“Nga fushat e Dropullit në podiumin e Kuvendit Popullor”- Intervista e fundit me Vitori Çurin: Unë, grekja që drejtova Parlamentin e Enverit

Sep 22, 2022 | 13:09
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ / Vitori Çuri, minoritarja që drejtoi për shumë vite Kryesinë e Kuvendit Popullor në regjimin komunist, ka pak kohë që ka ndërruar jetë.

vitori curri 5

Rrëfimi që ka dhënë për gazetën “Panorama” është nga ato pak kujtime që ka lënë nga historia e saj. Kjo, madje, është intervista e fundit e numrit dy të atij Parlamenti njëpartiak. Ishte një mesditë qershori kur trokitëm në shtëpinë e saj në Dervicianin e Dropullit. Na mirëpriti me bujari, po hezitoi gjatë për të folur deri sa më në fund pranoi të na tregojë diçka nga jetëshkrimi i saj.

“Në fillim u zgjodha deputete, pastaj nënkryetare e Kryesisë së Kuvendit Popullor. Më herët, isha shpallur ‘Heroinë e Punës Socialiste’. Në të tria rastet mësova se kishte qenë ndërhyrja e Enverit…”. E prirur ta përmblidhte sa më shkurt biografinë e vet, Vitori Çuri, thotë se ka arsye mos “ta tjerrë hollë-hollë” jetëshkrimin si ish-funksionare e lartë e regjimit komunist. “Ajo kohë perëndoi njëherë e mirë dhe tani kur gjërat kanë dalë në dritë të diellit, nuk është normale të demonstrojmë meritat tona”, shprehet Çuri. Pastaj, unë nuk di mirë as shqipen, hidhet në argumentin tjetër gruaja, që prej shumë vitesh ka refuzuar të flasë për median.

Megjithatë, natyra bujare dhe çiltërsia që të ofron në bisedë, të krijojnë mundësinë për t’u njohur me mjaft aspekte nga jeta interesante e ish-deputetes që përfaqësoi minoritetin grek për gati dy dekada në Kuvendin e Shqipërisë. Duket e kthjellët në kujtesë, por e ka vështirë t’u rikthehet me saktësi ngjarjeve që kanë lidhje me legjislativin, në të cilin pati rolin e drejtuesit kryesor. Kujton mirë seancën e parë kur pas një udhëtimi të lodhshëm me autobus e tren, është sfilitur dhe dy orë të tjera nëpër Tiranë për të gjetur sallën e Kuvendit Popullor, stërmundimin e jashtëzakonshëm me diskutimet që i shkruante greqisht dhe i lexonte në shqip, stresin e papërballueshëm nga letrat që i adresonte OKB-ja për mbylljen e burgjeve politikë, reagimet shpërfillëse të udhëheqësve politikë për hallet e zgjedhësve nga Lazarati, marrëzinë e vendimit për tufëzimin e gomarëve të Dervicianit e deri te qortimi pse nuk refuzoi një ftesë zyrtare për të vizituar Greqinë.

Sidoqoftë, shton ish-nënkryetarja e Kuvendit komunist, pozicioni si përfaqësuese e komunitetit minoritar në tribunën më të lartë të legjislativit shqiptar, më ka falur dhe përjetime të bukura. Gjatë rrëfimit për to veçon kontaktet me njerëzit, angazhimin për zgjidhjen e halleve të tyre dhe çastet e takimeve me Enverin me të cilin, siç thotë, në të gjitha rastet ka komunikuar në greqisht. “Enveri e njihte greqishten si dhe unë”, saktëson Vitoria, duke kujtuar përkujdesjen e tij për minoritetin…

Zonja Vitori! Ju keni qenë për shumë kohë një nga drejtueset e Parlamentit komunist, madje e vetmja deputete minoritare e Kuvendit të Shqipërisë të asaj periudhe. Ju kujtohet kush e ideoi zgjedhjen tuaj në këtë funksion të lartë?

Enveri. Kuptohet, procedurat zyrtare kishin linjën e tyre të udhëhequr nga Partia, por nga sa mësova emrin tim e kishte propozuar drejtpërdrejt ai. Ishte diçka e papritur për mua, sidomos momentet e para…

Ju njihte më parë Enveri?

Me Enverin nuk isha takuar asnjëherë. Me të isha përballur vetëm në takimet zonale me veprimtarë nga minoriteti dhe të zgjedhurit vendor. Ishte një periudhë, sidomos ajo paraviteve ‘70, ku Enveri e vizitonte shpesh Gjirokastrën dhe organizonte biseda me përfaqësues e funksionarë të shtresave të ndryshme. Në të gjitha rastet aktivistët nga minoriteti ishin ndër më të privilegjuarit. Unë isha nga të paktat gra nga zona e Dropullit që merresha me punë drejtuese dhe më qëllonte të isha shpesh e pranishme në këto takime. Enveri pyeste për jetesën e minoritarëve, për gjendjen e fshatrave, për shkollat në greqisht dhe unë i përgjigjesha me sinqeritet. Pastaj flisnim gjatë për punët në bujqësi, për të ardhurat në kooperativë, për emancipimin e gruas etj.

Më çfarë pune merreshit në kohën kur u propozuat për t’u zgjedhur deputete për Kuvendin Popullor?

Në pak vite, m’u desh të bëja disa detyra pas njëra-tjetrës. Nga kooperativiste e thjeshtë u bëra brigadiere. E ushtrova këtë detyrë nga viti 1961 deri në vitin 1967. Rezultatet e brigadës që drejtoja u bënë shkak për të kaluar në një funksion më të lartë. Pikërisht në kulmin e fushatës për emancipimin e gruas, u zgjodha kryetare e kooperativës së Gorancisë, duke shënuar rastin e parë në shkallë rrethi, por edhe vendi, ku një shoqe merrte përsipër një përgjegjësi të tillë, mjaft të rëndësishme për kohën. E vërteta është se kooperativa që drejtova për gati gjashtë vjet, shënoi treguesit më të lartë në tërë rrethin e Gjirokastrës. Ajo ndërkaq njihej si një nga ekonomitë bujqësore më të dalluara edhe në shkallë vendi. Me sa duket, emri i mirë që mori kooperativa, për të cilën investova me çfarë munda pa kursyer asgjë nga vetja, u bë një lloj “investimi” për perspektivën time. Në kulmin e shkëlqimit të saj, erdhi propozimi i bujshëm për t’u bërë deputete…

Ju kujtohen procedurat e para të zgjedhjes suaj si kandidate për deputete?

Ishte pragu i fushatës së zgjedhjeve të vitit ‘74. Gjatë një mbledhjeje të përbashkët të kryesisë së frontit dhe byrosë së partisë së zonës Dropullit, i deleguari i Komitetit të Partisë bëri prezent rekomandimin e udhëheqjes, siç i thoshim atëherë, për t’i propozuar elektoratit të minoritetit grek emrin tim si kandidate për deputete në Kuvendin Popullor. Ishte diçka e papritur jo vetëm për pjesëmarrësit e atij takimi, por edhe për mua. Mbaj mend që të gjithë e mirëpritën dhe u shprehën entuziastë për zgjedhjen e propozuar Shumëkush shfaqi konsiderata pozitive për punën dhe figurën time, ndërkohë që të gjithë ishin të një mendimi se unë do t’i përfaqësoja me dinjitet në organin ligjvënës shqiptar.

Si e pritët propozimin për t’u vënë në listën e kandidatëve për deputetë të Kuvendit Popullor?

Për mua ishte një rrufe në qiell të pastër. Aty për aty mbeta e shtangur dhe nuk dija çfarë të thosha. Vetëm kur mbaroi mbledhja, gjatë bisedës me të deleguarin e Komitetit të Partisë, ashtu siç isha e emocionuar, shfaqa hezitimin për përmbushjen e detyrës së besuar. Në fakt, e ndjeja se këtë radhë isha përballë një sfide të vështirë, madje më dukej se detyrën e besuar nuk kisha për ta kryer si duhet. Ato çaste fola gjatë me të deleguarin, duke ia pohuar me sinqeritet të gjitha rrethanat, që mendoja se më pengonin në ushtrimin e detyrës së re. Por ai ishte këmbëngulës dhe me argumentet e tij mundohej të më bindte se kisha dhënë prova për ta përmbushur me sukses misionin e përfaqësuesit të popullit të zonës në Parlament.

Cilat ishin arsyet që hezitonit për të marrë përgjegjësinë e përfaqësuesit të zonës në Kuvendin e Shqipërisë?

Kishte disa arsye që më shtynin të isha hezituese. Kryesorja ishte gjuha. Unë nuk dija të lexoja e të komunikoja shqip. Shkolla pastaj ishte një tjetër pengesë. Rregullisht kisha mbaruar vetëm tetëvjeçaren në greqisht dhe vazhdoja me kurse natën të mesmen. Ndërkaq, isha një nënë me dy fëmijë dhe kisha lëvizur fare pak. E gjithë jeta ime përmblidhej në zonën e Dropullit dhe me rrugëtime të rralla vetëm në qytetin e Gjirokastrës. Me aq sa e mendoja deputeti duhej një figurë publike me vizion për vendin dhe kohën dhe mbi të gjitha ta kishte shkelur pjesën më të madhe të Shqipërisë.

Si e pritën zyrtarët hezitimin tuaj?

Pika më e fortë, siç e thashë, ishte gjuha. Parlamenti shqiptar, për mua minoritaren greke, ishte diçka e pakapshme. Të paktën për ato ditë. Atëherë nuk kishim as televizor dhe me çfarë bëhej në Kuvendin Popullor njiheshim vetëm nga gazeta “Zëri i Popullit”. Prania në të e udhëheqjes së lartë dhe e figurave më të rëndësishme të shtetit, të krijonte përshtypjen se aty mblidhej vetëm ajka e popullit. Si mund të bëhesha unë pjesë e tij? Si mund të komunikoja me ta kur nuk dija gjuhën zyrtare. Sa për gjuhën më thanë, shteti do të vërë përkthyese. Ju do të përfaqësoni aty hallet e zonës, të minoritetit, problemet e bujqësisë e të fshatit. Ato padyshim i njihni mirë e kjo do të ndihmojë jo vetëm juve, por edhe Parlamentin për t’u dhënë rrugëzgjidhje problematikave të ndryshme. Zëri juaj do të jetë mjaft domethënës. Me të tilla argumente më hodhën poshtë dhe arsyet e tjera, që paraqita në fillim të fushatës elektorale. Kështu në një farë mënyre kaluan momentet e para.

Pastaj nisi fushata elektorale dhe hezitimi i momenteve të para u harrua…

Nga kjo periudhë kam si kujtim posterin, si i thonë tani, afishes ku propagandohet biografia e kandidatit për deputet. Kuptohet, nuk ka vezullimin e letrave të deputetëve të sotëm, por është një relikt me vlerë për mua. Fushata e parë elektorale ishte një përvojë e re. Pavarësisht se nuk i ngjante fushatave të tanishme në pluralizëm, ishte një aksion politik me njerëzit fshat më fshat e shtëpi më shtëpi. Si kandidate e vetme e mbështetur nga forumet e partisë, por dhe nga organizatat e masave, ajo e frontit, e gruas, e rinisë etj., merrja kontakte me njerëzit, promovoja programin për zhvillimin e zonës, tërheqja mendimet e tyre për probleme e shqetësime të ndryshme dhe merrja përsipër zgjidhjen e tyre në bashkëpunim me organet shtetërore. Në një farë kuptimi, pavarësisht ideologjizmit të këtij komunikimi, që ishte i pashmangshëm për kohën, takimet me njerëz të kategorive të ndryshme, afishonin çështje të shumta me të cilat më duhej të angazhohesha në proces…

Më në fund u votuat, sigurisht 99 për qind…

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Në atë periudhë çdo votë kundër, lexohej votë antiparti që do të thoshte votë kundër pushtetit popullor. Në këtë kuptim nuk guxonte njeri për të dalë nga rreshti. Pastaj në garë nuk kishte kandidaturë tjetër për t’i vënë votuesit në rolin e zgjedhësit…

Vitori Çuri, gruaja nga Dropulli që nuk dinte shqip, mori mandatin e deputetit të Kuvendit shqiptar. Si e kujtoni ditën e parë të seancës parlamentare?

Isha në shtëpi në Dervician kur më lajmëruan për ditën që do të zhvillohej seanca parlamentare. Ishte një njoftim zyrtar, të cilin e mora tre katër ditë para. Kaq ishte e mjaftueshme të përgatisja një palë rroba të reja dhe të pajisesha me biletën e autobusit që do të udhëtoja. Në ditën e caktuar mbërrita në Tiranë. Aty filluan dhe peripecitë e para. Nuk dija sallën e Kuvendit dhe fillova të pyes sa zbrita nga treni. Dikush më shikonte me habi për shqipen e çalë dhe largohej pa më thënë gjë. Një tjetër pohonte se nuk e dinte. Mbaj mënd një grua të moshuar, e cila më orientoi për nga godina e Komitetit Qendror. Në këmbë shkova deri aty dhe i pari zyrtar që takova me orientoi me sallën e Kuvendit. Arrita aty në momentin kur do fillonte mbledhja. U takova me kolegët nga Gjirokastra dhe u futa në sallë. Zura vendin që më kishin caktuar dhe fillova të ndjek procedurën e seancës…

Aty u takuat për herë të parë me Enverin…

Pikërisht kur po zinim vendet në presidiumin e kryesisë së Parlamentit, Enveri u shkëput një çast nga karrigia e vet dhe u afrua duke më folur me emër, sikur më njihte prej kohësh. Ishte një moment emocionues, sidomos kur u përkul e më puthi dorën, duke u thënë të tjerëve se kishin të bënin jo me një deputete të zakonshme, por me një Heroinë të Punës Socialiste që vinte nga radhët e minoritetit. Mjaftoi kaq dhe salla u ndez nga brohoritjet…

Pra, ndërkaq kishit marrë dhe titullin Heroinë e Punës Socialiste…

Kjo kishte ndodhur disa vite më parë kur drejtoja Kooperativën e Gorancisë. Ishte një vlerësim për arritjet e larta në fushën e prodhimeve bujqësore dhe zgjerimin e veprimtarisë kulturore e artistike në zonën e Dropullit…

© Panorama.al

Te lidhura