“PASHALLARET E KUQ”/ Zbulohet ditari sekret i Enverit: Kadare poet i lig korbash

May 6, 2016 | 19:13
SHPËRNDAJE

Zbulohet pas 41 vitesh ditari sekret i Enver Hoxhës me shënime për poezinë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh” të Ismail Kadaresë, i cili do të jetë pjesë e librit “Kadare në dokumentet e Pallatit të Ëndrrave” të gazetarit Dashnor Kaloçi, studiuesit të njohur të arkivave të periudhës së komunizmit.

Ismail Kadare gjatë një vizite në shtëpinë e Enver Hoxhës
Ismail Kadare gjatë një vizite në shtëpinë e Enver Hoxhës

Libri që pritet të dalë së shpejti në qarkullim me mbështetjen e UET PRESS, do të botohet edhe në Angli e më pas në Francë, me një parathënie të gjatë nga shkrimtari i njohur Ismail Kadare. Shënimet e Enverit në ditarin e tij personal të datës 20 tetor 1975, dëshmojnë se ai ka shpërthyer tejet i egërsuar ndaj Ramizit, që kishte pëlqyer poezinë e Kadaresë dhe fjalori banal plot sharje e akuza nga më të rëndat ndaj autorit, për të cilin shprehet:

“Është e qartë, Kadare është kundërrevolucionar dhe me atë poezi denigruese e sabotuese, maskon punën armiqësore…”! Si dhe letra e Mehmet Shehut, ku i lutet Enverit që ta falë shkrimtarin, duke i kujtuar se ai nga origjina familjare nuk është armik… Dokumenti që po botojmë më poshtë, është pjesë e ditarit personal e sekret të Enver Hoxhës dhe bëhet publik për herë të parë pas plot 41 vjetësh.

Duke pasur parasysh marrëdhëniet e shkrimtarit Ismail Kadare me udhëheqësin komunist që në gjallje të tij, diskutimet, përfoljet dhe spekulimet e shumta që janë bërë e vazhdojnë të bëhen ende, si dhe disa debate apo replika në distancë të tij (Kadaresë), me të venë e diktatorit (Nexhmije Hoxhën), lidhur edhe me dorëshkrimin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, që zonja Hoxha disa vite me parë nuk pranonte t’ia kthente autorit -mendojmë se ky dokument është një nga më të rëndësishmit të të gjithë kapitujve të librit.

Kjo edhe për faktin se ai hedh dritë jo vetëm mbi raportet e shkrimtarit të njohur me udhëheqësin komunist, apo situatat tepër të vështira e mjaft kritike ku është gjendur shkrimtari Ismail Kadare asokohe, por tregon qartazi se si ka funksionuar parimisht mekanizmi, apo thënë më qartë, linja zyrtare mes tyre.

Po kështu, mendojmë se rëndësinë këtij dokumenti ia shton edhe fakti se për poezinë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, apo siç njihet ndryshe “Pashallarët e kuq”, ka pasur një debat të madh në marsin e vitit 2002, kur poezia e plotë, e cila deri në atë kohë kishte qenë krejt e panjohur u botua te “Gazeta Shqiptare” nga Ilir Babaramo. Debat i cili zgjati jo pak dhe u ndez edhe më shumë nga shkrimet apo intervistat në shtyp të disa aktorëve që ishin marrë me problemin në fjalë, si ish-redaktori Duro Mustafaj etj., tashmë është i njohur edhe nga libri i profesor Sinanit, “Një dosje për Kadarenë”, i botuar në dy vëllime në vitin 2005.

Dhe në ketë kuadër, publikimi i ditarit të Enver Hoxhës për “Pashallarët e kuq”, në njëfarë mënyrë e mbyll deri diku “qarkun” e atij debati të hapur plot 14 vite më parë, por edhe mund ta hapë përsëri atë… Pas kësaj paranteze të gjatë që bëmë për të sjellë në kohë, apo më saktë për lidhur publikimin e poezisë për herë të parë në vitin 2002 me ditarin e Enver Hoxhës që po publikojmë tani, kthehemi te dokumenti në fjalë.

Kështu, në shënimet e tij të datës 20 tetor të vitit 1975, udhëheqësi komunist ka shkruar plot 11 faqe të ditarit, lidhur me poezinë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, të shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare, poezi të cilën del se atij ia ka dhënë Ramiz Alia, për t’i marrë aprovimin për botimin e saj.

Kjo pjesë e ditarit është e shtypur me makinë shkrimi dhe në mjaft vende aty ka shënime me laps, të cilat janë bërë për të rregulluar apo korrigjuar disa nga falët apo fjalitë e shkruara në ato faqe ditari. Nga shkrimi, duket qartë se ai nuk është korrigjuar nga vetë Enveri, por ndoshta nga shefi i kabinetit të tij (Haxhi Kroj), apo ndoshta dhe nga Nexhmija.

Me shumë gjasa mendojmë se korrigjimi është bërë nga kjo e dyta, pasi shënimet me laps aty nuk janë thjesht gramatikore, por edhe te përmbajtja e tij…! Nga sa shihet edhe nga faksimilet, fjala “Ramiz”, pothuaj në të gjitha fletët ku përmendet, është ndryshuar me fjalën “shoku” dhe kjo duket qartë që është bërë për ta mbrojtur Ramizin, nga kritikat që i ka bërë Enveri dhe nëse ditari mund të botohej një ditë, emri i Ramizit të mos gjendej aty…!

Pra, me pak fjalë, dikush është kujdesur që ta mbronte Ramizin, qoftë dhe në dokumente, të cilat mund të hapeshin një ditë të bukur dhe do t’i sillnin jo pak telashe atij… Bashkë me ditarin e Enverit (të cilin ne po e botojmë të plotë në variantin fillestar, pra pa korrigjimet me laps), në këtë kapitull të librit publikohet edhe një letër e Mehmet Shehut, ish-kryeministrit të asaj kohe (letër e cila mban po datën 20 tetor 1975 dhe është e shkruar me laps), ku Mehmeti i është bashkuar shqetësimit të Enverit në lidhje me problemin e poezisë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”.

Dhe, siç duket, kjo gjë do të ketë ardhur pasi ai është vënë në dijeni nga eprori i tij për atë problem, gjë e cila tregon qartazi se Enveri nuk e ka mbajtur vetëm për vete zemëratën e mllefin ndaj problemit që u kishte dalë, por e kishte ndarë atë edhe me kryeministrin, ndoshta për t’i matur pulsin, apo thjesht për të marrë një mëndim prej tij. Në fund të asaj letre prej 5 faqesh, është nënshkrimi: “Mehmeti”, gjë e cila lë të nënkuptohet -dhe me shumë gjasa tregon -se ajo është një letër shoqërore dhe jo zyrtare. Në atë letër që i mungojnë dy faqet e para (apo më saktë, ne nuk i disponojmë ende), duket qartazi se Mehmeti i lutet shumë Enverit, që ai ta falë shkrimtarin e njohur, pasi ka bindje ende, se Kadare mund të shërohet!

Dhe si për t’ia ilustruar këtë gjë, ai i kujton Enverit se Ismaili ka shkruar edhe vepra ku i ka kënduar partisë, Luftës Nacionalçlirimtare, popullit, madje jo njëherë, si p.sh. “Përse mendohen këto male”, të cilën e konsideron “poemë me partishmëri të lartë”. Në vijim të kësaj, pasi përmend edhe veprat e tjera të Kadaresë, si: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Qyteti i gurtë”, në fund, Mehmeti ndalet te “Dimri i vetmisë së madhe”, duke i kujtuar Enverit se, mes të tjerash:

“Është e vetmja vepër ku portretizohet si duhet, me baza marksiste, udhëheqësi i Partisë dhe i popullit”! Pra Mehmeti, duke i përkëdhelur sedrën Enverit, gati sa nuk i thotë hapur atij: “Goditja ndaj Kadaresë, godet dhe “Dimrin…”.

Dhe pas gjithë këtyre “gjërave pozitive”, që sipas tij ka bërë Kadareja, si dhe disa kritikave në adresë të shkrimtarit tjetër të njohur, Dritëro Agolli, ku Mehmeti duket qartë që e përdor si alibi për “ta barazuar” në njëfarë mënyre me Kadarenë, në fund të letrës së tij, ai i kujton Enverit se: “Nga origjina familjare, Kadareja nuk është armik”.

Por si për “të qenë brenda”, Mehmeti e mbyll letrën e tij me fjalinë: “Kështu mendoj unë, por sidoqoftë, jam dakord si të vendosni ju…”. Fjali tipike për udhëheqësit komunistë nr. 2 të vendeve lindore, në adresë të shefave të tyre!

Nuk po zgjatemi shumë me komentet rreth ditarit të Enverit dhe letrës së Mehmet Shehut (pasi çdokush nxjerr konkluzionet e tij), por ajo që ka qenë e panjohur dhe nuk është ditur deri më tani, është fakti se, si për koincidencë fatale, vetëm dy ditë pas datës 20 tetor 1975 (që Enveri ka hedhur shënimet në ditar), më 22 tetor 1975, Hetuesia e Tiranës nisi procesin hetimor ndaj Fadil Paçramit, (ish-sekretar i Komitetit të Partisë të Tiranës për Propagandën e Kulturën dhe gjithashtu shkrimtar e dramaturg jo pak i njohur), i cili mbahej i arrestuar që nga 4 shtatori i atij viti.

Dhe gjatë shumë seancave hetimore, Paçramit i është kërkuar që të deponojë edhe për lidhjet, marrëdhëniet e raportet e tij me shkrimtarin Ismail Kadare. Dhe i detyruar apo jo, ai e ka implikuar keq atë, duke e bërë pothuaj bashkëpunëtor…

Ditari i Enverit

“Jo. Tepër sekret të 11 faqet, prandaj mendoj të mbetet pa botuar”.

E hënë, 20 tetor 1975 Shoku Ramiz, më erdhi dy ditë më parë në këmbë në zyrë duke mbajtur disa letra në dorë.

Më tha: “Kam një poezi të Ismail Kadaresë, të cilën ma dërguan shokët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Dritëro Agolli. Ismaili ia kish dërguar gazetës “Drita” për ta botuar, por nuk ia botuan pse kundër armiqve që goditëm dhe për të cilët ne s’kemi folur. Por është vjershë shumë e fortë, e mirë. Lexoje njëherë”.

Këto më tha Ramizi për vjershën e Ismail Kadaresë. E mora vjershën dhe i them “ulu, ta lexoj”. Titulli i poezisë ishte: “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”. Me të mbaruar 4 strofat e para, që i ka përmbledhur në pjesën Nr.1 të vjershës, i them Ramizit: “Si është e mirë kjo vjershë?! Kjo është në kundërshtim me vijën e Partisë! Kjo shpreh të kundërtën e asaj që thotë Partia, të kundërtën e analizës që bën Partia, të realitetit të madh të rrethimit kapitalisto-revizionist dhe të rrezikut iminent nga një agresion i jashtëm kundër vendit tonë.

faxIsmail Kadare që në strofat e para pretendon se nuk egziston asnjë rrezik nga jashtë, se nga jashtë kufijtë tonë nuk rrezikohen dhe “klasat e mëdha brënda dimërojnë”. Për Ismail Kadarenë, politika dhe analizat marksiste-leniniste të Partisë janë fallco. “Atëherë pse u mblodh Byroja Politike?”, pyet Ismail Kadareja dhe vetë jep përgjigjen në pjesën Nr. 2 të vjershës.

E tërë kjo pjesë shpreh pa dorashka ide anti-revolucionare, anti-marksiste, anti-parti, dhe flet hapur kundër rendit socialist në vëndin tonë. Sipas tij, regjimi te ne është duke “shkuar në varr”, “është prishur nga themelet” dhe nxjerr “një ligj” se “shtetet nuk prishen nga çatitë, por nga baza”.

Pra sipas tij, çatia, “Byroja Politike”, është e “shëndoshë”, kurse në bazë “rritet tumori i zi”. E tëra kjo është teori revizioniste, denigruese, sabotuese, dhe antisocialiste. Më poshtë, ky poet borgjez atakon gjithë ndërtimin e socializmit në vëndin tonë, gjithë direktivat e Partisë, gjithë politikën e strukturës dhe të super-strukturës dhe e quan një bllof të madh që bëhet me qëllim për të mbuluar “kalbëzimin dhe burokracinë”.

Me keqardhje ky poet korbash thotë se “Topa, hymne e valle ka kundër armiqve” por “kundër burokracisë s’ka konsuj”. Me fjalë të tjera, s’ka parti që të luftojë burokracinë dhe Partinë tonë marksiste-leniniste e quan “konsuj” ose “prokonsuj” si në Republikën e Romës antike, që u rrënua. Kështu do të rrënohet për Ismail Kadarenë edhe socializmi tek ne dhe këtë predikim e bën në vargjet e pjesës Nr.3.

Për këtë poet reaksionar rendi ynë socialist është një rend burokratik dhe burokratët i kanë “duart të lyera deri në bërryl me gjak”, “rrëmojnë themelet, lajnë gjakun e dëshmorëve etj. etj.” Të gjithë këta përbindësha të veshur “si pashallarë të kuq me dekorata etj.” kanë zyrat, ministritë, Komitetin Qëndror dhe “çojnë trupin e revolucionit në varr” (vargjet e pjesës Nr.4). Por “doli Enver Hoxha” etj., etj., dhe poeti “Jevtushenko shqiptar” i thur elozhe Enverit si “i vetmi shpëtimtar”.

Për Ismail Kadarenë nuk egziston as popull, as klasë, as parti. Të gjithë janë krimbur, vetëm “Enver Hoxha qëndron dhe shpartallon armiqtë”. Maskimi i punës armiqësore të Kadaresë nuk qëndron, për të edhe Enver Hoxha që “ai mburr me terma pompoze” është si populli, Partia dhe klasa i krimbur (pjesa e 6-të). Po kush e shpëtoi situatën, sipas këtij farë poeti që mban teserën e Partisë? “Vetëm kontrolli punëtor?!”.

Për të nuk egziston diktatura e proletariatit, nuk egziston dhuna kundër armiqve, ai, duke bërë fjalë për Enver Hoxhën, thotë pikërisht: “Krisht ai nuk ish që t’i dëbonte Nga pushteti me kamzhik dhe stap”. Por jo vetëm Krishti kishte teorinë “po të goditi në një faqe, nderi tjetrën”.

Por “filozofia e këtij poeti reaksionar është e fallsifikuar dhe aspak egzakte. Është e qartë se Kadareja është kundërrevolucionar, është kundër diktaturës së proletariatit, kundër dhunës dhe shtypjes së armiqve të klasës, ai është kundër socializmit në përgjithësi dhe në vëndin tonë në veçanti.

Këtë vepër armiqësore ai e bazon në goditjen e tmerrshme që Partia u bëri armiqve të klasës, tradhtarëve Beqir Balluku me shokë dhe burokratizmit që po e lufton që në ditët e para të lindjes së saj dhe, duke u bazuar në analizat marksiste- leniniste që u ka bërë këtyre ngjarjeve Partia, për të demaskuar të degjeneruarit, armiqtë e tradhtarët që pikërisht ishin “në çati” dhe jo në bazë.

Ky poet i lig e përgjithëson për të atakuar Partinë, bazën socializmin, që janë të fortë si çeliku dhe zbatojnë një rrugë të drejtë të palëkundshme marksiste-leniniste të bazuar në luftën e klasave.

Si e gjykove kaq të lehtë dhe të mirë një vjershë të tillë armiqësore?!, i them Ramizit. Kjo vjershë është e poshtër, antiparti, reaksionare, dhe kanë bërë mirë që e ndaluan. Nuk të lejohet, i thashë Ramizit, të japësh mendime të tilla të sipërfaqshme dhe të mos shikosh brendinë, filozofinë dhe të kapesh nga “figurat” dhe nga pseudomburrjet që i bën Enver Hoxhës”.

Kjo, i them Ramizit, tregon një simpati të sëmurë nga ana jote për këta njerëz të sëmurë. Ruhu nga këto prirje! Bëj analizë të thellë, pse e shikove këtë çështje kaq lehtë dhe erdhe tek unë i “entuziazmuar për këtë vjershë”? Po sikur të mos e këndoja unë dhe të mbështetesha në gjykimin tënd, çdo të ngjaste? Vjershën mund edhe ta shtypja, pse në atë mënyrë, siç ma paraqite, merrje “aprovimin tim”.

Kjo s’duhet më të ngjasë, i them Ramizit, duhet dhe ke forca të luftosh pikëpamjet liberale që spikatin herë pas here tek ti. I thashë Ramizit se do të bisedoj prapë me të, por përgatitu dhe thirr Ismail Kadarenë, e vur përpara “mutrave” të tij dhe bëje t’i lëpijë. Natyrisht, Ismail Kadarenë ne nuk duhet ta dënojmë me masa të forta, por duhet ta kritikojmë fort, pse hiqet “i zoti” e “me vlerë të madhe ideore”.

Ai është nga ata element me talent, prandaj e kemi mbrojtur. Unë vetë e kam mbrojtur, por me qëllim kurdoherë të korigjojë shumë pikëpamje jo marksiste që spikatin mjaft herë në veprat e tij. Ismail Kadareja ka shkruar disa vjersha dhe romane të mira, por në to ai ka lënë mjaft herë të shfaqen gjoja “mendime origjinale”, por jo shumë në vijë. Ne kemi shëmbull që në disa romane të tij Lufta NacionalÇlirimtare del e zbehtë, e shplarë, roli i masave të popullit jo në vërtetësinë dhe në hovin e tij madhështor, por edhe në rolin e Partisë nuk e nxjerr si duhet.

Në shkrimet e tij duken të theksuara tablo makabre, të cilave u jep rëndësi, i përsërit, u jep rëndësi vagabondëve dhe vagabondazhit që nuk janë tipike për shoqërinë tonë. Ai shkruan bukur, ka turnyra dhe imazhe të bukura, ka edhe idera, por në mes këtyre ideve ai fut edhe figura dhe ide të hidhura që tregojnë një botëkuptim të tij të veçantë. Kam përshtypjen se kur shkruan, Ismail Kadareja nuk e mendon më parë dhe kryesisht për edukimin e publikut tonë socialist, por mendon që vepra e tij të shtypet dhe të pëlqehet edhe jashtë, në botën borgjeze.

Por që të shtypet e të pëlqehet duhet që kësaj “bote” t’i pëlqejnë disa gjëra, që s’janë në shoqërinë tonë si leitmotiv, por të thuhen sikur janë. Ismail Kadaresë i është rritur mëndja që botuesit borgjezë i shtypin disa romane, ai do të vazhdojë dhe përpiqet të mbajë skemën e asaj bote, përsa i përket Shqipërisë Socialiste.

Ai dëshiron të bëhet “shantri i saj”. Por jo, me të tilla gjykime siç duken në këtë vjershë, ne nuk duhet ta lejojmë. Jashtë duhet të çajmë edhe me romane të shkrimtarëve të tjerë. Ne kemi folur në popull e në Parti për punën armiqësore të Beqir Ballukut e kompani, por jo në shtyp, Ismail Kadareja me një poezi do që të çajë ai i pari në këtë rrugë, dhe çfarë të çarë sikur nuk dinte ta bënte Partia këtë gjë.

Por, jam i bindur që Ismail Kadareja jo pa qëllim ka marrë të vërtetat, që i ka thënë Partia hapur popullit në mbledhje të gjëra për të bërë një vjershë ku të përgjithësojë punën e disa armiqve (që bile nuk i cilëson kush janë, kurse populli i di e i njeh se Partia s’ia ka mbajtur të fshehta) me gjëndjen e shëndoshë dhe të shkëlqyer të vëndit dhe të njerëzve tanë. Ne duhet t’i ndihmojmë shkrimtarët dhe poetët, me një fjalë të gjithë njerëzit e kulturës, por të mos harrojmë se në ta mund të lindin edhe gjëra të mira, edhe barëra të këqija. Nuk duhen lënë të trashen kërcellet e këtyre barërave të këqija, duhet t’i shkulim pse atëhere shpërndajnë farën e keqe që mbyt grurin e shëndoshë.

Pikërisht këta elementë duhet t’i edukojmë me marksizëm-leninizmin, me kritikë marksiste-leniniste, sa të mos jetë vonë, ashtu siç thotë vetë Ismail Kadareja “në rast se nuk duan të pushkatohen në bulevardin e madh”. Ismail Kadareja është larg një situate të tillë, por po të lihet pa u edukuar dhe pa u korigjuar, mund të rrëshqasë në këtë rrugë. Ismail Kadareja ka bërë gjëra të mira dhe duhet të vazhdojë në këtë brazdë.

Kjo vjershë mund të jetë një “aksident”, por të mbetet një aksident dhe për këtë duhet ndihmuar në rrugën e Partisë dhe jo në rrugët oportuniste dhe liberale. T’i vëmë në dukje gjërat e mira të tij dhe ashtu kemi bërë, por t’i vëmë në dukje edhe gjërat jo të mira që të edukohet e të ecë kurdoherë drejt. DASHNOR KALOÇI

 

PASHALLARËT E KUQ

ISMAIL KADARE

1.
Në mesditë Byroja Politike u mblodh.
Vallë ç’ka ndodhur në kufijtë veriorë.
Në kufijtë e jugut vallë ç’ndodh.
Qielli është me re dhe dimri sjell dëborë.
Mos lëvizën klasat e përmbysura,
Mos ka katastrofë në prodhim.
Vallë ambasadorët mos kanë nisur
Radiograme plot shqetësim.
Jo. Kufijtë e shtetit janë të qetë.
Nga ambasadat lajme me alarm nuk ka.
Dhe nën diktaturë të proletariatit.
Dimërojnë kokëulur ish kastat e mëdha.
Dhe prodhimi është normal dhe ditët
Rjedhin të zakonshëm në dhjetor…
Po ahere pse kështu papritur
Në mesditë Byroja Politike u
mblodh?
2.
Shtetet s’prishen kurrë nga çatitë.
Shumë shumë mund të pikojnë diku.
Nga themelet ata prishen
Këtij ligji
Shteti socialist i bindet gjithashtu.
Mund që lart çdo gjë të duket bukur,
Gara socialiste, merrja këngës, haj.
Dhe pankartat dhe heronjtë e punës
Në gazetë lokale në Një Maj.
Telegrame urimi, diell i ndritur
Në mitingje e vjersha letrarësh të rinj
Kurse poshtë
pikërisht në themelitë
Rritet ngadalë tumor i zi.
Për armiqtë kemi topat, himnet,
vallet.
Ambasadat që rrëfejnë diçka për ta.
Për burokratizmin ç’kemi vallë?
Topat s’pijnë ujë
dhe konsuj atje s’ka.
3.
Midis shkresash, telefonash,
letërthithësesh
Ata skenat mbushin gjithnjë
Mjaft me këtë qeshje dashamirëse
Burokratët janë tjetër gjë.
Jo me bojë pelikan përjargur,
Si tuafë të këndshëm ho, ho, ho,
Por të kobshëm
me duar të përgjakura
Gjer në bryle unë ata i shoh.
I shoh atje thellë tek rrëmojnë.
Në themelet e revolucionit pikërisht.
Ç’bëjnë ashtu
pse trupat e dëshmorëve
Kthejnë djathtas, majtas dhe
përmbys?
Pa shiko,
trupat sikur i lajnë.
Nga themelet gjakun duan të fshijnë
shpejt.
Dhe pas gjakut amanetet q’ata lanë,
Idealet dhe parimet krejt.
Dhe vulën e gjakut si ta zhdukin,
Oh, e dijnë se është lehtë pastaj
Të ndryshojnë revolucionin, diktaturën
E punëtorëve
thelbin e saj.
Ja kështu, atje në gjunjë të ulur
Lajnë e shplajnë gjakun pa pushim
Po ç’patën papritur
Pse u ndalën
Tek një yrt i shkretë, tek një djerrinë.
Këtu janë varrosur të përmbysurit:
Pashallarë, bejlerë, familjet e mëdha
Ata sulen, trupat kthejnë përmbys e
nisin
Që t’i zhveshin me një vrull hata.
Rrobe sundimtarësh të përgjakta
Me nishane e grada veshin shpejt.
Dhe me to mbi supe nëpër natë
Ikin drejt mëngjezit si rrebesh.
4.
Dhe mëngjezi erdh,
Të zbetë, të ngrirë,
Nën mantelet me nishane e me
kurorë
Ata shkojnë në zyra, ministrira,
Madje ngjiten gjer në Komitet Qendror.
Pashallarë të kuq. Bejlerë me tesera
partije
Baron-sekretarë. Bosë të naftës.
Varg.
Në kortezh të zymte, nën himne
liturgjie
Çojnë tabutin e revolucionit për në
varr…
5.
Kurse pamja e jashtme ishte ndryshe
Buzëqeshje, tundje grushti në miting
Thjeshtësi tek xha Kamberi, tek X
gjyshe,
Dhe fjalët “Enver” “parti”, “autokritikë”.
Kështu ishte ditën,
kurse natën
Zbrisnin në themel ata sërish.
Por revolucioni s’ish kala e Rozafatit
Që duronte ditën ngre e ngre e
natën prish.
6.
Enver Hoxha, syri i tij i mprehtë
Ishte i pari që dyshoi për ta.
Dhe ahere në themele të shtetit
Zbriti si në baladat e mëdha.
Një pishtar të kuq mbante në dorë.
Dheu dridhej
Flaka mbi ta ra.
Dhe i pa tek prishnin gjakun e
dëshmorëve
Tek ndanin mantelet seç i pa.
“Ja, ku qenkeni!”
Ata u ngrinë.
-Oh, shoku Enver, hm, rroftë, oj!-
Por ai i mvrejtur
me dhembjen në çdo thinjë
Si një mal në dimër bubulloi.
Krisht ai nuk ish që t’i dëbonte
Nga pushteti me kamçik dhe stap.
Ai klasën ngriti të punëtorëve.
Për ta bërë burokratizmin zap.
7.
Si dikur patrullat partizane
Shtegëtojnë ekipet e kontrollit
punëtor.
Që të mos i marrin ministritë me topa
Nesër.
Sot i marrim me kontroll.
Diktaturë e klasës s’është veç në
vjersha
Dhe në ditlindjen e veteranit tornitor.
Je për socializmin?
Vrapo në rrjeshta
Shpall kudo dhe mbi këdo
kontroll punëtor.
Bjeri ditë e natë burokratizmit,
Klasën që u përmbys nën këmbë e
mbaj.
Në se s’do që nesër skuadër e
pushkatimit
Të të vejë në mur
tek Bulevardi i Madh.
8.
Ditët ikin.
Vorbullat e ngjarjeve
Nëpër stinë e vite shtjellen me furi
Vijnë plenumet e partisë porsi
ushtarët
E revolucionit
në stuhi.
Ecën klasa pas partisë në ditë epike,
Populli pas klasës derdhe oqean
Dhe m’u mbledhtë prapë Byroja
Politike
Mesditë a mesnatë
gati të gjithë janë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura