Pas zyrtarizimit për Bashkinë Tiranë, Veliaj: Javën tjetër jap dorëheqjen nga posti i ministrit

Apr 20, 2015 | 20:00
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Erion Veliaj, ka drejtuar sot për herë të fundit Këshillin Kombëtar të Punës, duke dorëzuar stafetën e drejtimit të këtij Këshilli, pas zyrtarizimit të tij si kandidat i PS për Bashkinë Tiranë në zgjedhjet e 21 qershorit. Veliaj njoftoi se do të dorëhiqet nga posti i ministrit javën e ardhshme për t’ju përkushtuar fushatës elektorale: “Duke qenë se mbledhja tjetër do jetë me një ministër të ri, do të doja të kishim në rregull punën në Këshillin Kombëtar, derisa të merret stafeta aty ku është lënë. Dhe kështu do të bëj deri javën tjetër kur do paraqes dorëheqjen, për t’u siguruar që puna e nisur të ketë përfunduar dhe që puna të jetë gati për kolegun pasardhës”, tha Veliaj. 

Erion Veliaj poston ne rrjete sociale foto me punonjesit e Këshillit Kombëtar të Punës. Takimi i fundit me ta si minister

“Sot lë stafetën e këtij Këshilli Kombëtar të Punës…Falenderoj kolegët për reformën e arsimit profesional…Kjo frymë të vazhdojë në të ardhmen me atë që do më pasojë”, tha Veliaj.

Duke e cilësuar një eksperiencë të jashtëzakonshme drejtimin e këtij dikasteri, Veliaj tha se gjatë dy viteve në këtë ministri janë kryer reforma thelbesore.

“U prodhua një formulë që sot shumë shqiptarë po dalin në pension me mbi 240 mijë lekë. Falë vendimeve por edhe punës së secilit anëtar të Këshillit Kombëtar të Punës arritëm të rrisim kontribuuesit në sigurimet shoqërore. U siguruan disa punonjës të rinj dhe disa që ishin të punësuar më parë. Kemi 650 mije të punësuar që paguajnë për pensionistët. Kemi më shumë njerëz në punë krahasuar me ata që janë në pension. Insistimi i sindikatave bëri që për herë të parë të ketë pension social…81 mijë vet aplikuan në zyrat e punës dhe një pjesë e madhe arritën të gjejnë punë. Pushteti qendror është i vetmi që mundësonte punësimin ndërkohë që pushteti vendor nuk ka bërë gjë. 900 mijë dollarë ishte në fillim fondi i punësimit dhe tani është 4.5 milionë dollarë…46 shkolla janë sot nën administrimin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale. Me ministren e Arsimit kemi pasur një bashkëpunim model. Këshilli Kombëtar i Punës mori vendimin e duhur që bordet e shkollave të drejtohen nga bizneset. Për herë të pare u rrit me 40 % numri i nxënësve në shkollat profesionale”. 

Ministri Veliaj tha se “do të vijojmë të mbrojmë interesat e biznesit dhe sindikatave”.

Përfaqësuesit e sindikatave dhe organizatave të biznesit në Këshillin e Punës vlerësuan punën me ministrin Veliaj.

Presidenti i “Biznes Albania” Luan Bregasi, në fjalën e mbajtur në mbledhjen e sotme të Këshillit Kombëtar të Punës vlerësoi mjaft pozitivisht gjithë përvojën dhe bashkëpunimin që ka patur gjatë gjithë kësaj kohe me Ministrin Veliaj, ndërsa i ka uruar atij suksese në garën për Bashkinë e Tiranës.

“Kemi qenë shumë më të respektuar si përfaqsues të biznesit, kemi qenë më shumë të dëgjuar sepse mjaft shqetësime dhe probleme që ka ngritur biznesi z.Veliaj i ka trajtuar me seriozitetin më maksimal. Ai ka ditur që të preki ato pita ku biznesi është i ndjeshëm dhe ne kemi reaguar në gjithë komunikimet mjaft pozitivisht për të gjendur këtë ministri në krah për problemet që ne kemi patur”, tha Bregasi në fjalën e vet.

Kryetari i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikolla,ka renditur si arritje reformat që kjo ministri ka ndërmarë gjatë këtyre muajve dhe që prekin qytetarët në përgjithësi dhe punëtorët në veçanti.

“Është bërë traditë që në raste të tilla të flitet vetëm mirë, por sot normalisht ne ndjehemi sinqerisht të plotësuar dhe të kënaqur. Kjo pasi së pari sindikatat besoj jo vetëm ne sindikatat, por në Shqipëri po bëhet realitet një risi, që shoqëria civile po predominon mbi qeverisjen e politikave konfiktuale.”

Në këtë mbledhje ka folur edhe Presidenti i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Gëzim Kalaja, i cili gjithashtu ka vlerësuar bashkëpunimin dhe punën që është bërë në Këshillin Kombëtar të Punës nën drejtimin e ministrit Veliaj, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë reformën e pensioneve dhr premtimin e mbajtur per uljen e moshes se daljes ne pension për minatorët.

“E dëgjova me shumë vëmendje fjalën tuaj. Sigurusht që janë gjera që qëndrojnë. Por dua tiu falenderoj në veçanërisht për premtimin që ju e mbajtët fjalën për realizimin e zotimit për pensionet e minatorëve të nëntokës. Ky është një vendim historik”, tha Kalaja.

Veliaj poston foton e fundit si minister me koleget e Këshillit Kombëtar të Punës 

Takimi im i fundit me Këshillin Kombëtar të Punës.

Mirënjohës biznesit dhe sindikatave për punën në ekip. Realizuam reformën e pensioneve, zyrave të punës dhe arsimit profesional. ‪#‎BASHKE‬”,- shkruan Veliaj ne Facebook.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura