Oferta arabe për Gvozdenoviç, reagon trajneri i Skënderbeut: Vendos presidenti

May 27, 2024 | 9:26
SHPËRNDAJE

Skënderbeu ka mbyllur një sezon të suksesshëm duke e kurorëzuar me vendin e tretë në renditjen përfundimtare.gvozdenovic

Pas kësaj arritjeje në kampin korçar është kohë pushimi dhe çlodhjeje për të filluar pas gati 30 ditësh përgatitjet e sezonit të ri që do të jetë me të tjera ambicie dhe mbase me ndryshime të rëndësishme sa i përket grupit të lojtarëve. Duke mos i hequr asnjë presje meritës së gjithsecilit, duket se ky sezon ka qenë i tillë edhe për shkak të trajnerit Ivan Gvozdenoviç i cili ka ditur të ringrejë ekipin moralisht dhe taktikisht, duke e kthyer në një skuadër të kompletuar të gatshme për të bërë gjithçka mirë.

Ndaj edhe për këtë sinjalet e para nga klube të tjera kanë filluar të qarkullojnë në kampin korçar e sidomos te menaxheri i trajnerit serb. Bëhet fjalë për interesime nga ekipe të tjera në vendet Arabe, por pa u specifikuar se kush konkretisht apo për kë skuadër bëhet fjalë. Gjithsesi, zhurma në juglindje është e madhe aq sa edhe dilemat në ambientet jashtë klubit nëse Gvozdenoviç do të qëndrojë apo jo kanë filluar të ndihen.

“Panorama Sport” ka komunikuar me trajnerin në lidhje me këtë fakt, i cili ka prerë shkurt se nuk është duke menduar për asnjë klub tjetër për momentin, por mendon vetëm për Skënderbeun dhe për vijimin e projektit të nisur vitin që shkoi.

“Sapo kemi mbyllur një sezon të gjatë dhe shumë të suksesshëm, pasi jemi renditur të tretët që është një arritje shumë e madhe për ne. Tani të gjithë meritojmë të shijojmë pushimet dhe të çlodhemi. Do të kemi gati një muaj kohë për t’u çlodhur dhe më pas do të rikthehemi sërish. Unë kam edhe dy vite të tjera kontratë me Skënderbeun. Kur erdha këtu firmosa për tre vite e gjysmë dhe tani kam ende 2. Nuk mendoj për asgjë tjetër veç Skënderbeut, pasi kemi një projekt shumë të rëndësishëm për të vijuar. Ndaj edhe për këtë nuk jam interesuar për ofertat që po qarkullojnë. Në dijeninë time nuk ka diçka zyrtare, por edhe sikur të jetë e tillë është menaxheri dhe presidenti që do të vendosin. Unë jam i qetë këtu. Jam në familje dhe në habitatin tim. Ndaj mendoj vetëm për këtë”, theksoi Ivan Gvozdenoviç duke treguar besnikëri ndaj Skënderbeut në këtë fund sezoni.

MERKATO – Edhe pse në pushim e sipër duket se klubi do të vijojë të jetë i përqendruar tek çështjet e hapura të merkatos kryesisht ato në dalje për të finalizuar goditje të tjera pas transferimeve të suksesshme të Frenklin dhe Xhantu. Me tej sikundër bëjnë me dije burime në klub vetëm pas mbylljes së merkatos në dalje korçarët do të mendojnë për të afruar lojtarë me qëllim që të kenë idenë e qartë se ku duhet të synojnë dhe çfarë profile lojtarësh duhet të kërkojnë.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura