“Nuk do më tretë dheu”, brenga e nënës që vdiq pa takuar vajzat për 30 vite, dhimbja prej arratisjes! Sakip Skepi: Motrat i takova pas 40 vitesh

Aug 31, 2023 | 14:02
SHPËRNDAJE

sakip skepi islam skepiAFRIM IMAJ

I ka shkuar jeta mirë në Bruksel Sakip Skepit, atij djaloshit pesëvjeçar që u arratis me familjen mbrëmjen e 11 majit të vitit ‘58, por jo çdo gjë ka qenë kreshendo në jetën e tij.

VIJON NGA NUMRI I KALUAR

Ndarja me motrat që mbetën në Shqipëri, ka qenë një nga brengat më të mëdha për të dhe prindërit. Sakip Skepi, njeriu që është rritur, burrëruar e ka bërë emër në kryeqytetin e Europës, e ka vështirë t’i përmbajë lotët, megjithatë i gjen forcat e, ashtu me lot në sy fillon të tregojë përmallshëm. “E deshi fati që një jetë të tërë të qëndronim larg të dashurve e pa asnjë lajm për fatin e njëri tjetrit”, thotë ai duke u ndalur në momentet më tronditëse të kësaj ndarje të jashtëzakonshme. Arratia në mesnatë e atij viti të largët, më në fund kishte ndarë në mes një familje. Kur Islam Skepi me gruan e të birin pesë vjeç, do t’i linin lamtumirën vendlindjes dhe Shqipërisë, dy vajzat e martuara që nuk dinin gjë për këtë aventurë të tyre, mbetën këtej gardhit me tela me gjemba. Ideja e arratisë që nuk kishte përfshirë ato, do të prodhonte një dramë të dyfishtë për dy vajzat e prindërve të arratisur: Ndarjen përjetë me prindërit dhe përndjekjen pafund nga regjimi, si pjesë e një familje të deklasuar. Që këtej familja e ndarë më dysh do përvuante një realitet të imponuar me shumë dhimbje, duke shpresuar në një ditë fatlume për t’u ritakuar. E ritakimi do të vinte vonë, shumë vonë, pas katër dekadash dhe me një mungesë jo të vogël. Do të ritakohej babai me vajzat e vëllai me motrat, por nuk do t’ia arrinte kësaj dite nëna, që ndërroi jetë në vitin 1981. “E gjora nënë, e mira si ajo nëna jonë, thotë trishtueshëm Sakipi. Vuri kokën për to deri sa e mbuloi sëmundja e rëndë në kokë. Dhe iku, iku me brengën e madhe që nuk i takoi kurrë. Nuk do më terë dheu, thoshte, që nuk i pashë më vajzat e mija. Sa ishte gjallë nuk kishte ditë që nuk më pyeste sa kthehesha në shtëpi për ndonjë lajm prej tyre. Kur i përsëritja të njëjtën gjë, vinte duart në gjoks dhe qante nën zë. Qante dhe fshinte lotin që mos ta shikoja unë”. Ai djaloshi pesë-vjeçar që kapërceu Korabin me familjen në majin e vitit 58, e ka peng sakaq që dy motrat e morën vesh vdekjen e nënës pas dhjetë vitesh….

Zoti Sakip! Familja e juaj pas arratisë në vitin 1958 mbeti e ndarë në dy pjesë për 40 vite…

Kjo ka qenë drama më e madhe që kemi përjetuar. Se nuk ishte një ndarje e përkohshme, por gati e përjetshme, së paku ne ashtu e përjetonim, në atë kohë kur në Shqipëri mbretëronte komunizmi dhe ajo ishte e izoluar ngado me gardhin e tmerrshëm me tela me gjemba. Largimi ynë nëpër breshërinë e plumbave nga Korabi, na nxori në dritë, në lirinë e shumëëndërruar. Po këtej, në atë burgun e madh të diktaturës mbetën dy motrat, Lemja dhe Dëshira, që asokohe ishin të martuara. Kjo na i la koka mbrapa tërë jetën…

Nuk pranuan motrat të vinin me ju kur u arratisët apo nuk i lajmëruat?

Në atë kohë ato ishin të martuara dhe me fëmijë. Lemja në Fushë-Krujë dhe Dëshira në Peshkopi. Fillimisht im atë e kishte pasur planin t’i merrte dhe ato, po në rrugë e sipër pastaj kishte ndërruar mendje. E vërteta është se ato e morën vesh largimin tonë kur kishim mbërritur në Maqedoni. Siç më kanë treguar kur i kam takuar në vitet e demokracisë, e kanë përjetuar shumë keq. Për to drama ishte e dyfishtë: ndarja përjetë me prindërit dhe përndjekja pafund nga regjimi si vajza të prindërve të arratisur. Kuptohet statusi i tyre pas kësaj, si pjesë e asaj kategorie që stigmatizohej familje reaksionare. Ç’kanë hequr ato të gjorat bashkë me fëmijët e familjet tërë jetën…

Si e përjetonin prindërit largësinë me vajzat dhe mungesën e komunikimit me to?

Ka qenë e rëndë shumë e rëndë për ta. Im atë dhe nëna gdhiheshin dhe erreshin me lutjet pafund për fatin e tyre. Për vite e vite me radhë kështu. Një ndarje e tillë së paku për ta kishte qenë e padëgjuar. Lotët, sidomos të nënës, nuk kishin të shterur. Babi deri diku nuk e jepte veten, por dhe ai sa herë binte fjala për to përlotej e largohej që mos ta shkonim të ligështuar. Kjo ka qenë pjesa më e dhimbshme e jetës sonë në mërgim. I shtynim ditët me shpresën se do vijë një moment që do përballeshim me të shtrenjtat tona që i lamë në kënetën mesjetare komuniste..

Dhe ai moment erdhi një ditë…

Erdhi deri diku, por pas gati gjysmë shekulli. Erdhi për mua dhe babain se nëna Ike ndërroi jetë pa i parë. Ajo vdiq nga një tumor në kokë në vitin 1981. Vdiq me emrat e tyre në gojë…

Pra, nëna u nda me to në vitin 1958 dhe nuk u takua më kurrë…

E gjora nënë, e mira si ajo nëna jonë. Vuri kokën për to deri sa e mbuloi sëmundja e rëndë në kokë. Dhe iku, iku me brengën e madhe që nuk i takoi kurrë. Nuk do më terë dheu, thoshte që nuk i pashë më vajzat e mija. Sa ishte gjallë nuk kishte ditë që nuk më pyeste sa kthehesha në shtëpi për ndonjë lajm prej tyre. Kur i përsëritja të njëjtën gjë, vinte duart në gjoks dhe qante nën zë. Qante dhe fshihte lotin që mos ta shikoja unë. Ishte e rëndë për mua ta përcillja nënën me nj brengë të tillë.

Po motrat në Shqipëri si e përjetuan vdekjen e nënës?

Motrat e mia e kanë marrë vesh vdekjen e nënës në vitin 1991. Plot 10 vite më vonë. Atëherë kur filluan kontaktet e para pas rënies së komunizmit. Ka qenë një tjetër dramë kjo për familjen tonë..

Po babai u takua me motrat?

Ai qëlloi me fat dhe arriti t’i ta kojë. Në fillim u takua me motrën e madhe që erdhi në Belgjikë në janar të vitit 1991, kur sa u hapën kufijtë. Takimi me motrën e vogël ishte më dramatik. Ishte qershori i vitit 1992 kur im atë erdhi për herë të parë në Shqipëri dhe trokiti në portën e saj. Përballja babë e bij pas 40 vitesh e la pandjenja e në gjendje të fikti time motër disa çaste. Si mund të t’i përshkruaj ato momente. Ngjarje që as në filma nuk janë parë…

Me një fjalë u ribashkuat, gjetët njëritjetrin pas gjysmë shekulli…

Po me plagë të pashëruara në shpirt. Kështu deshi fati. Ne që ishim gjallë arritëm të ribashkohemi pas kaq e kaq vitesh, po nëna iku nga kjo jetë pa i parë vajzat që i deshte si dritën e syrit. E tillë ishte ajo kolerë komuniste që i ndante njerëzit për së gjalli. Drama të tilla janë vërtet tronditëse. Mjerë ata që i kanë përjetuar…

Radio “Jehona e Shqipes”, një “copë” Shqipërie në Bruksel

Ka qenë 20 shkurti i vitit 1986 kur në Bruksel është hapur e para radio në gjuhën shqipe. Sakip Skepi ka qenë themeluesi dhe drejtues i saj. Qysh atëherë e deri tani çdo të diel komuniteti shqiptarë aty dëgjon emisione dhe këngë në gjuhën shqipe.

E diela e shqiptarëve, thonë vendasit kur shohin emigrantët shqiptarë që dëgjojnë radion e tyre. Radioja e parë në gjuhën shqipe në kryeqytetin e Europës, tashmë ka një histori suksesi ku më së shumti dallon “produkti” për tema e çështje kombëtare dhe figura të shquara që bënë histori të këtij kombi të lashtë. Sakip Skepi, krijuesi dhe themeluesi i “Jehona e shqipes”, ndjehet krenar për ecurinë e saj dhe bashkëpunëtorët e tij, po kaq dhe optimist për udhëtimin e mëtejshëm të këtij stacioni të dashur, duke e quajtur atë një “Copë” Shqipëri në vendlindjen e Europës…

Zoti Sakip, cilat ishin motivet që u shtynë të krijonit radion në gjuhën shqipe në Bruksel?

Si një emigrant i ardhur këtu qysh në fëmini, e kam pasur ëndërr një mjet komunikimi ku të flitet shqip e të shkëmbehen lajme për Shqipërinë dhe shqiptarët. E kam vlerësuar këtë si një mundësi për të gjetur fillin e ribashkimit me tokën amë, por dhe një tribunë për të demonstruar këtu në kryeqytetin e Europës vlerat dhe traditat e kombit shqiptar. Asokohe nuk kishim asnjë kontakt me Shqipërinë për arsye që dihen. Këtu në shkollë, por jo vetëm, nuk gjenim asgjë për vendin tonë të dashur, për historinë dhe realitetet e tij. Duhej bërë diçka. Dhe që këtej shkuam tek ideja e radios “Jehona e shqipes”. Dhe ka që nga shkurti i vitit 1986 që ajo vijon suksesshëm misionin e saj…

Si nisi rrugëtimin radio “Jehona e shqipes” dhe kush kanë qenë bashkëpunëtorët tuaj të parë në këtë sipërmarrje?

Fillimisht i adresuam kërkesën Ministrisë së Kulturës frankofone të Belgjikës sikundër ishte rregulli, i cili nuk na nxori vështirësi. Ekipin e parë me të cilin startuam e zgjodha vetë sipas profileve dhe shoqërisë që kisha. Mbledhjet e para i kemi bërë në shtëpinë e Ali Islammajt. Stafi i parë, ose grupi themelues siç mund të themi, përbëhej nga shtatë veta. I ndjeri Idriz Basha, Gani Sheta, Ali Islamaj, Durak Duraku, Avni Islamaj, Naim Likaj dhe unë. Diku më vonë na u bashkua dhe bashkëshortja e Idriz Bashës, Kimete Mitrovioca.

Emisionin e parë e kemi hapur në 20 shkurt të vitit 1986. Nuk harroj kontributin që na dha si bashkëpunëtorë i jashtëm për kronikën mjekësore, Elmi Manuka.

Kush e kumtoi i pari shprehjen “Ju flet Jehona e shqipes” në shqip?

Momentin e parë për lajmin e çeljes së radios e kam kumtuar unë. Ato fjalët magjike “ju flet Jehona e shqipes”, ishte krenari që i shqiptova vet. Pastaj Idris Basha ka lexuar editorialin e parë…

Ndërkohë cilët do të veçonit ndër kontributorët e radios?

E vërteta është se në këtë sipërmarrje kam pasur shumë bashkëpunëtorë, ndër të cilët do të veçoja Qenan Keren dhe Viron Gjymshanen që kanë kontribuar për një kohë të gjatë për radion.

Në fillim të viteve ‘90 radios iu bashkua dhe politologu Kol Gjelojshaj, që ngjallte interes të veçantë me rubrikën letrare duke sjellë libra të ndryshme që flisnin për Shqipërinë nga shkrimtarë shqiptarë dhe të huaj.

Cilët kanë qenë personalitetet që kanë folur në mikrofonin e “Jehona e Shqipês”?

Kanë qenë shumë të tillë. Para viteve ’90, për arsye që dihen, kemi qenë të kufizuar. Megjithatë, mikrofoni ynë ka sjellë zërin e mjaft figurave të njohura si Mentor Çoku e Sami Rrepishti. Me shembjen e Murit të Berlinit, në studion tonë kanë ardhur përfaqësues të televizioneve perëndimore. Pas hapjes së Shqipërisë e deri sot, them se të gjithë personalitetet dhe protagonistët e Artit e Politikës kanë kaluar sa në studio, ose nëpërmjet telefonit. Ndër ta mund të veçoj Ismail KADARE; Dom SIMON JUBANI, Dom LUSH GJERGJI (prift dhe themelues i Shoqatës bamirëse në fund të viteve ‘80 “Nanë Tereza” në Kosovë) Timo Flloko, Mirush Kabashi, Arif Vladi, Liri Rasha, Merita Halilia, Zef Dede, Tefta Radi, Saimir Kumbaro, Isa Qosje, regjisor nga Kosova dhe shumë e shumë të tjerë..

Aktualisht kush merret me menaxhimin e programeve të radios?

Radion e kam merak vetë, por kryeredaktore që merret drejtpërdrejt me progaramacionin është Ledja Canaj Gaztarz. Më vjen mirë që radio “Jehona e shqipes” kam mbetur një zë ekskluzivisht në shërbim të komunitetit. Është vendi të shënoj këtu kontributin e saj për sigurimin e ndihmave humanitare pas vitit 90 për Shqipërinë dhe ato për Kosovën pas përfundimit të luftës atje në vitin ’99.

Gjeografia e miqve të Islam Skepit

Islam Skepi ka qenë një burrë i rrallë, i fjalës, i kuvendit dhe besës, thotë të gjithë ata që e kanë njohur. I spikatur për frymën e lartë atdhetare qysh në rininë e tij kur Shqipëria përjetonte luftën antifashiste nacionalçlirimtare, ai mbeti i tillë dhe kur u arratis dhe jetoi e punoi në Bruksel. Ndër të tjera, ata që e kanë njohur, shprehen se Islami është dalluar për miq e shokë të shumtë që fillonin nga bjeshkët e Korabit dhe mbaronin në Australinë e largët. Sakip Skepi, i biri që nuk e fsheh krenarinë për emrin dhe historinë e veçantë të të atit, i njih një për një emrat e tyre dhe nuk përton të t’i rreshtojë.

Ndër miqtë e parë, vë në dukje ai, ka qenë Xhelal Xhilaga, një burrë i shquar, me të cilin bënë planin e arratisë në vitin ‘58. Po kaq me vlerë ka qenë miqësia e Islam Skepit me dy kushërinjtë e Muharrem Bajraktarit, Qazim e Nuhi Bajraktari, me Rifat Kongjinin, Hasan Hoxhën e Mehmet Ramën nga Tropoja. Ndërkohë, thotë i biri, miq shtëpie e bese, me të cilët ndante çdo gjë, im at ka pasur Qazim Nderun nga Ndertë e Dibrës, Ibrahim Bamin nga Kruja Qazim Gjanën nga hasi e shumë të tjerë. Të gjithë këta, edhe pse ishin shqiptarë, jetuan e punuan në skajet më të largëta të globit. Dy miqtë, me të cilët ishte ndarë për 40 vite që nga dita e arratisë, Vehbi Iskurtin e Ismail Kaleshin, arriti t’i takojë pas viteve ‘90 kur u rikthye për herë të parë në Shqipëri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura