OKB: Fundi i armëpushimit ‘makth’ për njerëzit në Gaza

Dec 1, 2023 | 14:52
SHPËRNDAJE

Rifillimi i luftimeve midis Izraelit dhe Hamasit është “makthi që të gjithë e kishin frikë plotësisht”, ka deklaruar OKB.

palesine

Ditën e sotme, skadoi edhe armëpushimi i përkohshëm midis Hamasit dhe Izraelit, ku të dyja fajësuan njëri-tjetrin për rifillimin e luftës.

Që nga përfundimi i armëpushimit, ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza thotë se më shumë se 100 njerëz janë vrarë.

Përplasjet janë “katastrofike për popullin e Gazës”, u shpreh James Elder, një zëdhënës i Unicef ​​për BBC.

Elder tha se spitali Nasser, të cilin e përshkroi si më të madhin funksional në Gaza, ishte “i tejmbushur me fëmijë dhe njerëz me plagë lufte që po shëroheshin nga sulmi i fundit”.

“Ky spital nuk mund të përballojë dot plagët e shumta nga fusha e betejës me më shumë fëmijë me djegie, me ato plagë të tmerrshme”.

Agjenci të tjera ndihme të OKB-së kanë përshkruar kushte të ngjashme në spitale të tjera në Gaza.

Të premten në mëngjes, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se Hamasi kishte hapur zjarr ndaj Izraelit, duke shkelur kushtet e marrëveshjes së përkohshme të armëpushimit dhe duke çuar në rifillimin e armiqësive.

Një zëdhënës i IDF-së i tha BBC-së se Hamasi gjithashtu theu marrëveshjen për pengjet duke mos liruar të gjitha gratë dhe fëmijët që mbante.

Megjithatë, Hamasi fajësoi Izraelin për rifillimin e luftimeve, duke thënë se refuzoi “të pranojë të gjitha ofertat për lirimin e pengjeve të tjerë”.

Izraeli kreu sulme ajrore në jug të Gazës të premten në mëngjes, ku qindra mijëra njerëz u larguan më herët gjatë luftës për t’i shpëtuar luftimeve në veri.

Ndërkohë, raketat e lëshuara nga Rripi i Gazës në drejtim të Izraelit jugor janë kapur nga sistemi mbrojtës Iron Dome i Izraelit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura