Nga “Qielli i natës”, te “Misteret e dashurisë”, poezi nga Timo Flloko

Aug 1, 2023 | 12:06
SHPËRNDAJE

Timo Flloko dhe artistët e njohur u bënë bashkë më 8 korrik në Butrint, në një mbrëmje poezie, ku nuk mungoi as muzika. Poezitë e yllit të kinemasë shqiptare Timo Fllokos e shndërruan amfiteatrin historik në një natë magjike.

timo flloko

Gazeta Panorama sjell të përmbledhura pozitë e interpretuara nga vet aktori I madh të cilat ngjallën emocione tek të pranishmit e zgjedhur në Butrint. Nën kujdesin e regjisores Vera Grabocka, çdo zë i asaj mbrëmje ishte i kuruar në të gjitha detajet.

Nata e yjeve në Butrint u mbyll me yllin e tyre, të bijën, Lindën, që la mbresa të panjohura të i gjithë publiku i zgjedhur i këtij produksioni. Interesi i të ftuarve kaloi çdo parashikim dhe e ktheu atë natë në një ngjarje të paharrueshme të poezive të Timo Fllokos.

NË QIELLIN E NATËS

Nga qielli i natës, zbresin yjet e largët,

Mbi këtë arenë ku dielli i muzës lind,

Prej shekujsh hershëm, nga kohërat e lashta,

Era sjell frymë e vargje tragjedish.

Pas luftërash të përgjakta, kur ra Troja,

Rrëfejnë se këtu erdhi me lundër Eneu,

Si e pa këtë bukuri të magjishme u ndal

Dhe ngriti Butrintin, këtë perlë të Mesdheut..

Në këtë amfiteatër u luajtën tragjeditë,

Eskili, Sofokliu… epopetë e Homerit..

Këtu u përjetësua miti i dashurisë,

Me vajin e Andromakës në kupë të qiellit..

Në këtë skenë u shfaq si e tërhoqi zvarrë,

Trupin e Hektorit, Akili i zemëruar,

Këtu u flijua bija e Agamemnonit,

Nga gjaku i saj kjo skenë u shenjtërua..!

Magjia e erës prej lashtësisë sjell,

Legjendën e Eneut nga ai shtegtim i hershëm,

Në heshtjen e kësaj nate së largu dëgjoj zërat,

Zërat e të parëve që jehojnë përjetshëm?

EKUINOKS

V-së

Endem në univers, nëpër yjësi…

përtej fantazisë.

Në mend të kam ty.

Zbres në Hënë,

te Det’ i Qetësisë,

atje një shenjë lë,

për hir të dashurisë,

inicialin tënd “V”,

që koha kurrë s’e fshin.

(E di ti të fshehtën: Erë në Hënë s’fryn.)

E pazakontë duket, sublime…

Në Hënë, si në ëndërr,

ngadalësohet ritmi i fluturimit.

Ëndrra, si një balonë ajri,

më merr në largësi…

Endem qiellit pa kufi,

gjashtë herë më i lehtë se trupi im,

i çliruar nga rëndesa e vetes,

nga çdo paradigmë.

Dashuria përherë enigmë,

gravitacion biblik.

E di nga Ajnshtajni përmasën, E=mc2, ekuacioni kozmik.

V-ja afron dy skaje në një pikë

dhe i çon ato në infinit.

Viteve shkretëtirë,

POEZITË

NATA MAGJIKE

Kohës pas.

Dashuria jonë,

Ishte si një

oazë…

Të kujtohet,

Ekuinoks

21 mars?

Nesër, sa të lindë dielli,

Me rrezet e tij,

Si meteor në s’u djegsha

A mbetsha qiellit varur,

do të vij.

Prej largësisë ekuivalente mes nesh,

Në ditën barazi me natën,

Nga koha kur ishim aq larg

Dhe po aq pafundësisht afër…

Largësisë dashuria s’humb,

Dashuria nuk njeh fund.

Për dashurinë, në këtë botë,

Sa pak është, një jetë.. im Zot!

Të them tani:

Në jetë kur të mos jemi..

Shkronja V,

Simboli i dashurisë,

Në hënë, ku era s’fryn,

Do mbesë përjetë aty,

Kurrë s’ka për ta fshirë,

Stuhi në gjithësi..

Tek oazi i dashurisë më prit,

Si përherë…

Sa herë të vijë pranvera,

Dhe të fryjë era…

TRUMCAKU

(Poemth)

Netëve të dimrit acar,

Strehova një zog të mitur, një trumcak,

Stuhi’ e natës e kishte hedhur në prag.

U rrit zogu në kafaz,

Me sytë larg,

Për arrati!…

Zëri i tij, mbytur një natë,

Cicëroi me lëngatë:

Ç’vlejnë krahët në robëri?!…

Dhimbja e tij zemrën ma zbrazi,

Ia çela kafazin.

Zogu shtegtoi,

Në liri.

Si skifter u sul,

Me furí,

Mes jetës e vdekjes,

Në stuhi.

(Nëpër mend sjell,

kur ishte kërthi

dhe pa në largësi,

sesi skifteri,

me erërat u ndesh, u tall,

u ngjit lart,

pambarim,

atje,

ku as vështrimi,

s’mbërrin!

Kish ndjerë zili,

Et’ për arrati.)

Qiejt tek përshkon,

Ky trumcak rebel,

Stuhitë i sfidon,

Si të ish skifter…

Kur,

Mjerisht,

Perëndi e Luftës

E pa atje mbi re,

“Ç’kërkon, o fatzi,

Në qiellin tim,

Ti pinjoll korijesh,

Kërthi,

Vdis tani!

Shkrepi rrufeja,

Bubullimë…

Trumcakut të mjerë,

Ia erri vështrimin.

Cicërima e mekur iu pre…

Sa pak zgjatka jeta!

Sa pak, ah, sa pak…

I gjori trumcak,

E stolisi qiellin me pupla e gjak,

Ra poshtë mbi një korije,

Në sy me lirinë shend,

Si mbishpend!

Era e marsit,

Fryu pambarim,

Ia mbylli përngaherë,

Pranverën e kthimit…

“A s’ia vlen vdekja,

Për një çast sublim?!…

Në qiej,

Skifterët lartësitë çajnë,

Krenarë sundojnë atje,

Mposhtin stuhi,

Pa lënë histori.

Ti,

Trumcak,

Fle,

Në shtrojën e heshtjes.

Mbi vete,

Gjithësinë ke,

Miliarda yje,

Që feksin,

Pafundësisë,

Atje.

MISTER DASHURIA…

Mister dashuria, fshehtësi,

Rebus i përhershëm mbetet,

Kryeneçe, ndëshkuese, sunduese,

Skllav bën dashuria edhe mbretin.

Drithërimë, frymë, pasion,

Që na deh… na ngre si erë,

Akullnajë në shpirt, ajsberg,

Kur largohet përngaherë..

Botë e tërë sikur të shuhej,

Hi të bëhej, të mos ish,

Do ta lindte, për atë Zot

Shpirti i dashurisë sërish.

ATË E BIR

(Kujtimit të babait)

Im atë e desh’ detin si detarët,

Si det i trazuar ishte ai burrë…

Dëshpërimin veç detit ia rrëfente,

Njerëzve gëzimin, dhimbjen e tij kurrë.

Netëve të verës mbi mol,

Peshkonim gjer në fikjen e yjve,

Sa herë këputeshin dhe binin,

Mbi shpinat e të dyve.

“Më të largëtit yje janë ata ngjyrë blu,

Sa vite dritë nga këtu, s’dihet.”

A thua se grepat atje lart në qiell,

Hedhur kishim për të kapur yjet!

“Botëra pa fund, të përtejme, bir,

Që zjarri u erdh’ e u iku…!”

Të fshehtat e qiellit i njihte im atë,

Si të ishte ai vetë Koperniku!

Unë isha kureshtar, një çunak i prapë,

Im atë i duruar, gjuetar i vjetër,

Unë shtegtoja nëpër ëndërrime,

Ai tallazeve të jetës…

Qyteti e përcolli në banesën e fundit, Për të

ai kish qenë si

doktor Betyni, Hamejtë e portit e hodhën mbi

shpina,

Ky është mjeku i të varfërve, thanë, i yni!

Im atë i desh’ njerëzit si veten,

Botën desh’, dhe ajrin, dhe jetën, Shtati në

dhe i tretet

qyshkur,

Shpirti, në thellësi të detit.

KËRCIM NË BOSH

Dikur kërceja nga maja e Kalasë,

Si në ëndërr, kur hidhesh në bosh,

Mbi dallgët e tmerrshme mbi humnerë,

Që gojëshqyer të përpinin poshtë.

Lulen e egër këpusja buzë gremine,

Frikëshpërfillës, hidhesha vrik,

Magjinë e fluturimit provoja n’ato rënie,

Hon më hon, si akrobati në cirk.

E papërfillshme ish në atë moshë vdekja,

Në çdo hedhje ne luanim me të,

Si pilotë të qiellit që kur nisen,

Ndodh të ikin e mos kthehen më.

Sa herë fati më sjell bri lartësish,

Mbi humnera që të përpijnë poshtë,

I mbyll sytë, dhe kërcej të prek fundin,

Që kurrë s’e mbërrij në pafundësinë bosh…

Ç’mrekulli, me iluzione, të jetosh,

Se ke krahë të fluturosh, të fluturosh…

KUANTIKA E DASHURISË

Çudi, si mund të të kem dashur,

Kur kësaj jete s’u pamë kurrë me sy? Si mund

të ndodhë e

pandodhshmja, Ç’mister qiellor fsheh një

dashuri?

A mos vallë si shpirtra u takuam,

Në trupa të tjerë, nëpër fantazi,

Kohësh të hershme u pamë pa u prekur

Dhe shpirtrat endacakë ranë në dashuri?

Në botën ku jetojmë ekziston një kufi, Sa herë

jeta, vdekja

përzihen në gjumë,

Ëndërr ngjet të jetë e vërteta,

E vërteta trill, asgjë më shumë.

Koha iluzion, thotë metafizika,

Teori e kuanteve që s’e perceptoja dikur,

Dy njerëz mund të duhen në kohë të ndryshme,

Pa u parë me sy, pa u prekur kurrë.

HARRESA

Sa të kam dashur, dikur…

Tani jo, mjerisht,

Për shkak të harresës, ndoshta,

ku ta dish!

Kur rendnim pas yjeve, dikur…

Të luajtur, natyrisht.

Mbi shpinë të Arushës së Madhe, Kometës

me Bisht.

Qielli e ka humbur magjinë.

Dhe hënë e brishtë.

Për shkak të harresës, ndoshta,

Të dashurisë..

Çudi sa të kam dashur, dikur… S’kthehet

asgjë sërish.

Ç’kuptim do të kishte harresa, ndryshe po të

ish?!

HËNA FATALE

Duke ndërruar pamjet nëpër net,

Qiellit shfaqet hëna, si perri,

Herë e plotë, herë e ngrënë nga yjet,

Si një mëkatare e shthurur, a rospi…

Me plot hir si gruaja fatale,

Teksa e fal trupin në orgji,

E panginjur, kërkon tjetër yll,

T’ia marr zjarrin, ta fikë, ta bëjë fli…

Rrezeftohtë, reflektim i diellit,

Që ia jep krejt dritën e tij,

Sa ç’ ndien bukurinë, ndjen zhgënjimin,

Se s’ka zjarr të falë dashuri…

Nuk e impresionon aspak ideja,

Si më e magjishmja në botë bukuri…

Teksa endet, e përçartur nëpër net,

Se (as) dashuria s’ka përjetësi…

Unë të lus, të kthehesh tek unë,

Se një det i ngrirë na ndan tani,

nga të Shtatë Mrekullitë e botës,

Je pa fjalë e teta mrekulli…

ZOGJTË

Atje tani është në prag pranvera,

po kthehen zogjtë shtegtarë…

Të munduar nga fati,

që kurrë s’na ndriti,

me pengun e ikjes lëmsh në fyt,

të lamë Shqipëri, morëm arratinë,

mes erës që kujiste, detit me stuhi.

Për një tjetër jetë!

Sa herë na i përpinë ëndrrat, poshtë, vorbullat në thellësi…!

Kohë kaloi, vite në largësi…

S’më mahnit më shkëlqimi,

larg vendit tim,

Paris, Londër, New York, Romë, Zyrih, Berlin…

Të rrejnë me iluzione,

Të vrasin me vetmi,

këta qytete të ftohtë,

me qiej hibridë…

Zgjohem, shpesh dhe kur s’gjej qetësi,

endem si somnambul qytetit pa natë,

udhëve pa mbarim,

me peshën e mallit sa një oqean për ty.

Sa më mungon, atdheu im…

Si erdhi’ kjo ndarje kaq e largët, Shqipëri?!

Atje nga vij perëndon dielli,

kur lind këtu te Ti…

Këtu pranë teje, mbi Adriatik e Jon,

të magjishme janë netët, praruar nga yjtë..

Por…

Pse parandjej zhgënjim në shpirt, mos të është ftohur valle

dashuria në gji,

rrënuar ura mes nesh,

përjetë jemi ndarë, Shqipëri?!

Lus Zotin, jo, se ky mall,

Më bën të më rrahë zemra pa pushim,

dashuria më e pamat u bëka,

kur kapërcen largësi pa kufij!

Druhem, Zot, qiejve mos mbes,

para se të mbërrij tek ty…

Ka zogj fatlumë që shkojnë e vijnë,

ka zogj që nisen, por kurrë s’mbërrijnë,

nga udhë e gjatë, padurimi,

në fluturim ngrijnë.

Dhe tek i sheh atje lart,

në kthimin prej se largu,

s’di janë të gjallë, a malli i ka ngrirë, në ardhje

krahëhapur!

Ata vijnë si zogjtë stinorë,

S’i përfillin largësitë.

Presin verën të afrojë,

Me një mall të madh në shpirt..

Të jetë ëndërr kjo pamje sonte,

Mbi këtë arenë ku muza lind,

Kur yjet lart nga qielli i natës,

Shkëlqejnë e bien mbi Butrint?

Marrë nga “ExLibris”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura