Na shpjegoni qartë shtyrjen e negociatave

Dec 5, 2020 | 18:45
SHPËRNDAJE

prec-zogajPREÇ ZOGAJ

Mbështetësja më e fortë e integrimit të Shqipërisë në BE, Kancelarja gjermane Merkel, u shtrëngua të na ngrinte buzëqeshjen kësaj jave me një deklaratë të pazakontë që vë pikëpyetje të madhe, për të mos thënë shtyn për një datë tjetër, mbajtjen e premtuar javën e ardhshme të konferencës ndërqeveritare të BE-së me Shqipërinë, që do të shënonte hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësim në BE.

Ndërsa shprehu shpresën e saj se Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut do të mënjanojnë grindjet e tyre dhe negociatat do t’i hapen kësaj radhe Shkupit, “çështja është pak ndryshe për Shqipërinë”, vuri në dukje Kancelarja, duke shtuar: “Me gjithë përparimet, nuk mund të premtoj të ndodhë këtë vit, por shumë shpejt”.

Me këtë rast, pa asnjë intension, Kancelarja i vuri kapak sherrnajës shqiptare “a janë hapur apo nuk janë hapur negociatat”. Nuk janë hapur ende. As në mars të këtij viti, as vitin e shkuar, as më parë, siç ka pretenduar publikisht Kryeministri Rama. Do të hapen kur të miratohet korniza negociuese dhe të mbahet konferenca ndërqeveritare për Shqipërinë. Me shumë pak mundësi, javën e ardhshme. Me shpresa të reja, në mars të vitit 2021 apo pas zgjedhjeve të 25 prillit, apo, apo… Shpresat tona kanë nisur të vjetrohen, por nuk kemi tjetër, veç tyre.

“Për Shqipërinë, çështja është ndryshe”. Një fjali e toneve pikëlluese që Kancelarja nuk do të kishte dashur ta thoshte, por nuk mund të mos e thoshte në momentin e fundit kur pa se dashja dhe përpjekjet e saj nuk po çanin.

Një fjali e vetme që thotë shumë e njëkohësisht nuk thotë asgjë.

Nuk pritej që në formatin e një konference online si ajo ku po fliste, zonja Merkel të shpjegohej në mënyrë eksplicite në cilat pika ka ngecur apo dështuar Shqipëria për hapjen e negociatave këtë vit.

Në mos ajo vetë, dikush tjetër në emër të saj, në emër të Gjermanisë, në emër të BE-së, duhet ta bëjë këtë. Marrim rastin se Maqedonia e Veriut kalon javën e ardhshme dhe Shqipëria jo. Ose ndalojnë të dyja: Maqedonia e Veriut për shkak të vetos së papritur të Bullgarisë për çështje historike, Shqipëria për ca faje të saj dhe të disa vetove, më shumë të fshehta se të hapura, të disa vendeve dhe grupeve politike europiane. Lajmi për ne nuk është më i keq po të na ndajnë nga Maqedonia e Veriut. Asnjë mendje e hapur në vendin tonë nuk mund të gjejë ngushëllim në dështimin e përbashkët me fqinjin lindor. Madje, bllokimi i Maqedonisë së Veriut prej kushteve që ka vënë Bullgaria do të ishte një lajm edhe më i keq pasi do të fuste BE-në në krizën e moszgjerimit të mëtejshëm- çdo vend anëtar mund të nxjerrë nga “hipoteka” e historisë kushte për fqinjët kandidatë. Le të urojmë, pra, që Maqedonia e Veriut të vazhdojë përpara edhe pa ne. Ndërkaq, aspirata e shqiptarëve për t’u bërë pjesë e BE-së ka nevojë dhe meriton një shpjegim pa ekuivokë dhe pa formulime “elastike” që u japin municion secilës palë politike në Tiranë dhe mbajnë në gjendjen e relativizimit të dëmshëm përgjegjësitë.

Ka konfuzion në Shqipëri në lidhje me kushtet e paplotësuara nga Tirana dhe arsyeve apo edhe preteksteve që gjen një vend a një tjetër europian për të na thënë “jo” në funksion të axhendave të brendshme politike. Kjo nuk mbaron kurrë. Në Europë ka zgjedhje çdo vit. Nëse zgjerimi i BE-së me vende të tjera të kontinentit dëmton suksesin e forcave pro europiane, jemi në një rreth të mbyllur. Në fakt, zgjedhjet e fundit në Parlamentin Europian treguan se forcat europianiste janë shumicë absolute në vendet e BE-së. Askush nuk u rrit si forcë europianiste me maska të nacionalizmit dhe sovranizmit arkaik. Shumica dërmuese e europianëve janë për BE-në dhe zgjerimin. Këtë ka treguar qartë vota për Parlamentin Europian. Do të thotë se në disa vende, kancelari politike apo grupe duhet të kenë arsye të tjera të pathëna që mbajnë tërhiq e mos e këput Shqipërinë. Mirë është të na thuhen…

E përsërisim vazhdimisht kur flasim e shkruajnë për këtë temë se përgjegjësia kryesore për vonesat është e qeverisë shqiptare. Në një kuptim me të gjerë, e Tiranës politike. Kjo është e vërtetë, siç është e vërtetë edhe tjetra, që kur nuk duan të na lëvizin nga stacioni i radhës i udhës së gjatë drejt anëtarësimit të plotë, BE apo vendet e ndryshme nuk kanë asnjë problem t’i përdorin kushtet si llastik. Do ta ndihmonin shumë Shqipërinë po të ishin shumë të qartë në lidhje me kushtin e luftës kundër korrupsionit e krimit, që janë probleme madhore në vend. Por ky kushti tjetër, nëse vërtet është kusht, i Gjykatës Kushtetuese, edhe pse mund të të nxisë për të vepruar më shpejt, nuk ka pse lidhet me një proces të gjatë siç ky i hapjes së negociatave. Gjykata Kushtetuese është shfunksionalizuar nga vetingu, zbatimin e të cilit e ndjek me përparësi vetë BE. Vonesat në plotësimin e vendeve vakante kanë një histori të individualizueshme për çdo rast. Përtej prirjes së çdo institucioni për të pasur ndikimin e vet te gjykatësit e rinj kur këtë ua mundëson ligji, vonesat deri sot janë mundësuar pikësëpari nga mënyra si është formuluar ligji në kushtet kur nuk është parashikuar se vetingu do të rrëzonte kaq shumë gjyqtarë, se do të mungonte në shkallë të lartë vullneti për veprim të koordinuar mes institucioneve të emërtesës, se këto institucione do të shfrytëzonin çdo hapësirë ligjore, sado të vogël, për interesat e tyre. Pas opinionit të Venecias për mosmarrëveshjet vonesësjellëse në këtë rrafsh ka më shumë qartësi dhe vullnet për të vepruar më shpejt. Fakti është se Reforma sui generis në Drejtësi po merr kohë më shumë sesa ishte parashikuar, por ajo është në shina drejt mbërritjes, ndaj nuk mund të mbajë peng një proces. Se nuk po bëhemi anëtarë të BE-së, djalli e mori! Ky stacion fundor është akoma shumë larg.

Sidoqoftë, kushtet, kërkesat dhe qëndrimet e adresuara qartë dhe zyrtarisht nga autoritet më të larta të BE-së janë një ndihmë e madhe për Shqipërinë.

Ndërkaq, ai që duhet të shpjegohet më qartë akoma me qytetarët e vendit të tij është Kryeministri Rama. Pak ditë më parë, ai njoftoi një bisedë optimiste që kishte pasur me Kancelaren Merkel. Të gjithë u mbushëm me shpresë se negociatat do të hapen. Ç’ka ndodhur? Rama nuk ka folur këto ditë, ndoshta po pret një mrekulli të minutës së fundit. E po të ndodhë kjo, le të thërrasë një festë virtuale për shkak të pandemisë. Gjasat janë të mos ndodhë dhe radhën e ka shpjegimi. Çfarë ndikimi kanë pasur në këtë stopim ndryshimet kushtetuese dhe ligjore tej kornizës së ndryshimeve konsensuale me opozitën? Kjo është njëra prej pyetjeve kryesore që ngërthen vendosjen e një interesi strikt elektoral të qeverisë mbi interesin e përbashkët të integrimit. Fryma e bashkëpunimit mes palëve në Tiranë vlerësohet shumë në SHBA, në BE, në Gjermani. Rama sfidoi këtë frymë dhe zhgënjeu shumë përkrahës të tij apo të opozitës.

Ai e ka zakon t’ua faturojë dështimet në procesin e integrimit problemeve të brendshme të BE-së. E cekëm më lart se ato zhvillime kanë ndikim, por jo vetëm ato. Duke u kapur fort pas një arsyeje të jashtme, Rama injoron arsyet e brendshme dhe duket sikur Shqipëria s’ka ç’të bëjë tjetër, veç të presë kur të mos ketë probleme Europa. Nuk është kështu. S’ka qenë kurrë kështu. Europa vërtet na ka vonuar më gjatë sesa e meritojmë, por dera na është hapur. Përndryshe, nuk do të kishin bërë gjithë këtë rrugë drejt saj. Rama nuk duhet të harrojë se po shkon drejt përfundimit të mandatit të dytë pa asnjë sukses me peshë në procesin e integrimit, po të mbajmë parasysh faktin se statusin e vendit kandidat e gjeti gati dhe thjesht duhej të hiqte veton e tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura