport mjekësor për gjendjen e tyre shëndetësore. Kryebashkiakë, ishkryebashkiakë, zyrtarë e deri drejtorë drejtorish kanë ngritur pretendime se janë të sëmurë, kanë paraqitur raporte mjekësore e për pasojë, janë paraqitur si kërkesa në gjykatë për ndryshimin e masës së sigurisë nga “Arrest në burg” në një masë tjetër më të lehtë, por që ideja ka qenë lënia e qelisë!

Në fakt, Gjykata e Posaçme për më shumë se një vit e gjysmë, kur ka qenë edhe kulmi i arrestimeve të zyrtarëve që ‘vuanin’ nga zemra, tensioni, diabeti e deri te fobia ndaj ambienteve të mbyllura, nuk ka pranuar asnjë kërkesë për ndryshimin e masës së sigurimit personal për ta, edhe pse numri i kërkesave të tilla ka qenë i madh! Por, edhe pse gjykata ka refuzuar të lirojë të arrestuarit e ‘sëmurë’, Prokuroria e Posaçme nuk ka ndërmarrë ende asnjë hap për të hetuar praktikat mjekësore që paraqiten në gjykatë si ‘pasaportë’ e sëmundjes së tyre!

Për këtë dukuri që haset sa herë arrestohet një zyrtar, “Panorama” foli me një prej ishprokurorëve më të njohur në vend, ish-kreun e Krimeve të Rënda, Eugen Beçi. Duke analizuar shkaqet e “sëmundjes” së të arrestuarve për korrupsion, Beci thotë se në fakt SPAK duhet t’i hetojë mjekët që të mos abuzohet me praktikat mjekësore për këta persona. Edhe pse, sipas tij, Gjykata e Lartë e ka zgjidhur me ekspertimin mjeko-ligjor, ku pretendohet se ata tregojnë saktë gjendjen e të sëmurit, duke përcaktuar edhe diagnozën.

INTERVISTA -Z.Beçi, përse ndodh që shumica e zyrtarëve të arrestuar, kryesisht për korrupsion dalin të “sëmurë” sapo prekin qelitë?

Shumica e zyrtarëve të arrestuar dalin të sëmurë mbase për faktin që Drejtoria e Burgjeve është pjesë e ekzekutivit dhe mazhoranca i merr në “sqetull” anëtarët e vet, meqenëse nuk ka mundësi t’i ndihmojë më shumë. Por ka edhe një arsye tjetër. Meqenëse burgjet shpesh nuk ofrojnë kushte specifike për një zyrtar të arrestuar, gjenden këto artifica me sëmundje.

-A mendoni që është një kartë që funksionon në sistemin tonë të drejtësisë?
Është një kartë që shpesh ka funksionuar për zyrtarët. Ndërsa për qytetarët të thjeshtë, megjithëse mund të kenë qenë të sëmurë seriozisht, kanë humbur jetën në burgje.

-A duhen hetuar këto praktika mjekësore nga ana e Prokurorisë, në rastin konkret, nga SPAK?
Këto praktika mjekësore ndonjëherë duhet të bëhen objekt i hetimeve të SPAK që të mos abuzohet me to e mjekët të jenë më të përgjegjshëm. Por, praktika gjyqësore edhe e Gjykatës së Lartë e ka zgjidhur këtë fenomen me procedura strikte të një ekspertimi mjeko-ligjor, që të përcaktojë saktë gjendjen shëndetësore të të arrestuarit dhe mbajtja apo jo në burg e tij vlerësohet me ekspertim.

-Në punën tuaj, pasi ju keni drejtuar Krimet e Rënda, a keni pasur raste të tilla të dyshimta, qoftë edhe me eksponentë të botës së krimit dhe si e kini zgjidhur?
Po, gjatë kohës në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka pasur raste të dyshimta dhe e kemi zgjidhur me grup ekspertësh mjekoligjorë. Por jo çdo rast ka funksionuar perfekt, pasi ka pasur raste që brenda sistemit të burgjeve, eksponent të krimit, kanë përfituar lehtësira duke u shtruar në Spitalin e Burgut.

-A ekziston mundësia që zyrtarët të jenë në dijeni se do të arrestohen dhe të pajisen me “sëmundje” përpara prangosjes?
Është paksa e pamundur kjo, se verifikimi bëhet pas arrestimit. Ata përpiqen, por verifikimi duhet bërë nga mjeku ligjor!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura