Pavijoni shqiptar hapet më datë 6 maj në Arsenale, Kuratori: Lufta e Ftohtë në Shqipëri na flet për të tashmen

Apr 29, 2015 | 23:25
SHPËRNDAJE

Një skelet balene udhëtoi nëpër Adriatik për të mbërritur në Arsenale, atje ku do të jetë pavijoni shqiptar në Bienalen e Venecias. Bashkë me tri video të Armando Lulajt, ajo do të rrëfejë për Luftën e Ftohtë në Shqipëri. Kuratori italian, Marco Scotini, thotë për “Panorama” se pavijoni shqiptar, që prezantohet me projektin “Albanian Trilogy”, do të mbahet mend gjatë”. Ai rrëfen për mënyrën se si është konceptuar pavijoni shqiptar, bashkëpunimi me artistin Armando Lulaj, përputhja me temën e madhe të Bienales, transportimi i skeletit të balenës drejt Venecias dhe bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës.

 Si ka lindur bashkëpunimi juaj me Armando Lulajn dhe pse vendosët të përfaqësonit në Bienalen e Venecias Shqipërinë?
Armando Lulaj është pa dyshim një nga artistët shqiptarë më interesantë dhe një ndër më të njohurit në rrafshin ndërkombëtar. Si kurator, punoj me të prej 10 vjetësh. Në vitin 2003 e ftova në edicionin e parë të Bienales së Pragës, dhe pas shumë ekspozitash të tjera së bashku, vitin e shkuar e kam përfshirë punën e tij në një ekspozitë kolektive me shumë sukses, mbajtur në Bolonjë, me titull “The Empty Pedestal”. Ekspozitë që fokusohej në të shkuarën socialiste të Europës Lindore, hapej me një punë të Lulajt tepër emblematike: një neon që linte të dukej në mënyrë të alternuar frazat “Enter the Ghost” e “Exit the Ghost”. E tashmë jemi sërish bashkë për këtë aktivitet ndërkombëtar, shumë të lumtur që mund të përfaqësojmë kombin shqiptar. Një juri ndërkombëtare me emra të rëndësishëm nga bota e artit bashkëkohor ka seleksionuar projektin tonë tetorin e shkuar. Nga këndvështrimi im personal, besoj se është pjesëmarrja e parë shqiptare në Bienalen e Artit në Venecia në mënyrë zyrtare, me një juri seleksionuese të një niveli të lartë, një pavijon në Arsenale (në qendër të Bienales) dhe një pjesëmarrje më e gjerë nga ana e Ministrisë së Kulturës. Besoj se projekti ynë, më mirë se çdo tjetër, mund të japë një ide se si është e mundur të përfaqësosh sot një komb, sa kjo detyrë nuk është aq e thjeshtë për t’u realizuar. Jam i bindur se publiku ndërkombëtar, në 7 muaj që do të zgjasë aktiviteti, do të ndërgjegjësohen se nuk ekzistojnë vetëm 2-3 emra artistësh shqiptarë të njohur, por tashmë ka edhe një strukturë publike në lartësinë e situatës, që promovon artin bashkëkohor në Shqipëri: Kjo më duket një risi e madhe, që do t’u jetë e dukshme të gjithëve, një zhvillim që nisi me ardhjen e Edi Ramës në krye të qeverisë në vitin 2013.

Albanian Trilogy” është një projekt që flet për të shkuarën e Shqipërisë, përse vendosët për këtë temë?
Pikërisht ky aspekt më është dukur interesant për të përballur një përfaqësim kombëtar. Prej vitit 2006 unë punoj në mënyrë të vazhdueshme mbi temën që lidhet me politikat e kujtesës, përmes ekspozitave, librave etj. Në vitin 2004, Lulaj realizoi një vepër madhështore me titullin “Living in Memory”, në një kodër mbi Tiranë, dhe gjatë viteve të fundit ka thelluar këtë kërkim të tijin mbi të shkuarën me materiale arkivore. Edi Muka në katalog e përkufizon Lulajn si një “arkeolog social”. Pra, në mënyrë të natyrshme kemi rënë dakord që të gjenim një mënyrë për të prezantuar këtë trilogji filmike mbi Luftën e Ftohtë, për të cilën Lulaj punon prej vitit 2010.

Lufta e Ftohtë ka qenë specifike në Shqipëri, si do t’ia tregoni atë publikut të huaj dhe sa i pranishëm do jetë në këtë tregim ish-diktatori Enver Hoxha?
Natyrisht që metoda jonë është ajo artistike dhe jo historike, edhe pse në katalog nuk mungon një tekst i shkruar shumë mirë. Pra, punët e Lulajt janë si një riaktivizim performues në të shkuarën, që shohin në episode të vogla, margjinale dhe në dukje të paqëndrueshme, që nxjerrin në dritë në fakt mekanizma të pushtetit, paranoja sociale dhe konstrukte fiktive të identiteteve kolektive. Por aspekti interesant është që problemi për të cilin shihet në këtë të shkuar lokale, nuk është ai i izolimit socialist shqiptar apo rindërtimit të aleancave politike nga ana e liderit karizmatik Enver Hoxha. Problemi i vërtetë është ai global, si funksionojnë sot gjërat në rrafshin botëror. Të zbulosh se një vend i vogël, i mbyllur në vetvete, si Shqipëria në kohën e Luftës së Ftohtë, mund të na thotë diçka sot të gjithëve mbi të tashmen. Kjo më duket me të vërtetë e rëndësishme.

Sa është pjesë e temës së madhe të Bienales pavijoni shqiptar?
Kur e prezantuam projektin “Albanian Trilogy” në Ministrinë e Kulturës, askush nuk e dinte se cila do të ishte tema e Bienales, e kuruar nga Okwi Enwezor dhe as titullin “All The World’s Futures”. Sot mund të themi që sintonia ka qenë perfekte, sepse tema jonë mund të ishte një kapitull i ekspozitës kryesore veneciane. Gjithsesi e njoh mirë kuratorin Enwezor, pasi kam bashkëpunuar me të dhe ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së ekspozitës sime të fundit mbi Lindjen e Mesme, në Bolonjë, hapur në janar.

Pjesë e projektit është edhe një skelet gjigant balene, çfarë përfaqëson ajo?
Si arritët ta transportonit në Itali? Bashkë me videot e trilogjisë kemi menduar të instalojmë riprodhimin e një tabloje të Spiro Kristos, 71 librat e Enver Hoxhës dhe, natyrisht, skeletin e balenës mesdhetare të ruajtur në Muzeun Kombëtar të Historisë së Natyrës në Tiranë. Ky element do të bëjë që të gjithë të kujtohen për pavijonin shqiptar të vitit 2015. Ky skelet balene për herë të arë, përmes artit, do të ekspozohet në kontekstin politik, prej të cilit edhe rrjedh. Ushtarët e marinës militare shqiptare në vitin 1963 ndeshën në gjirin e Vlorës diçka që ngjante me një nëndetëse amerikane, kështu që qëlluan, por shënjestra nuk ishte veçse balena që do të ekspozojmë. Por natyrisht në vetvete është një emblemë me një fuqi të jashtëzakonshme: mjaft të mendojmë mbi “Moby Dick” të Melville. Por ka edhe diçka më të thellë, për të cilën balena është menduar si arketip: ai i Leviatano të Hobbes. Sot kjo është në qendër të debatit teorik ndërkombëtar nga Carl Schmitt te Giorgio Agamben. Me rrugë detare ne e sollëm balenën përmes Adriatikut në Venecia. Nuk ka qenë e thjeshtë, por e gjitha kjo ishte ekzaltuese.

Kemi mësuar se 5 ministra janë impenjuar për realizimin e pavijonit shqiptar, përfshirë dhe transportin e balenës. Si arritët t’i bindnit?
Kemi pasur mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Arsimit e Sportit, por mbi të gjitha roli kryesor ka qenë ai i promotorit, Ministrisë së Kulturës, që arriti t’i vinte në punë të gjithë, falë impenjimit personal të ministres Mirela Kumbaro Furxhi. Nëse pavijoni shqiptar do të ketë sukses, siç besoj, kjo i dedikohet edhe mbështetjes shtetërore.

I njohim mirë burokracitë e institucioneve shtetërore, në rastin tuaj, si ka qenë marrëdhënia me Ministrinë e Kulturës?
Burokracia është një problem real, në çdo nivel, në çdo shtet të botës dhe, për të qenë të sinqertë, në rastin shqiptar më është dukur problemi më i vogël. Personalisht kam pasur një raport të shkëlqyer që nga fillimi me ministren Mirela Kumbaro Furxhi, që na dha “kartë të bardhë”. Në të kundërt, pavijonet e tjera të Bienales janë ndeshur në shumë kufizime. Mjaft të mendojmë pavijonin italian, që detyronte përfshirjen e 16 artistëve, për të mos folur për procedurat e të tjerëve. Në këtë rast, me Lulajn, kemi mundur të vendosim gjithçka pa kufizime të mëdha. Por kjo liri veprimi, sipas meje, rrit përgjegjësinë tonë personale, përballë projektit, si artistë e kuratorë, sidomos përballë faktit që gjithsesi duhet të përfaqësojmë një kolektivitet social, që nuk është vetëm ai i fushës së artit bashkëkohor. Pikërisht ky drejtim mund të hapë perspektiva për zhvillimin dhe promovimin e artit, në një vend që nuk ka një traditë të madhe, si Shqipëria. Tashmë shoh një dialog institucional që më parë nuk ka qenë. Pra, i jam mirënjohës Ministrisë së Kulturës shqiptare për këtë aventurë të përbashkët dhe shpresoj që t’i përmbush pritshmëritë. Në gjithë këtë transformim, pavijoni i 2015-s do të jetë pa dyshim një hap i parë.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura