Nga studimet në Boston, te ferri komunist. Sëmundja e rëndë dhe persekutimi çnjerëzor në burg ndaj ish-ministrit

Feb 6, 2024 | 11:47
SHPËRNDAJE

FIORELA KATROSHI/ Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi para pak ditësh intelektualin dhe ministrin e shtetit shqiptar, Akile Tasi(1891- 30 janar 1961). Tasi, lindi më 1891 në Leusë të Përmetit. Ai është vëllai i ish-ligjvënësit dhe ish-ministrit Koço Tasi.

Akile Tasi

Arsimimin e mesëm e nisi në Përmet dhe e mbaroi në Boston, ku emigroi më 1906. Atje u aktivizua me federatën “Vatra” dhe bashkëpunoi me Fan Nolin dhe Faik Konicën. Është i pranishëm në gazetën “Dielli”. Më 1929, kthehet në Shqipëri dhe më 1 tetor të atij viti emërohet bibliotekar i Oborrit Mbretëror. Më 1932 dhe deri më 1941, qe drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Pak kohë pas kthimit nga SHBA, Tasi emërohet bibliotekar i Oborrit Mbretëror. Më pas, nga viti 1932 deri në vitin 1941, ishte në krye të Bibliotekës Kombëtare.

Roli i tij si drejtor i Bibliotekës dhe dënimi që mori më pas me vendosjen e regjimit komunist, nuk mund të të mos kujtojë sjelljen e komunistëve, ndaj njerëzve që, ndër të tjera, patën një kontribut të papërsëritshëm në pasurimin e bibliotekave shqiptare, si Mid’hat Frashëri, por dhe Lef Nosi. Mid’hat Frashëri zotëronte bibliotekën më të pasur në Shqipëri, e cila më pas u bë pjesë e Bibliotekës Kombëtare. Pas së tijës, sipas bashkëkohësve, vinte biblioteka e Lef Nosit, i cili është themelues i fondit të Albanologjisë dhe Ballkanologjisë në bibliotekën publike të Elbasanit “Qemal Baholli”.

Mid’hati i shpëtoi dënimit pasi u largua nga Shqipëria në vitin 1944, por mbeti për pesëdhjetë vjet si një nga armiqtë e tradhtarët më të urryer të propagandës komuniste, ndërsa Lef Nosi u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua në shkurt të vitit 1946, gjithashtu si tradhtar e armik. Dënimet e diktaturës ndaj njerëzve të librave dhe publicistëve, siç ishte një ndër më të shquarit e kohës së vet, Akile Tasi, nuk kufizohen me këta emra. Është një listë e gjatë që tregon diçka të rëndësishme për natyrën e këtij regjimi që kishte dhe gjente armiq mes intelektualëve më të spikatur. Një pjesë e tyre kishin pasur një angazhim politik që binte ndesh me regjimin e ri, ose detyra në qeveritë pushtuese, por ata u dënuan pa prova për aktivitetin antikombëtar, të cilin është e vështirë ta besosh për personalitetet që i kishin dhënë kaq shumë kulturës shqiptare. Megjithatë ata u dënuan.

Por nuk ishin të vetmit. Komunizmi dënoi edhe njerëz të librave dhe publicistikës, që nuk ishin përfshirë në lëvizjet antikomuniste apo që nuk kishin pasur asnjë post në regjimet e mëparshme, madje dënoi edhe njerëz nga radhët e veta. Kështu veproi dhe ndaj ministrave të Kulturës që kishin qenë në detyrë fill para Akiles dhe fill pas tij: Mark Gjon Markajt dhe Sejfulla Malëshovës. Asgjë nuk mund t’i përbashkojë këto dy figura, veç faktit që diktatura do i konsideronte armiq, në kohë të ndryshme të jetës së saj, mjaftueshëm të gjatë për të shkatërruar kundërshtarët e betuar, elitat dhe të vetët.

I pari, në nëntor 1944, organizoi lëvizjen antikomuniste në Shkodër dhe luftoi me armë kundër komunistëve, derisa i plagosur, më 1946, vrau veten për mos të rënë i gjallë në duart e tyre. I dyti, pas 10 vitesh në detyra të rëndësishme, u përjashtua nga të gjitha dhe përfundoi në Fier duke kryer punë të rëndomta.

Gjyqi special 

U largua nga Tirana dhe qëndroi në Përmet. Më 1943, u zgjodh deputet i Kuvendit Kombëtar dhe u emërua po ashtu drejtor i gazetës “Bashkimi i Kombit”. Më 1944, u emërua ministër i Kulturës Popullore. Nuk pranoi të largohej nga Shqipëria në vitin 1944. Në fillim të dhjetorit 1944 i dorëzohet forcave partizane në Shkodër. U dënua me 20 vjet burg në Gjyqin Special të 1945-s.

Dënimin e vuajti në kampet e punës të Maliqit, Bedenit, Vloçishtit dhe në burgun e Burrelit. Tasi vuante nga mëlçia e zezë, në burg kaloi edhe botkinin. Pasi doli nga infermieria ku kishte marrë kurat e botkinit, e futën në birucë ku pa kapotë dhe batanije. Iu theksuan gjendjet e mëparshme të mëlçisë së zezë e botkinit dhe komplikacioni iu kthye në cirrozë. Nuk iu pranua asnjë lutje me shkrim; i sëmurë, ndërroi jetë pas tre muajve, më 30 janar 1961 në burg.

Persekutimibn e vuajtie dhe i vëllai i tij Koço Tasi, jurist i diplomuar në Romë, në vitin 1941 ishte guvernatori i parë i Kosovës. Është meritë e tij hapja e shkollave shqipe në tokat e çliruara (ku përfshihen edhe ato në Maqedoni). Ernest Koliqi, si ministër i Arsimit të Shqipërisë, vendosi t’i dërgojë mësuesit, por Koço Tasi u kujdes për objektet, financimin dhe mbarëvajtjen e mësimit. Ai ka themeluar administratën e parë lokale në Kosovë, ka administruar me ndershmëri taksat dhe ka emëruar edhe kryetarët e bashkive në Kosovë dhe në tokat tjera të çliruara, duke vënë në poste njerëz të aftë e të ndershëm.

Para pak vitesh shkrimtari Leka Tasi, I biri I Koco Tasit ka përshkruar gjyqin “popullor” të vëllezërve patriotë e intelektualë, Koço dhe Akile, dhe turmat e indoktrinuara që nuk dinin gjë e që brohorisnin “në litar”, duke kërkuar dënim me vdekje për ta. Burgjet i vuan edhe vëllai i tyre Napoleoni, që ka përkthyer ndër të tjera sonetet e Ëilliam Shkespeare-t, sonetet e John Keats-it dhe Lord Byronin, motra e vetme këngëtarja lirike Tefta, daja jurist Marku …

Napoleoni poliglot dënohet sepse kishte luftuar kundër çetnikëve, për të mbrojtur popullatën e Kosovës. Leka është shprehur se kjo dëshmon se komunistët shqiptarë nuk e donin Kosovën. Koçoja, i diplomuar për drejtësi në Itali, dha një kontribut të çmuar në modernizimin e legjislacionit shqiptar, ndërsa mbajti në vitet 1921-1924 detyrën e deputetit. Ishte gjithashtu ministër Drejtësie në qeverinë e Pandeli Evangjelit. Për djalin më të vogël, lindur më 1891 ose 1892, familja zgjodhi emrin e heroit të luftës së Trojës, që rrjedh nga gjuhët e lashta, ku ka kuptimin e një njeriu inteligjent, që përdor arsyen. Dhe Akile Tasi u bë si emri i vet. Në gusht-shtator 1944, emërohet dhe nis detyrën si ministër i Kulturës në qeverinë e Ibrahim Biçakut të cilën e kryen për një kohë shumë të shkurtër. Komunistët marrin Tiranën në 17 nëntor.

Kishin nisur t’i vrisnin kundërshtarët që para kësaj date dhe vazhdojnë me vrasje dhe arrestime edhe pas saj. Mes të arrestuarve, ishte edhe Akile Tasi. Ai u gjykua, bashkë me të vëllanë, Koço Tasi, nga Gjyqi Special i ngritur për të dënuar “kriminelët e luftës” dhe “armiqtë e popullit”, që nisi më 1 mars 1945 dhe doli me vendimet përfundimtare më 13 prill. Në këto vendime, 17 veta u dënuan me pushkatim dhe mbi 40 me burgime. Akile Tasi u dënua me 20 vjet burg, ndërsa i vëllai me burgim të përjetshëm, por, si rodhën ngjarjet, këto dënime u zbatuan në mënyrë të kundërt.

Koçoja u lirua pas gati 20 vitesh burg, më 1964. Akile Tasi nuk mundi të dalë gjallë nga burgu. Trupi nuk iu dha familjes. Nuk ndodhte me të dënuarit politikë. Ndërkohë, familja, ajo e të vëllait, Koços, ishte internuar në Grabjan të Lushnjës. Edhe kur Koçoja doli nga burgu nuk e lanë gjatë pranë të tijëve, por e çuan në Shkodër. Bashkëshortja, djemtë, Ylli, Napoleoni dhe Leka dhe vajza, Tefta, nipërit dhe mbesa e Akile Tasit, u mbajtën në internim deri në fund të regjimit komunist, duke provuar edhe burgjet. Eshtrat e Akile Tasit nuk u gjetën kurrë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura