Pas dy dështimeve, sot seanca e tretë për Sali Berishën/ Ish-kryeministri do mbrohet nga një avokat shteti! Çfarë pritet të ndodhë

Oct 26, 2023 | 9:37
SHPËRNDAJE

Për të tretën ditë me radhë, sot në GJKKO do të zhvillohet seanca për vlerësimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha. Seanca e sotme pritet të nisë në orën 10:00, ndërsa për dy ditë ato kanë dështuar.

sali berisha7

Ish-kryeministri Berisha është lënë në detyrim paraqitje dhe ndalim për dalje jashtë shtetit, pasi hetohet për korrupsion me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

Një ditë më parë, avokatët u larguan nga seanca me argumentin se Gjykata ka rrëzuar disa kërkesa që ata kanë bërë, përfshirë përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi i çështjes dhe mospranimin e kërkesës për ta dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese për interpretimin e vendimit për masën “detyrim paraqitje” për ish-kryeministrin.

GJKKO caktoi avokatin Artan Simoni të paguar nga shteti në mbrojtje të interesave të Berishës. Por pas një statusi në Facebook të Shkëlzen Berishës, djalit të ish kryeministri edhe ky avokat është larguar.

Shkëlzen Berisha, publikoi një status në rrjete sociale të avokatit Simoni, i cili dy ditë më parë, fliste për “një bishë të plagosur, që diku paska gabuar”, që sipas tij i referohet babait të tij.

Në këto kushte me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata ka vendosur largimin e Simonit, si avokat mbrojtës të ish-kryeministrit duke e zëvendësuar me një avokat tjetër nga lista e avokatëve kryesisht dhe i la kohë që të njihet me aktet, duke e shtyrë vendimin për sot (26 Tetor).

Ndërkohë ish kryeministri Berisha ka refuzuar dy herë të shkojë në seancë për t’u njohur me masën e sigurisë.

AKUZAT PËR DOSJEN PARTIZANI

Jamarbër Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, ndërsa Sali Berisha vetëm për “korrupsion pasiv”.  Ndërtuesi Fatmir Bektashi akuzohet për ‘korrupsion aktiv’ dhe ‘pastrim parash’ .

Dy ditë më parë GJKKO vendosi të lërë në burg Jamarbër Malltezin, dhëndrin e Sali Berishës, si edhe detyrim paraqitjeje për ndërtuesin Fatmir Bektashi.

Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, nga ndryshimi i destinacionit nga zona sportive në zona banimi, shuma të konsiderueshme në cilësinë e investuesit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar në të, si dhe përfitime të marra para se të deklarohej si bashkortak në këtë shoqëri.

Ndërsa në bashkëpunim me ndërtuesin Fatmir Bektashi, Malltezi dyshohet se ka kryer pastrim të produkteve të veprës penale, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në kesh, për të fshehur origjinën dhe për të përfituar në mënyrë të paligjshme shuma deri mbi 5 milinë euro.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura