Pavarësia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, një vështrim krahasues

Nov 29, 2022 | 9:30
SHPËRNDAJE

NGA PASKAL MILO

PASKAL-MILO

Përvjetori i 110-të i Pavarësisë së Shqipërisë u ndje dhe u festua dje në të gjithë vendin, në Kosovë e kudo ku ka shqipfolës. Natyrshëm, sepse të gjithë përfaqësuesit e nderuar që vendosën nënshkrimin e tyre në Aktin e Pavarësisë ishin nga të gjitha trevat shqiptare. Dhe jo vetëm kaq. Shumë prej tyre kishin qenë edhe luftëtarë në vijën e parë të betejave për mëvetësi kombëtare.

Pavarësia e Shqipërisë ishte akt madhor kombëtar, por që nuk e zgjidhi çështjen kombëtare shqiptare. U deshën 98 vite të tjera që të realizohej akti tjetër i rëndësishëm kombëtar që ishte vijim dhe plotësim i të parit, pavarësia e Kosovës. Këto janë dy procese historike që pavarësisht distancës kohore kanë tipare dhe veçori të përbashkëta, sikurse edhe dallime.

Ajo çfarë dallon si kryesore në proceset e pavarësimit të Shqipërisë e të Kosovës është se ka të bëjë me dy akte themelore brenda të njëjtit komb, që u imponua nga ndikimi i veprimit të faktorëve të jashtëm të kohës në kundërshtim me vullnetin e tij. Një fenomen i tillë nuk i ka ndodhur vetëm kombit shqiptar, por edhe kombeve të tjerë në Evropë e në botë përgjatë historisë moderne për arsye dhe faktorë të ndryshëm. Nëse Pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912 ishte vetëm akti i parë dhe i pjesshëm i pavarësimit të kombit shqiptar, Pavarësia e Kosovës në vitin 2008 ishte akti i dytë madhor, plotësues që përmbylli një proces e një luftë të gjatë për pavarësimin e gjysmës tjetër të kombit. Por vetë ky proces, gjykuar nga këndvështrimi i unitetit kombëtar, ende mbetet i paplotësuar. Liria dhe krijimi i dy shteteve kombëtare shqiptare nuk plotësoi të paktën deri tani rrjedhën objektive e të natyrshme të lëvizjeve kombëtare, krijimin e një shteti unitar kombëtar shqiptar.

Pavarësia e Shqipërisë në 28 nëntor 1912 dhe Pavarësia e Kosovës në 17 shkurt 2008 janë akte solemne dhe zyrtare që shënuan në kohë të ndryshme lindjen e dy shteteve shqiptare. Për të arritur deri aty të dy shtetet kanë pasur rrugëtimin e tyre origjinal historik që ngjason, por edhe dallon mes tyre. Pavarësia e Shqipërisë ishte përfundim logjik i zhvillimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare përgjatë shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, e cila shkriu në një rrymë e për një qëllim të vetëm përpjekjet për emancipim kombëtar, për gjuhë, arsim e kulturë kombëtare me kryengritjet e armatosura kundër sundimit osman e synimeve të monarkive të vendeve fqinje për të tjetërsuar territoret shqiptare. Kjo ishte një lëvizje mbarëkombëtare, me angazhime mbarëshqiptare, sa në veri e në jug të Shqipërisë, që në realitetin e Kohës përfshinte edhe Kosovën, por edhe vendet e tjera shqipfolëse ende nën Perandorinë Osmane. Pjesë aktive e Rilindjes Kombëtare e udhëheqëse në procesin iluminist të ndërgjegjësimit kombëtar u bënë arbëreshët e Italisë, kolonitë shqiptare në Stamboll, në Egjipt, Bukuresht etj. Zhvillimet dhe kontributet kanë pasur intensitete të ndryshme në fusha e territore të caktuara shqiptare. Pavarësia e Shqipërisë ishte një rezultante historike mbarëshqiptare.

Pavarësia e Kosovës, duke ardhur në një kohë tjetër e më të vonë, patjetër që mban vulën e saj. Ajo përfundoi misionin historik kombëtar që nisi në vitin 1912, ishte përsëri mbarëkombëtare për nga angazhimi dhe e larmishme për nga metodat e luftës për mbijetesë kombëtare, për të ruajtur identitetin, gjuhën dhe kulturën kombëtare. Pavarësia e Kosovës u parapërgatit përmes një lufte të armatosur në vitet 1998-1999 që ngjason në kuptimin relativ të fjalës me kryengritjet e viteve 1910-1912. Por nëse pavarësia e Shqipërisë u shpall zyrtarisht të nesërmen e kryengritjeve shqiptare, por edhe si një reagim urgjent ndaj kërcënimeve që vinin nga Lufta e Parë Ballkanike për copëtimin e saj, Pavarësia e Kosovës u kurorëzua me gati nëntë vite më vonë pas çlirimit të saj.

Pavarësia e Kosovës u fitua në rrethana më të komplikuara të brendshme e të jashtme se Pavarësia e Shqipërisë. Shqipëria e vitit 1912 ishte një vend tejet i varfër dhe i prapambetur, me një popull analfabet dhe me një identitet të dobët kombëtar si rrjedhojë e sundimit shekullor osman, që e kishte trajtuar atë si milet dhe jo si komb. Rrezikun më të madh për Shqipërinë në atë kohë nuk e përfaqësonte Perandoria Osmane e drobitur, por monarkitë fqinje të Serbisë, Malit të Zi e të Greqisë, që i kishin shpallur luftë asaj për ta dëbuar nga Ballkani, por edhe për të copëtuar më tej territoret shqiptare.

Pozita e Kosovës në fillimin e viteve ‘90-të të shekullit të kaluar në disa drejtime ishte më keq se ajo e gjithë shqiptarëve në prag të shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912. Shqiptarët e Kosovës kishin humbur edhe ato të drejta që patën fituar në fund të viteve ‘60-të e gjatë viteve ‘70-të të shekullit të kaluar në Jugosllavinë e Titos. Jugosllavia e viteve ‘80-të që ishte ajo e Sllobodan Milosheviçit ndoqi ndaj tyre politikën e segregacionit e të gjenocidit, të mohimit të të drejtave themelore të njeriut duke synuar zhbërjen kombëtare të tyre përmes asimilimit me dhunë. Turqit osmanë në pragun e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nuk ishin kaq agresivë sa serbët, ata kishin integruar dhe osmanizuar një pjesë të mirë të elitës shoqërore shqiptare deri në majat më të larta të pushtetit dhe Sheriati në shekuj kishte ndërtuar ura mirëkuptimi e bashkëjetese me shqiptarët. Nga niveli ekonomik e shoqëror, por edhe atë identitet kombëtar, arsimor e kulturor, shqiptarët e Kosovës në fundin e shekullit të kaluar qëndronin shumë më lartë se shqiptarët e fillimshekullit. Kosova kishte krijuar elitën e saj intelektuale, arsimore, kulturore dhe ishte shfaqur me një formacion politik properëndimor dhe me një program kombëtar maksimalist deri në Pavarësi.

Pavarësia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës kanë një marrëdhënie specifike me Fuqitë e Mëdha të kohës. Përgjatë historisë në shumicën e rasteve ato janë sjellë padrejtësisht me shqiptarët, u kanë mohuar të drejtat kombëtare, kanë ndihmuar në copëtimin e trojeve të tyre duke i përdorur si monedha këmbimi në lojën e madhe të politikës ndërkombëtare. Kongresi i Berlinit i vitit 1878, Konferencat e Ambasadorëve të Londrës të viteve 1913 dhe 1915, Konferenca e Paqes e vitit 1919-1920, Konferenca e Jaltës e vitit 1945, Konferenca e Londrës e gushtit 1992 etj. janë disa nga dëshmitë më përfaqësuese të politikës së tyre antishqiptare. Deri në vitin 1912, shqiptarët nuk kanë pasur asnjë mbështetje e mbrojtje nga Fuqitë e Mëdha. Gjatë dhe pas këtij viti, në momente të caktuara, kur interesat e Fuqive të Mëdha janë përputhur me interesat e shqiptarëve ose kur është dashur që ata të përdoren për objektivat e tyre strategjike apo edhe të përkohshme, një apo dy prej tyre përmes kompromiseve u kanë blatuar atyre ndihmë e mbështetje.

Pa mohuar kontributet e padiskutueshme shqiptare, por edhe dobësitë e njohura të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Pavarësia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës nuk do të ishin arritur ose do të ishin vonuar edhe më tepër ndër vite pa këtë përkrahje të Fuqive të Mëdha. Nuk thuhet ndonjë gjë e re kur pohohet se Pavarësia e Shqipërisë në një masë të madhe të saj në vitet 1912-1913 është edhe kontribut i dy Fuqive të Mëdha të kohës, Austro-Hungarisë dhe Italisë. Këto dy Fuqi rivale për kontrollin e Adriatikut e të Ballkanit u bashkuan kundër një rivali të tretë që kishte po të njëjtat synime por që prapa tij qëndronte një tjetër Fuqi e Madhe e kohës siç ishte Rusia. Ky rival ishte Serbia që aspironte të dilte në Adriatik përmes territoreve shqiptare. Austro-Hungaria dhe Italia mbështetën shqiptarët në veprën e tyre të Pavarësisë dhe në Konferencën e Ambasadorëve në Londër për të krijuar shtetin e pavarur shqiptar si barrierë të depërtimit serb në Adriatik.

Roli i Fuqive të Mëdha në Pavarësinë e Kosovës është një ekuacion shumë më i komplikuar. Ai pati shumë të panjohura që u qartësuan dhe u zgjidhën gjatë një procesi shumëvjeçar. Ashtu si për Pavarësinë e Shqipërisë, edhe për Pavarësinë e Kosovës, baza mbështetëse e nisjes ishte autonomia në disa variante të saj, që luhateshin nga brenda Serbisë deri në kufijtë e mbetur të Federatës Jugosllave. Nëse procesi i pavarësimit të Shqipërisë zgjati shtatë muaj, deri në 29 korrik 1913, procesi i pavarësimit të Kosovës mori plot 9 vjet, nga Konferenca e Rambujesë në shkurt 1999, deri në 17 shkurt 2008.

Kishte një numër arsyesh dhe faktorësh pse ky proces ishte më i gjatë dhe i komplikuar. Në fund të viteve 1990 ekzistonte një sistem dhe e drejtë ndërkombëtare tjetër, më të ndërlikuar e më të kodifikuar se në fillimet e shekullit. Ende deri në Luftën e Parë Botërore vazhdonte të funksiononte “Koncerni Evropian” si një formulë që mbronte rendin evropian të vendosur në Kongresin e Vjenës të vitit 1815. Ai përbëhej nga pesë monarkitë kryesore evropiane e që më vonë me bashkimin e Italisë u bënë gjashtë dhe që kishte për mision të ruante interesat e tyre përmes politikës së ekuilibrit të fuqisë. Konferenca e Ambasadorëve në Londër e 1912-1913 ishte akti i fundit i “Koncernit Evropian”, që miratoi edhe Pavarësinë e Shqipërisë.

Në fundin e shekullit XX, kur çështja e të drejtave kombëtare të shqiptarëve të Kosovës doli nga korniza e Jugosllavisë së mbetur dhe u bë çështje ndërkombëtare, sistemi ndërkombëtar dhe e drejta ndërkombëtare kishin ndryshuar. Pas Luftës së Dytë Botërore, ishte krijuar Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe si organ i saj Këshilli i Sigurimit, në përbërje të të cilit kishte edhe pesë anëtarë të përhershëm me të drejtë veto dhe që në bazë të Kartës së Kombeve të Bashkuara ishte përgjegjës, për ruajtjen e paqes e të sigurisë ndërkombëtare. Sistemi ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore e në kuadrin e “Luftës së Ftohtë” u bë bipolar dhe pas rënies së komunizmit unipolar. E drejta ndërkombëtare u pasurua me akte të reja ndërkombëtare ku mes të tjerave u miratua në vitin 1975 Akti Final i Helsinkit që kodifikoi disa parime bazë në mbrojtje të të drejtave të njeriut, të minoriteteve e të mosndryshimit të kufijve mes shteteve me dhunë etj.

Në rrethanat e sistemit të ri ndërkombëtar e të një të drejte ndërkombëtare që mbështetej në funksionimin kolegjial të institucioneve ndërkombëtare në mbrojtje të saj, çështja e Kosovës mori një vëmendje të shtuar. Trajtimi i saj në mënyrë graduale kaloi nga një çështje e të drejtave të njeriut në një çështje kombëtare që kërkonte zgjidhje përmes formulës së autonomisë, që mbeti për mjaft kohë e papërcaktuar. Konferenca e Rambujesë është momenti që zyrtarisht përcaktoi konceptin e një autonomie të zgjeruar, por që la të nënkuptohej që pas tre vjetësh përmes Referendumit me shprehjen e vullnetit të popullit mund të arrihej deri në pavarësi. Përfundimi i Luftës dhe çlirimi i Kosovës në qershor 1999 e tejkaloi formulën e Rambujesë, por Rezoluta e Këshillit të Sigurimit me formulimet e saj të kompromisit pengoi avancimin e Statusit të Kosovës. Administrimi i përkohshëm i Kosovës iu besua Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK), zbatimi i ligjit Misionit EULEX dhe siguria një force ndërkombëtare, KFOR, nën udhëheqjen e NATO-s.

Prania ndërkombëtare civile dhe ushtarake në Kosovë u vendos para shpalljes së Pavarësisë, ndërsa në Shqipëri kryesisht pas shpalljes së saj. Në vijim të vendimit të 29 korrikut 1913 të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, në tetor të atij viti në Shqipëri erdhi Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit (KNK) me atribute ekzekutive dhe administrative, që në një farë mënyre ishte UMNIKu i kohës sepse zbatonte vullnetin e Fuqive të Mëdha të Koncernit Evropian. Po kështu, në Shqipëri, në Vlorë e në Durrës u vendosën për të ruajtur rendin forca të xhandarmërisë holandeze, ndërsa në Shkodër që në maj 1913 ishte dislokuar një njësi ndërkombëtare detare. Prania ndërkombëtare në Shqipëri ishte modeste, ndërsa në Kosovë e madhe. Shqipërisë i caktuan një Princ gjerman për t’u qeverisur, ndërsa Kosovës një Përfaqësues të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Pavarësia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës u shpallën përmes akteve zyrtare që shprehin vullnetin e popullit shqiptar. Kuvendi i Vlorës përmes përfaqësuesve të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare vendosi që “Shqipëria më sot të bëhet më vehte, e lirë dhe e mosvarme”.Kuvendi i Kosovës, në 17 shkurt 2008, miratoi deklaratën e Pavarësisë, në të cilën nënvizohej se anëtarët e tij “të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran…republikë demokratike, laike dhe multietnike…”

Thelbi i dy Deklaratave është i njëjtë: shpallja zyrtare e pavarësisë. Deklarata e Pavarësisë e Kosovës është e plotë dhe e strukturuar mirë në dallim nga Akti i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. E dyta u hartua në urgjencë e nën trysninë e ngjarjeve kërcënuese, ishte e shkurtër dhe në mungesë të ekspertëve të mirëfilltë. Ajo u nënshkrua nga përfaqësues që de jure nuk e kishin mandatin demokratik të vullnetit të shqiptarëve, por që ishin në fakt e sipas kohës zërat më autoritarë e më të konfirmuar të këtij vullneti.

Dokumenti i Pavarësisë së Kosovës me 12 pikat e tij u parapërgatit me kujdes nga një ekip konstitucionalistësh dhe përmes një konsulence ndërkombëtare. Ajo u votua përmes procedurës standarde demokratike nga deputetët që ishin mbartës legjitimë të vullnetit të popullit.

Procesi i njohjes së Pavarësisë së Shqipërisë e të Kosovës sjell dy përvoja që dallojnë nga njëra-tjetra. Krijimi i shtetit të pavarur shqiptar ishte një vendim kolektiv i Fuqive të Mëdha, ndërkohë që njohja e tij ishte një proces i komplikuar, që mori gati dhjetë vite. Vetë disa prej këtyre Fuqive të Mëdha i revizionuan qëndrimet e tyre ndaj pavarësisë shqiptare gjatë Luftës së Parë Botërore e në përfundim të saj duke shkuar nga projektet e copëtimit në favor të fqinjëve deri në atë të protektoratit ndërkombëtar. Vetëm pas ndërhyrjes vendimtare të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Udro Uillson, në shkurt-mars 1920 kundër copëtimit të Shqipërisë sipas projektit anglo-franko-italian dhe vendimeve të Kongresit të Lushnjës e Luftës së Vlorës, u rihapën mundësitë për njohjen ndërkombëtare të shtetit të pavarur shqiptar. Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në 17 dhjetor 1920 është konsideruar si një njohje kolektive ndërkombëtare e tij. Por vetëm Konferenca e Ambasadorëve në Paris me vendimin e saj të 9 nëntorit 1921 ripohoi zyrtarisht vullnetin e Fuqive të Mëdha europiane për njohjen e pavarësisë dhe të sovranitetit të Shqipërisë e të tërësisë territoriale të saj.

Ndryshe u zhvillua procesi i njohjes së Pavarësisë së Kosovës. Ajo u parapri nga negociata disavjeçare nën autoritetin e Kombeve të Bashkuara, mbi bazën e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe nën drejtimin e ish-Presidentit të Finlandës, Marti Ahtisari. Në përfundim të këtyre negociatave u miratuan një numër rekomandimesh të njohura me emrin “Paketa Ahtisari”, të cilat zunë vend në Deklaratën e Pavarësisë dhe pak më vonë edhe në Kushtetutën e Kosovës. Ato hapën de jure rrugën e njohjes së shtetit të pavarur të Kosovës nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, Japonia e shumë e shumë vende të tjera europiane, anëtare të Bashkimit Evropian ose jo e nga kontinente të tjera gjithsej deri sot 115 shtete. Nga vendet e mëdha shtetin e pavarur të Kosovës nuk e kanë njohur Rusia, Kina, India, Brazili etj. Nuk e kanë njohur gjithashtu edhe pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian: Spanja, Rumania, Greqia, Qipro dhe Sllovakia.

Procesi i njohjes së Pavarësisë së Kosovës ka qenë dhe mbetet më i komplikuar se ai i Pavarësisë së Shqipërisë. Në praktikën e Lidhjes së Kombeve zyrtarisht nuk ekzistonte e drejta e vetos e Fuqive të Mëdha dhe ato ishin të prirura të kërkonin kompromisin. Për Kosovën ekzistenca e të drejtës së vetos për anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit është bërë pengesë për anëtarësimin e saj në OKB për shkak të kundërshtimit të Rusisë e të Kinës. Për rrjedhojë, Kosova nuk është anëtarësuar ende në institucionet kryesore ndërkombëtare, fakt ky që i vështirëson asaj pozitën si subjekt i të drejtës ndërkombëtare.

Pavarësia e Shqipërisë më pak dhe pavarësia e Kosovës gati në mënyrë ekskluzive i dedikohen përkrahjes së fuqishme të Shteteve të Bashkuara. Në vitin 1912 e më vonë, Shtetet e Bashkuara nuk mbajtën ndonjë qëndrim zyrtar ndaj pavarësisë së Shqipërisë. Vetëm disa gazeta amerikane njoftuan Aktin e Shpalljes së Pavarësisë. Por mungesa e njohjes zyrtare nuk e pengoi administratën amerikane të Presidentit Udro Uillson që të interesohej për fatin e shqiptarëve, për sjelljen e fqinjëve ndaj tyre dhe për politikën e Fuqive Evropiane ndaj Shqipërisë. Komuniteti shqiptar në rritje në Shtetet e Bashkuara u bë nxitës për të tërhequr vëmendjen e autoriteteve amerikane për Shqipërinë dhe po kështu një numër atdhetarësh shqiptarë në Europë dhe miq të tyre amerikanë. Kontributi amerikan në ruajtjen e Pavarësisë shqiptare u shfaq me gjithë peshën e rëndësisë së tij në Konferencën e Paqes në Paris 1919-1920, kur e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi dhe vendosi gurë themeli në mirënjohjen shqiptare ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pavarësia e Kosovës është një investim i fuqishëm amerikan. Shtetet e Bashkuara erdhën gradualisht në vendimin për të mbështetur këtë status për shqiptarët e Kosovës. Është larg së vërtetës historike vlerësimi që shfaqet aty – këtu se ato që në fillim kanë qenë në përkrahje të Pavarësisë. Shtetet e Bashkuara, administratat republikane dhe demokrate të presidentëve Bush senior e junior dhe ajo e Klinton në vitet ‘90-të të shekullit të kaluar e shihnin çështjen shqiptare në Kosovë si një çështje të të drejtave të njeriut. Evolucioni në qëndrimet e tyre u diktua nga dy faktorë kryesorë: nga thellimi i politikave antishqiptare të eliminimit etnik me çdo kusht e me çdo mjet nga regjimi i Milosheviçit me gjithë paralajmërimet e herëpashershme të Uashingtonit si dhe nga lëvizja në rritje e rezistencës dhe kalimi në kryengritje të armatosur të shqiptarëve për të hedhur poshtë zgjedhën serbe e për t’u vetëqeverisur. Pas Udro Uillsonit, dy emra të tjerë të shquar midis të tjerëve në Shtëpinë e Bardhë kanë bërë shumë për shqiptarët e veçanërisht për shqiptarët e Kosovës, Bill Klinton dhe Xhorxh W. Bush. Ata janë arkitektët e Pavarësisë së Kosovës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura