Ndryshimi si çlirim nga pengmarrjet e qeverive

May 23, 2024 | 7:47
SHPËRNDAJE

erion-piciriiiiERION PICIRI

A është kultura otomane “më jep, të jap” arsyeja e korrupsionit qeveritar (sikurse pretendon kryeministri shqiptar) apo është kultura pengmarrëse e lidershipit, ajo që ka deformuar sistemin dhe po i merr frymën Shqipërisë? Sipas të dhënave të “Transparency International”, (TI), Shqipëria ndodhet prej dekadash në krye të hierarkisë europiane të korrupsionit me vende si Rusia dhe Ukraina, që nuk u pushtuan kurrë nga otomanët. Madje edhe Turqia, pasardhëse direkte e otomanizmit, ka pasur kohë të arta si viti 2013 kur ishte e 53-ta në botë për ndershmërinë në institucionet publike, shumë më lart se vendet ballkanike dhe vende europiane si Italia. Ajo ka humbur sot 62 vende duke u radhitur e 115-ta, nga më të korruptuarat e kontinentit (TI), si pasojë e qeverisjes prej njëzet vitesh nga i njëjti njeri dhe parti politike. Ajo që i lidh të korruptuarit e Europës e më gjerë është prirja autoritar-korruptive e prijësve, që për të përjetësuar pushtetin e tyre ndërtojnë sisteme pengmarrëse të shoqërive. Shqipëria ndodhet pikërisht në këtë udhëkryq të rrezikshëm të historisë së saj moderne, ku “frikësimi politik ndaj sistemit gjyqësor ka cenuar pavarësinë dhe efektivitetin e drejtësisë” (Departamenti Amerikan i Shtetit), ku media e ka shumë të vështirë për të ruajtur lirinë (Reporterët pa Kufij), ku njerëzit ikin masivisht e sot jemi vendi i dytë në botë për emigracionin e të rinjve (Eurostat). Nuk kemi të bëjmë thjesht me allishverishe burokratësh me mendësi mesjetare, por kulturë politike bashkëkohore për kapje të shoqërisë, ku zhvatja e publikes është së pari si mjet mirëmbajtje e sistemit të trukuar dhe së dyti si përmbushjeje e deficiteve individuale. Në këto kushte, zëvendësimi me votë masive i lidershipit me rekorde autoritar-korruptive me një lidership të ri me mendësi moral-demokratike është imperativ për çlirim të shoqërisë dhe zhvillim të individit. Hulumtimi i publikuar së fundmi (2022) nga Vincent Pons (Harvard), Vincent Rrollet (MIT) dhe Benjamin Marx (Science Po) duke përdorur të dhëna nga zgjedhjet në të gjithë botën që nga viti 1945, kanë treguar se ndryshimi i shumicave në pushtet përmirëson performancën e vendit në ekonomi, zhvillimin njerëzor dhe demokracinë. Ne e kemi parë këtë sa herë ka ndryshuar pushteti në Shqipëri. Edhe kur nuk arrihet gjetja e një alternative optimale, ndryshimi sjell me vete një përmirësim të situatës.

Referuar sërish të dhënave të “Transparency International”, për korrupsionin, nivelet më të mira të qeverisjes në këtë drejtim janë arritur në vitet 2008 dhe 2016. Qeveria “Berisha 1” për tri vite në pushtet u ngjit 41 vende nga paraardhësi, duke shkuar në vendin e 85. Po në tri vitet e para, Qeveria “Rama 1” u ngjit 33 vende dhe shkoi në vendin e 83. Më pas iu kthyem avazit të vjetër. Ndryshe nga ne, vende të tjera vijuan ndryshimin me ndihmën e votës, drejtësisë dhe lidershipit të principtë.

Kroacia ishte pak a shumë si Shqipëria përpara 25 vjetësh, tek një e treta e vendeve më të korruptuara të botës, vend gjysmë i lirë. Kur ne mbetëm pothuajse atje, ata janë sot vend tërësisht i lirë, tek një e treta e vendeve me administratat më me integritet. Ndëshkuan me votë qeveritë e korruptuara, i dhanë forcë drejtësisë së re, dënuan kryeministër e zyrtarë të inkriminuar dhe sot pushtetarët nuk vjedhin paratë e të sëmurëve, të shkollave dhe asistencës sociale. Kohëzgjatja mesatare në pushtet e kryeministrave të vendeve rreth nesh është 2 vite, e kryeministrit tonë 11 vite, ndër më jetëgjatët në Evropë, i ngjashëm në model me ata të ish-republikave sovjetike.

Lideri bën diferencën. Ai mund të jetë burim ndërgjegjësimi, formësimi vlerash dhe karakteri institucional dhe kombëtar, i mbajtjes së përgjegjësive për emërimet, detyrat e marra dhe premtimet e bëra, simbol i integritetit dhe frymëzues për një jetë me parime të larta, dorëzues në kohë i stafetës së pushtetit, sikurse mund të shfaqet si kryeneç që nuk shqitet prej fronit, manipulues që kërcen degë më degë për t’i ikur përgjegjësive, simbol i trukimit të sistemit dhe krijimit të klaneve për të mbërthyer si darë shoqëritë, për t’iu hequr mundësinë popullsisë të vendosin për ecurinë e tyre. Ne kemi rënë prej kohësh në këtë modelin e dytë, që shet narrativën e rreme të pastërtisë së majave të pushtetit e që ia turbullojnë ujin të paudhët e niveleve të poshtme. Edhe sikur të merret e mirëqenë mosdija e titullarëve për shkeljet e vartësve, lulëzimi masiv i kleptokracisë brenda territorit të prijësve tregon paaftësi. Por a mund të besohet se një organizatë politike që mbikëqyr me imtësi sjelljen dhe prirjet e çdo votuesi prej 80 vitesh, me traditë në punën operative të ndjekjes dhe kallëzimit nuk di çfarë bëhet në zyrat e saj të pushtetit?! Në organizatat e centralizuara korrupsioni ndjek nga lart poshtë shembullin e prijësit, lulëzon atje ku inkurajohet, kur e favorizon mënyra e ushtrimit të pushtetit.

Zëvendësimi i shumicave çdo 4 vjet do ishte një masë e mbrojtjes shoqërore nga abuzimi qeveritar. Mirëkuptohet skepticizmi pas shumë zgjedhjesh zhgënjyese, por zgjidhja qëndron sërish e sërish tek ndryshimi. Jemi përpara një diktature hibride, ku krijohet iluzioni i demokracisë, por ku pushteti, paraja dhe zëri publik është ekskluzivitet i një pakice, fijet e së cilës mblidhen në një dorë. Largimi i kësaj dore është kusht për çlirim të energjive shoqërore. Këtu të gjithë kemi një rol.

Sikurse do thoshte Nënë Tereza, “të vetëm nuk e ndryshojmë dot botën, por mund të hedhim një gur në ujë për të krijuar më shumë valë”. Ekzaktësisht kjo është ajo se çfarë mund të bëjë gjithsecili me qëndrimin dhe fjalën për ndryshim. Shqipëria meriton një lidership më të mirë, që na shërben me ndershmëri, mirënjohës për mundësinë e dhënë, jo pengmarrës i jetës tonë. Për çdo orë dhe çdo ditë ne mund t’u themi miqve dhe familjarëve për nevojën e ndryshimit dhe të pjekim opinionin kombëtar për drejtimin e ri të vendit, duke dhënë një leksion historik se si vullneti i një mase të madhe qytetarësh të ndershëm tejkaluan pushtetin e gjithanshëm të klaneve korruptive.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura