Nisi Java Kulturore Italiane, ja aktivitetet e organizuara në Tiranë e qytete të tjera

Jun 3, 2024 | 11:17
SHPËRNDAJE

Shqipëria mikpret Italinë nga data 2 deri më 8 qershor, në një javë të mbushur me një seri aktivitetesh kulturore e sportive.

image-581

Dashuria ndjehet në ajër dhe Java Kulturore Italiane është këtu! Me këtë moto nisi dje Java e Kulturës Italiane, që përkon me festën e Republikës Italiane. Nga data 2 deri më 8 qershor, më e mira e kulturës italiane do të frymojë jo vetëm në kryeqytet, por edhe në disa qytete të Shqipërisë. Nëpërmjet aktiviteteve të larmishme do të kremtohet kjo kulturë kaq e pasur në çdo fushë e disiplinë të saj dhe për të cilën gjithë bota është frymëzuar. Eventi i ditës së djeshme, me rastin e Festës së Republikës Italiane, u zhvillua pranë sitit arkeologjik të Butrintit, për të përkujtuar njëqindvjetorin e misionit të parë arkeologjik të Luigi Ugolinit.

Instituti Italian i Kulturës dhe Ambasada Italiane në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë dhe me Bashkinë e Sarandës sjellin në Javën Italiane spektaklin e kërcimit “Opera e Puccinit. Voci di donne”, një prodhim i ri nga Artemis Danza. Shfaqja i kushtohet katër heroinave magjepsëse të kompozitorit Giacomo Puccini: Tosca, Madama Butterfly, Mimì dhe Turandot, në njëqindvjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Kuptimi i muzikës Pucciniane kalon nga analiza e marrëdhënies së tij të thellë me botën femërore. Një mesazh i qartë madje edhe nga titujt e zgjedhur për veprat e tij më të famshme.

Një kaleidoskop personalitetesh të ndryshme, një univers plot aspekte dhe ndjeshmëri. Në katër skenat që përbëjnë “Puccini’s Opera”, gjejmë leximin personal të Casadeit lidhur me temën femërore, të vendosur në qendër të një procesi riinterpretimi koreografik, vizual dhe muzikor. Dashuria tragjike, dashuria e penguar dhe e kundërshtuar, dashuria mizore që asgjëson, epshi për zotërim që çon në shkatërrim, jeton në fytyrat, trupat, gjestet e artisteve dhe nuk resht së na bëri të reflektojmë mbi aktualitetin e historive që kanë mallëngjyer publikun e mbarë botës. Krijimi përshkohet nga një atmosferë prekëse, plot tension dhe sugjestion poetik. Partitura orkestrale e Puccinit është në kontrast me tingujt elektronikë të kompozitorëve Luca Vianini dhe Fabio Fiandrini, të cilët ravijëzojnë një hapësirë zanore mbështjellëse dhe nganjëherë apokaliptike.

Një kërcim koral, i pasur me impulse dhe pasione, instinktiv dhe herë-herë i egër, që e përdor hapësirën si të ishte vorbull dhe që shfaqet i plotë si simbolikisht, ashtu edhe vizualisht: kërcimet solo të futura brenda kornizash grupi, me një dinamikë të përshpejtuar nga forcat shtytëse, bëjnë që drama dhe pasionet e protagonisteve, të ndjehen fort në trup e në deje. Kryeministri Edi Rama ndau dje në rrjetet sociale një video informuese mbi aktivitetet që do të organizohen në kuadër të kësaj jave duke nisur nga koncerte, opera, shfaqje moderne, sport e shumë të tjera.

“Koncerte, opera, shfaqje bashkëkohore, dizajn, arkitekturë, sport, konferenca, një pafundësi aktivitetesh dhe emocionesh, të gjitha për t’u përjetuar në çdo grimcë”, shkruan Rama në rrjetet sociale. Java Kulturore Italiane do të jetë e mbushur me aktivitete që përfaqësojnë thelbin dhe më të mirën e kësaj kulture që admirohet nga e gjithë bota dhe është një nga lokomotivat e kulturës së njerëzimit. Nga Tirana në Gjirokastër, nga Saranda në Gramsh, Italia bëhet një me Shqipërinë në një festë të madhe të pasur me muzikë, art dhe solidaritet. Mrekullohuni me kërcimin në kornizën magjepsëse të teatrit të Butrintit, vraponi me të rinjtë në Run 4 Autism, shijoni artet bashkëkohore në Shkodër, kërceni në Vlorë e Gjirokastër me tarantën e më pas DJ, ekspozita, konferenca, ushqim. Java e Italisë është kjo dhe shumë më shumë. Më 7 qershor do të mbahet koncerti i artistit të mirënjohur, Diodato. Javët Kulturore Ndërkombëtare nisën më datën 2 maj, me javën kushtuar Bashkimit Evropian, vijuan me Javën Kulturore Franceze e Javën Kulturore Greke. Ato do të mbyllen në fund të nëntorit me Javën Kulturore të Kosovës, që ashtu si edhe në edicionet e tjera, përkon me javën e festës kombëtare,

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura