Ndikimi i sanksioneve perëndimore mbi ekonominë e Rusisë, ekspertët: Është gërryer në disa sektorë, por goditja…

Jan 19, 2023 | 21:34
SHPËRNDAJE

Ekspertët thonë se sanksionet e vendosura ndaj Moskës, për shkak të fillimit të agresionit në Ukrainë, kanë gërryer ekonominë ruse, në disa sektorë, por goditja nuk ka qenë në nivelet që pritej.

ekonomiaruse

Megjithatë ata parashikojnë se pasojat e ndjeshme për jetën e qytetarëve rusë do të thellohen gjatë këtij viti.

Ata vlerësuan në një diskutim të organizuar nga Qendra për Studime Strategjike e Ndërkombëtare, CSIS në Uashington, efektet e sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe partnerë të tjerë të Ukrainës ndaj ekonomisë ruse.

Sergey Aleksashenko, ekonomist dhe ish- zëvendës guvernator i Bankës Qendrore të Rusisë, thotë se 1 vit pasi Moska nisi luftën dhe u përball me masat e Përëndimit, ekonomia e Rusisë u dobësua, por nuk u shkatërrua.

“Ka rënie ekonomike, por jo kolaps. Buxheti vitin e kaluar ishte pak a shumë nën kontroll. Defiçiti buxhetor është më pak se 2.5 përqind i prodhimit të brendshëm bruto. Inflacioni është i ulët. Pra varet si e shohim gotën, gjysmë plot apo gjysmë bosh. Nga ana tjetër, ekonomia globale nuk mund të përjashtojë Rusinë e cila është furnizuese kryesore për një sërë sektorësh për disa vende”, thotë zoti Aleksashenko.

Para nisjes së luftës, rreth 40 për qind të nevojave energjetike të Evropës përmbusheshin përmes importeve nga Rusia. Bashkimi Europian është përpjekur të dobësojë të ardhurat që përfiton Rusia nga eksporti i gazit dhe naftës duke miratuar disa paketa sanksionesh, mes tyre edhe çmimin tavan për naftën ruse.

“Një përpjekje për të kufizuar të ardhurat e Rusisë, por në të njëjtën kohë për të mos e lënë tregun bosh”, thotë eksperti Ben Cahill, nga Qendra për Studime Strategjike e Ndërkombëtare.

Sipas kësaj mase, nafta ruse lejohet të dërgohet në vendet e palëve të treta, vetëm nëse ngarkesa blihet me 60 dollarë fuçia, ose nën kufirin e këtij çmimi.

“Kjo masë nisi të zbatohet në dhjetor dhe është pak e vështirë që të nxjerrim përfundime. Ndikimi është në dy drejtime, tek sasia dhe çmimi. Rusia nuk mund të dërgojë naftën në Europë dhe po e dërgon në Azi. Distancë më e madhe do të thotë më shumë kosto. Pra është thelluar diferenca midis çmimit të naftës ruse dhe çmimit botëror të naftës, rreth 30 dollarë më shumë për fuçi. Sa i përket eksporteve, eksportet e naftës që transportohen përmes detit ranë 12 deri në 14 %”.

Sanksionet po dobësojnë cilësinë e jetesës së rusëve

Goditje ka marrë edhe industria e prodhimit të automjeteve dhe telekomunikacionit, por masat e ashpra të Perëndimit kanë ndikuar tek cilësia e jetës së përditshme të rusëve. Një ndikim që ekspertja Maria Snegovaya nga Qendra për Studime Strategjike e Ndërkombëtare e cilësoi si “mbytës”.

“Ka ndryshuar cilësia e produkteve, sepse nuk ka më prodhime perëndimore. Tani po përdoren produkte zëvendësuese dhe kjo ka çuar në rënie të cilësisë së jetës dhe këtu mund të përmend nga produktet higjienike, te qumështi e deri tek celularët. Po ashtu është dobësuar edhe sistemi shëndetësor sepse në spitale mungojnë ilaçet”, shpjegon ajo.

Edhe turizmi po vuan pasojat e sanksioneve të BE-së. “Nuk ka më turistë të huaj Perëndimorë dhe nga ana tjetër edhe për rusët është e vështirë të udhëtojnë“ thotë zonja Snegovaya.

Si pritet të jetë ekonomia ruse gjatë 2023?

Ekspertët parashikojnë se 2023, që shënon vitin e dytë të sulmit rus ndaj Ukrainës nuk do të jetë një vit i lehtë për Moskën, pavarësisht qëndrimeve që kanë dhënë autoritetet ruse.

“Mendoj se do të jetë një vit i vështirë. Nuk ndaj optimizmin e zotit Putin se ekonomia do të rimëkëmbet. Defiçiti buxhetor do të rritet, edhe shpenzimet do të rriten, sikurse është parashikuar”, thotë zoti Aleksashenko.

Sa i përket eksporteve të naftës e gazit, situata është pak më e paqartë, vlerësojnë ekspertët.

“Eksportet e naftës do të varen shumë nga fuqia blerëse e Indisë dhe Kinës. Mendoj se çështja që prek gjithë industrinë e naftës është humbja e partnerëve financiare. Shumë aktorë të rëndësishëm financiarë kanë vendosur të mos bëjnë më biznes me kompanitë ruse. Ndërsa sa i përket tregtimit të gazit, nuk është njësoj si me naftën. Nuk mund të zëvendësosh tregun Europian”, thotë zoti Cahill.

Vështirësi pritet të ketë edhe industria e automjeteve për shkak të mosfurnizimit me pajisje nga vendet perëndimore.

Ndërsa pritet paketa e 10 e sanksioneve të Bashkimit Europian, ekspertët thonë se vendosja e sanksioneve vetëm ndaj oligarkëve nuk mjafton.

“Nëse vendet perëndimore duan që Ukraina të fitojë luftën, nuk mjaftojnë sanksionet. Kërkohen armatime. Sa më vonë të bëhen furnizimet me armatime aq me largët fitorja e Ukrainës. Sa i përket sanksioneve ekonomike, kur u vunë sanksionet e para në 2014 kam dëgjuar ligjvënës amerikanë të thonin se nuk donin që të dëmtonin qytetarët rusë. Por nëse doni të ushtroni trysni mbi shoqërinë ruse, mbi opinionin publik, mbi Kremlinin, ushtroni presion mbi qytetarët rus njësoj si mbi oligarkët”, përfundon zoti Aleksashenko./VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura