Nga Plani Marshall te izolimi i Berlinit në 1948-ën, si diktatori Stalin urdhëroi një bllokadë totale tokësore dhe detare në pjesën e lirë të qytetit

Dec 14, 2022 | 11:06
SHPËRNDAJE

Mbushen plot 75 vite nga plani i famshëm Marshall dhe bllokada kriminale e Stalinit mbi Berlinin Perëndimor disa muaj me vonë, për të bllokuar çdo furnizim për banorët e qytetit, kur dy gjeneralë krijuan një urë ajrore furnizimi, përmes së cilës do të mbërrinin mbi 3 milionë tonë materiale të nevojshme për jetesë. Këto ngjarje vijnë nga ambasador Bashkim Zeneli, “Mjeshtër i Madh”, përmes librit të tij “Për Gjermaninë”, bazuar në një dokumentacioni arkivor të pasur dhe të përshkruara me një stil publicistik të qartë e të rrjedhshëm.

zhukov

Vetëm 6 muaj nga qeverisja e Ernst Reuter në Berlin, në verën e vitit 1947, amerikanët marrin një vendim historik: shpallin një plan të gjerë masash për të ndihmuar Berlinin, Gjermaninë dhe Europën me ushqime, veshmbathje, barna, lëndë djegëse, por edhe me ndihma financiare. Ky plan mori emrin e ministrit të Jashtëm amerika, Xhorxh Marshall, dhe u njoh si angazhimi i parë amerikan i pasluftës për të ndihmuar Gjermaninë.

George Marshall, gjeneral dhe politikan ndër më të njohurit amerikanë, kishte kryer në vitet 1917-1918 shërbimin ushtarak në Evropë dhe më pas kishte kryer studimet në akademinë ushtarake (1936). Në vitet 1939-1945 mbante detyrën e shefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë dhe në vitet 1945-1947 kryen detyrën e ambasadorit të SHBA në Kinë. Më pas emërohet ministër i jashtëm deri në vitin 1950 e më tej ministër i mbrojtjes. George Marshall është fitues i çmimit “Nobel për Paqen” në vitin 1953.

Si një nga bashkëpunëtorët më të afërt dhe këshilltarët më të shquar të Presidentit amerikan, Franklin D. Rooswelt, Marshall ka qenë pjesëmarrës në Konferencën e aleatëve në Teheran, Jaltë, por edhe në Potsdam.

Plani Marshall vazhdoi deri më 31 dhjetor 1952. Synimet e këtij plani, Marshall i bëri të njohura më 5 qershor 1947 në një fjalim që mbajti në Universitetin e Harvardit (i themeluar nga John Harvardt në vitin 1636). Ai bëri të qartë se “politika jonë është kundër urisë, kundër varfërisë, kaosit dhe mjerimit. Ne kemi për qëllim të ndihmojmë për ngritjen e ekonomisë botërore. Çdo qeveri që ka vullnetin për të realizuar rindërtimin, do të ketë mbështetjen e plotë të SHBA”.

Në këtë fjalim historik në universitet, të mbajtur në kuadër të 311-vjetorit të dhënies së gradave akademike, George Marshall do të shprehej: “Nuk është nevoja t’ju them, miqtë e mi, se gjendja në botë është serioze… E vërteta është se edhe për 3-4 vitet e ardhshme Evropa do të ketë shumë nevojë për ushqime… në mënyrë të veçantë në ndihmën e Amerikës. Është e qartë se përpara se qeveria e SHBA-së të angazhohet për ta lehtësuar këtë situatë, duhet medoemos të ketë një marrëveshje të popujve të Evropës, që të pranojnë një ndihmë eventuale të qeverisë amerikane. Do të ishte e pamundur dhe e pakuptimtë që qeveria amerikane të ndërmerrte në mënyrë të njëanshme një hap të tillë. Iniciativa duhet të vijë nga Evropa”.

Është fakt se që nga qershori 1945, SHBA kishin ndihmuar 17 vende të Evropës financiarisht, duke filluar nga Britani e Madhe me 3750 milionë dollarë e deri në 8432 milionë dollarë në tërësi.

Në librin e mësipërm, kam gjetur edhe një fakt shumë interesant, që nuk e kisha dëgjuar më parë: “Qeveria amerikane kishte ndihmuar menjëherë pas luftës edhe Shqipërinë më 16.5 milion dollarë”. (Qeveria shqiptare i refuzoi këto ndihma).

Reagimet e britanikëve dhe francezëve, për këtë plan të ministrit të Jashtëm amerikan, më 5 qershor 1947 (edhe pasi kishin marrë ndihmë financiare menjëherë pas luftës), nuk ishin çuditërisht, aspak entuziaste, megjithëse vetë kishin propozuar ngritjen e një komiteti apo komisioni, për të përcaktuar nevojat e përgjithshme të vendeve të ndryshme.

per gjermanine

George Marshall, pavarësisht se si kishte nisur konfrontimi, herë i heshtur e herë i hapur me sovjetikët në Gjermaninë e ndarë në 4 zona, në një konferencë për shtyp të mbajtur një javë pas fjalimit në Harvard, më 12 qershor, deklaron se nga ky plan nuk përjashtohet aspak edhe programi i ndihmave për vetë Bashkimin Sovjetik.

Por as Bashkimi Sovjetik dhe as vendet e tjera socialiste nuk e pranojnë këtë plan ndihmash. Madje, ministri i Jashtëm sovjetik, Molotov, e quajti këtë plan si “imperialist dhe përpjekje e amerikanëve për t’u përzier në punët e brendshme të shteteve të tjera”. Duke vazhduar në këtë linjë të qartë ndarëse, pak më vonë, një udhëheqës i lartë i Kremlinit, anëtar i Byrosë Politike, Andrej Zhdanov, në mbledhjen e Informbyrosë komuniste, formuloi teorinë e “dy kampeve kundërshtare”, të papajtueshme me njëritjetrin, dhe u bënte thirrje vendeve demokratike “për të arritur fitoren e komunizmit mbi imperializmin, me atë amerikan në krye”.

Gjatë një vizite në Francë më 26 qershor, 20 ditë pas shpalljes së idesë për një plan ndihmash nga George Marshall, ministri i Jashtëm sovjetik, Molotov, që shoqërohej nga 86 këshilltarë dhe funksionarë të lartë të partisë dhe KGB-së, që në takimin e parë me zyrtarët më të lartë francezë, u drejtohet në mënyrë të pashembullt fyese: “Ju jeni zagarë të dollarit… Asnjëherë BRSS nuk do të pranojë propozimin për një komision që do të përcaktojë nevojat e përgjithshme të kontinentit”. Molotov akuzon edhe SHBA-në se “po përzihet në mënyrë të papërmbajtur në çështjet e brendshme të shteteve”. Në 5 ditët e qëndrimit në Paris, nuk u bind për nevojën e këtij plani dhe mbështetjen që i duhej dhënë atij.

Madje, udhëheqësit sovjetikë e kritikuan ashpër edhe udhëheqjen polake, e cila me anë të ambasadorit të saj në SHBA, kishte deklaruar mbështetje për Planin Marshall. Probleme kishte edhe me Çekosllovakinë. Moska kritikoi ashpër udhëheqësin e partisë Gottvald dhe i kërkoi që të tërheqë mbështetjen për planin Marshall. Ajo i kërkoi Gottvaldit dorëheqjen, por kjo u kundërshtua ashpër nga ministrat jokomunistë në qeveri. Gottvald thirret në Moskë.

Çekosllovakia tërhiqet dhe në një deklaratë të saj komenton së “pranimi i Planit Marshall do të mund të interpretohej si kundërshtim i miqësisë së Çekosllovakisë ndaj Bashkimit Sovjetik”.

Por pas këtij akti të qeverisë së Çekosllovakisë, jep menjëherë dorëheqjen Ministri i Jashtëm Masaryk duke deklaruar se “ky është një Mynih i dytë. Unë largohem si ministër i Jashtëm i një shteti sovran. Nuk bëhem lolo i Stalinit”.

Pavarësisht nga këto që ndodhnin në kampin socialist, më 12 qershor, në Grand Palais në Paris, u mblodhën përfaqësues nga 16 vende si Belgjika, Danimarka, Franca, Greqia, B. Madhe, Irlanda, Islanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Austria, Portugalia, Suedia, Zvicra dhe Turqia dhe u ndërtua kështu “Mbledhja e Përgjithshme e kandidatëve për planin Marshall”. Këto vende kishin një popullsi prej 286 milion banorësh duke i shtuar edhe 50 milionë në zonën perëndimore të Gjermanisë.

Në mbledhje mungonin shtetet socialiste që, së bashku, kishin një popullsi prej 280 milionë banorësh. Me shpejtësi të madhe sovjetikët nënshkruajnë marrëveshje ekonomike dhe tregtare me vendet e Evropës Lindore. Mjaft prej tyre, para luftës kishin pasur marrëdhënie të ngushta ekonomike me SHBA, Gjermaninë, Francën dhe Britaninë e Madhe.

Gjithsesi, Plani Marshall u vu në jetë me sukses të plotë, pavarësisht kundërshtive të sovjetikëve, që nuk arritën me asnjë mjet të pengojnë zbatimin e tij.

Vetëm Gjermania Perëndimore, nëpërmjet administratorëve amerikanë, britanikë dhe francezë, në zonat e tyre përfituan mbi 16 miliardë dollarë. Më vonë, pas vitit 1949, edhe vetë Gjermania përfitoi drejtpërdrejt një ndihmë prej 3 miliardë dollarësh.

Po kur amerikanët po zbatonin me sukses këtë plan të madh jo thjesht ekonomik e financiar, lufta e ftohtë merr një drejtim krejtësisht të papritur, absurd dhe çnjerëzor. Më 24 qershor të vitit 1948, diktatori Stalin urdhëron një bllokadë totale tokësore dhe detare në pjesën e lirë të qytetit. Duket se përshkallëzimet e qëndrimeve politike do të bëheshin përherë e më të ashpra dhe do të influenconin jo vetëm në pjesën lindore të pushtimit, por edhe në raportet me aleatët perëndimorë të vendosur në Gjermani. Madje, edhe më shumë, në një plan agresiv edhe jashtë Gjermanisë. Bashkimi Sovjetik donte të tregonte forcën ndaj perëndimit, por tu jepte një mësim të madh edhe vendeve socialiste që mund të guxonin të kundërshtonin Moskën.

Më 29 qershor 1948, vetëm 5 ditë pas shpalljes së kësaj bllokade të turpshme nga Stalini, kryebashkiaku Ernst Reuter, duke përfaqësuar magjistratin e Berlinit, i dërgon një apel të fuqishëm OKB-së për këtë situatë duke e denoncuar atë si kriminale dhe çnjerëzore. Ai paralajmëronte botën për rrezikun që paraqet për popullsinë e Berlinit një katastrofë e mundshme humanitare. Ernst Runter ishte i vetmi që mund të protestonte në Gjermaninë pa shtet, pa qeveri, pa Parlament.

“Reuter e tregoi veten një politikan të jashtëzakonshëm, të guximshëm, vizionar dhe aktiv, por i tregoi edhe botës se një luftë e ftohtë me pasoja të rënda e priste atë, në radhë të parë Evropën”, do të shkruante më vonë Willy Brandt në kujtimet e tij. Perëndimi u trondit nga ky akt dhe sigurisht, pas tij pa rreziqet e përshkallëzimit të përplasjeve me sovjetikët jo vetëm në Gjermani e për Gjermaninë, por edhe në tavolinat e bisedimeve, në OKB, në organizma të ndryshëm ndërkombëtar. Një veprim i tillë kriminal, për bllokimin e furnizimit të qytetit, fliste shumë. Ai kishte qenë i denjë vetëm në luftërat e mesjetës. Dhe kjo ndodhte vetëm 3 vjet pasi popujt kishin nisur të merrnin frymë nga pasojat e tmerrshme të Luftës së Dytë Botërore dhe kur shpresonin dhe aspironin për liri, demokraci, mirëqenie e pajtim.

Dhe sovjetikët nuk u mjaftuan vetëm me bllokadën. Ata morën nën kontroll pjesën më të madhe të rrjetit energjetik, ujor dhe atë të sistemit të shpërndarjes së mallrave ushqimore. Kjo ishte një ndër masat e para, të egra, që Moska donte t’u tregonte gjermano-lindorëve, se janë nën pushtetin e tyre. Por sigurisht ishte një mësim edhe për aleatët fitues perëndimore. Sovjetikët që në mars të vitit 1947 nuk kishin pranuar të bisedonin me aleatët perëndimorë, për një reformë apo zgjidhje monetare në të gjithë Gjermaninë. Diferencat e mëdha midis sovjetikëve dhe perëndimorëve u dukën qartë në Konferencën e Katër Fuqive në Londër në vjeshtën e po atij viti, por edhe në një tjetër konferencë, më 23 shkurt 1948, po në Londër, për thelbin dhe rrugën e çështjes gjermane. Gjermania ishte në një kaos të vërtetë, në radhë të parë institucional. Në zonat e pushtuara vepronin rregulla të pjesshme e të sipërfaqshme administrimi, në kuadër të kompetencave të çoroditura e papërgjegjësisë. Ekonomia ecte në mënyrë spontane.

Në mënyrë të veçantë, Berlini ishte një qytet që ishte shkatërruar në masën 90 për qind nga lufta, por ishte tashmë edhe një qytet që po vritej: me njerëz të trembur për fatin dhe të ardhmen e tyre. Në zonën sovjetike sidomos dukej një perspektivë tepër e errët e kjo shprehej shumë qartë sidomos në sektorin sovjetik të Berlinit të ndarë. Kishte vetëm një prani të shtuar ushtarake sovjetike që trembte këdo. Njerëzit strehoheshin nëpër bodrume apo shtëpi gjysmë të rrënuara nga bombardimet e luftës. Jetonin me ushqim të racionuar ditor që u sigurohej nga ndihmat nëpërmjet shërbimeve sociale në qytet: supë dhe patate. I madh e i vogël gërmonin për të gjetur patate. Energjia elektrike thuajse mungonte. Shkollat ishin të mbyllura, shërbimi mjekësor i munguar kudo. Gjermanët në pjesën perëndimore nuk kanë marrë paga për punën që kryenin në 6 vitet e para. Atyre u sigurohej thjesht ushqimi dhe veshmbathja. Por mobilizimi, angazhimi, solidariteti dhe përgjegjësia për të shëruar plagët e luftës, për të ndërtuar Gjermaninë, janë të jashtëzakonshme, unikale. Ato kanë merituar një respekt të veçantë dhe kanë ushqyer një simpati të rrallë për këtë popull punëtor.

Dhe në të tilla rrethana, bllokada e Moskës ishte e turpshme, mizore dhe politikisht pa as më të voglin dyshim, fliste për një luftë të ftohtë, të egër dhe të gjatë… për një Mur që projektohej jo vetëm në Berlin e për Berlinin, në Gjermani e për gjermanët, por shumë e shumë më gjerë, për një mur sistemesh, ideologjish, e për një mur që vriste çdo ditë shpresa, ëndrra për paqe dhe liri.

Aleatët perëndimorë e në radhë të parë SHBA i ndiqnin me shumë vëmendje e me shqetësim këto zhvillime negative të Moskës. Veçanërisht pas aktit kriminal me bllokadën e qershorit, amerikanët nuk mund të heshtnin. Presidenti Truman i kërkoi gjeneralit Lucius D.Clay, që ishte guvernator ushtarak, të hartonte një plan se si mund të çahej kjo bllokadë. Gjenerali Clay së bashku me komandantin britanik të forcave ajrore, gjeneralin Rex Waite, hartojnë një plan që sektorët perëndimorë të Berlinit të mund të furnizoheshin nga një korridor ajror. Ky plan u miratua menjëherë nga Presidenti amerikan e më pas edhe nga qeveria britanike. Zbatimi i tij ishte një sukses i jashtëzakonshëm e që konsiderohet si historik. Përgjatë 11 muajve Berlini u furnizua me mbi 3 milionë tonë mallra ushqimore, veshmbathje, barna, lëndë djegëse e sende të tjera të domosdoshme jetese. 900 avionë uleshin e ngriheshin në aeroportin e Tempelhofit. Qyteti po çlirohej nga uria, varfëria dhe, mbi të gjitha, nga pasiguria. Berlinezët nisën të merrnin frymë lirisht. Ata po mbijetonin. Admirimi dhe simpatia për perëndimorët e sidomos për SHBA, rritej nga dita në ditë. Kështu rritej edhe urrejtja për aktin kriminal të Stalinit.

Ndaj më 12 maj 1949, tamam 11 muaj pas bllokadës, sovjetikët nënshkruajnë në Nju Jork marrëveshjen e quajtur Jessup Malik dhe i japin fund kësaj aventure. Hapen kështu përsëri rrugët tokësore dhe ujore. Ndërpritet kështu korridori ajror i drejtuar nga gjenerali hero Clay.

Për suksesin e plotë të operacionit të urës ajrore, kryebashkiaku i Berlinit, Ernst Reuter, ka vlerësuar shumë edhe kontributin e veçantë që dhanë qytetarët e Berlinit Perëndimor, si një pjesë shumë aktive dhe me një organizim shembullor për shpërndarjen e ndihmave.

Berlini u bë simbol i aleancës perëndimore kundër sovjetikëve. Nëse do të kishte rënë Berlini, do të ishin të kërcënuar edhe Parisi, Londra dhe Uashingtoni. Presidenti amerikan Truman do të deklaronte ato ditë se “Doktrina Truman dhe plani Marshall ishin dy thelbet e së njëjtës arrë. Këtu u bazua edhe Ura ajrore për shpëtimin e Berlinit”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura