Në korrik, në Uashington

Apr 15, 2024 | 9:38
SHPËRNDAJE

NGA LEONARD DEMI leonarddemi

Shtatëdhjetë e pesë vjet më parë, më 4 prill 1949, u themelua Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut, NATO: aleanca më e madhe ushtarake në historinë e njerëzimit, që për 75 vjet me radhë siguroi paqe, demokraci dhe përparim për një miliard njerëz. NATO mbështeti kombin shqiptar të dalë nga lufta në paqe, nga shpërbërja në zhvillim të qëndrueshëm për një të ardhme dhe një shoqëri demokratike të drejtuar nga ligji dhe ekonomia e tregut të lirë. Por, festimet dhe dollitë për unitetin, në shumë raste, shprehin edhe shqetësimin për luftën në Ukrainë dhe mundësinë e ndryshimeve politike në Shtetet e Bashkuara, që mund të venë në pikëpyetje dispozitat e sigurisë kolektive. Me këtë rast, Presidenti Bajden thotë: “Ne duhet të kujtojmë se angazhimi ynë i shenjtë ndaj aleatëve tanë për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s i bën SHBA edhe më të sigurta dhe u jep një mburojë sigurie të pakrahasueshme”.

9-11 KORRIK 2024

Në Samitin e shtatëdhjetë e pesë vjetorit, më 9-11 korrik, në Uashington, NATO do të rifuqizojë qëllimin e vet më të madh: mbrojtjen kolektive dhe sigurinë e të gjithë aleatëve kundër çdo kërcënimi. Ky Samit synon të modernizojë më tej shkurajimin dhe mbrojtjen duke transformuar qasjen ndaj tyre me teknologjinë dhe armët më të reja përtej modelit tradicional, rritjen e kapacitetit të NATOs për operacione në shumë fusha (ajër, tokë, ujë, hapësirë, kibernetikë, informacion) me koncepte të reja operacionale, njësi të trajnuara për këtë hop dhe me më shumë fonde për të mbështetur këto ndryshime. Pos këtij qëllimi, para Samitit qëndron anëtarësimi i Ukrainës në NATO.

A DO TA MARRË UKRAINA FTESËN NË UASHINGTON?

Jo. Në festimet e Uashingtonit, Ukraina nuk do ta marrë ftesën për t’u anëtarësuar në NATO. Aleanca ende nuk ka arritur konsensusin. Druhet se lufta në Ukrainë mund të përshkallëzohet dhe, sipas nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit, NATO mund të përfshihej në luftën më të madhe tokësore në Evropë që nga viti 1945.

SHBA dhe Gjermania, krejt ndryshe nga shtetet baltike dhe Polonia, kundërshtojnë fillimin e negociatave për anëtarësimin e Ukrainës në Samitin e Uashingtonit, bile duan që kjo çështje të hiqet nga tryeza e korrikut. Ata dëshirojnë t’i ofrojnë Ukrainës angazhime specifike, të cilat mund t’i përmbushin. Madje, edhe përpjekjet për të përcaktuar qartë kushtet, që duhet të plotësojë Ukraina për të filluar bisedimet me NATO-n për anëtarësim, ende nuk kanë përparuar. Në takimin e radhës të ministrave të Jashtëm, më 3 prill, në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, vërejti: “Pyetja nuk është “nëse”, por “kur?”

Në realitet, SHBA dhe Gjermania nuk synojnë të angazhohen për një plan kalandarik, pasi dëshirojnë të mënjanojnë përshkallëzimin e konfliktit dhe refuzojnë çdo përfshirje të drejtpërdrejtë të NATO-s kundër Rusisë. Disa aleatë, si Franca, bëjnë thirrje për “unitet”, duke shpresuar se formula e negociuar në Samitin e Vilniusit, të paktën do të konfirmohet. Ndërsa shtetet baltike dhe Polonia kërkojnë që Samiti i Uashingtonit të japë më shumë se Vilniusi, në mënyrë që t’i tregojnë Vladimir Putinit se nuk do të mund të fitojë në Ukrainë. Kjo e ka shtyrë NATO-n të kërkojë një rrugë të mesme, diçka më pak se anëtarësimi, por mjaftueshëm domethënëse për të treguar se Aleanca po e mbështet Ukrainën dhe për gjatë. Në këtë perspektivë, po bëhen përpjekje për një pakete masash mbështetëse, dmth., garanci të reja, në mënyrë që udhëheqësit e Aleancës, kur të takohen në Uashington, t’i dërgojnë një sinjal të fortë Ukrainës, të ngjashëm me atë që thotë kreu i diplomacisë britanike, Lordi Cameron: “Më afër se kurrë me NATOn dhe t’i japim atë që i nevojitet për të fituar luftën”.

PËRKUSHTIM PËR TË MBËSHTETUR UKRAINËN

Të gjithë anëtarët e NATO-s janë të një mendje për të mbështetur Ukrainën dhe që Aleanca të ketë një rol më të madh në koordinimin e ndihmës ushtarake dhe trajnimin. Kësisoj, Sekretari i Përgjithshëm ka parashtruar dy çështje për miratim: NATO të jetë përgjegjëse për koordinimin e donacioneve ushtarake për Ukrainën dhe Ukrainës t’i ofrohen 100 miliardë dollarë ndihmë për pesë vjet. Po kështu, Këshilli i Atlantikut të Veriut i ka kërkuar Gjeneral Cavol-it, Komandanti Suprem i NATO-s, të hartojë një plan ndihme ushtarake, që i nevojitet Ukrainës për vitet në vijim.

GRUPI RAMSHTAJN

Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës apo Grupi Ramshtajn është një aleancë prej 56 vendesh (32 anëtarë të NATO-s dhe 24 vende të tjera), që u ngrit në prill 2022. Mblidhet çdo muaj për të koordinuar ndihmën ushtarake, që i dhurohet Ukrainës dhe drejtohet nga SHBA. Ky grupim është një nga strukturat më të suksesshme të ngritura nga Perëndimi vitet e fundit, që amerikanët nuk kanë dashur t’ia besojnë NATO-s.

Nisma e zotit Stoltenberg për t’i dhënë NATO-s autoritetin për koordinimin e donacioneve ushtarake synon të vendosë ndihmat, që ofrohen për Ukrainën, nën përgjegjësinë politike të të gjithë aleatëve; të mbrojë këtë forum nga pasojat e rikthimit të mundshëm të zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe Aleanca të marrë më shumë përgjegjësi për ta mbështetur Ukrainën efektivisht në përpjekjet e veta për anëtarësim.

Studiues të ndryshëm besojnë se propozimi jep një mesazh të qartë se Aleanca është e bashkuar në dëshirën për të institucionalizuar një strukturë më të fuqishme për mbështetjen e Ukrainës për një afat të gjatë.

Hungaria dhe disa aleatët të tjerë e kundërshtojnë këtë nismë, sepse mund të tërheqë NATO-n më drejtpërdrejt në luftë. Ministri hungarez i Punëve të Jashtme, Szijjarto, thekson se vendi i tij “nuk do të mbështesë asnjë nismë të NATO-s, që mund ta sjellë Aleancën më afër luftës, ose që mund ta zhvendosë atë nga një koalicion mbrojtës në një koalicion sulmues”.

Propozimi kundërshtohet edhe nga SHBA-të, thotë ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara në NATO, Daalder, edhe pse administrata e Bajdenit ka qenë e kujdesshme që të mos e kritikojë publikisht. Sekretari i Shtetit Blinken e trajtoi këtë çështje vetëm duke lavdëruar procesin aktual, të udhëhequr nga Amerika, për “rezultate të jashtëzakonshme”. Ndërsa, këshilltari i komunikimit për sigurinë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Kirby, tha se nguronte të shprehej përpara bisedimeve “paraprake” ndërmjet aleatëve të NATO-s, por sugjeroi se SHBA nuk janë të interesuara të dorëzojnë udhëheqjen e tyre. “Grupi i kontaktit ka qenë shumë, shumë efektiv”, – u tha ai gazetarëve, “Ne do të vazhdojmë ta udhëheqim… dhe ne e dimë se udhëheqja jonë është e rëndësishme”

100 MILIARDË DOLLARË

Nisma tjetër për t’i dhënë Ukrainës 100 miliardë dollarë ndihmë gjatë pesë vjetësh synon të sigurojë mbështetje afatgjatë ushtarake për Ukrainën dhe ta mbrojë atë nga ndryshimet politike, pavarësisht se kush zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara. Megjithëse diskutimet janë në fazat e hershme, bien në sy dallime të rëndësishme. Shumë aleatë, të befasuar nga shifra, kanë pyetje të ndryshme mbi natyrën e fondit, mënyrën e financimit etj., por deri tani, NATO nuk ka ofruar ndonjë përgjigje të qartë.

Hungaria është ndër kundërshtarët më të zëshëm për krijimin e këtij fondi. Ministri Szijjarto deklaroi se Hungaria nuk është e gatshme të kontribuojë në fondin e ndihmës ushtarake prej 100 miliardë eurosh për Ukrainën. Më tej vëren se nëse NATO miraton një paketë prej 100 miliardë eurosh për një periudhë pesëvjeçare, shpenzimet shtesë për buxhetin hungarez do të rriten në 10 miliardë euro dhe thekson se paratë e taksapaguesve hungarezë nuk janë të përshtatshme për zbatimin e një vendimi, që mbart rrezik lufte. Qeveria hungareze ka kërkuar prej kohësh të distancohet nga nismat për të financuar luftën e Ukrainës kundër Rusisë, shembull në këtë drejtim ishte edhe vetoja e vet, për njëfarë kohe, kundër planit të BE-së për t’i ofruar Ukrainës 50 miliardë euro. Po kështu, Ministrja e Jashtme gjermane Baerbock, ka shprehur skepticizëm rreth këtij plani. Madje, vetë Kancelari Scholz, edhe pse ka dërguar në Ukrainë armë dhe municione me vlerë miliarda dollarë, nguron t’i japë Kievit sistemin raketor Taurus dhe kundërshton huamarrjen e përbashkët evropiane, që mund të sigurojë miliarda për riarmatimin e kontinentit në një kohë vështirësish buxhetore.

Ndërsa, ministri i Jashtëm spanjoll bën thirrje për shmangien e kontabilitetit të dyfishtë. Një burim i lartë nga Brukseli nënvizon: “Kjo mbetet një perde tymi, pasi NATO nuk ka as buxhet dhe as mjete për të inkurajuar aleatët të mbledhin para”. Buxheti vjetor i NATO-s nuk i kalon 5 miliardë euro. Por, nëse ideja është e realizueshme, mund të ndihmojë Kievin të përballojë sulmin e Rusisë. Megjithatë, ajo lë pa përgjigje pyetjen kritike se si Evropa do të sigurojë mbrojtjen e vet përballë agresionit në rritje të Moskës.

Burime informative bëjnë të ditur se këto propozime i ka sugjeruar një institut kërkimor i kryesuar nga Andriy Yermak, krahu i djathtë i Presidentit Zelensky dhe nga ishSekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Fogh Rasmussen, për ta afruar Ukrainën gjithnjë e më shumë me NATO-n.

Diskutimet për të arritur në një propozim konsensusi do të vazhdojnë deri në prag të Samitit të Uashingtonit. Por, në mungesë të një kompromisi të menjëhershëm, zoti Stoltenberg kërkon që marrëveshjet dypalëshe të sigurisë, që shtetet aleate kanë nënshkruar me Ukrainën, si: Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia dhe Holanda të futen nën ombrellën e NATO-s.

EPILOG

Aleatët europianë po i ofrojnë Ukrainës ndihmë të pashembullt ushtarake, financiare dhe humanitare. Së shpejti, Franca do të dërgojë më shumë obuzë të tipit Cezar, Gjermania po bën gati një sistem “shtesë” të mbrojtjes ajrore Patriot, kurse disa aleatë i janë bashkuar nismës çeke për të siguruar edhe 800,000 predha artilerie. Në Poloni, NATO po ngre Qendrën e Përbashkët të Analizës, Trajnimit dhe Edukimit, ku forcat ukrainase mund të stërviten bashkë me trupat aleate.

Pak ditë më parë, në një seancë dëgjimore, gjeneral Cavoli i theksoi Komisionit të Mbrojtjes të Dhomës së Përfaqësuesve (Armed Services Committee) se Ukrainës do t’i mbarojnë predhat e artilerisë dhe municionet e mbrojtjes ajrore nëse nuk e mbështesin SHBA. Po kështu, Presidenti Zelensky i tha platformës ‘United24’: “Ukraina do ta humbasë luftën pa ndihmën amerikane”. Dhe, ndërsa ndihma mbetet e bllokuar në Kongres, Rusia po përparon në fushën e betejës në Ukrainën Lindore. Sidoqoftë, këtë javë, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, pritet t’u kërkojë republikanëve të miratojnë një version të ri të ndihmës prej 60 miliardë dollarë. Por, edhe nëse ndihma miratohet së shpejti, vonesa gjashtëmujore tregon se ndihma e ardhshme nuk është e garantuar, veçanërisht nëse republikanët do të fitojnë zgjedhjet presidenciale të këtij fundviti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura