Në Hiroshima

May 29, 2023 | 8:25
SHPËRNDAJE

NGA LEONARD DEMI

leonarddemi

Është më mirë të jesh këtu, gati për të mbrojtur paqen, sesa të fshihesh përtej detit dhe të nxitosh të përgjigjesh vetëm pas humbjes së lirisë…

Ronald Reagan

Më 19-21 maj 2023, në Hiroshima, u mbajt samiti vjetor i G7-s: Amerikë, Kanada, Mbretëri e Bashkuar, Francë, Itali, Gjermani, Japoni. Hiroshima nuk u zgjodh pa arsye: sot, ky qytet është kthyer në simbol të paqes, por në të kaluarën e vet historike ishte zemra e industrisë ushtarake japoneze dhe baza e Divizionit të 5-të të ushtrisë perandorake, që bëri në Azi masakrat dhe mizoritë më të padëgjuara.

Mbajtja e Samitit në Hiroshima dëshmon përkushtimin e Japonisë për paqe. Përparësia kryesore e këtij tubimi që Ukraina. Liderët e G7-ës dhe të BE-së morën vendime të reja që Rusia të dështojë në agresionin e paligjshëm kundër Ukrainës. Ata u zotuan të mbështesin Kievin me ndihma ushtarake, humanitare, financiare dhe diplomatike për aq kohë sa do t’i duhet Ukrainës të arrijë një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme. Udhëheqësit e G7 premtuan të zgjerojnë sanksionet ekzistuese mbi prodhimin, ndërtimin, transportin, shërbimet, mbi mjetet dhe makineritë industriale, që i japin mundësi Rusisë të ndërtojë pajisje ushtarake.

Këto sanksione synojnë të godasin, veçanërisht, teknologjinë ruse, pajisjet industriale dhe shërbimet, që mbështesin makinën e saj të luftës. Sekretari amerikan i Shtetit vërejti në një deklaratë se sanksionet e reja do të synojnë komponentët e prodhimit të dronëve. Ato kanë në shënjestër edhe kompanitë, që ndihmojnë Rusinë të importojë armë, përfshirë masa të reja kundër palëve të treta, si Koreja e Veriut, që furnizojnë me armë Rusinë. Shtatë vendet më të industrializuara të botës vendosën të marrin masa të mëtejshme që Rusia të mos jetë më në gjendje të përdorë energjinë si armë për t’i pakësuar edhe më të ardhurat, që përdor për të financuar luftën.

Rusia, vërejnë liderët e G7-ës, e filloi këtë luftë dhe ajo mund t’i japë fund asaj. Ata premtuan të mobilizojnë të gjitha mundësitë e tyre politike dhe, së bashku me Ukrainën, do të bëjnë çdo përpjekje për të arritur një paqe të suksesshme.

Zelenski në Hiroshima

Me sugjerimin e kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, qeveria japoneze, ftoi Presidentin Zelenski të marrë pjesë në samit. Prania e Zelenskit në Hiroshima theksoi kundërvënien e demokracive ndaj autokracive, duke veçuar Moskën dhe Pekinin si kërcënime binjake të një rendi botëror demokratik dhe i dha atij mundësinë t’iu bëjë thirrje liderëve të shtrëngojnë më tej sanksionet kundër Rusisë dhe t’i japin Ukrainës më shumë pajisje ushtarake, veçanërisht, avionë luftarakë.

Hiroshima, gjithashtu, i dha mundësi Presidentit ukrainas të bisedojë me të ftuarit, veçanërisht, me kryeministrin indian Modi dhe Presidentin Lula të Brazilit, të cilët kanë mbajtur qëndrime të dyzuara ndaj agresionit rus. Në këtë takimi të parë, kryeministri indian i kumtoi Presidentit Zelenski se do të bënte gjithçka që mundej për të gjetur një zgjidhje për konfliktin. Në ligjërimin e vet, Presidenti Zelensky tërhoqi vëmendjen e pjesëmarrësve se qytetet e Ukrainës mund të kenë një fat të ngjashëm me atë që pësoi Hiroshima në vitin 1945, nëse bota nuk e ndihmon të zmbrapsë sulmin e Rusisë.

Avionët luftarakë F16

Presidenti Bajden u tha udhëheqësve të G7-ës se Uashingtoni do të lejojë transferimin e avionëve luftarakë F-16 në Ukrainë dhe do të mbështesë aleatët të trajnojnë pilotët ukrainas. Holanda dhe Danimarka janë të gatshme t’i japin Ukrainës avionë F-16 për të krijuar deri në tre skuadrilje: 24 apo 36.Vende të tjera evropiane, që mund të kontribuojnë janë: Belgjika, Polonia, Bullgaria, Norvegjia, Portugalia dhe Rumania(rreth 70).Burimet diplomatike bëjnë të ditur se lëvrimi i tyre mund të fillojë në vjeshtë të këtij viti. Javët e fundit, këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Sullivan, u takua me zyrtarë britanikë, francezë dhe gjermanë për të diskutuar logjistikën e trajnimit të pilotëve ukrainas. Po kështu, ai bisedoi me ekspertët holandezë dhe polakë për dërgimin e avionëve luftarakë F-16 në Ukrainë. Ukraina e kërkon këtë model për tri arsye: së pari, se ai mund të kryejë shumë misione, së dyti, mund të sigurohet më lehtë (sot, në botë, ka rreth 4000 F-16) dhe së treti, mund të transformohet me lehtësi.

Ofensiva e re

Ukraina pritet të nisë shpejt, apo këto ditë, një kundërofensivë të madhe për të rimarrë më shumë territore të pushtuara nga Rusia. Sipas vëzhguesve dhe disa zyrtarëve ukrainas, kjo luftë është e afërt sepse ka filluar në ajër. Ndërsa të dyja palët ndërluftuese vëzhgojnë me kujdes furnizimet ushtarake, përpiqen të shkatërrojnë mbrojtjen ajrore kundërshtare se vetëm në këtë mënyrë dronët, raketat dhe bombarduesit do të kenë mundësi të neutralizojnë objektivat. Në këtë fazë të luftimeve, ushtria Ukrainase nuk do të ketë mundësi të përfitojë nga avionët F16.

Keqshfrytëzimi i trashëgimisë sovjetike

Më 2 maj, në inaugurimin e një linje tramvaji në Mariupol (10 km nga 100 që ushtria ruse i ka hedhur në erë), Vladimir Putini e krahasoi fatin e këtij qytetit me atë të Leningradit gjatë bllokadës gjermane të viteve 1941-1944. Paralelizmi midis Luftës së Madhe Patriotike dhe “Operacionit Special Ushtarak” është fantazia dhe shtrembërimi më i pamoralshëm historik. Kujtimin e fitores të vitit 1941 Presidenti rus e ka kthyer në gurthemel të rishkrimit të historisë ruse me qëllim që t’i japë vendit një identitet fiks dhe të mitologjizuar: atë të një kombi që mund të jetë viktimë vetëm e agresorëve nazistë, ndërsa kremtimin e Luftës së Madhe Patriotike e përdor për t’i bërë rusët të pranojnë konfliktin në Ukrainë.

Nëntorin e kaluar, Presidenti Putin priti në rezidencën e vet në Novo-Ogarevo një grup nënash dhe grash, të përzgjedhura me kujdes, që kishin djemtë apo burrat të mobilizuar. Presidenti i falënderoi këto gra për “kontributin” e tyre në “përpjekjet kombëtare”: “Fakti”, vijoi ai, “që djemtë tuaj kanë zgjedhur t’i shërbejnë atdheut, të mbrojnë Rusinë dhe popullin tonë, është rezultat i punës suaj, të shembullit tuaj”, dhe, më tej, u shprehu ngushëllimet atyre që kishin humbur të dashurit e tyre. Pjesë të përzgjedhura nga ndërhyrjet e të ftuarave u transmetuan qëllimisht në rrjetet sociale.

Jugu Global dhe përpjekjet për paqe

Vendet në Zhvillim apo Jugu Global e kanë mbështetur presidentin rus dhe pa këtë përkrahje e ka të vështirë të vazhdojë luftën. Kësisoj, ai nuk mund të tregohet i dobët se do t’i largoheshin kinezët, por edhe një Rusi tepër e dhunshme është e rrezikshme për ta, prandaj, për të, këto dukuri duhet të qëndrojnë në ekuilibër. Muajt e fundit janë shfaqur një mori nismash diplomatike, si: kineze, braziliane, arabe, apo afrikano-jugore, ku Presidenti Ramaphosa njoftoi formimin e një delegacioni të liderëve të gjashtë vende afrikane: Zambias, Senegalit, Republikës së Kongos, Ugandës dhe Egjiptit për t’u takuar veçmas me Presidentin Zelensky dhe Presidentin Putin në një përpjekje për të gjetur një zgjidhje paqësore për konfliktin shkatërrues (vitin e kaluar, katër prej këtyre vendeve abstenuan në votimin e OKB-së, që dënoi pushtimin rus, ndërsa Afrika e Jugut është akuzuar nga zyrtarët amerikanë se, dhjetorin e kaluar, i ka ofruar Rusisë armë dhe municione.).

Zyrtarët ukrainas janë kategorikë ndaj nismave aktuale dhe theksojnë se Rusia nuk është një bashkëbisedues i sinqertë. Pas takimit me Papën, Presidenti Zelensky i tha televizionit italian Rai1 se me Putinin nuk mund të bëhet ndonjë ndërmjetësim, ai thjesht di të vrasë. Më herët, Ministri i Jashtëm Kuleba i bëri të ditur të dërguarit kinez se Ukraina nuk pranon asnjë propozim që do të pranonte humbjen e territoreve të veta ose ngrirjen e konfliktit (dy elementë të planit të paqes të Kinës). Gjatë fluturimit për në Hiroshima, Zelensky mori pjesë edhe në samitin e liderëve arabë me synim përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe lidhjeve të Ukrainës me botën arabe. “Fatkeqësisht,” tha ai në këtë samit, “në botë, si dhe këtu, mes jush, ka disa që mbyllin sytë para pushtimit të paligjshëm të Rusisë. Unë erdha këtu, që të gjithë të mund të hedhin një vështrim të sinqertë, pavarësisht se sa fort përpiqen rusët të ndikojnë.”

Përdorimi i armëve atomike

Këto ditë, Rusia ka filluar të transferojë armë bërthamore në territorin e Bjellorusisë. Moska njoftoi se po i dërgon fqinjit të vet armë bërthamore taktike në përgjigje të asaj, që e quajti një “përshkallëzim të mprehtë” në kufirin e saj perëndimor, kurse ministri i Mbrojtjes i Bjellorusisë, e përcaktoi si “përgjigje e fortë ndaj politikës agresive” të shteteve “jomiqësore”. Dështimet e ushtrisë ruse janë bërë një faktor i madh gjeopolitik në Azi, në Lindjen e Mesme dhe në rajone të tjera, ku u zbulua se Rusia nuk është fuqia që ata imagjinonin.

Por, këto vende ende besojnë tek fuqia e fshehtë e Rusisë dhe këtu ngre krye një rrezik: ai i armëve taktike bërthamore dhe hipersonike. Nëse kundërofensiva ukrainase nuk arrin objektivin e vet, Rusia mund të vazhdojë një lloj lufte artriti, të cilën do ta shesë si fitore. Por, nëse kundërofensiva do të jetë një fitore shumë e qartë e Ukrainës, Presidenti Putin do të gjendej në një situatë të ndërlikuar, e cila mund të rriste së tepërmi trysninë për të përdorur armën taktike. Shumë strategë nuk besojnë se Presidenti rus do të përdorë armën taktike. Një pjesë syresh mendojnë se një goditje taktike nuk do të ndryshonte ekuilibrin e forcave dhe zoti Putin do të humbte gjithë besueshmërinë në Rusi dhe në arenën ndërkombëtare, veçanërisht, të kinezëve.

Qasja e Kinës

Kina e alarmuar se vendet perëndimore, që mbështesin Ukrainën, po kthejnë vëmendjen e tyre në Azi, po zhvillon takime të ndërsjella me zyrtarë të lartë rusë për të rritur marrëdhëniet e sigurisë dhe tregtisë. Kina, furnizuesi i vetëm i Rusisë për mikroçipe dhe një nga klientët më të mëdhenj të energjisë ruse është e gatshme të dyfishojë marrëdhëniet e veta me Rusinë pas samitit të G7, sepse temë qendrore e samiti ishte jo vetëm Ukraina, por edhe Kina dhe mënyra sesi Perëndimi duhet ta trajtojë atë.

Javën e samitit, media shtetërore kineze sulmoi Tokion, duke e akuzuar se i frynë Shteteve të Bashkuara mbi kërcënimin e Kinës në mënyrë që Japonia të mundë të ndryshojë kushtetutën e vet për të ringritur ushtrinë e saj. Por, shfaqja e unitetit të demokracive të G7 pranë brigjeve të Kinës ka të ngjarë të nxitë pretendimet kineze se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të bashkojnë aleatët e vet për të provokuar një konflikt në rajon. Kësisoj, Kina dhe Rusia po lidhen ngushtë edhe për shkak të një dëshire të përbashkët: të dobësojnë dominimin global të Shteteve të Bashkuara.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura