Ndahen “Palmat”, publiku dhe kritika më dysh

May 24, 2011 | 9:28
SHPËRNDAJE
Nga filmi fitues: “The tree of life”

Në fund, gjithçka shkoi sipas parashikimeve. “Palma e artë”, e edicionit të 64-t të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Kanë, i shkoi regjisorit amerikan Terrence Malick, që ka triumfuar me filmin “The tree of life” (“Pema e jetës”).I pritur me duartrokitje dhe fishkëllima nga publiku, i kritikuar egërsisht nga një palë dhe lavdëruar nga pala tjetër, filmi u vlerësua si më i miri nga juria e kryesuar nga aktori Robert De Niro. Pas një jave konkurrimi, prezantimesh filmash në garë e jashtë saj, parakalime në tapetin e kuq të yjeve nga e gjithë bota, mbrëmjen e së dielës u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimeve. Në këtë ceremoni “glamour”,

Nga filmi fitues: “The tree of life”

nuk ishte regjisori Malick që tërhoqi trofeun e fitores, por producenti Bill Pohlad. Nuk ishte e papritur kjo mungesë e regjisorit amerikan, i cili është i njohur për qëndrimin e tij larg ceremonive dhe intervistave. Çmimi për regjinë i shkoi regjisorit danez Nicolas Winding Refn për filmin “Drive”. Ai për aktoren më të mirë i shkoi aktores amerikane Kirsten Dunst, protagoniste e filmit “Melancholia” i Lars von Trier, i cili u deklarua “non grata” dhe, si rrjedhim, i përjashtuar nga festivali, për shkak të deklaratave të tij për Hitlerin. Çmimi për aktorin më të mirë i shkoi Jean Dujardin për interpretimin e tij në filmin pa zë, bardhë e zi, “The Artist”, i Michel Hazanavicius, i cili dje mori edhe një tjetër vlerësim, atë të interpretimit më të mirë nga qeni Uggy.
Është ndarë më dysh Çmimi i madh i jurisë. Ai u ka shkuar vëllezërve Jean-Pierre e Luc Dardenne për filmin “Djali me biçikletë” dhe regjisorit turk Ceylan për filmin “Bir Zamanlar Anadolu’da” (“Na ishte një herë Anatolia”). Nga kjo natë çmimesh kanë dalë duarthatë italianët. Deri para pak ceremonisë, dukej se kishte mundësi të mira për një “Palmë” për Michel Piccoli për interpretimin e tij në filmin “Habemus Papam”, me regji të Nanni Morettit apo për aktorin Sean Penn, protagonist i filmit “This must be the place”, me regji të Paolo Sorrentinos. Por anëtarët e jurisë kanë vendosur ndryshe, çka edhe është komentuar gjatë pas ceremonisë. Të tjera çmime u ndanë për skenarin më të mirë, filmin e shkurtër më të mirë, veprën e parë më të mirë etj.          al.mi

Lars von Trier, “non grata” në Kanë

Filmi mbeti në garë, por autori u lut të mos merrte pjesë në ceremoni. Ca fjalë të papeshuara mirë të regjisorit Lars von Trier, i cili shprehu adhurimin për Hitlerin, ndonëse më vonë kërkoi ndjesë, i vlejtën atij damkën “i padëshirueshëm”. Ai ishte vendimi më i paparashikueshëm në historinë e një prej festivaleve më të rëndësishme në botë, por ishte “i pashmangshëm për të shpëtuar dinjitetin e festivalit”. Ndonëse u duk se historia u mbyll me “dënimin” e frazave të thëna nga regjisori danez dhe pranimin e keqardhjes nga ana e tij, organizatorët ndërruan mendje, pasi panë videon e konferencës për shtyp në majën e klikimeve në internet. Lars von Trier nuk u mjaftua vetëm me një shprehje të “simpatisë për Hitlerin”, por rikthehet në këtë argument, duke shprehur “një admirim të madh për Albert Speer”, arkitektin e Fyhrerit, por edhe ministër i armatimit e në fund, shpreh edhe bezdinë për shtetin e Izraelit. Ishte më se i dukshëm sikleti i protagonistes së filmit “Melancholia”, Kirsten Dunst, e cila përpiqej të qeshte e hidhte vështrime të trembura përreth. Pas kuintave ka qenë i stuhishëm reagimi i protagonistes tjetër, francezes Charlotte Gainsbourg, martuar me aktorin izraelit Yvan Attal. Ajo anuloi të gjitha intervistat dhe braktisi darkën e grupit realizues të filmit. I menjëhershëm ishte reagimi i komunitetit francezo-hebraik dhe shoqatës amerikane të viktimave të Holokaustit, që kërkonin përjashtimin e regjisorit. Po nuk do të mjaftonte kaq, shumë distributorë u tërhoqën nga ofertat e tyre për të shpërndarë filmin e Lars von Trier.

Çmimet

“Palma e Artë”: “The Tree of Life”
Grand Prix ex-aequo:
“Bir Zamanlar Anadolu’Da,
“Le gamin au velo”
Çmimi për regjinë:
Nicolas Winding Refn
Çmimi i jurisë: “Polisse”

Aktori më i mirë: Jean Dujardin
Aktorja më e mirë: Kirsten Dunst
Skenografia më e mirë:
Joseph Cedar
“Palma e Artë”
për filmin e shkurtër: “Cross”
“Kamera e artë”: “Las acacias”

Një histori amerikane

Ende pa u ndarë çmimet, të gjithë kishin vënë bast për “Pemën e jetës”. Ai ishte filmi më i kuotuar për të marrë “Palmën e Artë” të Festivalit të Kanës. U realizuan sondazhe e parashikime, që e nxirrnin filmin me regji dhe skenar të Terrence Malick në krye të listës. Madje, e përditshmja franceze “Le Figaro”, i kishte shpallur orë përpara “Palmat e Le Figaro(-së)”. Ngjarjet e filmit na çojnë në një familje amerikane në vitet ’50, Xhek jeton një fëmijëri të brishtë, me një nënë bujare e altruiste dhe një baba të plagosur nga jeta. Në sytë e djalit bota paraqitet me një bukuri të pakufi. Kur u rrit, Xhek ndihej i zhgënjyer, një shpirt i humbur në botën bashkëkohore. Përmes një rrugëtimi të brendshëm delikat, Xhek tenton të gjejë kuptimin e jetës dhe të riparojë lidhjen e shkëputur prej kohësh me të atin. Filmi vjen nën interpretimin e aktorëve Brad Pitt, Crystal Mantecon, Fiona Shaw, Jackson Hurst, Jessica Chastain, Sean Penn, Tom
Townsend, Will Wallace.

Lars von Trier, “non grata” në Kanë

Filmi mbeti në garë, por autori u lut të mos merrte pjesë në ceremoni. Ca fjalë të papeshuara mirë të regjisorit Lars von Trier, i cili shprehu adhurimin për Hitlerin, ndonëse më vonë kërkoi ndjesë, i vlejtën atij damkën “i padëshirueshëm”. Ai ishte vendimi më i paparashikueshëm në historinë e një prej festivaleve më të rëndësishme në botë, por ishte “i pashmangshëm për të shpëtuar dinjitetin e festivalit”. Ndonëse u duk se historia u mbyll me “dënimin” e frazave të thëna nga regjisori danez dhe pranimin e keqardhjes nga ana e tij, organizatorët ndërruan mendje, pasi panë videon e konferencës për shtyp në majën e klikimeve në internet. Lars von Trier nuk u mjaftua vetëm me një shprehje të “simpatisë për Hitlerin”, por rikthehet në këtë argument, duke shprehur “një admirim të madh për Albert Speer”, arkitektin e Fyhrerit, por edhe ministër i armatimit e në fund, shpreh edhe bezdinë për shtetin e Izraelit. Ishte më se i dukshëm sikleti i protagonistes së filmit “Melancholia”, Kirsten Dunst, e cila përpiqej të qeshte e hidhte vështrime të trembura përreth. Pas kuintave ka qenë i stuhishëm reagimi i protagonistes tjetër, francezes Charlotte Gainsbourg, martuar me aktorin izraelit Yvan Attal. Ajo anuloi të gjitha intervistat dhe braktisi darkën e grupit realizues të filmit. I menjëhershëm ishte reagimi i komunitetit francezo-hebraik dhe shoqatës amerikane të viktimave të Holokaustit, që kërkonin përjashtimin e regjisorit. Po nuk do të mjaftonte kaq, shumë distributorë u tërhoqën nga ofertat e tyre për të shpërndarë filmin e Lars von Trier.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura