Nëse bie Gjykata Kushtetuese!

Apr 3, 2024 | 9:09
SHPËRNDAJE

NGA EDVIN KULLURI edvin kulluri

Dy ditë më parë, Holta Zaçaj, kryetare e Gjykatës Kushtetuese, në një intervistë për një të përditshme është shprehur tekstualisht se “moszbatimi i vendimit të GJK për mandatin e ish-ministres Olta Xhaçka është një situatë e pazakontë dhe e pamendueshme në një sistem demokratik”. Ky konstatim është një nga ato sentencat e rënda të 33 viteve pluralizëm të lodhshëm deri në rraskapitje. Ose e thënë ndryshe, një nga pikat më të ulëta të cenimit të sistemit demokratik. Për më tepër, në një vend që kemi parë e dëgjuar lloj-lloj marrëzish të paktën që nga viti 1996. Por, pas miratimit të Kushtetutës së vitit 1998, shpresa se nga rrumpalla e viteve të para të demokracisë, do kalohej në një stabilitet institucional, ka qenë jo vetëm një mundësi, por edhe realitet në momente të caktuara.

Ajo ç’ka e bën të rëndë këtë deklaratë është dhe fakti se pas 33 vitesh kthehemi sërish në të njëjtën pikë. Dhe prej kujt? Partisë Socialiste që miratoi atë Kushtetutë, e më keq akoma, që drejtohet nga Rama, ishkundërshtar i ashpër i arbitraritetit të PD dhe Berishës në vitet 1992-1997. E nëse çështja do të kufizohej vetëm në rastin Xhaçka, mund ta konsiderojmë dhe një “incident të izoluar”. Por jo. Sepse dy vendimet e GJK në lidhje sistemin zgjedhor të shtyjnë drejt përfundimit se kjo është një trajektore e qarte dhe jo thjesht një “incident kushtetues”. Është një vijë sjelljeje politike e qartë dhe e përcaktuar politikisht. Dhe nuk ka rëndësi as momenti tejet i vështirë me të cilin mazhoranca po përballet me SPAK. Tek e fundit, kjo situatë është një moment politik, që në fund të ditës nuk mundet e as duhet të cenojë rendin kushtetues. Sepse rendi kushtetues qëndron mbi mazhorancën, opozitën e aq më shumë mbi personat politikë kushdo qofshin ata.

Nëse themi që liritë dhe të drejtat e individit garantohen nga Kushtetuta dhe ligji, deklarata e Holta Zaçes është një ulërimë që duhet të shkundë institucionet, partitë, mediat dhe në tërësinë e vet, shoqërinë. Por praktikisht çfarë ndodh? Ca e kanë mendjen te “dardhat”, ca te “ballkoni”, e të tjerët kush e di se ku! Dhe absurdi i sjelljes së aktorëve politikë arrin deri aty sa t’i quajnë 2 vendimet e GJK për sistemin zgjedhor si “hall i partive të vogla”. Por ama, po ata që mburren për demokraci, progres, luftë me regjimin etj., janë fshehur pas retorikave të kota e intrigave politike të momentin duke përdhosur “kontratën sociale”, ose dokumentin themeltar të shtetit, që na mban bashkë në të njëjtën shoqëri. Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Të vetmen garanci që ndan arbitraritetin nga liria, ligjin nga gjendja natyrore e kaosit, civilizimin nga barbaria. Po, po. Civilizimin nga barbaria. Sepse shkelja e hapur e Kushtetutës nuk është gjë tjetër veçse një gjuhë barbare politiko-juridike ndaj thelbit demokratik të sistemit. Ndarjes së pushteteve si garancia kryesore që qeveria apo individë fuqishëm të mos u kërcejnë mbi kurriz qytetarëve kur e si të duan.

Që ndryshimet e vitit 2008 e dobësuan kontrollin e pushteteve është e qartë. Që Kodi Zgjedhor i po atij viti i vuri dërrmën më keq akoma sistemit demokratik është një aksiomë. Çështja është se nuk ka asnjë reagim përveçse nga Partia Demokratikë dhe një dyzinë partish të vogla parlamentare dhe joparlamentare. Jo se kjo mjafton, pasi listat e hapura janë vetëm njëri nga mekanizmat për të na kthyer drejt normalizimit demokratik. Centralizimi i pushtetit duhet goditur që nga rishpikja e Parlamentit dhe Presidentit e deri tek një reformim themelor i qeverisjes vendore, aty ku njerëzit e prekin drejtpërdrejtë materializimin e vullnetit të tyre të lirë. Por të paktën kjo përpjekje është një pikënisje, të cilën dy kryetarë partish e nja gjashtë deputetë listash të mbyllura, duan ta varrosin me një shpikje alla shqiptare: nënkomision reformash për ligje me shumicë të cilësuar. E për t’i vënë kapakun përpjekjes për të mbytur lirinë, i këpusin edhe një dashuri në kohërat e kolerës Rama-Berisha që as Erjon Braçe e Çim Peka nuk po e ftillojnë dot.

Emri i Holta Zaçes mbase publikut nuk i thotë gjë, pasi kryetarja e Gjykatës Kushtetuese nuk është as rock star e as banore e “Big Brother” e aq më pak Armando Broja. Por një gjë është e sigurt. Është njeriu që qëndron në majën e garancive kushtetuese të sistemit demokratik. Ndaj duhet dëgjuar me dhimbje se ç’alarm ka ngritur, pavarësisht nga normaliteti i fjalorit që ka përdorur. Pasi në atë intervistë vetëm normalitet nuk ka, por një kambanë alarmi, që po nuk u dëgjua, do vërë poshtë ekuilibrat politikë dhe socialë të një vendi që “greminat” i njeh mirë. Pikërisht për faj të vetë shqiptarëve e jo partnerëve të huaj, që na kanë zënë për bishti e na kanë tërhequr bash kur kemi qenë duke rënë poshtë. Sa për kujtesë, më 1997 diktatura komuniste për pak sa na u duk si një kohë e paqtë. Ndaj dallimi mes Holtës dhe Oltës është më shumë se dramatik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura