Ndryshon udhëzimi, Ministria: Banesa sociale për qiramarrësit e ish-pronarëve

Dec 30, 2013 | 9:03
SHPËRNDAJE

Nga mbledhjet e Qeverisë
Ministrja e Zhvillimit Urban: Jo ekzekutim të lirimit të shtëpive gjatë natës apo dimrit. Çfarë ndryshon për të pastrehët.

Strehimi, urdhri i ri i Gjermenit.
“Kredi ose strehim për qiramarrësit e shtëpive të ish-pronarëve”

Enti Kombëtar i Banesave duhet të sigurojë kredi ose strehim për personat që kanë zënë shtëpitë e ish-pronarëve.  Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, ka nxjerrë pak ditë më parë urdhrin nr. 34, ku Enti Kombëtar i Banesave detyrohet të marrë masat e nevojshme për të mos rënduar kushtet e jetesës për personat që duhet të lënë, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, banesat e zëna të ish-pronarëve. Konkretisht, Enti duhet të verifikojë dhe të sigurohet që familjarët banues në ish- banesat e pronarëve të jenë sistemuar. “Enti Kombëtar i Banesave, përpara dërgimit të kërkesës për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit duhet të ofrojë kredi dhe/ose strehim sipas dispozitave ligjore në fuqi me qëllim që jeta e tyre të mos cenohet dhe të mos vihet në rrezik; kufizohet në dërgimin e kërkesës për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit gjatë periudhës së ftohtë të dimrit; të jetë prezent në fazën e zbatimit të urdhrit të ekzekutimit dhe të monitorojë mbarëvajtjen e procesit; të sigurojë që ekzekutimi i urdhrit ekzekutiv të mos realizohet gjatë natës; të sigurojë që sendet, pajisjet dhe mobiliet e familjes së nxjerrë me forcë të mos dëmtohen; të sigurojë që shpenzimet e transportit të familjeve të nxjerra me forcë të përballohen nga pronari”, thuhet në pikën 3/1 të urdhrit që disponohet edhe nga gazeta “Panorama”. Në të njëjtën kohë, ministrja Gjermeni ka parashikuar në një paragraf më vete edhe “shpërnguljen” e personave të cilët në familjet e tyre kanë të afërm mbi 70 vjeç, ose gra shtatzënë.
Kompetencat e Entit
Enti, sipas ndryshimeve të fundit, duhet të sigurojë strehim në banesa sociale, ose bonuse strehimi. “Në rastin kur në përbërje të familjes ka persona të moshuar mbi 70 vjeç, fëmijë deri në moshën 15 vjeç, grua shtatzëna apo persona të sëmurë dhe kur kushtet e banimit janë jashtë standardeve për një jetesë të përshtatshme, Enti Kombëtar i Banesave të bashkëpunojë menjëherë me strukturat përkatëse vendore, Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për të siguruar strehimin e tyre në banesa me qira. Në rastin kur nuk disponohet banesa sociale me qira, deri në sigurimin e tyre familja ndihmohet me bonuse strehimi”, thuhet më tej në aktin nënligjor.

Urdhri i Gjermenit
Disa shtesa dhe ndryshime në urdhrin nr. 125, datë 31.10.2012 “Për marrjen e masave në EKB, për zbatimin e aktit normativ    nr. 3, datë 01.08.2012, “Për lirimin e banesave të pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara.
Në mbështetje të pikës 4 të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës, nenit 6 të ligjit nr.9000, datë 30.01.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave; ligjit 8485, datë 12.05.1999, “Kodi i procedurës administrative të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar; Aktit Normativ nr.3, datë 01.08.2012 “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara”, i miratuar me ligjin nr.82/2012, datë 13.09.2012.
•    Nisur nga problematika e evidentuar gjatë zbatimit të aktit normativ nr.3, datë 01.8.2012
•    Nga fakti që nxjerrja e urdhrit të ekzekutimit nga EKB bëhet vetëm duke u bazuar në deklarimin e pronarit, ku pasaktësitë në deklarime kanë sjellë pasoja të rënda për familjen qiramarrëse.
•    Duke konsideruar komentin nr.7 të Komitetit të të Drejtave Ekonomike, Sociale dhe Kulturore.

Urdhëroj:
Në urdhrin nr.125 të bëhen këto shtesa dhe ndryshime.
Në fund të fjalisë së parë, të paragrafit të dytë, të pikës 3, të shtohet shprehja: “Të verifikuar nga strukturat përkatëse të njësisë vendore”.
Pas pikës 3, shtohen pikat 3/1, 3/2 dhe 3/3 me këtë përmbajtje:
3/1 Enti Kombëtar i Banesave, përpara dërgimit të kërkesës për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit duhet të:
•    Verifikojë, kontrollojë dhe të sigurohet që familjaret banuese në ish-pronë të jenë sistemuar;
•    Kredi dhe/ose strehim sipas dispozitave ligjore në fuqi, me qëllim që jeta e tyre të mos cenohet dhe të mos vihet në rrezik;
•    Kufizohet në dërgimin e kërkesës për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit gjatë periudhës së ftohtë të dimrit;
•    Të jetë prezent në fazën e zbatimit të urdhrit të ekzekutimit dhe të monitorojë mbarëvajtjen e procesit;
•    Sigurojë që ekzekutimi i urdhrit ekzekutiv të mos realizohet gjatë natës;
•    Sigurojë që sendet, pajisjet dhe mobiliet e familjes së nxjerrë me forcë të mos dëmtohen;
•    Sigurojë që shpenzimet e transportit të familjeve të nxjerra me forcë të përballohen nga pronari;
Në rastin kur në përbërje të familjes ka persona të moshuar mbi 70 vjeç, fëmijë deri në moshën 15 vjeç, grua shtatzënë apo persona të sëmurë dhe kur kushtet e banimit janë jashtë standardeve për një jetesë të përshtatshme, Enti Kombëtar i Banesave të bashkëpunojë menjëherë me strukturat përkatëse vendore, Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për të siguruar strehimin e tyre në banesa me qira. Në rastin kur nuk disponohet banesa sociale me qira, deri në sigurimin e tyre familja ndihmohet me bonuse strehimi.
3/2 në zbatim të nenit 4 të aktit normativ, EKB duhet t’u kërkojë urgjentisht këshillave të njësive të të qeverisjes vendore vënien në dispozicion të banesave sociale me qira për qytetarët e pastrehë, banues në banesa ish-pronë.
Gjithashtu, t’u kërkohet këshillave të njësive përkatëse të rezervojnë apartamente sociale me qira, të ndërtuara me kredinë e Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës për strehimin e përkohshëm të rasteve emergjente. Verifikimi i rasteve emergjente të bëhet nga EKB, në bashkëpunim me strukturat përkatëse në bashki dhe komunë.
3/3 EKB, për rastet emergjente të familjeve banuese në ish-pronë, të marrë masa për sigurimin e strehimit të përkohshëm të tyre nga kontingjenti i ndërtimeve të apartamenteve që siguron me fondet e veta.

Procedura
Enti të bashkëpunojë me vendorët për banesat
Në urdhrin e fundit të nxjerrë nga ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, i kërkohet Entit Kombëtar të Banesave që të bashkëpunojë ngushtësisht me këshillat e njësive të qeverisjes vendore për të shfrytëzuar banesat sociale me qira për strehim e familjeve që duhet të largohen nga shtëpitë e ish- pronarëve. Në pikën 3/2 të aktit të nxjerrë pak ditë më parë, thuhet se “në zbatim të nenit 4, të aktit normativ, EKB duhet t’u kërkojë urgjentisht këshillave të njësive të qeverisjes vendore vënien në dispozicion të banesave sociale me qira për qytetarët e pastrehë, banues në banesa ish-pronë”. Gjithashtu, sipas këtij akti, Enti Kombëtar i Banesave duhet t’u kërkojë këshillave të njësive përkatëse të rezervojë apartamente sociale me qira, të ndërtuara me kredinë e Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës për strehimin e përkohshëm të rasteve emergjente. “Verifikimi i rasteve emergjente të bëhet nga EKB, në bashkëpunim me strukturat përkatëse në bashki dhe komunë”, thuhet më tej në aktin e Ministrisë së Zhvillimit Urban.

Rama paralajmëroi ndryshimin e ligjit për banesat sociale
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi dy ditë më parë në Parlament ndryshimin e ligjit për shpërndarjen e banesave sociale. Duke folur gjatë debatit disaorësh për buxhetin e vitit të ardhshëm, ai tha se në Tiranë dhe Durrës ka një numër të madh banesash të përfunduara, por që nuk shpërndahen. “Është e vërtetë, ka shumë të pastrehë në Shqipëri: 450 banesa të ndërtuara kohë më parë, për të cilat Këshilli Bashkiak i Tiranës kishte bërë edhe listën e familjeve në nevojë dhe sot e gjithë ditën rrinë kyçur dhe degradojnë. Është e vërtetë, ka edhe në Durrës 250 banesa. Nuk e di qëkur janë ndërtuar, por e di që nuk shpërndahen. Është e vërtetë që ka qindra të tjera në të gjithë Shqipërinë. Të gjitha këto janë banesa boshe, të një mënyre të të kuptuarit dhe të të drejtuarit që është bosh, që është mënyra juaj”, deklaroi Rama. Ai vijoi: “Tani këtë çështje po jua them sot dhe shpresoj që të paktën deputeti në fjalë, – që tha pse s’e bëni, se keni shumicën, –  ta japë votën, sepse shumë shpejt do të vijmë këtu në Parlament, do t’ju biem një projekt dhe nuk do ta lëmë më çështjet e sistemit të të pastrehëve në dorë të gjithfarëlloj drejtuesve, apo përfaqësuesve partish që marrin peng të pastrehët për të justifikuar strehën e tyre politike”.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura