Parkingjet në Vlorë, KLSH i kërkon Ramës shkarkimin e prefektes dhe të disa zyrtarëve

Jul 13, 2015 | 18:04
SHPËRNDAJE

Kontrolli i Lartë i Shtetit deklaron se ka konstatuar shkelje në kontratën koncesionare për parkimin me pagesë në rrugët e qytetit të Vlorës. Sipas KLSH-së, nëse kjo kontratë zbatohet, impakti financiar negativ për Bashkinë Vlorë do të jetë i konsiderueshëm. 

Kryeministri Edi Rama dhe prefektja e Vlores, Etjona Hoxha, foto arkiv

KLSH deklaron se vetëm vlera e të ardhurave të pritshme për të gjithë periudhën e koncesionit, e përllogaritur më pak nga Komisioni i Dhënies me Koncesion, është 218,360,000 lekë, ndërsa subjekti privat përfiton me të padrejtë shumën 184,479,120 lekë.

Në një deklaratë për mediat, KLSH thotë se i ka rekomanduar Kryeministrit të vendit fillimin e procedurave ligjore për dhënien e masës disiplinore “Vërejtje me paralajmërim deri në largim nga detyra”, për Prefektin e Qarkut Vlorë Etjona Hoxha.
Gjithashtu, KLSH i ka kërkuar Prefektit të Vlorës, fillimin e procedurave ligjore për dhënien e masës disiplinore “Largim nga Shërbimi Civil” të Sekretarit të Përgjithshëm të Prefekturës D.H.

Institucioni i KLSH me Vendimin nr. 65, datë 30.06.2015, ka rekomanduar pavlefshmërinë e vendimeve të Këshillit Bashkiak Vlorë për dhënien me koncesion të administrimit të parkimit me pagesë në rrugë, në qytetin e Vlorës, si dhe ka kërkuar njëkohësisht anulimin e kontratës së koncesionit, si kontratë që i sjell dëm të konsiderueshëm ekonomik Buxhetit të Shtetit, në rast se zbatohet.

KLSH thotë se Bashkia Vlorë me datë 12.01.2015, realizoi procedurën e dhënies me koncesion të partneritetit publik privat të shërbimit të parkimit në rrugë, në qytetin e Vlorës. Gjatë procesit të shqyrtimit dhe vlerësimit të ofertës fituese, komisioni i dhënies me koncesion ka vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 125/2013, datë 25.04.2013 “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik-Privat”, i ndryshuar dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, pasi operatori i vetëm pjesëmarrës dhe fitues i koncesionit nuk plotëson kriteret e përgjithshme dhe të veçanta të pranim/kualifikimit.

“Proçesi i përzgjedhjes së ofertuesit fitues nga komisioni i dhënies me konçesion/ partneritet publik privat, është bërë në kundërshtim me ligjin nr. 125/2013, datë 25.04.2013 “Për konçesionet dhe partneritetin publik privat”, i ndryshuar, VKM nr. 575, datë 10.07.2013 “Për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe dhënies së konçesioneve/partneritetit publik privat” dhe Dokumenteve Standarde të Koncesionit Partneritet Publik-Privat, duke favorizuar bashkimin e operatorëve ekonomikë”,-thuhet në deklaratën e KLSH-së.

Në këto kushte thotë KLSH, komisioni i dhënies me konçesion partneritet publik-privat ka vepruar në kundërshtim me ligji pasi duhet të formulonte propozimin e vendimit për ndërprerjen e procedurës së prokurimit, si pasojë e mosplotësimit të kritereve për dhënien e kontratës së koncesionit.                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                              “Nga vlerësimi i koefiçientit të shfrytëzimit të vendparkimeve, i përcaktuar nga komisioni i dhënies me konçesion/ppp për periudhën 10 vjeçare, janë llogaritur të ardhura të pritshme në vlerën 117,142,544 lekë. Ndersa nga llogaritjet e kryera për shfrytezimin e gjashte diteve te javes (plus e shtuna), vlera e te ardhurave te pritshme është 1,171,425,440 lekë, pra e llogaritur më pak nga komisioni, në vlerën 218,360,000 lekë. Si rezultat i ndryshimit të kushteve të kontratës, shtesë të objektit të saj për parkimin në ditët e shtuna, për 13 rrugë, për të gjithë periudhën e konçesionit, impakti financiar negativ që i krijohet buxhetit të njësisë vendore është 3,764,880 lekë, ndërsa subjekti privat përfiton me të padrejtë shumën 184,479,120 lekë. Për më tepër, afati i koncesionit u rrit nga 10 në 15 vite”,-deklaron KLSH.

Gjithashtu Kontrolli i Lartë i Shtetit thekson se Bashkia mund ta kryejë këtë shërbim shumë mirë vetë, ose me ndihmën e ndërmarrjeve të varësisë.   “Për këto shkelje, KLSH i ka kërkuar Kryetarit të Bashkisë Vlorë, përmes përcjelljes së rekomandimeve me shkresën nr. 348/10, datë 30.06.2015, fillimin e procedurave ligjore për dhënien e masës disiplinore  “Vërejtje me paralajmërim deri në largim nga Shërbimi Civil” të gjashtë punonjësve, konkretisht për tre zv/Kryetarë të Bashkisë A.M, I.B dhe A.B, për Drejtorin e Infrastrukturës G.SH, si dhe për dy specialistë të Bashkisë Vlorë M.M dhe P.TH”,-thuhet në deklaratën e Kontrollit të Lartë të Shtetit. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura