Pavijoni shqiptar në Venecia, nga ëndrra tek ndotja

May 13, 2011 | 11:11
SHPËRNDAJE

Më datë 4 qershor, në Venecia do të hapet bienalja më e madhe e artit pamor. Është edicioni i 54-t dhe mban titullin “Ilumination”.Në këtë arenë të artit bashkëkohor do të jetë i pranishëm edhe ai shqiptar, përmes një pavijoni zyrtar, i cili drejtohet nga kuratori italian Riccardo Caldura dhe komisionieri shqiptar, Parid Teferiçi. Këtij “Ilumination-i” ndërkombëtar, Caldura i ka përshtatur temën “GEOPATHIES”, e cila mëton të evidentojë raportin mes veprës së artit dhe kontekstit gjeografik, historik dhe shoqëror. Kjo temë do të përcillet përmes punëve të 5 artistëve shqiptarë: Anila Rubiku, Orion Shima, Gentian Shkurti, Eltjon Valle dhe Driand Zeneli. Tanimë gjithçka është në përgatitjet e fundit. Pas kërkimit në studiot e artistëve, kuratori ka përzgjedhur atë ansambël punësh që sipas tij përfaqësojnë më së miri zhvillimin e artit pamor në Shqipëri, gjithnjë në kuadrin e përgjithshëm të bienales. Ndërsa punët po përgatiten të nisen drejt Italisë, tre prej pjesëmarrësve zbulojnë punët e tyre. Janë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra, por që shprehin tërësisht raportin mes artistit dhe veprës artistike dhe qëndrimin që mban ai ndaj kontekstit në të cilin jeton.
Gentian Shkurti

Pikture Demokratike

Në një situatë të ndezur politike, kur të gjithë i kanë sytë tek numërimi i votave dhe bëjnë përllogaritje dhe hamendësime, të bësh një sondazh edhe në pikturë duket paksa provokative. Një sondazh për ngjyrën e preferuar, çka do të reflektohej mandej edhe në pikturë. Gantian Shkurti, një nga pjesëmarrësit në Bienalen e Venecias, e ndërton punën e tij pikërisht mbi një sondazh. Është një projekt kompleks i përbërë nga dy punë, një video dhe një pikturë. Titullohet “Pikturë demokratike” dhe konsiston në krijimin e një pikture në bazë të shijeve të publikut. “Për këtë është zhvilluar një sondazh mbi 100 persona tërësisht të rastësishëm, të moshave, gjinive, kategorive të ndryshme, të cilëve u është vënë përpara një spektër ngjyrash dhe u është kërkuar të zgjedhin ngjyrën e tyre të preferuar. Në fund, në bazë të rezultatit me përqindjet e ngjyrave të zgjedhura, është krijuar një pikturë”, tregon Shkurti. Për të respektuar tërësisht preferencat e njerëzve pjesëmarrës në sondazh, sipërfaqja e tablosë është ndarë në kuadrate simetrike dhe ngjyrat janë shpërndarë me një saktësi matematikore. Videoja tregon gjithë procesin e kryerjes së sondazhit, ndërsa piktura, që sipas artistit janë vetë njerëzit ata që e kanë krijuar, ndërsa ai është vetëm zbatuesi. Për të qenë më e këndshme për t’u parë, ajo është paraqitur në formën e një peizazhi. Ndonëse duket si një ngacmim nga situata politike, Shkurti thotë që nuk ka asnjë lidhje me këtë, por është një reflektim për artin në vetvete dhe është shkëputur nga një cikël punësh që trajton marrëdhëniet e artistit me veprën e artit, duke shtruar ca pikëpyetje që ngrenë artistët.
Orion Shima

Pikture nga Orion Shima

Një tjetër përfaqësues shqiptar në Bienalen e Venecias është piktori Orion Shima. Ai paraqitet me një seri prej tre pikturash, në një dimension të madh, zgjedhur mes punësh, të cilat Shima po i përgatiste për një ekspozitë në Tiranë. Piktori thotë se ishte duke punuar për dy ide paralelisht. Njëra prej tyre ka të bëjë me “artin që nuk thotë asgjë, apo artin në vetvete”, i cili nuk është i kontaminuar nga problematika e së përditshmes. Është një krijim me nota ëndërrimtare, e cila e merr nxitjen nga natyra dhe ka për personazh drerin. Ai është lidhja me natyrën, ëndrra, por edhe fryma e gjallë në tablo. Ndërkaq, seria tjetër, sipas Shimës, është një bërie dhe zhbërie imazhesh. Gjithashtu është reflektim i raportit të njeriut me natyrën, nxitja që ai merr prej saj dhe interpretimi në mënyrë individuale. “Janë vepra pa ndikime sociale. Për mendimin tim, arti nuk duhet të kontaminohet nga rrethanat e jashtme sociale, politike. E shoh të shkëputur prej tyre. Më intereson emocioni që shkakton arti si i tillë”, thotë Shima, teksa shton se për të ka rëndësi më shumë krijimi artistik, i cili nuk ka një kontekst të qartë dhe merr më shumë karakter individual dhe shpirtëror. Sigurisht që punët e tij janë përzgjedhur në sinkron me gjithë pjesën tjetër të pavijonit, ku në mënyra të ndryshme tregohet marrëdhënia që artisti ka me veprën, por edhe në kontekstin ku ai punon. Në këtë rast, Shima preferon të mos ndikohet nga konteksti, duke i shpëtuar vrullit, apo “modës” së përgjithshme për ta lidhur gjithçka me problematika sociale, siç janë urbanistika, ndotja etj., apo edhe politike.
Eltjon Valle

“Island - The Marinz Project"

Ndryshe nga dy kolegët, të cilët janë të interesuar për artin në vetvete, Eltjon Valle krijon duke marrë shkas nga një problem shumë shqetësues, që është ai i ndotjes. Por kjo jo si një koncept i përgjithshëm, por i parë në një kontekst të caktuar. Ai ndalet në një nga zonat më të njohura naftënxjerrëse në Shqipëri, në Marinëz, ku ndotja e ambientit është e jashtëzakonshme si rezultat i këtij aktiviteti. Peizazhe të nxira nga nafta. Fusha ku bimët thuajse mbijnë të ngjyrosura në të zezë. Pellgje të mbushura me lëngun e trashë, të çmuar. Si një djalë që ka lindur në një qytet naftëtar, në Kuçovë, valle është shumë i ndjeshëm ndaj kësaj çështjeje. Ai ndalet tek jeta e njerëzve që jetojnë në këtë zonë, duke sjellë si dëshmi objekte të jetës së përditshme, të flakura e të zhytura në llum. Valle ka vite që e trajton këtë temë. Përpara tri vitesh ai ekspozoi në Galerinë Kombëtare të Arteve ekspozitën e tij “Marinza”, ku paraqiti një copëz të kësaj zone. Një copë toke, objekte, pamje, harta… Po mbrëmë ai ekspozoi në sallonin e Institutit Italian të Kulturës, duke iu referuar edhe pjesëmarrjes së tij në pavijonin shqiptar në Venecia: “Padiglione Italia nel Mondo, Biennale 2011”. Në këtë pavijon ai do të paraqitet me punën me titullin “Island – The Marinz Project”.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura