Pas përplasjes së protestuesve serbë me trupat e KFOR-it, policia e Kosovës nis hetimet: Ushtruan dhunë ekstreme dhe përshkallëzuan situatën

May 30, 2023 | 11:43
SHPËRNDAJE

Policia e Kosovës tha se po heton të gjitha rastet që ndodhën të hënën në veri të Kosovës, gjatë protestës së serbëve në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Capture

Sipas Policisë së Kosovës, protestues, individë “dhe grupe kriminale, me dhunën ekstreme të shfaqur, kanë bërë që situata në aspektin e sigurisë në veri të vendit të përshkallëzohet dhe të degradojë deri në rrezikim të jetës së njerëzve, përfshirë jetën e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë”.

Të hënën, gjatë përleshjeve të protestuesve me trupat e KFOR-it në Zveçan, 30 trupa ndërkombëtare u lënduan si dhe dhjetëra protestues.

Po ashtu janë shënuar një sërë incidentesh nga ekipeve mediale, që kanë përcjellë nga afër protestat në veri, përfshirë djegien e një veture të një kanali televiziv.

Ndërkaq, sa i përket situatës së sigurisë në veri të martën, policia tha se ajo vazhdon të jetë “e brishtë, por e qetë”.

Serbët edhe më 30 maj kanë vazhduar protestat e tyre në tri komunat në veri, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë dhe duke kërkuar tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga këto komuna.

“Policia e Kosovës edhe sot fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e thirrjeve për protestë të dhunshme dhe provokime të çfarëdo natyre qofshin ato”, thuhet në njoftim.

Zyrtarët policorë, sipas njoftimit, janë të angazhuar në mbarëvajtjen e protestave dhe aktivitetet po i koordinojnë me trupat e KFOR-it. Pas përleshjeve në Zveçan, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u bëri thirrje serbëve në veri të Kosovës që të mos përplasen me NATO-n. Qeveria e Kosovës fajësoi Beogradin për “dirigjimin e turmës ekstremiste” në veri të shtetit. Por, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të marrin “përgjegjësinë e plotë” për ngjarjet që ndodhën më 29 maj në veri të Kosovës dhe “të mos fshihen pas narrativëve të rremë”./rel

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura