Orientimi i të rinjve drejt punës, trajnim te “Luarasi”

May 15, 2019 | 9:03
SHPËRNDAJE

Për tri javë rresht, universiteti “Luarasi” ishte streha e trajnimit të stafeve të këshillimit të karrierës në katër universitete.

Stafi i zyrave të këshillimit, dje gjatë trajnimit përmbyllës në universitetin “Luarasi”
Stafi i zyrave të këshillimit, dje gjatë trajnimit përmbyllës në universitetin “Luarasi”

Ndonëse çdo institucion i arsimit të lartë ka sot një zyrë këshillimi karriere, profesionistë të shkolluar e trajnuar për këtë punë, për fat të keq, nuk ka. Për këtë, një projekt i ambasadës zviceranë, përmes “Risi Albania”, mundësoi programin që certifikon 20 këshilluesit e parë të karrierës mbi standarde ndërkombëtare. Për pedagogun e “Luarasi”, Virtyt Lezha, ky trajnim ishte më se i domosdoshëm për vetë ata, por veçanërisht për studentët, të cilët nuk e dinë se çfarë i pret pas përfundimit të shkollimit.

“Me të vërtetë trajnimi ishte shumë i vlefshëm. Ky ishte vetëm hapi i parë, pasi do gjurmohemi dhe do zhvillojmë zyrën e këshillimit të karrierës edhe më tutje. Studentët nuk janë shumë të informuar nga ajo çfarë i pret, në një profesion që ata zgjedhin në të ardhmen. Këshillimi i karrierës ofron shumë facilitete, shumë formësime, të cilat i ndihmojnë ata që të orientohen, të dinë se çfarë është vizioni i tyre në të ardhmen”.

2

Duke vlerësuar së tepërmi projektin, nga i cili përfitojnë katër universitete, koordinatori i Qendrës së Karrierës dhe ALUMNI në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Shpresim Domi, vë në dukje se roli i universiteteve nuk është vetëm te të nxënit, por edhe mbështetja e mëtejshme e studentëve në përballjen e parë me tregun e punës.

“Universitetet tashmë po marrin një rol mbështetës për daljen e studentëve në treg, si output i tyre kryesor. Edhe trajnimi i sotëm në ambientet e universitetit ‘Luarasi’ është një vlerë absolutisht e shtuar për të gjitha universitetet”. Këshillimi i karrierës po merr një vëmendje gjithmonë e më të veçantë nga institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri. Për plot 3 javë, 20 këshillues karriere nga universiteti “Luarasi”, Universiteti i Tiranës, Bujqësori e Universiteti i Durrësit kanë ndjekur një trajnim të mundësuar nga qeveria zvicerane, ofruar përmes projektit “Risi Albania”.

Ky trajnim certifikues sipas standardeve ndërkombëtare ka si synim ngritjen e kapaciteteve të qendrave të karrierës në Shqipëri dhe ridimensionimin e profesionit të këshilluesit të karrierës. Ky trajnim, nga i cili përfituan katër universitete, do të shërbejë si model për t’u aplikuar edhe nga universitetet e tjera për të përmirësuar shërbimin e këshillimit të karrierës, për t’u ofruar më shumë mundësi punësimi studentëve të tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura