Një rrugëtim gjysmëshekullor me gazetarin Kristo Mërtiri

Mar 27, 2023 | 8:24
SHPËRNDAJE

BARDHYL BEJKOBARDHYL BEJKO

Sa herë kaloj për në Përmet, ndalem poshtë fshatit Peshtan. Një ndjesi sikur ende atje, ulur mbi një shkëmb me vështrimin mbi lumin Vjosë, duke soditur rrjedhën e rrëmbyeshme dhe shelgjet, që përkunden mbi blunë e thellë të ujit, që rrjedh nga malet, është ai, miku i gazetarëve, Kristo Mërtiri. Pas shpinës së tij, hijerëndë qëndron mali i Golikut dhe Evanthia me Golen, dy prindër të mrekullueshëm, nëna e babai e presin të hyjë në shtëpi për të ngrënë përsheshin me qumësht të sapozier.

Është vetëm një ndjesi, e cila më ndjek sa herë kaloj në këto anë dhe e pëlqej dhe më duket e vërtetë, duke e menduar si realitet të largët, që të ndjek gjatë tërë jetës. Pikërisht nëpër këto rrëpira, mes sokakëve dhe shtëpive, që duken se kanë mbirë mbi truallin e fortë, me rrënjë thellë ndër shkëmbinj, u lind dhe hodhi hapat e para, Kristua. Bashkëmoshatarët e tij më tregojnë se ai dallonte mes tyre, jo për trupin fizik, për çapkënllëqe apo si ndonjë sherrxhi mes tyre, po për shkathtësi, etjen e madhe për të lexuar gjithçka që i binte në dorë. Ishte natyrë kureshtare. Pse u ndërtua Peshtani këtu? Pse nuk zbritën të parët tanë pak më poshtë, buzë lumit, matanë tij në ato brezaret aq të buta, me tokën tërë tul? Ku e ka burimin Vjosa, sa i gjatë është dhe sa i ka prurjet në dimër, po në verë? Pse është kaq blu në verë? Vitet do kalonin, njeri pas tjetrit dhe Kristua do ndiqte shkollat me radhë nga tetëvjeçarja në pedagogjiken e Gjirokastrës nga ku e morën ushtar sapo përfundoi shkollën. Ishte një ndërprerje në rrugëtimin e dijes. Po Kristua nuk u përkul.

Me rrobat ushtarake u paraqit në konkursin për gazetari. I vetmi që vinte nga kazerma ushtarake. Dhe ia mbërriti. Iu plotësua dëshira për të shkuar në shkollën e ëndrrave të tij, në Fakultetin e Gazetarisë, ku iu përkushtua me tërë energjitë, me punë të jashtëzakonshme për të mësuar gjithçka që do t’i duhej në vitet që do të vinin. Librat, ishin buka e përditshme. Ato pak para që i dërgonte, babai, Golja, me pagën e tij modeste, i blinte libra edhe pse kishte një gjysmë xhaketë, e pantallonat gati për t’u shqyer. Ishin vite të vështira, po Kristua dinte si të përballej me atë forcë që e kishte mbrujtur nëpër shpatet e Golikut apo në rrjedhat e fuqishme të Vjosës, duke gjuajtur pestrovë e duke bredhur nëpër shtigjet pafund të atij ekosistemi natyror, që mund të jetë perla shqiptare e pakrahasueshme me çdo peizazh tjetër kudo në Shqipëri. Ishte jo vetëm vullnetfortë dhe ambicioz për dijen e të mirën, por edhe këmbëngulës deri në pakufi për të lexuar çdo libër mbi gazetarin dhe jo vetëm.

Komodinës së tij i mungonte shumë herë buka, po kurrë librat. Student me interesa të gjëra. Kërkues deri në detaje. I zellshëm për të debatuar e kureshtar për të mësuar. Shpejt nga teoria e gazetarisë ende në vitet e para do niste të botonte në gazetat më në zë të kohës nga “Zëri I popullit”, “Luftëtari”, ku dashamirësia dhe inkurajimi i kryeredaktorit Fuat Çeliku, te “Bashkimi” e me radhë “Zëri i Rinisë” e revistat e kohës. Edhe pse i ri dhe në hapat e para, pena e tij rrokte problemet më të qenësishme dhe ato më delikatet, pasi ai ishte idealist dhe i vërtetë.

Nga pena e tij nuk do dilte asgjë pa realizëm apo subjektiviste. Urrente deri në pafundësi servilizmin dhe nuk e mendonte kurrë pasojën. Kështu, vit pas viti deri në diplomimin në gazetari, e cila ishte në ato vite, shkolla e ëndrrave për shumë maturantë, të cilët e shikonin si startin për t’u bërë dikushi në fushën e letrave, veçanërisht gazetarisë, e cila dihet se është e mundimshme, por edhe të jepte krah për të dhënë shpirtin dhe zemrën, idetë e mendimet e tua për qytetarët, barinjtë, punëtorët e fshatarët, punët dhe arritjet, mungesat e dështimet. Guximi i Kristos ndoshta nuk ishte thjesht individual, po edhe trashëgimi nga të parët e tij, gjyshi, të cilit i trashëgoi edhe emrin dhe këto ditë për nder të tij buzë rrugës është ngritur një lapidar, i cili u vra barbarisht, duke i prerë kokën për atdhetarizëm, buzë Vjosës, vetëm se ishte për mbrojtjen e atdheut dhe kundër pushtuesve që synonin të copëtonin trojet tona. Guxim i trashëguar edhe nga babai i tij, Golja, që, edhe pse gati fëmijë, u rreshtua në batalionet partizane dhe luftoi përbri burrave me një pashë mustaqe, duke u shquar për trimëri, mençuri e guxim. Dhe për këtë, Kristua thotë me mburrje se është krenar. Tradita dhe virtyte këto që Kristua i kaliti dhe i bëri mishin e gjakun e vet dhe sot pas shumë vitesh, ai është krenar për të parët e tij, për atë që bënë ata në emër të lirisë dhe atdheut, duke mos llogaritur as jetën e tyre të re. Është ndoshta njeriu më tradicional që kam njohur, jo vetëm si gazetar, po si intelektual në çdo pozicion që ka shërbyer.

NË NJË SHTËPI, DY FAMILJE NË TEPELENË

Në vitet e rinisë së hershme, Kristua banonte në Tepelenë me familjen e tij. Jetonin në një apartament të vogël. Ishin familje e madhe. Sikur të mos mjaftonte kjo, pushteti i qytetit strehoi në të njëjtin apartament edhe një familje tjetër. Ishte çifti, Halim dhe Liri Poda, të sapomartuar. Halimi mjek stomatolog dhe Liria, bashkëshortja, vajza nga Saranda juriste në profesion, të cilët punonin në qytetin e Tepelenës. Dy familje në të njëjtën banesë. Kishin një kuzhinë të vogël dhe një tualet. Prisnin radhën për të gatuar. Po, nënë, Evanthia, që ngjante me një shenjt, buzagaze e fjalërrallë, e urtë deri në dhimbje, kurrë nuk u ngrysi fytyrën. Ajo asnjëherë nuk u ankua. Nuk ngriti zërin. Nuk tha një fjalë të vetme si kishte mundësi që familja e saj të mos kishte një shtëpi të vetën. Babai i Kristos, Golja, nuk u ankua kurrë, pse pushteti nuk i la të jetonin në kushte më të mira, po u ngjeshi një familje të panjohur por që shimë shpejt të dy familjet do të vëllazëroheshin dhe do jetonin si një familje e vetme. Kur nënë Evanthia gatuante një byrek, pjesën do t’ia linte Halimit dhe Lirisë. Kur do gatuante një gjellë, fasule apo supë, dy pjata do ishin për doktorin dhe gruan e tij. Nuk kam dëgjuar asnjëherë për askënd një respekt dhe dashuri që përjetuan këto dy familje. Dhe të gjithë shkuan si të ishin vëllezër dhe fëmijë të Goles dhe Evanthisë. Do kalonin vite dhe nga goja e doktor, Halimit dhe Lirisë do dëgjoja historinë e familjes, Mërtiri. Harmoninë dhe urtësinë që i shoqëronte në jetën e tyre modeste. Ndershmërinë dhe përpjekjet për të ushqyer tek fëmijët dashurinë për dijen dhe të tjerët. Kështu u edukuan, Kristua dhe diplomati i njohur, vëllai i tij, Leonidha, të cilit herë pas here i them me humor se t’i shkruan më bukur se Kristua. Të dy familjet dhe fëmijët e tyre i ruajnë edhe sot marrëdhëniet e shkëlqyera dhe për çdo gëzim apo hidhërim i janë gjendur njeri – tjetrit pranë, sikur të vazhdonin të jetonin edhe sot nën të njejtën çati. Alma Jani (Poda), vajza e madhe e çiftit Poda, që sot është drejtuese e “IOM-it, organizatës së OKB për Shqipërinë, është rritur në prehrin dhe nën kujdesin e nënës së Kristos, Evanthisë.

Me mbarimin e universitetit pasi mori diplomën, Kristua u emërua korrespondent i gazetës “Bashkimi” në Përmet. Ishte vendi i parë i punës. I ri në moshë. Gati pa vënë brisk në faqe. Ishte, siç thotë, adoleshent i rritur si trup, po ende jo gazetar i formësuar. Të ishe gazetar, ishte një emër i madh. Një ëndërr që e donin të gjithë. Po Kristua kishte guximin për ta ngjyer penën thellë, atje mbi blunë e Vjosës, lumit që nuk iu nda qysh nga fëmijëria. Pikërisht ato dallgë, ai vrull, ajo pastërti e shoqëroi gjatë viteve të para si gazetar në qytetin e traditave të Përmetit. Frymëzim i tij, ishin ata qytetarë të urtë e punëshumë, të cilët ishin edhe personazhet e tij për shkrimet që i niste me postë ose me autobusin e linjës Përmet-Tiranë apo në telefonin e zyrës së korrespondentit të gazetës së njohur “Bashkimi”. Me realizëm të thellë. Me kujdesin e një gazetari të ndershëm.

Me fjalorin e artë, që i rridhte thellë nga zemra. Me dashurinë e shpirtit njerëzor, korrespondencat që niste ishin vërtet një mozaik i jetës përmetare, me ato punishtet e vogla, me gratë e burrat sqimatare, me amvisat, që lanin deri edhe pllakat e sokakëve dhe mbushnin sofatet me trëndafila e karafila prush të kuq, për glikotë e mrekullueshme e të papërsëritshme që përgatisnin përmetaret duaraarta do ishin një rrëfim me detaje për këtë trevë të shquar të Rilindjes dhe Pavarësisë si dhe Luftës Nacionalçlirimtare. Po nuk mbaronte këtu interesimi i korrespondentit të ri, gjithnjë kurajoz dhe kureshtar. Ai do ngjitej në Dangëlli. Në Parkun e Bredhave të Otovës. Do udhëtonte për në Frashër, atje ku lindën korifejtë e dijes dhe kulturës, bijtë krenarë të Kombit Shqiptar, tre vëllezërit e shquar, Abdyli, Naimi e Samiu. Sa herë Kristua recitonte “Bagëti e Bujqësinë” apo “Fjalët e Qiririt” e vjershat e të madhit Naim, poetit tonë kombëtar! Ato vargje i ka mbartur tërë jetën, si lajtmotiv, duke i shkrirë në ligjëratat e tij në shkrimet dhe analizat, në vjershat e skicat në tregimet e rrëfimet, gjatë tërë rrugëtimit të tij si një pelegrin i gazetarisë shqiptare. Sa kujtime ka për Përmetin! Sa dashuri për ata njerëz, që i njeh me emër e mbiemër. Që i ka bërë personazhe të njohur.

Që ka shkruar e kënduar me penën e tij të artë me fjalën e ëmbël në shkrimet plot jetë. Sa herë portretizoj Laver Bariun e madh, klarinetistin e shquar, njerëz të punës nga kovaçët deri te mekanikët e gurgdhendësit. Këta ishin personazhet që i donte dhe pinte kafe përditë, që shëtiste mbrëmjeve apo u ngjitej zonave përreth. Kur ishte fare i ri, në një mesditë i trokitën në derë. E hapa, thotë Kristua. Dhe shtanga. Para meje u shfaq ai i shumëdashuruari nga ana ime, më i madhi ndër ne, Dritëro Agolli. Si ma gjeti shtëpinë? Si më begenisi? Si nuk shkoi te ndonjë nga ata të pushtetit që do ta kishin ndjerë t’u shkelte shtëpinë? Më përqafoi. Më uroi të ecja si deri atëherë. Më dha guxim. Më përgëzoi. Më tregoi për jetën e përvojën e tij në gazetari.

Më entuziazmoi dhe më bëri me krahë. Kurrë nuk kam për ta harruar atë ditë kur Dritëroi më erdhi në shtëpi. Isha i lumtur, u ndjeva i vlerësuar dhe motivuar për t’u bërë edhe më i mirë, për të guxuar edhe më shumë, se gazetaria është, jo vetëm talent e vullnet, po edhe guxim e kurajë, ndjeshmëri e sinqeritet. Dhe Dritëro Agolli ishte idhulli im. Ishte i pari nga larg që ma gjeti shtëpinë. Respektin e përmetarëve për Kriston e përjetova tre vite e ca më parë, në 24 maj, kur bashkia e Përmetit e nderoi me titullin e lartë “Nderi i qytetit”. Ishte vërtetë kujdesur deri në detaje bashkia. Po edhe nga gjithë ata që ishin të pranishëm. Erdhën nga Tepelena e Tirana, Kukësi, Korça e Saranda për të qenë të pranishëm në festën e nderimit të gazetarit, Kristo Mërtiri. Në atë festë, pashë se si një gazetar, ka bërë vend në zemrat e qytetarëve. Ai ishte më përmetar ndër përmetarët. Më i pranishëm se gjithë të tjerët. Nuk ishte fals. As i shtirur, po bio, fare origjinal. Nuk kishte asgjë të shtirur. Në atë festë të ndjeshmërisë së thellë për njeriun dhe gazetarin gjysmëshekullor, Kristo Mërtiri, dëgjova shumë ligjërime.

Kujtime pa fund. Fjalë që kishin peshën e Nemërçkës. Pashë si një gazetar shpirtdëlire hynë aq thellë në mendjet e zemrat e një qyteti. Po në ata festë nuk munguan, Filip Çakuli, Mero Baze, Thanas Dino e dhjetëra gazetarë, që kanë një jetë në shtypin shqiptar. Ashtu, siç nuk mungoi nipi i Kristos, Aideni pesëvjeçar, që ngriti në këmbë të pranishmit, që edhe pse një vocërrak na transmetoi dridhje në trup me timbrin e zërit që gjëmoi në atë sallë, ku i nderuari, dhëndri, ishte Kristua, gazetari me emër të madh, i njohur nga gjithë shqiptarët. Nuk mungoi në këtë festë edhe mjeku, kirurgu i njohur, Dhimitër Xhaferi “Mjeshtri i Madh”, i cili ndryshe nga ditët e tij të vështira apo të lumtura pas shpëtimit të një jete e pashë të përlotur. Ishte më i mallëngjyer se vetë gazetari, që e nderonte, jo vetëm Përmeti, po me krushqit e ardhur nga e tërë Shqipëria. E dua Kriston më thotë, kirurgu, Miço Xhaferi, se nuk është thjeshtë gazetari vizionar, i dashur për mua, po njeriu me shpirt të madh, i ndershëm pa kufi. Gazetari i së vërtetës! Në Sarandë, në zyrën atje ku kishte punuar edhe poeti i madh, Naim Frashëri. Në një ditë me shi të rrëmbyeshëm, shumë vite më parë, isha buzë lumit “Pavllo” pranë Konispolit. Shiu binte i pandërprerë. E vetmja strehëz për t’u mbrojtur ishte të qëndroje poshtë urës. Lumi fryhej dhe ngjitej buzë bordurës dhe të duhej të ngjiteshe edhe më lartë se prurjet ishin të shumta.

Pikërisht nën këtë urë, buzë lumit që ishte gati ta përmbyste këtë urë të brishtë e kam takuar për herë të parë gazetarin, Kristo Mërtiri. Isha ende i ri, por kisha dëshirën të botoja. U habita si kishte mundësi që në një ditë si ajo, një gazetar që i bënte planet vet të shkonte aq larg zyrës së ngrohtë, buzë detit. U përshëndetëm dhe u prezantuam. Unë u ndjeva i befasuar që para meje qëndronte gazetari, Kristo Mërtiri, të cilin e kisha njohur përmes shkrimeve dhe e simpatizoja për thjeshtësinë e rrëfimit dhe detajet që përdorte në korrespondencat e tij të shumta. Ishte korrespondent për Sarandën, Gjirokastrën, Tepelenën deri edhe Përmetin. Korrespondenti i jugut. Më vonë mësova se ishte në këto anë për të shkruar për disa barinj të njohur që shquheshin për arritjet. Dhe nga ajo ditë u bëra i bezdisur duke shkuar në zyrën e tij të vogël në godinën, ku sot gjendet Muzeu i Traditës dhe është vetëm pesë metër nga buza e detit. Kishte një koincidencë të habitshme.

Në këtë godinë kishte punuar shumë vite më parë poeti kombëtar, Naim Frashëri, një nga emrat e mëdhenj për të cilin, Kristo fliste me nostalgji dhe admirim. Në këtë zyrë, punoi për gati pesë vite dhe atje me atë makinën e tij të vjetër me germat e konsumuara, ka shkruar korrespondenca me shumë jetë. Brenda, me vërtetësi, siç ka shkruar edhe shkrime kritike pa pyetur se cili goditej dhe cila ishte pozita e tij në pushtet apo parti. Ishte gazetari antikonformist, që mbi të vërtetën nuk vuri asgjë në jetën e tij. Ishte njeriu që me ndershmërinë e tij nuk linte shteg për të shkelur mbi dinjitetin e vet dhe lirinë nuk e këmbeu me asgjë. Shumë shpejt, ajo zyrë e vockël me vështrimin nga rruga do të bëhej pikë takimi e intelektualëve dhe gazetarëve të qytetit të Sarandës e deri nga Fieri, Tirana e Shkodra.

Ai, Kristua, nuk ishte më djaloshi fringo i ri pa përvojën e mjaftueshme, po ishte tanimë me emër dhe një kavalier i fjalës së lirë, kalorës i së vërtetës dhe një mik, nga i cili kishe çfarë të mësoje në punën tënde si gazetari i ri, siç isha edhe unë, një fillestar. Për këto vite dhe njohje pa fund flet me shumë emocion dhe krenari, gazetari, Krsito Mërtiri, i cili është sot ende i freskët si gjatë tërë viteve të krijimtarisë në rrugën e vështirë të gazetarisë shqiptare. Është vërtet një rrugë e gjatë, një jetë plot të papritura. Shumë e gjatë. Po ka vetëm një vektor. Atë të ecjes drejt, përpara në ngjitje në lartësi për të qenë në pararojën e gazetarisë, si njeriu që mbart mbi shpinë përvojën më shumë se gjysmëshekullore dhe që ka arritur të gdhendë emrin e vet në altarin e gazetarisë shqiptare. Gazetari, Kristo Mërtiri nuk ka moshë. Edhe pse fëmijët i janë rritur dhe djali sot dhe nipi nesër do të ecin në gjurmët e tij. Është po aq i freskët si atëherë kur hodhi hapat e parë në gazetari edhe tani. Natyrisht më i talentuar. Më me shumë përvojë. Burrëror e me përvojë si ai. Po ajo që ka mbetur e paprekur, është, virtytshmëria e gazetarit fjalëflori. Ky është gazetari i shquar për talent e ndershmëri, Kristo Mërtiri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura