Ndarja nga jeta e ish-ambasadorit gjerman, politika me mesazhe ngushëllimi: Mirënjohje për kontributin e vyer! Emri i Peter Zingraf, pjesë e panteonit të miqve që punuan për Shqipërinë Europiane

May 23, 2024 | 18:28
SHPËRNDAJE

Peter Zingraf, ish-ambasadori gjerman në Shqipëri, është ndarë nga jeta para kohe, për shkak të një sëmundje të rëndë.

A295C000-82A9-4C7C-92FB-4F5658E083F1

Në lidhje me lajmin e trishtë, ka reaguar politika shqiptare, ku kanë vlerësuar kontributin e tij për Shqipërinë dhe kanë shprehur mesazhe ngushëllimi për familjen e tij.

Kryetari i PD, Lulzim Basha, në mesazhin e tij shprehet se emri i Peter Zingraf do të jetë pjesë e panteonit të miqve të Shqipërisë që punuan për Shqipërinë Europiane

“Thellësisht i trishtuar për ndarjen nga jeta të Peter Zingraf, ish-ambasadorii Gjermanisë në vendin tonë, një mik i mirë i Shqipërisë dhe një zyrtar i përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe rrugëtimit europian të Shqipërisë. Emri i Peter Zingraf do të jetë pjesë e panteonit të miqve të Shqipërisë që punuan për Shqipërinë Europiane. Në emër të Partisë Demokratike dhe opozitës, i shpreh ngushellimet më të ndjera familjes, kolegëve dhe popullit gjerman për këtë humbje të madhe. U prehtë në paqen e Zotit!”, shkruan Basha në mesazhin e tij.

Edhe presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar. Përmes një postimi në Facebook, ai shpreh mirënjohje për kontributin e tij të vyer në dobi të zhvillimit dhe forcimit të marrëdhënieve në të gjitha fushat me Gjermaninë, për përshpejtimin e procesit të integrimit të plotë të vendit tonë në BE, si dhe për angazhimin e palodhur për forcimin e demokracisë funksionale, shtetit të së drejtës dhe llogaridhënies në Shqipëri.

“Me trishtim mësova lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-Ambasadorit të Gjermanisë, Peter Zingraf.

Mirënjohje për kontributin e tij të vyer në dobi të zhvillimit dhe forcimit të marrëdhënieve në të gjitha fushat me Gjermaninë, për përshpejtimin e procesit të integrimit të plotë të vendit tonë në BE, si dhe për angazhimin e palodhur për forcimin e demokracisë funksionale, shtetit të së drejtës dhe llogaridhënies në Shqipëri.

Do të ruaj kujtimet dhe vlerësimet më të mira për periudhën që bashkëpunuam së bashku!

Ngushëllime familjes, kolegëve të Ambasada Gjermane Tiranë , si dhe autoriteteve të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë mike dhe partnere strategjike!”, shkruan Meta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura