Orkestra e Albania Excellence rikthen në Shqipëri muzikantët e mërguar

Sep 19, 2018 | 11:50
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Me “Jehonat e lutjeve” merr jetë orkestra më e re e të gjithë shqiptarëve, e krijuar me nismën e Albanian Excellence, që ka si synim promovimin e vlerave, jo vetëm në art e kulturë, por në çdo profesion ku shqiptarët kanë shkëlqyer. Shqiptarë që kanë nderuar emrin e tyre dhe të vendit të tyre, kudo që jeta i ka çuar.

Muzikanti Fatos Qerimaj
Muzikanti Fatos Qerimaj

Nesër në orën 18:00, Albanian Excellence do të prezantojë nismën më të re, atë të krijimit për herë të parë të një orkestre me instrumentistë, të cilët falë talentit dhe punës së tyre janë bërë pjesë e formacioneve më të njohura në botë. Janë muzikantë që interpretojnë në orkestrat e Greqisë, Bosnje-Hercegovinë, Turqi, deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australi e Argjentinë.

Gjilberta Lucaj
Gjilberta Lucaj

“Synimi i Albanian Excellence që në krye të herës ka qenë të evidentojë vlerat e vërteta, kudo që ato janë. E kemi bërë këtë përmes botimesh dhe aktivitetesh të ndryshme, por kësaj here bëhet fjalë për krijimin e një orkestre, që do të bëjë bashkë instrumentistët më të mirë, të shpërndarë në të gjithë botën. Atyre do t’u bashkohen edhe instrumentistë që e zhvillojnë karrierën e tyre në Shqipëri. Është një rast jo vetëm për të promovuar këta artistë, por edhe krijimtarinë muzikore shqiptare.

Demir Lulja
Demir Lulja

Kjo është edhe arsyeja pse kjo orkestër do të prezantohet pikërisht përmes interpretimit të një vepre shqiptare, të krijuar enkas për këtë ngjarje, por edhe Vitin e Skënderbeut. Bëhet fjalë për veprën “Jehonat e lutjes”, kompozuar nga mjeshtri Fatos Qerimaj. Është me rëndësi të theksoj se jemi të nderuar që kjo orkestër dhe veprimtaria e saj, zhvillohen nën patronazhin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta”, shprehet Flora Nikolla, presidentja e Albanian Excellence, një qendër që ka marrë jetë në vitin 2012.

ORKESTRA

Ata interpretojnë anë e kënd globit dhe janë të gatshëm t’i bashkëngjiten një formacioni shqiptar, pavarësisht kalendarëve të tyre të ngjeshur artistikë.

Mirela Ruci
Mirela Ruci

“Kjo orkestër do të quhet Orkestra Albanian Excellence dhe do të drejtohet nga maestro Fatos Qerimaj, i cili më 25 nëntor do të drejtojë në skenë si premierë botërore, veprën simfonike të kompozuar enkas nga ai për këtë ngjarje, të titulluar “Jehonat e lutjes”. Instrumentistët e kësaj orkestre janë njëherazi edhe pjesë e data base të saj, një punë që qendra Albanian Excellence e ka nisur që në vitin 2012 dhe që sot numëron të paktën 600 shqiptarë, të cilët i ka i intervistuar dhe bërë pjesë të 8 botimeve të një niveli shumë cilësor”, thotë Nikolla.

Disa prej emrave që do të jenë pjesë e kësaj orkestre janë violonçelistja që jeton në SHBA, Gjilberta Lucaj, violinistja që jeton në Bosnje, Arvida Kullolli, Eva Radomi Karardza, violë, Bosnje-Hercegovinë, kontrabasisti Dritan Gani që vjen nga Turqia, Ilir Merxhushi violonçelisti që vjen nga Australia, violonçelistja që vjen nga Greqia, Mirela Ruci, violinisti Demir Lulja që zhvillon karrierën në Argjentinë etj.

Flora Nikolla, presidentja e Albanian Excellence
Flora Nikolla, presidentja e Albanian Excellence

Siç thotë Nikolla, synohet që ky formacion të ketë jetë të gjatë, të ketë një kalendar aktivitetesh përgjatë vitit, ku pjesë e programit do të jenë vepra të kompozitorëve shqiptarë, ndërkohë që koncerti i festave të nëntorit do të jetë një traditë e përvitshme.

PREMIERA

“Jehonat e lutjes” është një vepër simfonike, e cila shpreh ngjarjet historike dhe sociale në Shqipëri nga vitet 1400 deri në ditët tona. “Vepra trajton jetën shqiptare dhe i përkushtohet të gjithë ciklit të lutjeve të shqiptarëve, nga shekulli XV. Vepra është mbështetur dhe frymëzuar në poezitë dhe vargjet e Mesharit të Gjon Buzukut”, thotë Nikolla. Premiera e kësaj vepre do të jetë m ë 25 nëntor, në koncertin që zhvillohet nën patronazhin e Presidentit të Republikës, por me rastin e prezantimit të orkestrës është menduar të interpretohet për të pranishmit vetëm një sekuencë nga kjo vepër, në ambientet e Hotel Mondial.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura