Njohja e pensioneve me Italinë, tri përfitimet që do të kenë shqiptarët! Nga nënshkrimi te hyrja në fuqi e marrëveshjes, hapat drejt implementimit

Feb 19, 2024 | 10:31
SHPËRNDAJE

Pas nënshkrimit të marrëveshjes midis dy shteteve Shqipëri-Itali për njohjen e periudhave të sigurimit pikëpyetja që kanë shtruar qindra mijëra qytetarë që preken direkt lidhet me përfitimet që ata do të kenë.

igli hasani

Fokusi është te pensionet, që janë një kërkesë e kahershme dhe me shumë rëndësi, por gama e përfitimeve është më e gjerë, pensionet e invaliditetit, ato familjare, përfitimi për sëmundjet dhe sigurimi i papunësisë.

Bazuar në marrëveshjen e arritur, çdokush do të marrë paratë që ka paguar në skemën e sigurimeve shoqërore si në Itali ashtu dhe në Shqipëri. Secili shtet do të japë fondet përkatëse për qytetarët. Se si do të përfitohen këto dhe çfarë lehtësirash do kenë shqiptarët i ka shpjeguar drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, në një intervistë televizive.

TRE PERFITIMET

Përfitimi i parë dhe më i rëndësishmi që kanë qytetarët shqiptarë nga kjo marrëveshje është që nuk do të humbasin asnjë vit kontribuitiv për shkak të mos plotësimit të kushtit primar të viteve të nevojshme të punës, që janë 20 vjet në itali dhe 15 vjet në Shqipëri. “Për shkak të bashkimit të periudhave kontribuitive të përcaktuara në marrëveshje do të plotësojnë kriteret ligjore për të përfituar pension edhe në Shqipëri, edhe në Itali.

Po marrim si shembull, një shqiptar që ka 14 vjet në Shqipëri dhe 19 vjet në Itali, pa marrëveshje nuk fiton pension në asnjërin prej shteteve. Çfarë do të ndodhë tani? Mbledhja e këtyre viteve, 33 vjet plotëson kushtet dhe e mundëson që të aplikojë për pension në të dyja vendet”, sqaron Hado, duke folur më tej për dy benefitet e tjera që pakkush i di.

“Përfitimi i dytë ka të bëjë me ndryshimin ligjor që ka bërë Italia sa i takon daljes në pension. Italia e ka çuar në 67 vjet, por në qoftë se mosha e personit që kërkon të dalë në pension bashkë me vitet e sigurimit i bëjnë 103, individi përfiton pension që në atë moment, pavarësisht se nuk kanë mbushur 67 vjeç. Kjo iu leverdis shqiptarëve sepse kanë nga 10-20 vjet punë në Shqipëri. Bashkimi i këtyre dy periudhave i çon në plotësimin e kushtit për të marrë pension edhe para kohe. Kjo do të thotë që shqiptarët nuk do të dalin 67 vjeç, por 65, 64 a ose edhe më parë në qoftë se dëshirojnë”, shton Hado.

Përfitimi i tretë lidhet me procesdurat burokratike dhe të kushtueshme, por që në rastin konkret nuk do të jenë të tilla. Së paku, referuar asaj që thotë drejtori i ISSH-së. “Në rast se pensionistët mendojnë ta kalojnë jetën në Shqipëri ose Itali përmes marrëveshjes kanë të drejta ta eksportojnë pensionin.

Në qoftë se një shqiptar jeton në Itali, ne jemi të detyruar në bazë të marrëveshjes t’ia çojmë në llogarinë bankare aty ku jeton. Një tjetër përfitim është fakti se çdo lloj dokumentacioni që kërkohet për pension në itali nuk do përkthehet, nuk do noterizohet apo pajiset me vulë apostile. Praktikisht, çdo zyrë e sigurimeve shqoërore shqiptare kthehet edhe në zyrë sigurimesh italiane dhe anasjelltas.

Pra, një qytetar që jeton në Itali mund të vejë pranë zyrës së sigurimeve në Itali të bëjë kërkesën në gjuhën shqipe dhe pa lekë pala italiane i dërgon te ne. Po ashtu, edhe një italian bën kërkesën tek ne, as i përkthejmë as i noterizojmë, por vetëm i dërgojmë siç janë”, sqaron Hado.

Pas 15 vitesh negociata, në 6 shkurt, Shqipëria dhe Italia nënshkruan marrëveshjen për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore. Pakti vjen si një detyrim dhe e drejtë ndaj qytetarëve shqiptarë, italianë dhe italo-shqiptarë, të cilët kanë punuar me përkushtim për 30 vjet dhe kanë kontribuar në ekonominë dhe përparimin social të dy vendeve.

Kujtojmë se Shqipëria dhe Italia përfunduan negocimin teknik të marrëveshjes për pensionet më 26 korrik të 2022. Deri tani, Shqipëria ka firmosur marrëveshje me 16 shtete në fushën e sigurimeve shoqërore dhe është në proces me disa shtete të tjera.

SA PERFITUES

Sipas një vlerësimi paraprak, në vijim të nënshkrimit të Marrëveshjes, numri i përfituesve në Itali dhe detyrimet e pensioneve që rrjedhin nga mundësia e përmbushjes së kushteve të legjislacionit në fuqi, por edhe nëpërmjet bashkimit të periudhave, do të fillojë me rreth 4 mijë pensione në vit, e për të vijuar në rritje vit pas viti.

Një nga përfitimet kryesore është bashkimi i periudhave kontributive: Periudhat e sigurimit (vullnetar dhe të detyrueshëm) të plotësuara sipas legjislacionit të secilit shtet grumbullohen dhe bashkohen me periudhat e sigurimit (vullnetar dhe të detyrueshëm) të plotësuara sipas legjislacionit të shtetit tjetër kontraktues, me kusht që ato të mos mbivendosen dhe sipas dispozitave te parashikuara nga legjislacioni i secilit shtet.

Periudhat e sigurimit të plotësuara sipas legjislacionit të njërit shtet kontraktues, bashkohen, nëse është e nevojshme, me periudhat e sigurimit sipas ligjeve të shtetit tjetër kontraktues. Të dhënat që disponojnë institucionet shqiptare, flasin për rreth 500 mijë shtetas shqiptarë me qëndrim të rregullt në Itali dhe që derdhin kontributet shoqërore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura