“Në hetimet e çështjeve për herë të parë janë futur agjentë të infiltruar”- Altin Dumani: SPAK ka akses në disa database shtetërore. Ja procedimet penale për ish-zyrtarë të lartë

May 26, 2023 | 11:40
SHPËRNDAJE

Kreu i SPAK, Altin Dumani ka prezantuar punën e SPAK para Komisionit të Ligjeve. Në fjalën e tij Dumani u ndal tek mjetet e posaçme të hetimit, që sic tha ai për herë të parë janë futur edhe agjentë të infiltruar.

Sipas Dumanit, SPAK po ashtu ka rritur edhe aksesin në databeset shtetërore, duke i thënë mundësi siç tha ai për të mënjanuar zbulimin e hetimit.

“Në lidhje me mjetet e posaçme të hetimit, përveç përgjimeve telefonike po aplikohen  të gjitha mjetet për një çështje, si vëzhgime, simulime dorëzimi i kontrolluar, letër porosi dhe për herë të parë edhe agjentë të infiltruar.

Në vitin 2022 pjesën më të madhe të procedimeve penale e kryesojnë ato të korrupsionit me 69 procedime penale.

Është rritur gama e databasëve shtetërore, ku SPAK ka akses të drejtpërdrejtë në sistemin e gjendjes civile, në ASHK në drejtorinë e burgjeve në drejtorinë e përgjithshme të shërbimit të transportit rrugor, sistem e policisë së shtetit, TIMS etj. Pasja direkt akses në këto sisteme mundëson që SPAK dhe BKH marrin  informacion nga këto sisteme dhe duke mënjanuar zbulimin e hetimit. Kjo është një arritje për SPAK”, tha Dumani.

Hetimet për zyrtarët e lartë

Sa i takon hetimeve për zyrtarë të lartë, Dumani tha se janë hetuar 24 procedime penale me 25 persona në hetim të ish zyrtarëve të nivelit të lartë.

“Për periudhën 2020-2022 rezulton se janë hetuar 24 procedime penale me 25 persona në hetim ndaj ish zyrtarëve të nivelit të lartë. Nga këto janë dërguar në gjykatë 8 procedime penale me 8 ta pandehur ish gjyqtarë, me 3 të pandehur ish prokurorë, një procedim me dy të pandehur ish deputetë, një procedim penal me një të pandehur ish-zv ministër, një procedim penal me një të pandehur anëtarë KPK dhe 4 procedime penale me 4 të pandehur ish-kryetar bashkie”, tha ndër të tjera Dumani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura