“Nga Spaçi në Shtëpinë e Bardhë”- Zbardhen kujtimet e të dënuari politik që bëri 38 vite burg në diktaturë: Ju rrëfej ministrat që vdiqën në ferrin e Burrelit

Oct 13, 2022 | 23:42
SHPËRNDAJE

petrit velaj burgu i spacitAFRIM IMAJ, Gazeta Panorama.alNjë paradite shtatori me diell u gjendëm në shtëpinë e tij në Vlorë. Petrit Veliaj na priti në një kafe në Skelë. Ylli, nipi i tij, që na kishte sjellë deri këtu, na kishte treguar gjatë për historinë e tij.

Ai është nga të rrallët, që tërë periudhën e komunizmit e ka kaluar në burg, “ditë më ditë”. Është arrestuar fill pas mbarimit të luftës, në mesin e viteve ‘40 dhe ka lënë qelinë kur u përmbys regjimi famëkeq. Pjesa tjetër e jetës së 94-vjeçarit nga Vlora, ajo pa pranga e jashtë birucave të errëta, përmban sërish një histori të trashtë, me përpjekje të jashtëzakonshme për të shëruar plagët e jetës-burg dhe sfilitje titanike për të fituar kohën e humbur.

Sidoqoftë, kujtimet e burgut, në retrospektivën e jetës së Petrit Velajt, djaloshit që e nisi betejën për lirinë me çetat nacionaliste qysh ditën e parë të pushtimit të vendit nga hordhitë fashiste dhe vazhdoi me partizanët e nacionalçlirimtares ku shkëlqeu në betejën për çlirimin e Tiranës, zënë “pjesën e luanit”. Kjo jo vetëm për kohëqëndrimin e gjatë, si njëri nga Mandelat e Shqipërisë, por veçanërisht për dramat tronditëse që përjetoi në përballjen e përditshme jetë-vdekje. I kryqëzuar për bindje antikomuniste kultivuar herët, si pinjoll i një familje nacionaliste të njohur, faktin që mundi të dalë me frymë nga ferri i burgjeve të përbindshëm, e quan fat, por njëherazi edhe përgjegjësi për të dëshmuar të vërtetat e getove të komunizmit, i bindur se kështu çon në vend amanetet e qindra bashkëvuajtësve që u martirizuan në to.

Është kjo arsyeja që Petrit Velaj, pas katër dekadave burg politik në Burrel, Spaç, Ballsh, Tiranë, Vlorë, Fier, mundohet të ruajë drejtpeshimin, duke shpërfillur bashkë me pleqërinë e thellë edhe revanshin e urrejtjen. Ai ndihet me fat që arriti të mbijetojë e sakaq i privilegjuar që mundi të shkelë në Shtëpinë e Bardhë ku ka qëndruar sy më sy me Presidentin Bush për 10 minuta. Po cila është historia e njeriut që e kaloi komunizmin në birucat e errëta të burgjeve, si i përjetoi ngjarjet historike të vendit përtej telave me gjemba, kush ishin bashkëvuajtësit që mbetën model i karakterit dhe vizionit progresiv, në ç’rrethana kryhej predikimi i riteve fetare në kamp, si integroheshin shtetarët e ministrat e dënuar në shoqërinë e ish-viktimave të tyre, cilat ishin ndryshimet nga njëri burg te tjetri, si u organizuan ditët e zisë për vdekjen e Stalinit dhe Enverit në kampet e të dënuarve politik, etj. Përveç këtyre, një bllok me kujtime që Veliaj ka ruajtur në formë ditari dhe rrëfimi i tij për “Panoramën”, ndriçojnë edhe një mori ngjarjesh të tjera që i ka parë e përjetuar nga afër në skëterrën e burgjeve të komunizmit…

“LIRI GEGA MË PREU FLETËN E PARË TË BURGUT”

Isha duke luftuar në radhët e partizanëve të Korpusit të Parë, kur jam kërcënuar për herë të parë me pranga. Sa ishim kthyer nga betejat për çlirimin e Tiranës dhe pushonim në një kodrinë në zonën e Tufinës. Në krahë të çadrave ku qëndronim, kishin vendosur një stendë me emrat e partizanëve të dalluar. Aty ishte edhe emri im. I pari që më përgëzoi për këtë ishte Hysni Kapua, me të cilin njihesha më herët. Akoma pa u venitur emocionet e falënderimeve të tij, u përballa me Liri Gegën, që sa më pa u vrenjt në fytyrë. “Akoma ti këtu?”, më tha me hakërrim. “Ky është vendi im, ideali im”, i thashë aty për aty. “Vendi yt është në burg”, shtoi sakaq ajo duke u kthyer nga shoqëruesi. “Vendin Petriti e ka zgjedhur vetë, në ball të frontit”, iu kthye Hysniu duke e sqaruar për rrugëtimin tim në radhët e luftëtarëve të lirisë.

Me Lirinë isha përplasur në Vlorë në ditët e para të qëndresës antifashiste. Unë asokohe i besoja idealit nacionalist, ajo atij bolshevik. Qysh atëherë ishim ndarë, pa ditur gjë për fatin e njëri-tjetrit. Ritakimi në luftimet e Tiranës, kishte qenë i papritur për të dy. Me sa dukej, prania ime në krah të partizanëve të tjerë, ca më tepër shpallja luftëtar i dalluar, i vrau sytë. Ajo jo vetëm nuk e kishte harruar përballjen e qëmotshme, por kërkonte dhe shpagim. Falë ndërhyrjes së Hysniut, munda të shpëtoj, por vetëm përkohësisht. Se Liria me shpurën e vet nuk mund të tërhiqej nga synimi i saj. Vërtet që i isha bashkuar luftës për çlirimin e vendit, por jo idealeve komuniste. E kjo, jo shumë larg që këtej, do më kushtonte shtrenjtë…

ARRESTIMI NË KOMANDËN E PËRGJITHSHME

Ishte vitit 1945 kur më prangosën për herë të parë. I porsakthyer nga një mision në Jugosllavi, më thirrën në Komandën e Përgjithshme në Tiranë dhe aty më arrestuan. Më mbyllën disa orë në shtëpinë e Shefit Shatkut te Selvia dhe prej andej më nisën me një makinë në Vlorë. Në degën e Brendshme më priti me arrogancë të paparë Hito Çakua, asokohe kryetar i degës dhe vartësi i tij, Qatip Dervishi. Më izoluan te dhoma në hyrje të burgut të vjetër, përballë bashkisë. Të nesërmen më thirrën në hetuesi. Qysh në seancën e parë kuptova se bëhej fjalë për një akuzë të rëndë. Hetimi mbaroi shpejt. Zaten, për të tilla akuza, proceset bëheshin flakë për flakë. Në ditët e para në qeli kisha profesor Stiliano Gaxhon, botanistin më të mirë të vendit dhe 6-7 të tjerë nga fshatrat e Vlorës. Qelitë na i ndërroni shpesh e kjo na jepte mundësinë të njiheshim me dhjetëra të dënuar. Në burg, pas dy javësh, erdhi për vizitë Kadri Hazbiu e Rrapo Dervishi. I shoqëronte Hito Çako e Rrahman Perllaku. Ky i fundit vinte shpesh. Në Vlorë e njihnin me nofkën Rrahman Hakllvaxhiu. Vlonjatët e kishin pritur dikur me përzemërsi e ai ua kishte shpërbleu me atentate të shumta ndaj nacionalistëve dhe atdhetarëve të qytetit dhe rrethinave. Para gjykatës më nxorën në 2 shkurt 1946. Më çuan aty lidhur për dore me Arturo Orlandon, pronar i fermës së Llakatundit, Terucin, ish-drejtorin e bankës së Vlorës dhe Luto e Rushit Grabovën. Që nga burgu e deri te kinemaja e qytetit ku ishte salla e gjyqit, njerëzit na godisnin me gurë e na shanin me lloj-lloj fjalësh fyese. Me sa dukej, propaganda e komunistëve e kishte bërë të vetën. Prej ditësh në qytet flitej se drejtësia do t’u japë dënimin e merituar armiqve të betuar të partisë e pushtetit popullor. Procesi filloi me pretencën e prokurorit.

Prokurori, Lufter Hoxha, një shoku im i shkollës, pa iu dridhur qerpiku, kërkoi dënim me vdekje. Të njëjtin vendim lexoi edhe Ornaldo, Terruci e Verdi Nino. Ishte diçka e papritur dhe tronditëse njëherësh. “Mama mia”, ja bëri Orlandua në çastin që dëgjoi fjalët e fundit të prokurorit dhe ra përtokë pa ndjenja. Trupi i tij mbi 120 kilogramë më tërhoqi zvarrë pasi na kishin lidhur dorë më dorë. Si i hodhën një kovë me ujë, u përmend. Me kaq u mbyll seanca e parë. Në ditët që prisnim vendimin e gjyqit, qëndroja me Arturo Orlandin, i cili nuk po e merrte veten.

I shpërfytyruar i tëri, kishte rënë në depresion sa që nuk orientohej ku ndodhej. Një vizitë e papritur e Hysni Kapos në Vlorë, i dha një tjetër rrjedhë procesit. Me ndërhyrjen e tij, trupi gjykues hoqi dorë nga pushkatimi dhe më dënoi me burgim të përjetshëm, ndërsa Oralndon me katër vjet heqje lirie. Në përfundim të procesit u kthyem disi të lehtësuar në qelinë tonë, në burgun e Vlorës. Burgu i Vlorës ishte një skëterrë e vërtetë. Aty qëndruam edhe disa ditë. Më 14 shtator 1946, njëri nga xhelatët e degës lexoi një listë me 81 të burgosur ku ishte edhe emri im. Mbasi na lidhën duart na thanë: “Do t’ju çojmë diku ku nuk do të shikoni diell me sy”. Aty afër mesnatës, na hipën nëpër makina. Dyzetë vetë të lidhur me një zinxhir”. Për orë të tëra udhëtuam pa ditur ku shkonim…

KËTU I THONË BURREL, FUTESH E NUK DEL

Në burgun e Burrelit mbërritëm në mbrëmjen e vonë të 15 shtatorit 1946. Te porta na uroi “mirëseardhjen” një oficer thatanik. “Unë jam drejtori, quhem Vangjel Rrëmbeci”, na tha në kontaktin e parë duke shtuar “Këtu ku kallët këmbët, këtu do t’ju bien dhëmbët”. Hyrja kishte dy kanata të hekurta. Në mes të oborrit ishte një pus i zbuluar, pa grykë. Si kishim mbaruar punë me drejtorin e porsaprezantuar, aty mbërritën të burgosurit e tjerë që vinin nga qytete të tjera. Të parët ishin ata që vinin nga Korça, pastaj ata të Beratit e të Shkodrës. Na futën nëpër dhoma. Hekura në hyrje. Hekura te shkallët. Hekura në korridor. Hekura te dera e dhomës. Diçka e paimagjinueshme, e tmerrshme. Atë natë na u duk se kaloi një muaj. Të nesërmen në mëngjes na thanë se nuk do na jepnin bukë, se ishte prishur mulliri dhe ishte shkatërruar furra. Sa për ujë, na treguan pusin në mes të oborrit që mblidhte ujërat që rridhnin nga të gjitha anët. Dy ditë e dy net na lanë në këtë gjendje, pastaj filloi një lloj regjimi me pak bukë e gjellë sa për të mbajtur frymën gjallë…

NË NJË QELI ME TË DËNUARIT ME VDEKJE

Viti 1947. Banush Goxho, kryetari i degës së Burrelit, erdhi me një listë në dorë dhe lexoi emrat e atyre që do të veçoheshin nga të dënuarit e tjerë. Lista fillonte me emrat e Qemal Vrionit, Mihal Ballkamenit, Xhevat Korcës, Tahir Hoxhës, Koço Tasit, Mihall Zallarit dhe përfundonte me emrin tim. Fill pas këtij komunikimi, na izoluan në biruca nga gjashtë vetë së bashku. Me sa morëm vesh më vonë, ky ishte grupi i të dënuarve me vdekje. Pikërisht për këtë arsye filluan edhe torturat më të egra.

Morën të parin Qemal Vrionin. E torturuan në mënyrë barbare. Po kështu bënë me Aqif Golen e Mihal Ballkamenin, deri sa vdiqën nga torturat. Në qeli ku rrinim vinte shpesh Banush Goxhua. Në çdo vizitë nuk harronte tu kujtonte gardianëve që e shoqëronin se kishin të bënin jo me të dënuar të zakonshëm, por “pecogrosa” që ishin provuar si tradhtarë politikë. Për ta, kaq ishte e bollshme për të shpërthyer në dhunë e terror mbi secilin prej nesh. Aty kam provuar tortura nga më çnjerëzoret. Mendja e tyre diabolike arriti deri aty sa në 10 maj 1947 na hodhën në gjellë një lloj medikamenti për të na zënë diarreja. Gjithë burgu atë natë nuk pati qetësi. Megjithë të bërtiturat tona, rojet nuk na i hapën për asnjë çast dyert e dhomave. Deri këtu kishte mbritur mëndja djallëzore e Banush Goxhos dhe Vangjel Rrëmbecit. Burreli paskej qenë me të vërtetë skëterrë. Ashtu si na patën thënë në degën e Vlorës.

Në rrjedhën e ditëve, ky Banush Goxhua, që ishte një kasap i pashpirt, çuditërisht mori një profil babaxhani. Ishte koha kur ishte arrestuar Koxi Xoxja, deri në atë kohë ministër i Brendshëm. Erdhi bashkë me drejtorin e burgut dhe në një komunikim me të burgosurit u shpreh se shkaktar të fatkeqësisë së tyre kishte qenë Xoxe, njeriu që kishte drejtuar dikasterin e sigurimit. Na erdhi për të qeshur.

Menjëherë pas këtij momenti na izoluan në qelinë 14. Ajo ishte një dhomë e madhe me një prag të lartë, së cilës i hidhnin ujë që të mbante lagështi. Pra, pavarësisht atyre që kumtonte kryetari i degës, situata vazhdoi e njëjtë, madje hera herës edhe më represive. Vetëm gjatë vitit ’47-’48 në burgun e Burrelit vdiqën 720 të burgosur politikë. Të gjithë i groposnin te Qershia e famshme, e cila mbeti si një lapidar i varrezave të terrorit komunist.

BISEDA PËR VDEKJEN ME MINISTRAT E DËNUAR

Kam qenë fatkeq, por edhe me fat. Fatkeq për kalvarin e vuajtjeve në ferrin e burgjeve të komunizmit. Por me fat se aty jam njohur miqësuar e bërë shokë me disa nga korifenjtë e letrave e të shtetit shqiptar, të cilët në kushte të tjera nuk do t’i kisha njohur kurrë. Gati të gjithë ishin të dënuar me vdekje e vdekja mbetej kryefjala e bisedave të përditshme me ta.

Një herë Gjergj Kokoshi, ish-ministër i Arsimit i periudhës ‘45-‘46, më tha: “Mos u mërzit miku im! Të armatosur apo udhëtarë të thjeshtë, le të na rrëmbejë vdekja, por le të qëndrojmë deri në fund me kurajë e shpresë”. Dhe aty për aty më citoi vargjet e Alfred d’Vinzit nga kryevepra e tij “Vdekja e ujkut” ku thotë “Të rënkosh, të qahesh, të lutesh është një lloj poshtërsie. Bëje energjikisht detyrën tënde të rëndë e të gjatë. Në atë rrugë deshi fati e të thirri, pastaj më së fundi vuaj dhe vdis pa zë, në heshtje”. Ishte një karakter i veçantë e shumë interesant, Gjergj Kokoshi. Kam qëndruar me të 18 muaj i izoluar në qelinë numër tre.

Tre muaj me radhë kam qenë aty edhe me Andon Kozmaçium, ish-ministrin e Drejtësisë dhe imzot Visarion Xhuvani, kryetar i kishës autoqefale shqiptare. Fjalët e tij ishin si një shkreptimë që vinin nga qiejt e perëndive. “Biri im, dëgjo këto fjalë se je më i riu ndër ne dhe mund tua përcjellësh të tjerëve që vijnë…”. Më goditën grekët në Manastirin e Zvërnecit, afër Nartës kur po lahesha me ujë në mëngjes. Plumbat u përplasën në pasqyrë dhe drurin e pusit. Kalova në jetë edhe shumë shtigje të liga. Më ofenduan në Konferencën e të Njëmbëdhjetëve në Londër në vitin 1931. Bile shkruan edhe në shtyp se ky shqiptar nuk di të hajë peshkun e Arkangelsit. Por kudo qëndrova i fortë, pse mbroja shqiptarizmin”.

Si më i riu në grupin e tyre, më këshillonte shesh Koço Tasi, ish-ministri i Drejtësisë i qeverisë së Nolit. “Amanet, more djalë, më thoshte, komunistëve mos u beso kurrë. Po mëshirove të ligun, ke tradhtuar veten. Fjala komunist do të thotë i pabesë”. Kam ndarë me Koço Tasin çaste nga më të bukurat e më dramatiket. Ishte ndër ata njerëz që e shpërfillte vdekjen në mënyrë të çuditshme. Në fund të fundit, thoshte, një herë kemi lindur, e një herë do të vdesim.

Në Burrel pata rastin të njihesha edhe me Arqile Tasen, një tjetër burrë të mençur e atdhetar të flaktë, një nga dishepujt e kulturës shqiptare. Ai kishte 30 e ca vite drejtor i bibliotekës së Nju Yorkut dhe kishte ardhur në Shqipëri në vitin 1939 për t’i shërbyer kulturës shqiptare. Regjimi komunist e shpërbleu: vdekje në burgun e Burrelit. Ai na këshillonte ta përjetonim ankthin e pushkatimit me qetësi. Xhevat Korça, ministër i Arsimit dhe i Punëve Botore, ishte nga ata burra të rrallë që mendohej gjatë kur fliste. . Filozofia e tij kishte në qendër mëshirën edhe  për ata që merrnin në qafë të tjerët…

VIJON…

Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura