“PD ka probleme me ‘trurin’”- Anëtari i kryesisë tregon në ‘Panorama TV’ prapaskenat e mbledhjes së tensionuar: Ja pika ku u ndamë! Basha kryetar?- “Këtë e vendos…”

Jun 10, 2023 | 20:48
SHPËRNDAJE

Gazment Koduzi, anëtari i kryesisë së PD ka treguar në Panorama TV prapaskenat se çfarë ka ndodhur në mbledhjen e tensionuar të kryesisë. Sipas tij, të gjithë anëtarët kanë diskutuar dhe kanë dëgjuar njëri – tjetrin dhe të gjithë ishin dakord, por pika që i ndau ishte nëse duhej të zgjidhej në fillim kryetari dhe pastaj strukturat apo e kundërta.

gazment koduzi

Në mënyrë metaforike, Koduzi u shpreh se PD është në gjendje agonie dhe ka probleme me ‘trurin’. Sipas tij gjëja e para që duhet të bëhet është të zgjidhet kryetari.

“Në ditën e mbledhjes së kryesisë duhet të ndajmë situatën çfarë ka ndodhur brenda sallës dhe çfarë ka ndodhur jashtë pasi janë larguar.

Brenda sallës ka dominuar fryma e diskutimit dhe e mirëkuptimit, ku secili nga ne, përveç dy kolegëve nuk e morën fjalën, kurse të tjerët kanë diskutuar dhe ka qenë një diskutim pavarësisht mendimeve të ndryshme, secili nga ne ka dëgjuar njëri tjetrin. Jo se kanë qenë larg idetë apo mënyrat si e shikonin zgjidhjen e çështjes. Të gjithë ishim në një mendje, por ndaheshim në një pikë, do zgjidhej në fillim kryetari dhe pastaj strukturat apo e kundërta.

Qëndrimi im është se PD është në një gjendje agonie. Nëse e themi në terma mjekësore, PD ka probleme me trurin dhe tashmë kjo duhet zgjidhur patjetër dhe truri është lidershipi i PD. Lideri mban të mbledhur gjithë strukturat.

PD është një institucion, si gjithë institucionet e tjera. Ka nevojë për një kokë, për një lider. Unë jam i opsionit që duhet zgjedhur lideri, duhet hyrë në proces. Hapi i parë është të shpallet lista e votuesve të anëtarësisë. Pra është një proces ku degët do punojnë për të parë dhe definuar listën e anëtarëve. Pastaj do ketë një proces afat për të bërë fushatë. Unë propozova që fushata të jetë një model ku të ketë një takim për çdo degë dhe aty të shkojnë të gjithë kandidatët.

PD është ndarë më dysh që kur u bë përjashtimi i Berishës. Pra dihet diagnoza se çfarë ka ndodhur. Berisha është në të drejtën e tij të mendojë dhe të bëjë çfarë të dojë. Një grup deputetësh i thanë Bashës dhe Berishës që ju duhet të bëni një hap prapa. Basha bëri një hap prapa, ndërsa Berisha jo. ”, tha Koduzi.

Ai u shpreh se deri tani Lulzim Basha nuk ka artikuluar se do të shpallë kandidaturën për kryetar të PD, por u shpreh se e vendos anëtarësia nëse do jetë apo jo ai kryetari i PD.

“Basha nuk e ka shpallur akoma kandidaturën. Disa nga kolegët e kryesisë nuk e kishin çështjen te principi, por e kishin të rikthimi i Bashës. Për mua ka rëndësi që procesi të jetë transparent dhe dinjitoz.

Deri më sot unë nuk kam dëgjuar që Basha të ketë artikuluar që do të kandidojë. Unë e kam ndjekur aktivitetin e Bashës, ai ka dhënë vetëm alternativa si duhet ndryshuar sistemi.

Unë mendoj që çdo anëtar i PD që nuk pengohet nga statuti ka të drejtë të kandidonte për kreun e PD”, u shpreh Koduzi.

Ndërsa i pyetur nëse do të ishte i kënaqur nëse Basha do kandidatonte, ai tha: “Nuk është çështja do jem apo jo i kënaqur. Nëse Basha është i denji apo i pandenjë për të qenë në krye të PD e vendos anëtarësia”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura